Gjyqtarja e Apelit të Tiranës, Elbana Lluri pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
Korrupsioni KPK Lajme Në Fokus

Gjyqtarja e Apelit, Elbana Lluri përballet me pikëpyetje për pasurinë

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit evidentoi pamundësi financiare për blerjen e dy automjeteve, por gjyqtarja e Apelit të Tiranës e kundërshtoi analizën financiare. Ajo e vlerësua pozitivisht për figurën dhe profesionalizmin.

Gjyqtarja e Apelit të Tiranës, Elbana Lluri pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.

Gjyqtarja e Apelit të Tiranës, Elbana Lluri u përball të enjten më 7 janar me gjetjet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për të tri kriteret e rivlerësimit. Procesi i vetingut për gjyqtaren Lluri po kryhet nga trupa gjyqësore e përbërë nga Valbona Sanxhaktari kryesuese, Xhensila Pine relatore dhe Roland Ilia anëtar. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte e pranishme Maria Tuma.

Për një apartament me sipërfaqe 125 m2 në Tiranë, të blerë në vitin 2012 nga motra e saj për vlerën 6.5 milionë lekë, gjyqtarja Lluri ka deklaruar si burime krijimi një kredi të butë të përfituar nga ish-bashkëshorti në shumën 5 milionë lekë si dhe kursime të tij në vlerën 1.5 milionë lekë.

Gjyqtarja Lluri ka shpjeguar në deklaratën e vitit 2012 se pjesa e saj takuese i është dhuruar nga motra dhe se kjo ishte arsyeja përse çmimi ishte i ulët.  Relatorja Pine tha se Lluri ka deklaruar se motra dhe bashkëshorti i saj kanë pasur burime të mjaftueshme për blerjen e apartamentit, gjysma e të cilit i është dhuruar subjektit.

Gjyqtarja kishte shpjeguar gjithashtu se motra dhe kunati kishin pasur marrëdhënie qiradhënie me një insitucion ndërkombëtar në vitet 1994-2001, prej nga kishin përfituar të ardhura të konsiderueshme. Gjithashtu ka dorëzuar edhe dokumentacion për të provuar deklarimet e saj.

Pine tha se është vërtetuar se është paguar edhe tatimi për qiranë dhe se ka rezultuar se dhuruesit të kenë pasur burime financiare të ligjshme të mjaftueshme për blerjen e apartamentit në fjalë.

Nga verifikimi i burimeve të ish-bashkëshortit të Llurit, gjyqtarit Gerd Hoxha, Komisioni ka konstatuar se ai ka pasur mundësi të kursente shumën 1.5 milionë lekë. Ndërkohë, ka rezultuar se vlerën 5 milionë lekë të përfituar nga kredia e butë e ka depozituar po atë ditë që e ka tërhequr, në llogarinë e shitësve të apartamentit.

Pine tha se ka rezultuar se në vitin 2009 subjekti ka marrë një kredi në shumën 25 mijë euro me destinacion arredimin e apartamentit.

“Kjo kredi është marrë para përfitimit të kredisë së butë nga ana e bashkëshortit të subjektit. Duket se marrja e kredisë së butë është në shkelje,” tha Pine, e cila shtoi se dukej se subjekti kishte të drejta mbi apartamentin që në marrjen e kredisë së parë.

Kredia e marrë në vitin 2009 është shlyer me anë të një huaje 25 mijë euro që Lluri ka marrë në vitin 2011 nga prindërit. Nga verifikimi i kryer prej Komisionit mbi të ardhurat dhe shpenzimet e prindërve të subjektit, ka rezultuar se ata kanë pasur mundësi për dhënien e huasë në shumën 25 mijë euro në vitin 2011.

Pine tha se janë ngritur dyshime lidhur me huanë e marrë, pasi subjekti rezultonte se kishte gjendje cash të mjaftueshëm të deklaruar. Ajo shtoi se subjekti ka dhënë shpjegime që do të vlerësohen përpara marrjes së vendimit.

Gjyqtarja Elbana Lluri tha në seancë dëgjimore se kishte zgjidhur martesën me gjyqtarin Gerd Hoxhën para dy vitesh dhe se prej tre vitesh, ata nuk kishin jetuar më së bashku. Ajo shpjegoi se fillimisht kishte menduar ta blinte vetë apartamentin në Tiranë, duke përdorur gjendjen cash, por për shkak se nuk kishin mjaftuar, ishte marrë kredia nga ish-bashkëshorti.

Gjyqtarja Lluri tha se kredia 25 mijë euro ishte marrë për rikonstruksionin dhe arredimin e apartamentit, pasi banesa ishte e pabanueshme në momentin që e kishin blerë. Ajo këmbënguli se kur ishte marrë kredia e butë prej ish-bashkëshortit, nuk kishte pasur asnjë të drejtë reale mbi këtë pasuri.

Gjyqtarja Lluri dhe ish-bashkëshorti Hoxha kanë blerë një tjetër pronë nga motra dhe kunati i saj, një apartament në vlorë kundrejt vlerës 55 mijë e 452 euro.

Pë këtë rast, Lluri ka shpjeguar se arredimi ka qenë i kryer prej palës shitëse. Komisioni vlerëson se subjekti dhe bashkëshorti i saj e kanë blerë këtë pasuri me çmimin e tregut.  Si burim krijimi të kësaj pasurie, Lluri ka deklaruar krusimet e saj dhe të bashkëshortit gjatë gjithë jetës.

Komisioni nuk ka përfshirë në analizën finanaciare vlerën 5 milionë lekë të deklaruar nga subjekti si gjendje cash në deklaratën e parë të vitit 2004. Sipas Pines, gjysma e gjendjes cash, për të cilën Lluri ka shpjeguar se e ka përfituar nga bursa e ekselencës ka rezultuar të jetë deklaruar se është përdorur për shpenzime.

Pine tha se shumën 2 milionë lekë, pjesë të kësaj gjendje cash, Lluri ka deklaruar se ia kishte dhuruar motra me rastin e mbarimit të Shkollës së Magjistraturës me rezultate të shkëlqyera. Gjatë shpjegimeve ajo ka deklaruar se një pjesë e vlerës së dhënë nga motra ishte në formën e shpërblimit për punën që ajo kishte kryer ndër vite duke e ndihmuar në aktivitetin privat për periudhën 1997-2004.

Lluri ka shpjeguar para Komisionit se nuk ka qenë e punësuar me pagë mujore, por për shkak të marrëdhënies së posaçme, ka kontribuar dhe është shpërblyer për ndihmën e saj.

Si burim për blerjen e apartamentit në Vlorë, është deklaruar edhe vlera 1.2 milionë lekë nga shitja e automjetit tip “Benz” prej bashkëshortit të saj në vitin 2011.

Komisioni nuk e ka përfshirë këtë të ardhur në analizën financiare, pasi nuk është deklaruar si shtim i gjendjes cash në fund të vitit 2011.  Gjithashtu, nuk janë përfshirë në analizën financiare për apartamentin në Vlorë edhe të ardhurat e deklaruara si të përfituara nga bashkëshorti Hoxha para fillimit të detyrës si gjyqtar, pasi nuk janë provuar me dokumentacion ligjor.

Pavarësisht se në seancë nuk u evidentua balancë negative për blerjen e apartamentit në Vlorë, Lluri këmbënguli se burimet e deklaruara ishin të ligjshme.

Ajo kërkoi që të konsideroheshin vlerat që i kishte dhënë motra, duke shpjeguar se për shkak të një problemi familjar kur kishte qenë e vogël, motra dhe bashkëshorti i saj e kishin trajtuar si vajzën e tyre gjatë gjithë kohës.

“Fondet që ata më kanë akorduar janë me burime të ligjshme. Nuk kam qenë e punësuar që të paguaja tatime, por gjendemi para marrëdhënies familjare,” theksoi ajo.

Lidhur me të ardhurat e ish-bashkëshortit para fillimit të detyrës, ajo deklaroi se e kishte pasur të vështirë të siguronte të dhëna të hollësishme. Lluri solli në vëmendje faktin se ishte divorcuar me bashkëshortin dhe se ai i kishte dhënë vetëm të dhëna të përgjithshme.

“Të ardhurat dhe pasuria e ish-bashkëshortit nuk ka shërbyer për krijimin e pasurive në emrin tim. Kërkoj që të gjykohem e pavarur nga të ardhurat e ish-bashkëshortit para bashkëjetesës, ndërkohë që ai është vetë vetë subjekt rivlerësimi,” tha Lluri dhe pretendoi se rezultonte me balancë pozitive për blerjen e apartamentit në Vlorë.

Në seancë u tha se është konstatuar balancë negative për blerjen e një automjeti tip “Toyota” në vitin 2016 kundrejt vlerës 5000 euro. Sipas Komisionit, ka rezultuar pamundësi financiare për blerjen e kësaj pasurie në shumën 663 mijë lekë.

Gjithashtu, është gjetur pamundësi financiare edhe për blerjen një autoveture të dytë tip “Citroen” në vitin 2012, vlera e shitjes së të cilës ka shërbyer si burim krijimi për “Toyota-n”. Nga analiza financiare e vitit 2012 është konstatuar balancë negative në shumën 1 milionë lekë.

Lluri e kundërshtoi analizën financiare të Komisionit për pamundësinë e blerjes së automjetit tip “Toyota” në vitin 2016. Ajo tha se se për blerjen e kësaj pasurie kishin shërbyer edhe gjendja cash e disponuar që prej vitit 2009 dhe kursimet ndër vite.

Lluri kërkoi që të përfshihej në analizën financiare vlera 1.2 milionë lekë e përfituar nga shitja e Benzit. Ajo pranoi se bashkëshorti kishte kryer pasaktësi duke mosdeklaruar shtimin e gjendjes cash, por theksoi se shuma ishte përfituar nga një kontratë e rregullt noteriale.

Subjekti pretendoi se nëse kjo shumë konsiderohej, atëherë ajo rezultonte me balancë pozitive edhe për blerjen e autoveturës tip “Citroen” në vitin 2012.

Pine evidentoi se subjekti dhe bashkëshorti i saj rezultonin të kishin kryer udhëtime të shpeshta jashtë shtetit. Pavarësisht se Lluri ka pretenduar se pjesa më e madhe e shpenzimeve janë mbuluar nga motra në udhëtime të përbashkëta, deklarimet e subjektit nuk janë konsideruar, pasi nuk janë deklaruar periodikisht.

Pine tha se nga analiza e përgjithshme për periudhën 2004-2016 kanë rezultuar balanca negative në vitin 2012 në shumën 1 milionë lekë dhe 663 mijë lekë në 2016.

Gjyqtarja Lluri e kundërshtoi analizën finaniciare, duke pretenduar se çdo vit rezultonte me balancë pozitive dhe i kërkoi Komisionit që të merrte në konsidertaë shpjegimet dhe provat e dorëzuara prej saj.

Lluri u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin. Pine relatoi dhjetëra denoncime të kryera ndaj subjektit, por pa identifikuar ndonjë gjetje penalizuese.

Në fund të seancës dëgjimore, gjyqtarja Lluri kërkoi konfirmimin në detyrë.

KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më 12 janar, ora 09:30.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *