Hjyqtarja Yrfet Shkreli, pas seancës në KPK.
KPK Lajme Veting

Gjyqtarja e Yrfet Shkreli përballet pa probleme me vetingun

Gjyqtarja e Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm në Elbasan u përball të hënën në një seancë të shkurtër me gjetjet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Trupa e kryesuar nga Suela Zhegu, me relatore Genta Tafa Bugo dhe anëtar Roland Ilia, nuk vuri në dukje probleme në asnjë prej kritereve të rivlerësimit.

Gjatë seancës relatorja Genta Tafa Bungo, lexoi një hetim të detajuar mbi pasuritë e gjyqtares që rridhnin kryesisht nga një dhuratë  e prindërve. Sipas të dhënave të lexuara në seancë pasuritë në fjalë vinin nga shitja e një pasurie të paluajtshme në Kavajë dhe ishin gjetur legjitime. Transaksionet ishin bërë përmes bankave dhe me akte noteriale.

KPK po ashtu kishte hetuar transaksione mbi këto pasuri, përfshi hua të dhëna, por që nuk u gjetën me probleme. KPK nuk vuri në dukje probleme as te pasuritë e bashkëshortit të gjyqtares.

Komisioni nuk gjeti probleme as sa i përket figurës dhe profesionalizmit të Shkrelit. Dy denoncime të depozituara në Komision ndaj gjyqtares u cilësuan nga KPK se kishin të bënin me thelbin e çështjes.

Megjithatë Komisioni i kishte kaluar asaj barrë prove sa i përket një denoncimi publik, mbi masën e sigurisë së dhënë pas një sherri masiv në Përmet. Sipas denoncimit publik Shkreli kishte dhënë një masë sigurie të butë për personat e përfshirë në përplasje.

Gjyqtarja argumentoi në seancë në mënyrë të zgjeruar vendimin e saj. Ajo shpjegoi se pjesërisht akuzat ndaj personave për masë sigurimi ishin kundërvajtje penale dhe se rrethanat e faktit siç paraqiteshin në seancë tregonin se i arrestuari ishte ndjekur nga denoncuesit, që i kishin prerë rrugën me makinë.

Ajo kërkoi konfirmim në detyrë.

Yrfet Shkreli përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2015 dhe pas një periudhe stazhi në Gjykatën e Tiranës. Ajo e ka nisur karrierën si gjyqtare në Gjykatën e Përmetit, dhe tashmë shërben në Gjykatën e Juridiksionit të Përgjithshëm në Elbasan. Seanca për shpalljen e vendimit u caktua në datën 14 qershor në orën 9.40.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *