Drejtuesi i Prokurorisë së Kavajës Artan Madani (djathtas) dhe avokati i tij pas seancës dëgjimore. Foto:BIRN
Analiza Artikull kryesor Analiza KP Në Fokus

ONM rekomandon apel për prokurorin Artan Madani, vendimi i KPK “i pajustifikuar”

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit i kërkoi Komisionerit Publik të apelojë çështjen ndaj prokurorit të Rrethit Kavajë, Artan Madani, ndërsa kundërshton si të pabazuar vendimin e shumicës në KPK për ta konfirmuar atë në detyrë, duke nënvizuar se subjekti i rivlerësimit nuk kishte burime të ligjshme për pasurinë.

Drejtuesi i Prokurorisë së Kavajës Artan Madani (djathtas) dhe avokati i tij pas seancës dëgjimore. Foto:BIRN

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) i kërkoi Komisionerit Publik të apelojë çështjen ndaj prokurorit të Rrethit Kavajë, Artan Madani, ndërsa kundërshton vendimin e shumicës në KPK për ta konfirmuar atë në detyrë.

ONM shprehet se Madani nuk kishte burime të ligjshme për pasurinë, përfshi këtu një apartament dhe garazh në Durrës, blerë për 5.5 milion lekë në vitin 2001 dhe një fond investimi në bankë me vlerë 1.5 milion lekë, si dhe paratë cash në shtëpi në shumën 1.7 milion lekë. ONM po ashtu ritheksoi dyshimet rreth pronësisë së një makine të padeklaruar në përdorim dhe theksoi se sipas analizës financiare Madani kishte pamjaftueshmëri në shumën 4.4 milion lekë.

Në kërkesën për apel vihet në dukje se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit mori si provë deklaratat e prokurorit edhe pse ky ishte treguar shpesh kontradiktor gjatë pyetësorëve. Po ashtu vihet  në dukje se KPK pranoi një analizë financiare nga Madani edhe pse kjo kishte një sërë problemesh, përfshi mungesë të një metodologjie të qartë.

Trupa gjykuese që kreu procesin e vetingut për Madanin e përbërë nga Etleda Çiftja kryesues, Genta Tafa Bungo anëtare dhe Pamela Qirko relatore, vendosi me shumicë konfirmimin e tij në detyrë me 1 korrik. Vëzhgues ndërkombëtar në çështjen e tij ishte Ferdinando Buatier de Mongeot.

Artan Madani e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1994. Ai ka punuar si prokuror në Durrës, ka drejtuar prokurorinë e Lezhës dhe është rikthyer sërish si prokuror në Prokurorinë e Durrësit. Në vitin 2014, Madani është emëruar në Prokurorinë e Kavajës ku është promovuar më pas si drejtues i kësaj prokurorie.

Kërkesa e ONM-së

Në kërkesën për të apeluar çështjen drejtuar Komisionerit Publik, ONM bën me dije se kishte qenë dakord me rezultatin paraprak të hetimit dhe me arsyet pse prokurorit Madani i kishte kaluar barra e provës.

Madje sipas Vëzhguesve Ndërkombëtarë “elementët e rinj të paraqitur nga subjekti nuk ishin ndonjë shtesë domethënëse” krahasimisht me të dhënat që KPK kishte për të cilat i kishte kaluar barrën e provës.

“Megjithatë trupi gjykues vendosi ta konfirmojë subjektin në detyrë. Ky (vendim) është, në mendimin e Vëzhguesve Ndërkombëtar, iu pajustifikuar, sepse rezultatet e arritura gjatë hetimit paraprak ishin të kënaqshme, dhe nuk u paraqitën element të mjaftueshëm për t’i kundërshtuar ato”, thuhet në rekomandimin e ONM-së për Komisionerin Publik.

Gjatë seancës dëgjimore ndaj Madanit u vu në dukje fakti se një apartament i blerë në vitin 2001 për 5.5 milion lekë, rezultonte me vlerë 1.7 milion lekë në kontratën e shitblerjes në vitin 2004. Madani pretendoi se ai e kishte blerë apartamentin të pambaruar dhe kishte kryer vetë shpenzimet shtesë deri në vlerën 5.5 milion, por sipas ONM ai nuk ka paraqitur asnjë provë për të vërtetuar këtë pretendim.

Sipas rekomandimit Madani bëri deklarime të pasakta mbi apartamentin dhe se asnjë nga kontratat e nënshkruara prej tij nuk e përmende statusin e papërfunduar dhe se ai nuk dha prova se ishte punuar në apartament. Sipas ONM apartamenti është blerë i përfunduar dhe kontrata e vitit 2004 është “nënshkrua me çmim më të ulët” duke përfshirë në të garazhin.

Vëzhguesit vënë në dukje se justifikimi i Madanit se garazhi nuk ishte deklaruar pasi ishte konsideruar si një i tërë me apartamentin nuk qëndron sepse për blerjet janë dy kontrata të ndryshme, me dy çmime të ndryshme.

Në rekomandim ONM shprehet se përndryshe nga vendimi që ka marrë shumica e KPK, duke i konsideruar të mjaftueshme shpjegimet  e Madanit, ato jo vetëm që nuk rrëzuan rezultatet paraprake të hetimit por nxorën në dritë të tjera pasaktësi. ONM vë në dukje se disa prej burimeve për këtë pasuri, përfshi dhurimet nga vjehrri, një shumë e kursyer nga bashkëshortja dhe një dhurim nga kunati, nuk ishin deklaruar më herët.

Vëzhguesi vë në dukje se burimet financiare për apartamentin, nuk ishin deklaruar më herët dhe as në deklaratën veting, veç se në mënyrë të vagullt si “kursime dhe dhurime” dhe se më pas në pyetësorë shumat që supozohet se janë dhuruar variojnë nga 250 mijë lekë deri në 300 mijë lekë e deri në 1.5 milion. Sipas ONM kjo nuk rrëzonte pikëpyetjet e ngritur nga hetimi për Madanin.

Ndër të tjera për një dhurim nga kunati prej 300 mijë lekë, i deklaruar fillimisht si dhurim në natyrë dhe më pas si pagesë për një punë të kryer, nuk ishte verifikuar burimi i ligjshëm.

Ndërkohë ONM vë në dukje se dhurimi nga babai i shumës prej 1.5 milion ishte deklaruar fillimisht si pjesëtim vullnetar pas shitjes së një shtëpie. Vëzhguesit pretendojnë se nuk ishte e qartë se babai – i cili në të njëjtën kohë kishte blerë një shtëpi tre katëshe të papërfunduar, i kishte pasur mundësitë financiare.

Pretendimi i Madanit në këtë pikë, se në dhurim që kishte bërë i ati kishte ndihmuar edhe vëllai, i hap sipas ONM probleme të tjera prokurorit, pasi vëllai i tij ka qenë i dënuar në Itali për shfrytëzim prostitucioni.

Edhe pse KPK nuk ka gjetur elementë që do të cënonin integritetin e tij dhe se dënimi i të vëllait ishte deklaruar, ONM thotë se të vetmet të ardhura të vëllait ishin ato nga krimi.

ONM vë në dukje se vëllai ishte regjistruar në Itali si i punësuar në vitin 2002, shumë kohë pas deklarimit të dhurimit.

“I vetmi aktivitet (deri në tetor 2002), ishte angazhimi i tij i madh dhe fitimprurës në shfrytëzimin e prostitucionit në Itali, për të cilin është dënuar dhe ka vuajtur dënimin”, thuhet në rekomandim.

Po ashtu sipas rekomandimit, besueshmëria e Madanit ishte cënuar. KPK thotë se ai deklaroi shifra të ndryshme shpenzimesh udhëtimi dhe se jep idenë që ia përshtati ato situatës financiare duke i “hedhur hije besueshmërisë” së tyre.

ONM lë të kuptohet se trupa gjykuese e KPK pranoi një analizë financiare të Madanit edhe pse ajo nuk ishte konsistente dhe nuk përdorte të njëjtën metodologji. Analiza e bërë nga subjekti sipas ONM kishte brenda saj të ardhura që nuk duhej të konsideroheshin të ligjshme pasi nuk ishin deklaruar më parë.

ONM thotë se bazuar në analizën financiare Madani nuk justifikon 2.4 milion lekë në vitin 2014 dhe prej kësaj as investimin 1.5 milion në një fond investimesh dhe as 1.2 milion kursime cash.

Vëzhguesit kundërshtojnë si të palogjikshme përllogaritjen e shpenzimeve për familjen e Madanit gjatë viteve 90’. Sipas tyre ndërsa ka marrë parasysh shpenzime shumë të ulëta dhe në disa vite edhe 0 shpenzime, KPK ka pranuar si të mirëqena të ardhurat.

Megjithatë vëzhguesit vënë në dukje se edhe “duke pranuar kushtet shumë favorizuese” bilanci financiar rezulton negativ në 4.4 milion lekë.

Ngjashëm ONM hedh dyshime mbi një makinë Ford. Sipas ONM-së Madani nuk kishte deklaruar përdorimin e makinës dhe disa mjeteve të tjera. Ndërsa duke u nisur nga hyrjet e daljet në TIMS, rezultoi se makina ishte përdorur shpesh nga ai dhe bashkëshortja, ndërsa rezultoi se pronari i saj nuk kishte dalë asnjëherë me të jashtë vendit.

Në fund ONM arsyeton se “duke qenë se nuk ka deklaruar borxhe dhe se të gjitha borxhet ishin paguar, ai (Madani) duhet të ketë pasur burime të padeklaruara të ardhurash”. Ata vënë në dukje se ai nuk provoi legjitimitetin e burimeve financiare dhe se nuk kishte burime të mjaftueshme të ardhurash.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *