Prokurori Ylli Bashaj, pas seancës në KPK. Foto:Malton Dibra/LSA
KPK Lajme Veting

Problemet me një kontratë shit-blerje vënë në vështirësi prokurorin Ylli Bashaj

Prokurori i Tiranë Ylli Bashaj i tha Komisionit të Pavarur të Kualifikimit të hënën se ai e vlerësonte procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, por këmbënguli se ai nuk do të kishte kërkuar edhe sot kontrata noteriale për huatë e marra nga të afërm.

“Ata më besojnë mua dhe unë u besoj atyre”, tha Bashaj, i cili u përball në KPK me kërkesën për të dokumentuar dy hua dhe shpjeguar diferencën mes çmimit të shtëpisë në kontratë dhe një pagese të bërë muaj pas kësaj kontrate për të njëjtën shtëpi.

Nga hetimi administrativ i trupës së kryesuar nga Lulzim Hamitaj, me anëtare Valbona Sanxhaktari dhe relatore Genta Tafa Bungo, ishte vënë në dukje po ashtu se Bashaj nuk kishte qenë bashkëpunues me hetimin. Prokurori e kundërshtoi këtë gjetje, ndërsa pretendoi para trupës se bankat italiane ishin bërë pengesë për raportimin e të dhënave nga llogaria e të bijës. Basha megjithatë tha se shpenzimet për shkollimin ishin mbuluar prej tij.

Bashaj ka një karrierë të gjatë në prokurori e cila është zhvilluar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kavajë dhe në Prokurorinë e Rrethit Gjyqsor Tiranë.

Hetimi mbi pasurinë

Bashaj u përball në KPK me pyetje kryesisht mbi koherencën dhe vërtetësinë e një kontrate për blerjen e një shtëpie në vitin 2000.

Sipas relatimit Bashaj kishte nënshkruar një kontratë në të cilën blinte një apartament për 28 mijë dollarë në dhejtor 2000. Kontrata vinte në dukje se këto para ishin paguar para nënshkrimit të saj. Por muaj më vonë Bashaj mori një kredi në bankë dhe i pagoi kompanisë 8 mijë dollarë.

Prokurori pretendon se kjo ishte plotësim i shumës prej 28 mijë dollarësh. Sipas tij ai kishte paguar vetëm 20 mijë para nënshkrimit të kontratës. Ai tha se bëhej fjalë për mirëbesim mes palëve.

Por Komisioni në hetimin e tij vuri në dukje se ishin ngritur dyshime që apartamenti kishte kushtuar në të vërtetë 36 mijë dollarë. KPK tha se kishte marrë kontrata të ngjashme dhe se çmimi prej 36 mijë dollarësh përputhej me çmimet referencë të Entit Kombëtar të Banesave.  Bashaj pretendoi në fjalën e tij se çmimet referencë ishin të disa muajve më vonë.

Ndërkohë vëzhguesi i ONM në seancë Thepo Jacobs, këmbënguli në sqarimin e kontratës dhe marrjen e kredisë më vonë. Ai kërkoi të dinte pse Bashaj kishte nënshkruar një kontratë jo reale.

Prokurori pretendoi që kontrata nuk kishte probleme. Ai këmbënguli në besimin mes palëve dhe problemet e bankave në këtë periudhë dhe vështirësinë për të marrë një kredi.

Huatë e përdorura në blerjen e kësaj pasurie ishin po ashtu objekt debati. Nga sa u kuptua në seancë Bashja kishte marrë tre hua nga të afërm dhe vëllai, por KPK nuk kishte marrë në konsideratë dy prej tyre. Sipas Komisionit pa dy huatë ai rezultonte me një bilanc negativ prej 1.6 milion lekësh për të kryer pagesat.

Komisioni vuri në dukje se këto probleme lidheshin edhe me deklarimet e subjektit. Ky i fundit në deklarimin veting kishte deklaruar 10 mijë dollarë hua, ndërsa në pyetësorë kishte ulur shumën në 7 mijë. Ai po ashtu kishte deklaruar 10 mijë dollarë kredi, por kishte marrë vetëm 8 mijë.

Komisioni tha se subjekti kishte pretenduar se këto ishin pasaktësi dhe kishin ndodhur nga mosverifikimi i plotë i deklarimit veting.

Megjithatë Jacobs këmbënguli në mungesën e provave për dy huatë. Sipas të dhënave në KPK dhe sa u tha në seancë Bashaj nuk kishte të dhëna për marrjen e tyre dhe as kishte deklaruar periodikisht shlyerjen e tyre.

Në seancë i pyetur nga Jacobs për prova, Bashaj këmbënguli se bëhej fjalë për marrëdhënie besimi dhe se ai sërish nuk do të kërkonte kontrata nga të afërmit për këtë lloj marrëdhënie financiare.

Ndërsa KPK pretendoi se Bashaj nuk kishte qenë bashkëpunues në deklarimin e llogarive të vajzës në Itali, prokurori pretendoi në seancë se kishte qenë në pamundësi për të sjellë dokumente. Ai tha se të gjitha veprimet në llogari ishin kryer nga telefoni dhe pretendoi se edhe të dhënat e sjella ishin marrë prej telefonit. Bashaj këmbënguli se kishte qenë bashkëpunues në të gjithë procesin.

Prokurorit iu kërkuan po ashtu shpjegime sa i përket dy çështjeve që duket se ai i kishte trashëguar pasi ishin hetuar nga prokuorë të tjerë. KPK ngriti pyetje mbi mos kryerje të veprimeve hetimore.

Por prokurori i kundështoi këto pretendime që dilnin nga dy denoncime. Ai tha në seancë se në njërën prej çështjeve, në të cilën akuzoheshin mjekë për mjekim të pakujdesshëm, se viktimës nuk i ishte kryer autopsi. Prokuroi tha se nuk kishte asnjë provë për mjekim të pakujdesshëm apo të vonuar.

Në rastin tjetër ai vuri në dukje se gjykata, që kishte prishur një vendim pushimi, nuk kishte marrë parasysh pamjet nga një kamera sigurie. Ai vuri në dukje se pas hetimeve që kishte kryer ishte i bindur në pafajësinë e personit të akuzuar dhe se konsideroi se pamjet filmike ishin provë mjaft e rëndësishme në këtë pikë.  Prokurori tha se dy çështjet ishin marrë me vonesë prej tij.

Bashajt nuk iu vunë në dukje probleme të figurës dhe Komisioni konsideroi se ai arrinte nivel të besueshëm në këtë kriter. Në fund të seancës Bashja kërkoi konfirmimin në detyrë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *