Analiza Komisioni i Pavarur i Kualifikimit

“Fshehja e burimit të pasurive”, solli shkarkimin e prokurorit Arben Nela

Prokurori i Tiranës Arben Nela u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimi, i cili në vendimin e zbardhur thotë se gjeti pas hetimit administrativ se ai kishte bërë deklarim të rremë, të pamjaftueshëm dhe kishte fshehur burimin e krijimit të kësaj pasurie.

Prokurori i prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë Arben Nela duke dalë nga seanca e KPK-së | Foto nga : LSAë

Hetimi administrativ i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit gjeti se prokurori i Tiranës kandidat për në Këshillin e Prokurorisë Arben Nela nuk kishte deklaruar në kohë blerjen e një apartamenti, kishte pasaktësi  në deklarimin e pasurive të tjera dhe se sipas KPK-së fshehu burimin e të ardhurave.

KPK vendosi në korrik të shkarkonte Nelën, ndërsa vendimi i zbardhur sëfundmi tregon se prokurori ishte gjetur në shkelje fillimisht nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e Konfliktit të Interesit (ILDKPI), i cili e shpalli atë të papërshtatshëm. Sipas vendimit të zbardhur trupa gjykuese e KPK-së e kryesuar nga Xhensila Pine, me relatore Etleda Çiftja dhe anëtare Valbona Sanxhaktari, konfirmoi gjatë hetimit të saj gjetjet e Inspektoriatit.

Nela u justifikua kryesisht duke pretenduar se pasaktësitë nuk ishin të qëllimshme. Ai pretendoi se ILDKPI kishte hetuar në vitin 2009 pasurinë e tij pa gjetur probleme, por ky hetim nuk ishte ruajtur nga institucioni. Për të justifikuar mosdeklarimin në kohën e blerjes së një apartamenti 99.4 metra në Tiranë, prokurori i shkarkuar nga KPK, pretendoi se “Kontrata nuk ishte formalizuar”.

Komisioni në prani të vëzhguesit ndërkombëtar Hans Klijstra, gjeti që pretendimet e tij nuk ishin bindëse dhe se një pjesë e tyre shkonin përkundër provave shkresore të administruara. KPK vendosi të gjykonte Nelën vetëm bazuar mbi kriterin e pasurisë. Trupa arriti në përfundimin se “Subjekti i rivlerësimit ka fshehur dhe evidentuar në mënyrë të pasaktë pasuritë  në pronësi,  posedim ose përdorim të tij”.

Nela filloi punë si prokuror në Prokurorinë e Fierit në vitin 1998, ai u trasferua në Durrës në vitin 2006, ndërsa në vitin 2008 u trasferua në Tiranë, ku mbante postin e zëvendësprokurorit para se të përfshihej në procesin e rivlerësimit.

Lexo edhe:

Problemet me apartamentin

KPK gjeti se një apartament i deklaruar i blerë në vitin 2011 me sipërfaqe 99.4 metra, ishte paguar nga prokurori Nela dhe bashkëshortja në vitet 2004-2006. Në vendimin e zbardhur del se pagesat e kryera për blerjen në këto kohë nuk ishin deklaruar pranë ILDKPKI-së në vitet kur ato ishin kryer.

KPK po ashtu gjeti diferencë mes deklarimit të Nelës për kohën e kryerjes së pagesave dhe sasinë e paguar në secilin këst. Sipas KPK-së Nela kishte deklaruar në “deklaratën veting” pagesa që fillonin me 8000 euro në janar të vitit 2004, ndërsa pagesa e fundit ishte kryer më dhjetor 2006 me vlerë 25 mijë euro të marra hua nga motra e bashkëshortes.

Por sipas vendimit të zbardhur KPK gjeti si pranë kompanisë ku ishte kryer blerja ashtu edhe pranë bankës që ishte përdorur për të derdhur këstet një kronologji të ndryshme. KPK thotë se një pagesë prej 22 mijë eurosh ishte kryer sipas mandat pagesave të nxjerra nga banka në dhjetor 2004, ndërsa pjesa e mbetur e ndarë në dy këste në vitin 2005.

Bazuar në këto dokumente KPK thotë se Nela nuk kishte burim të ardhurash për të paguar shtëpinë në këtë periudhë. Huaja e marrë nga motra e bashkëshortes për të justifikuar pagesën është e një periudhe të mëvonshme.

Në vendimin e zbardhur del se kompania ku është blerë apartamenti bëri dy deklarata të ndryshme. Në mars 2018 i dorëzoi KPK-së versionin se pagesat ishin bërë në bankë duke filluar me 22 mijë euro në dhjetor të vitit 2004. Ndërkohë disa muaj më pas deklaroi versionin e Nelës, duke thënë se pagesat kishin filluar në janar të vitit 2004 dhe ishin bërë në format tjetër dhe se në bankë derdhja e 22 mijë eurove në dhjetit 2004 ishte bërë nga arkëtari i kompanisë jo nga bashkëshortja e prokurorit.

“Qartazi dy shkresat e firmosura nga e njëjta shoqëri kanë përmbajtje të ndryshme dhe bien  në kontradiktë me njëra-tjetrën, kontradiktë që nuk u provua nga subjekti i rivlerësimit”, thuhet në vendimin e KPK-së.

Nela u mbrojt duke pretenduar se banka nuk mbante të dhëna për arkëtuesin kur ky nuk kishte llogari në atë bankë dhe se pagesat ishin bërë cash pranë kompanisë dhe kjo i kishte depozituar në bankë më vonë. Ai i kërkoi KPK-së të sillte tre dëshmitarë.

Komisioni refuzoi dëshmitarët, ndërsa arsyetoi se dëshmitë nuk mund të përdoreshin kundër provave shkresore. Sipas KPK rezultoi e provuar se pagesa e dhjetorit 2004 prej 22 mijë eurosh ishte kryer nga bashkëshortja e subjektit siç dilte në mandat pagesat e marra prej bankës dhe prej kompanisë.

Po ashtu KPK arsyetoi se nuk ishte e llogjikshme që në rast se subjekti do kishte paguar 8300 euro në janar, kompania të derdhte në bankë në emër të tij një pagesë prej 22 mijë eurosh.

KPK gjeti se Nela dhe bashkëshortja nuk justifikonin shpenzimet e kryera për vitet 2004-2005 dhe se në këtë rast deklarimi i tyre ishte i pamjaftueshëm, i pasaktë dhe kishte fshehje të burimit të të ardhurave.

Problemet e shtëpisë tre katëshe

Hetimi i KPK-së zbuloi se Nela megjithëse kishte kërkuar legalizim në vitin 2005, nuk kishte deklaruar pranë ILDKPKI pronësinë mbi një shtëpi tre katëshe, ku sipas dokumenteve ai zotëronte gjysmën e truallit prej 300 metrash dhje gjysma tjetër zotërohej nga babai. KPK gjeti se deklarimi i parë për këtë banesë ishte bërë në vitin 2010. Kjo sipas KPK-së e ka ndihmuar prokurorin të fshehë shpenzimet që ka bërë në ndërtimin e kësaj banese.

KPK thotë se deklarimet e pasakta dhe përpjekja për fshehje ka vijuar edhe në deklaratën veting. Sipas vendimit të zbardhur Nela ka paraqitur të dhëna të ndryshme për mënyrën se si babai e ka fituar pronësinë e trullit, për pjesën që atij i përkiste aty dhe kohën kur e kishte përfituar atë.

Ai ka pretenduar një blerje pa kontratë në vitin 1993 për 30 mijë lekë nga një person privat, por KPK gjeti se trualli kishte qenë pronë publike dhe ishte blerë në vitin 2014 nga shteti me vlerë 312 mijë lekë.

KPK thotë se Nela duhej të kishte deklaruar këtë pasuri në vitin 2005 duke e konsideruar këtë shkelje të ligjit të vetëdeklarimit. Po ashtu KPK thotë se në deklaratën veting ishte fshehur pronësia mbi gjysmën e truallit dhe më herët pjesëmarrja në ndërtimin e kateve të tjera.

Komisioni po ashtu rrëzoi pretendimin e subjektit se banesa ishte ndërtuar nga babai. Sipas KPK-së babai i prokurorit nuk solli dokumente për të vërtetuar se i kishte të ardhurat. Sipas KPK-së kostoja e ndërtimit e llogaritur aty ishte rreth 3.4 milion për sipërfaqen e deklaruar dhe jo 500 mijë lekë siç pretendoi prokurori. Megjithatë KPK thotë se prindërit e këtij të fundit nuk kishin të ardhura edhe për të justifikuar shpenzimin prej 500 mijë lekësh në vitin 1993.

Prokurori Nela sipas KPK-së u përpoq të shmangte nga deklarimi dy vëllezërit që kishin përfituar në vitin 2013 katin e dytë dhe të tretë të shtëpisë. KPK megjithatë rrëzoi pretendimin e prokurorit duke i cilësuar vëllezërit persona të lidhur. Pas analizës së dokumentacionit KPK gjeti se ata nuk kishin pasur të ardhura të ligjshme për të ndërtuar katin e dytë dhe të tretë të shtëpisë.

Apartamenti i blerë nga bashkëshortja

KPK thotë se u gjend për para shpjegimeve jo fort të arsyeshme, kur kërkoi nga Nela të justifikonte të ardhurat e përdorura për blerjen e një apartamenti 67 metra katrorë për 52 mijë euro.

Apartamenti rezultonte i blerë nga bashkëshortja e prokurorit. Burimi i krijimit ishte një hua e dytë e marra nga motra që jeton në Itali dhe disa transaksione me motrën tjetër që ndodhet në Shqipëri dhe që zotëronte apartamentin.

KPK thotë se huaja 40 mijë euro ishte marrë me një kontratë huaje në vitin 2012 për të kuruar bashkëshorten e prokurorit, por siç deklaron ky i fundit pasi situata shëndetësore e së shoqes ishte përmirësuar me paratë ishte vendosur të blihej apartamenti i motrës tjetër.

Në vendimin e zbardhur KPK thotë se nuk kishte gjurmë bankare të trasferimit të parave nga Italia në Shqipëri dhe po ashtu nuk kishte gjurmë të tilla për shlyerjen e huasë dhe pagesën e kësteve.

KPK thotë se nuk shpjegohej pse paratë të cilat sipas shpjegimeve të prokurorit do të përdoreshin për të paguar një trajtim mjekësorë në Itali u trasferuan njëherë në Shqipëri.

Po ashtu për KPK nuk qe i shpjegueshëm as një pjesë tjetër e deklarimeve mbi këtë banesë. Kështu huaja është marrë në gusht 2012 dhe në shtator po 2012 gjysma e saj i është dhënë motrës tjetër të bashkëshortes, pagesë e cila është konsideruar më pas si këst për banesën.

Vetë prokurori i tha KPK-së se destinacioni i huasë së marrë për kurim kishte ndryshuar në vitin 2013 kur shëndeti i bashkëshortes ishte përmirësuar. KPK e cilësoi këtë deklarim të rremë duke theksuar se pagesa për apartamentin ishte bërë para se të kishte përmirësim të shëndetit të bashkëshortes së prokurorit.

Po këtu KPK gjeti të rreme një kontratë mes bashkëshortes së subjektit dhe motrës që jeton në Shqipëri dhe po shiste apartamentin. KPK thotë se ndërsa kishin nënshkruar një kontratë ku thuhej se gruaja e prokurorit i jepte të motrës 20 mijë euro që kjo e fundit t’i trasferonte në Itali (prej nga ishin marrë sipas deklarimeve nga motra tjetër), në mënyrë që të përdoreshin për kurimin e zonjës Nela.

KPK thotë se përveç komplikimit të transaksionit, rezultoi se paratë ishin derdhur në një llogari bankare me afat 1 vjeçarë me interes 2.7 përqind, duke rrëzuar pretendimin se ato do të përdoreshin për kurim. Po ashtu KPK gjeti se kjo shumë nuk ishte deklaruar më herët në deklarimet vjetore.

Në fund KPK thotë se Nela nuk mundi të jepte justifikonte në mënyrë të besueshme pasurinë. Po ashtu ata thanë se ai kishte fshehur burimin e ligjshëm dhe kishte bërë deklarim të rremë për të gjitha pasuritë e paluajtshme të hetuara nga KPK. Komisioni gjeti se ai nuk kishte të ardhura të mjaftueshme për të justifikuar pasuritë, ndërsa ngriti dyshime mbi huamarrjet jashtë sistemit bankare dhe qëllimet e tyre.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *