Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

KPK e akuzon për deklarim të rremë, por Lazaj vazhdon luftën për konfirmim

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e akuzoi gjyqtarin e Tiranës, Artan Lazaj për mungesë burimesh dhe deklarim të rremë të pasurisë, ndërkohë që gjyqtari e konsideroi hetimin administrativ si “punë të dobët” dhe kërkoi rikonfirmimin në detyrë.

Gjyqtari i Gjykatës së Tiranës, Artan Lazaj dhe avokati i tij në seancë dëgjimore përballë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Foto:LSA

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e akuzoi gjyqtarin e Tiranës, Artan Lazaj për të ardhura të pamjaftueshme dhe deklarim të rremë të pasurisë në një seancë të tensionuar të hënën, ndërkohë që subjekti i rivlerësimit i mohoi akuzat dhe e konsideroi hetimin administrativ si “punë të dobët”.

Seanca dëgjimore u rihap me rrëzimin e kërkesës paraprake të avokatit të Lazajt, Sokol Hazizaj për përjashtimin e trupës gjykuese. Një kërkesë e dytë që pretendonte “konflikt interesi” të kryesueses Brunilda Bekteshi dhe përjashtimin e saj u quajt gjithashtu e vonuar dhe u rrëzua, ndërkohë që trupa gjyqësore i tërhoqi vëmendjen gjyqtarit Lazaj për tentativa të zvarritjes së procesit.

Replikat për kërkesat paraprake i lanë vendin relatorit të çështjes të lexonte gjetjet e hetimit administrativ, i cili në rastin e gjyqtarit Artan Lazaj u realizua vetëm për kriterin e pasurisë.

Sipas relatorit, hetimi i thelluar ka gjetur burime të pamjaftueshme financiare për blerjen e një apartamenti 120 metra katrorë në Tiranë në vitin 2004; deklarata kontradiktore dhe transaksione jashtë sistemit bankar për blerjen e një apartamenti 128 metra katrorë në Tiranë në vitin 2011, parregullsi në blerjen e një toke prej 1 mijë metrash katrorë në Porto Palermo si dhe mosdeklarim të pjesës takuese të bashkëshortes së gjyqtarit në një apartament në Bulqizë.

Relatori i çështjes tha gjithashtu se subjekti e kishte deklaruar apartamentin që zotëron aktualisht për 120 mijë euro në deklaratën e vitit 2011 dhe 129 mijë euro në deklaratën “veting”.

Hetimit administrativ i janë nënshtruar gjithashtu një shtëpi e përfituar nga privatizimi në Vlorë ku Lazaj kishte deklaruar se zotëronte 50 për qind, udhëtimet e gjyqtarit jashtë shtetit si dhe shpenzimet për shkollimin e të bijës.

Gjyqtari Lazaj i hodhi poshtë gjetjet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe u ankua se nuk ishin marrë parasysh provat e dorëzuara prej tij.

“Unë s’kam bërë kurrë deklarim të rremë. Po e përsëris, kurrë! Kam deklaruar pasurinë time të pastër të punës sime 25-vjeçare,” tha Lazaj, i cili deklaroi se edhe raportet e dorëzuara nga ILDKPKI kishin kontradikta.

Gjyqtari pretendoi se burimi për apartamentin e blerë në vitin 2004, përveç kredisë bankare është edhe shitja e apartamentit në Vlorë, ku ai zotëronte një pjesë takuese. Ndërsa apartamenti i blerë në vitin 2011 ka sipas tij si burim shitjen e apartamentit të 2004-s për 90 mijë euro si dhe kursimet e tij.

“Qëllimi i reformës është të zbuloni se cilët janë ata gjyqtarë që kanë vënë pasuri me para të pista. Unë një pasuri kam, një shtëpi që edhe atë nuk e kam bërë ende timen. Pasuria ime është edhe një copë tokë, tokë shkëmbore e pamenaxhueshme,” tha Lazaj para trupës gjykuese.

“Kam dhënë dënime të përjetshme dhe disa prej tyre nuk janë arrestuar ende nga Policia e Shtetit. Më kanë kërcënuar me jetë, shikoni shkrimet,” shtoi ai dhe kërkoi konfirmimin në detyrë, duke shprehur besim se provat do të rivlerësoheshin.

Vendimi për gjyqtarin Artan Lazaj do të shpallet më 11 korrik.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *