Prokurorja Lindita Ziguri pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
Korrupsioni KPK Lajme Vendi

Komisioni gjen mungesë burimesh për shpenzimet e prokurores Lindita Ziguri

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i ka kaluar barrën e provës prokurores së Tiranës, Lindita Ziguri që të dokumentojë burimet e ligjshme të dajës së saj për 5 mijë euro hua si dhe të ardhurat e kunatit që ka sponsorizuar shkollimin vajzës së saj në Paris për 4 vite. 

Prokurorja Lindita Ziguri pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.

Prokurorja e Rrethit Tiranë, Lindita Ziguri u përball të premten më 8 janar me gjetjet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për të tri kriteret e rivlerësimit, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit.

Trupa gjyqësore që po kryen procesin e vetingut për Zigurin kryesohet nga Olsi Komici, me relatore Xhensila Pinen dhe anëtare Valbona Sanxhaktarin. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Tomçi Petkoviç.

Lindita Ziguri (Male) e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2002 dhe ka punuar për më shumë se një dekadë si prokurore në Prokurorinë e Tiranës. Në dhjetor 2020, Ziguri u komandua si inspektore në institucionin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

Për një apartament 68.8 m2 të blerë në Tiranë në vitin 2008, prokurorja ka shënuar si burime në deklaratën periodike një kredi në vlerën 30 mijë euro dhe një hua në shumën 5000 euro të marra nga daja e saj. Në deklaratën veting, veç dy burimeve ka shënuar edhe vlerën 3000 euro nga kursimet.

Komisioni konstatoi pamundësinë e huadhënësit për të kursyer në vitin 2008 vlerën 5000 euro që i ka dhënë subjektit të rivlerësimit për blerjen e apartamentit.

“Shuma e të ardhurave të huadhënësit ka rezultuar pothuajse e barabartë me shpenzimet e familjes së tij,” tha Pine. Ajo tha se subjektit i është kaluar barra e provës për të vërtetuar mundësinë e dajës për dhënien e huasë.

Relatorja Pine pohoi se në analizën financiare të kryer për mundësinë e blerjes së apartamentit nuk është përfshirë vlera 5000 euro e marrë hua dhe për pasojë është konstatuar një balancë negative në vlerën 998 mijë lekë.

Prokurorja Ziguri tha në seancë se kishte siguruar dokumentacion dhe prova të reja që vërtetonin se daja i saj kishte punuar 37 vjet në disa firma të ndryshme dhe se bashkëshortja e tij kishte punuar 30 vjet.

Komisioni evidentoi mosdeklarimin në vite të posedimit nëpërmjet huapërdorjes pa shpërblim të një apartamenti 2+1, me sipërfaqe 137 m2 në Tiranë. Pine tha se bashkëshorti i subjektit ka nënshkruar në vitin 2007 një kontratë huapërdorje me shoqërinë ndërtuese me ortak vëllanë e tij.

Sipas relatores, subjektit i janë kërkuar shpjegime lidhur me këtë marrëdhënie, pasi shoqëria rezulton të jetë edhe në emër të ortakëve të tjerë.

Kjo e fundit e pranoi në seancë se familja e saj e përdor këtë apartament prej vitit 2007 e në vazhdim. “Nuk e kemi deklaruar periodikisht, pasi ligji përcakton deklarimin e pasurive në pronësi. Në deklaratën veting ku kërkohet edhe posedimi, e kam pasqyruar,” pohoi Ziguri.

Ajo shpjegoi se ortakët i kishin ndarë pallatet e kompleksit të ndërtuar prej shoqërisë dhe se kunati i saj nuk kishte pasur ndonjë problem me ta, lidhur me lëshimin e apartamentit me huapërdorje.

Ziguri nënvizoi se kontrata e huapërdorjes thjesht i bënte publicitet marrëdhënies, por nuk i jepte të drejta mbi këtë pasuri.

Komisioni konstatoi se Ziguri nuk ka deklaruar të ardhura nga aktiviteti privat i bashkëshortit, ndërkohë që nga hetimi ka rezultuar se shoqëria e tij ka nënshkruar disa kontrata sipërmarrjeje. Pine tha se njëra prej kontratave e vitit 2006, kishte si objekt marrjen përsipër të ndërtimit të dy apartamenteve me vlerë totale 250 mijë euro.

Sipas KPK-së, në llogarinë bankare të bashkëshortit të subjektit është kredituar një vlerë 99 mijë euro me përshkrimin “për blerje apartamenti”.

Pine evidentoi se ky transaksion në favor të bashkëshortit të subjektit, nuk është deklaruar prej saj në vitin 2007. Sipas relatores, Ziguri ka thënë se kjo kontratë është anuluar dhe ka depozituar një deklaratë noteriale të vitit 2016 të porositësit, i cili deklaron se ka hequr dorë.

Komisioni evidentoi edhe mosdeklarimin në vitin 2003 të pjesës takuese 1/3 të prokurores Ziguri në një apartament 48 m2 në Përmet. Ziguri tha se kishte pasur bindjen se e kishte deklaruar këtë pasuri dhe se nuk kishte asnjë arsye për të mos pasqyruar pjesën takuese në apartamentin e familjes së origjinës së saj.

Pine sqaroi se Ziguri kishte shënuar në deklaratën veting edhe një pikë shitjeje karburanti në fshatin Kosinë të Përmetit, e paregjistruar, që e kishte zotëruar bashkëshorti i saj. Për këtë pasuri, subjekti ka deklaruar se është dëmtuar gjatë trazirave të vitit 1997 dhe se ka vlerën 3.5 milionë lekë.

Gjithashtu, ajo ka shpjeguar për Komisionin se bashkëshorti ka marrë atëherë 17 milionë lekë hua për krijimin e kësaj pasurie dhe ngritjen e aktivitetit, por se ka arritur të punojë vetëm gjatë viteve 1993-1994.

Gjatë seancës dëgjimore, prokurorja Ziguri shpjegoi se të gjithë huadhënësit që figuronin në kontratën e huasë, kishin marrë për dy vite interesat e tyre, kur bilanci kishte qenë pozitiv. Sipas saj, në vitin 1995 bashkëshorti i kishte thirrur dhe u kishte bërë me dije se nuk mundej më të vazhdonte aktivitetin dhe se nuk kishin pasur probleme me asnjë prej tyre.

“Kur janë marrë këto hua, nuk kishim lidhur martesë me bashkëshortin. Ngjarjet e ’97-ës e kanë lënë gërmadhë atë objekt,” pohoi ajo.

Shkollimi i vajzës

Prokurorja Lindita Ziguri ka deklaruar se shkollimi i vajzës së saj në Paris të Francës për periudhën 2013-2016 është sponsorizuar prej vëllait të bashkëshortit, i cili i ka dhënë mbesës së tij gjatë këtyre viteve rreth 25 mijë euro.

Por sipas relatores Pine, subjekti nuk i ka deklaruar sponsorizimet në vitet 2013 dhe 2014, por i ka deklaruar ato në vitin 2015.

Sipas Komisionit, për vitin 2016 nuk provohet gjithë vlera e sponsorizuar e pretenduar, por vetëm shuma 6000 euro.

Pine tha se subjektit të rivlerësimit i ka kaluar barra e provës për mundësinë financiare të xhaxhait të vajzës për kryerjen e sponsorizimeve dhe se është pyetur se kush ka ndihmuar, shoqëria ndërtueese që administron në ortakëri, apo ai personalisht.

Në seancë u evidentua gjithashtu se deklarimi i vajzës në një prej viteve nuk ka rezultuar i njëjtë me atë të dorëzuar pranë Komisionit nga ILDKPKI.

Prokurorja Ziguri këmbënguli në seancë se deklarimi i vajzës ishte original. Ajo tha se padashje në vitin 2015 kishte dorëzuar në ILDKPKI një fotokopje të deklaratës dhe se në vitin 2016 kishte depozituar origjinalin. “Gabimisht kam dorëzuar një fotokopje. Nëse krahasohet me origjinalin rezulton se firma është e vajzës time. Mbaj edhe përgjegjësi penale për këtë gjë,” tha Ziguri.

Ajo shpjegoi se xhaxhai i vajzës ishte vetëofruar dhe kishte mbuluar totalisht shpenzimet për vitet 2013, 2014 dhe 2015, ndërsa për vitin 2016 i kishte mbuluar pjesërisht.

Ajo shpjegoi se në vitin 2013, e gjithë vlera 7500 euro ishte tërhequr cash nga vajza, pasi nuk dispononte llogari në Francë dhe se kur kishte mbërritur atje, e kishte depozituar në dy pjesë pasi nuk lejohej më shumë se 5000 euro.

Të gjitha vitet e shkollimit të vajzës kanë rezultuar me balanca negative. Gjatë vitit 2013 ka rezultuar balancë negative në shumën 793 mijë lekë; 1 milion lekë në vitin 2014; në vitin 2015 shumën 170 mijë lekë dhe 468 mijë lekë në vitin 2016.

Komisioni ka gjetur balancë negative edhe në vitin 2005 në shumën 145 mijë lekë dhe 1 milion lekë në vitin 2008.

Pine tha se nga analiza financiare e përgjithshme paraprake për periudhën 2003-2016 ka rezultuar balancë negative në shumën 3.7 milionë lekë.

Prokurorja Ziguri deklaroi se kunati kishte pasur fitime të mjaftueshme për mbulimin e shpenzimeve dhe investimeve të tij, si dhe sponsorizimin e kryer për periudhën 2013-2016 për shkollimin e vajzës. Ajo theksoi se kishte depozituar dokumentacion të plotë për të vërtetuar burimet e ligjshme të vëllait të bashkëshortit.

“Nuk kam dashur të pengoj sponsorizimin e shkollimit të vajzës, kur vetë nuk kisha mundësi. Vetë ai ka vendosur në dispozicion deklaratë noteriale, ku jep edhe arsyet e kësaj ndihme,” pohoi Ziguri. “Nuk di që kunati të ketë probleme me ligjin,” shtoi ajo.

Sipas Zigurit, edhe nëse kunati nuk i kishte pasqyruar në vendimin e asamblesë së ortakëve veprimet për sponsorizimin e mbesës, ato nuk mund të cenohen.

Prokurorja Lindita Ziguri solli në vëmendje se kishte jetuar në lagjen e Kombinantit në Tiranë dhe në Don Bosko, duke i konsideruar si zona jo preferenciale të Tiranës dhe ku sipas saj jeta ka një kosto më të ulët. Gjithashtu, ajo këmbënguli se nuk kishte bërë kurrë pushime jashtë shtetit dhe se rrallë herë kishte shkuar me pushime edhe në Shqipëri.

Për rritjen e fëmijëve ajo tha se kishte kontribuar gjyshja dhe se me pagën e saj mujore si e ardhur e vetme, ishte përpjekur që të mbulonte shpenzimet, por edhe të kursente sa mundej.

Bazuar në këto shpjegime, ajo kërkoi rishikimin e shpenzimeve të jetesës të përllogaritura nga Komisioni. Ziguri tha se edhe shpenzimet jetike të vajzës në Paris duhej të rishikoheshin, pasi ajo kishte qenë studente dhe kishte pasur shpenzime minimale për ushqimin dhe shërbimet e tjera.

“Nëse shpenzimet jetike do të llogariten sipas kësaj logjike, nëse huaja dhe sponsorizimet e xhaxhait të vajzës do të konsiderohen në analizë, atëherë bilanci im del pozotiv,” tha Ziguri dhe kërkoi konfirimin e saj në detyrë në përfundim të seancës.

Ajo u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin.

KPK njoftoi se do të shpallë vendimin më datë 12 janar, ora 09:40.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *