Komisioneri ankimon Kastriot Selitën: Nuk arrin nivel të besueshëm
Lajme

Komisioneri ankimon Kastriot Selitën: Nuk arrin nivel të besueshëm

Komisioneri Publik, Florian Ballhysa i kërkon KPA-së rihetimin për të tre kriteret për kreun e Gjykatës Administrative të Apelit, Kastriot Selita, duke e konsideruar të paplotë dhe të fragmentarizuar vendimin e Komisionit për konfirmimin në detyrë.

Kryetari i Gjykatës Administrative të Apelit, Kastriot Selita pas konfirmimit nga KPK. Foto: Malton Dibra, LSA

Kryetari i Gjykatës Administrative të Apelit, Kastriot Selita do të përballet sërish me vetingun, pasi Komisioneri Publik vendosi të enjten të ankimojë konfirmimin e tij të diskutueshëm në detyrë. Ankimi i komisionerit Florian Ballhysa vjen pas rekomandimit të firmosur nga një komision me tre vëzhgues të ONM-së, të cilët e konsideruan hetimin e kryer për Selitën si “të paplotë dhe të paqartë”.

Komisioneri Publik i kërkon Kolegjit të Posaçëm të Apelimit të rihetojë deklarimet e subjektit, të personave të lidhur si dhe kryerjen e një analize të re financiare me qëllim justifikimin e burimit të ligjshëm të këtyre pasurive. Ndërsa lidhur me vlerësimin e aftësive profesionale, ku përfshihen edhe rastet e konfliktit të interesit, komisioneri Ballhysa e konsideron të cënueshëm vendimin e KPK-së për Selitën.

“Duket se në vlerësimin e aftësive profesionale, Komisioni ka zgjedhur të mbajë një qëndrim të fragmentarizuar për çdo çështje të shqyrtuar, pa marrë në analizë përfundimtare, gjithëpërfshirëse, të gjitha gjetjet e evidentuara në hetimin administrativ të dokumentacionit të shortuar, paraqitur nga subjekti dhe denoncimet e publikut,” thuhet në ankesën e Ballhysës.

Ballhysa e konsideron me mangësi hetimin e kryer ndaj Selitës në KPK për të tre kriteret e rivlerësimit dhe i kërkon Kolegjit të marrë në shqyrtim edhe vlerësimin e figurës për gjyqtarin, për të dalë më pas me vendim përfundimtar për të.

Kastriot Selita, kryetar i Gjykatës Administrative të Apelit prej vitit 2013, u konfirmua me votat e Brunilda Bekteshit dhe Lulzim Hamitajt në KPK, ndërkohë që kryesuesi i trupit gjykues,  Olsi Komici votoi pro shkarkimit.

KPK vendosi gjithashtu ta referojë Selitën në KLGJ lidhur me vendimin e dhënë prej tij në favor të bashkëshortit të deputetes Ermonela Felaj, i konsideruar me mangësi profesionale për shkak se gjyqtari kishte disponuar me urdhërimin e KLP-së për emërimin e tij si prokuror, edhe pse kjo gjë nuk i ishte kërkuar nga pala.

Ankimi i Komisionerit Publik për kriterin e pasurisë është i ngjashëm me rekomandimin e ONM-së dhe përfshin disa vlera monetare të bashkëshortes së Selitës me burim shitjen e një vile 2-katëshe të prindërve në Linzë; konkretisht 30 mijë euro, 61 758 euro, 20 mijë euro dhe 4365 euro. Ankimi përfshin gjithashtu paqartësitë mbi burimin e shumës prej 2.9 milionë lekësh të përfituara nga një vendim divorci, ligjshmërinë e të ardhurave të personit të lidhur nga punësimi në një organizatë në vitet 1999-2004 si dhe deklarimet kontradiktore mbi koston e vilës në Linzë; që sipas Komisionerit Publik mund të sjellin efekte në analizën financiare të subjektit.

Në kriterin e aftësive profesionale, Komisioneri Publik i sheh problemet e konfliktit faktit apo në dukje të interesit në dritën e besimit të publikut te drejtësia dhe kritikon KPK-në se nuk i ka analizuar këto gjetje në harmoni me problematikat dhe mangësitë e tjera të konstatuara.

Komisioneri analizon një çështje gjyqësore të vitit 2017 me relator gjyqtarin Selita dhe me palë një kompani private, administratori i së cilës kishte blerë në vitin 2015 apartamentin e bashkëshortes së tij në vlerën e 110 mijë eurove. Përmes një korrespondence me KPK-në, ILDKPI ka konstatuar se “rezulton e provuar që subjekti i rivlerësimit, K.Selita në lidhje me gjykimin dhe vendimarrjen e kësaj çështjeje ka vepruar në kushtet e konfliktit të interesave dhe papajtueshmërisë së funksionit publik”, por duket se shumica në Komision ka bërë një vesh shurdh.

Rasti i mësipërm nuk është i vetmi, ndërkohë që Kolegjit i kërkohet të marrë në shqyrtim edhe një rast tjetër të gjykuar nga Selita, me palë një kompani prej së cilës ai dhe bashkëshortja e tij kishin blerë apartamente në Lezhë dhe në Tiranë; duke i cilësuar ato me rëndësi jo vetëm për kriterin e aftësive profesionale, por në vlerësimin e përgjithshëm të të tre kritereve.

“Një situatë e tillë, eventualisht mund të minojë besimin që gjykatat duhet të frymëzojë te shoqëria dhe publiku,” thuhet në ankimin e Ballhysës.

Hetimet e KPK-së konsiderohen të mangëta edhe në drejtim të denoncimeve nga publiku, veçanërisht nga të dhënat e denoncimeve të dy shtetasve dhe një grupi gjyqtarësh për çështjen “Valikaj”, që sipas Komisionerit nuk janë hetuar plotësisht.

Komisioneri i rikthehet vendimit për emërimin si prokuror të Bledar Valikajt në ankimim, duke argumentuar se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk ka arsyetuar në mënyrë shteruese nëse mangësitë profesionale të konstatuara duheshin veçuar dhe dërguar për inspektim, apo duhej t’i nënshtroheshin procesit të rivlerësimit bashkë me problemet e tjera.

Duke marrë shkas nga përgjigjet e subjektit për rastin në fjalë, të cilat nuk i konsideron bindëse, Komisioneri ngre gjithashtu pikëpyetje mbi njohuritë dhe aftësitë e përgjithshme të tij për të interpretuar ligjin si dhe analizuar jurisprudencën e aplikueshme-elementë këto të vlerësimit të aftësive profesionale.

Lidhur me rastin në fjalë, Selita ka sqaruar në KPK se ndryshimi i palës Presidenti i Republikës me Këshillin e Lartë të Prokurorisë ishte diktuar nga ndryshimet kushtetuese dhe ligjore që ndodhën pas procesit të Valikajt në shkallë të parë. Por komisioneri Ballhysa argumenton se referenca ligjore e bërë nga subjekti [neni 159/2 gërma c] është i gabuar, pasi kjo dispozitë ishte shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese që në vitin 2017, ndërkohë që vendimi për Valikajn u dha në shkurt të vitit 2017.

“Komisioneri Publik, në analizë të provave dhe akteve të administruara, vlerëson se përfundimi i Komisionit është i cenueshëm, pasi bazohet në një hetim të pamjaftueshëm dhe interpretim jo të drejtë ligjor të fakteve,” argumenton Komisioneri Publik.

“… ndryshe nga sa ka disponuar Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, referuar gjendjes së fakteve dhe provave në rastin konkret, Komisioneri Publik ndan gjykim të kundërt, pasi vlerëson se subjekti i rivlerësimit nuk arrin nivel të besueshëm për konfirmimin e tij në detyrë,” përfundon ankimi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *