

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka riçelur hetimet për Dhurata Haverin, gjyqtare pranë Gjykatë së Apelit për Krime të Rënda. Në një njoftim të shkurtër KPK bën me dije se seanca e planifikuar për shpallje të vendimit ishte shtyrë në një kohë të pacaktuar.
“Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka vendosur të riçelë hetimin për subjektin e rivlerësimit znj. Dhurata Haveri me detyrë gjyqtare pranë Gjykatë së Apelit për Krime të Rënda, për rrjedhojë seanca e shpalljes së vendimit e përcaktuar më datë 01.08.2019 nuk do të zhvillohet”, thuhet në njoftim.
Komisioni nuk ka bërë të ditura arsyet e riçeljes së hetimeve. Gjyqtarja e Apelit të Krimeve të Rënda ishte hetuar vetëm në kriterin e pasurisë, në të cilin KPK pretendoi se kishte gjetur një sërë problemesh. KPK identifikoi ndër të tjera një kredi të butë për banesë marrë sipas Komisionit në kundërshtim me ligjin, pamundësi financiare për blerjen e disa pasurive të patundshme dhe mungesë burimesh të ligjshme për disa vite.
Haveri kundërshtoi gjetjet e KPK dhe kërkoi të rivlerësohej edhe në dy kriteret e tjera, ndërsa kundërshtoi gjetjet e KPK dhe tha se deklarimet e saj nuk ishin marrë parasysh.
“Gjithë deklarimi juaj vjen në të kundërt të asaj që kam deklaruar. Përmbajtja e shkresave është e përkthyer në të kundërt sa është shkruar dhe ndjej keqardhje se ndihem e dyzuar për atë që përfaqësoj. Ndërkohë, jam krenare dhe e gatshme që për çdo pikë që të sqaroj e argumentoj,” tha Haveri para trupit gjykues.
Dhurata Haveri, gjyqtare e Apelit për Krime të Rënda prej 15 vitesh po hetohet nga një trupë e kryesuar nga Olsi Komici, Suela Zhegu relatore dhe Xhensila Pine anëtare. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar është Elka Ermenkova.