Drejtuesi i Prokurorisë së Përmetit, Asllan Barjamaj pas seancës me KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPK Lajme Veting

Prokurori Asllan Barjamaj përballet me vetingun

Drejtuesi i Prokurorisë së Përmetit, Asllan Barjamaj u përball të enjten më 16 shkurt me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK kur gjatë seancës dëgjimore dha shpjegime për një kontratë huaje dhe një kredi që kanë shërbyer për blerjen e një apartamenti, blerjen e paformalizuar me dokumentacion të plotë të dy automjeteve, si dhe për gjetjet në katër çështje profesionale. Dyshimet e ngritura nga autoritetet ndihmëse në kriterin e figurës për përfshirje të mundshme në veprime korruptive, nuk janë gjetur të bazuara prej Komisionit tw Pavarur tw Kualifikimit.

Procesi i vetingut për prokurorin Barjamaj po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Pamela Qirko, me relator Roland Ilian dhe anëtare Brunilda Bekteshin. Në cilësinë e vëzhgueses ndërkombëtare ishte e pranishme Marie Tuma.

Prokuri Asllan Barjamaj përfundoi Shkollën e Magjistraturës në vitin 2007 dhe po atë vit filloi stazhin në Prokurinë e Vlorës. Pas përfundimit të stazhit në 2008-ën u emërua në Prokurorinë e Gjirokastrës, ku punoi deri në 2011-ën kur u transferua në Përmet ku e ushtron edhe aktualisht funksionin. Gjatë periudhës që Barjamaj ka qenë i emëruar në Prokurorinë e Përmetit, është komanduar për disa vite dhe në Prokurorinë e Fierit.

Gjetjet për pasurinë

Si burime për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 89 m2 në Fier në vitin 2016 kundrejt çmimit 45 mijë euro, Barjamaj ka deklaruar kursime në shumën 5000 euro; hua në vlerën 10 mijë euro dhe një kredi rreth 4 milionë lekë.

Sipas Ilias, nga analiza e pagesave të kryera prej kursimeve ka rezultuar një bilanc negativ në shumën 36 mijë lekë. Prej hetimit ka rezultuar se huadhënësi ka pasur mundësi për krijimin e vlerës 10 mijë euro të dhënë subjektit në vitin 2016, pasi ka rezultuar se shoqëria ku është aksioner ka shpërndarë dividend në shuma të konsiderueshme.

Relatori vërejti se nga hetimi i kryer për ndonjë konflikt të mundshëm të interesit mes subjektit dhe huadhënësit, nuk ka rezultuar që Barjamaj të ketë hetuar ndonjë çështje ndaj tij. Po ashtu, nuk është gjetur trajtim preferencial, pasi shtëpia ka rezultuar të jetë blerë me çmim më të lartë nga ai i tregut në atë vit.

Relatori Ilia e pyeti subjektin në fund të seancës lidhur me marrëdhënien me huadhënësin dhe nëse e kishte shlyer huanë.

Subjekti deklaroi se nuk e kishte shlyer ende huanë. Nga sa ai sqaroi në seancë, u kuptua se huadhënësi ishte pala shitëse. Ai pohoi se kur kishin qenë tek noteri dhe ishte evidentuar prej tij vështirësia për të gjetur borxh tek familjarët e shumës 10 mijë euro, pala shitëse ishte ofruar dhe kishte thënë se do ta jepte ai hua këtë vlerë. “I thashë që mund të të vonoj, por më tha që s’ka problem,” pohoi Barjamaj.

Ndërkohë, Komisioni ka konstatuar dy urdhër-transferta për kalimin e shumës së marrë kredi në favor të shoqërisë ndërtuese, njëra prej të cilave nuk është ekzekutuar. Sipas Ilias, ka mospërputhje lidhur me vlerën e transferuar dhe atë të përcaktuar për t’u paguar me kredi.

Prokurori Asllan Barjamaj falënderoi Komisionin për hetimin administrativ të kryer ndaj tij duke pranuar se gjetjet qëndronin.

Ai e cilësoi të vërtetë konstatimin lidhur me urdhër-transfertat e kredisë. Sipas tij, urdhër-transferta e parë nuk është ekzekutuar, pasi ka qenë gabim. Ai pretendoi se të dy urdhër-transfertat janë hartuar nga banka, duke argumentuar se në asnjë rast nuk rezulton që shkrimi të jetë i tij. “Të gjitha dokumentet i kam kryer tek një noter dhe një bankë, pasi kam dashur të jem transparent. Është gabim i bankës,” deklaroi ndër të tjera Barjamaj.

Nga hetimi i Komisionit ka rezultuar se subjekti ka blerë dhe shitur dy automjete pa dokumentacion të plotë.

Një automjet tip “Fiat” është marrë akt përdorimi kundrejt shumës 200 mijë lekë dhe është shitur nga subjekti. Në vijim ai ka deklaruar blerjen e një automjeti tip Benz, por nga hetimi ka rezultuar vetëm kalimi i shumës 2500 euro euro tek pala shitëse, ndërsa nuk ka rezultuar dokumentacion që vërtetonte blerjen e makinës. Barjamaj ka deklaruar se e ka shitur edhe Benz-in për skrap. Për shkak se nuk janë dokumentuar marrdhëniet e blerjeve dhe të shitjeve të këtyre mjeteve, KPK nuk i ka përfshirë në analizën financiare të ardhurat e siguruara prej shitjes së tyre.

“Subjekti nuk provoi blerjen e mjeteve me dokumentacion, as dhurimin, përdorimin apo shitjen”, konstatoi Ilia.

Prokurori Barjamaj pranoi se gjetjet për automjetet ishin të vërteta. Ai u shpreh se kishte shpjeguar se automjeti tip “Fiat” për të cilin kishte bërë akt përdorimi, kishte pasur dokumentacion të rregullt dhe se rezultonte të ishte futur në Shqipëri prej Italisë. Sipas tij, është e vërtetuar se kjo makinë nuk ka dalë më jashtë vendit.

Subjekti shpjegoi se kur ishte emëruar në Gjirokastër, rruga ishte e gjatë dhe jo në gjendje të mirw, e për rrjedhojë ishte e papërballueshme për t’u përshkruar me familjen me automjetin tip “Fiat”. Ai deklaroi se kishte menduar që të blinte një automjet më të madh, ndërkohë që pagesa për zhdoganimin e “Fiat”-it kushtonte dhe për këtë arsye e kishte shitur.

Sipas Barjamajt, Benz-in ai e kishte blerë nga një shok i tij dhe i kishte kaluar vlerën 2500 euro nëpërmjet bankës. Por, pala shitëse nuk i kishte kaluar dokumentacionin e mjetit që të mund të bënin aktin e shitblerjes dhe ta regjistronte në emrin e tij. Subjekti tha se pala shitëse kishte pasur një fatkeqësi dhe për këtë arsye nuk i kishte kërkuar më t’i jepte dokumentet. Për rrjedhojë e kishte shitur më vonë këtë makinë për skrap. “I mora përsipër pasojat vetë”, pohoi Barjamaj.

Ndërkohë, sipas relatorit Ilia, nga hetimi është konstatuar se dhe bashkëshortja e subjektit ka përdorur një automjet, por pa pasur dokumentacion. Barjamaj e kundërshtoi këtë konstatim duke këmbëngulur se mjeti në fjalë nuk ishte i bashkëshortes. Ai u mbrojt me faktin se vetë Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor kishte sjellë dy përgjigje të kundërta, ku në një prej tyre evidentonte se mjeti nuk kishte asnjë lidhje me bashkëshorten.

Prokurori Barjamaj dha shpjegime në vijim për apartamentet e marra me qira. Sipas Ilias, nuk janë provuar me dokumentacion marrwdhëniet e qirave dhe as shpenzimet. Subjekti ka shpjeguar për Komisionin se këto marrëdhënie nuk kanë qenë të formalizuara. Edhe gjatë seancës dëgjimore, subjekti pranoi se marrwdhëniet e qirave për apartamentet kanë qenë të paformalizuara dhe se pagesat mujore i ka kryer cash.

KPK ka konstatuar se subjekti ka deklaruar në vitin 2010 dhënien hua të shumës 300 mijë lekë kunatit të tij në 2009-ën. Ilia vërejti se subjekti dhe bashkëshortja kanë pasur burime financiare të mjafuteshme për dhënien e kësaj huaje në vitin 2010 kur është deklaruar, por konstatoi deklarim të pasaktë të vitit të huadhënies.

Barjamaj shpjegoi se kunati jetonte në një fshat të thellë dhe ishte përpjekur ta ndihmonte sa mundej për shtwpinë e tij. Ai pranoi se gabimi i tij ishte se përse nuk e kishte deklaruar huadhënien në vitin 2009.

Për llogaritë bankare në emër të subjektit dhe bashkëshortes së tij, si dhe për një automjet të blerë nga kjo e fundit në vitin 2015 në shumën 150 mijë lekë dhe të shitur një vit më vonë për 130 mijë lekë, nuk janë gjetur probleme.

Sipas Ilias, nga analiza finanicare e përgjithshme ka rezultuar bilanc pozitiv për kryerjen e investimeve dhe mbulimin e shpenzimeve.

Figura dhe profesionalizmi

Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK ka dorëzuar fillimisht raport pozitiv për prokurorin Barjamaj. Pas përditësimit ka dërguar dy raporte në të njëjtën ditë, ku në të parin konfirmonte përshtatshmërinë e subjektit, ndërsa në të dytin ngrinte dyshime për përfshirje të mundshme në veprime korruptive nëpërmjet shpërdorimit të detyrës. DSIK i ka kërkuar Komisionit që të vlerësojë bazuar në këto informacione dhe çështjet për të cilat janë ngritur dyshimet.

Relatori Ilia deklaroi se pas verifikimeve të kryera bazuar në informacionet e përcjella prej DSIK-së nuk janë gjetur indicie që mund të cënonin figurën e prokurorit Barjamaj. Ky i fundit deklaroi në seancë se ishte i hapur për çdo verifikim apo hetim.

Për aspektin profesional, Barjamajt i janë kërkuar shpjegime vetëm për tre prej 15 denoncimeve të kryera prej publikut, ku janë evidentuar indicie lidhur me procedurat e ndjekura prej tij në hetimin dhe përfaqësimin e çështjeve.

Denoncuesja J.J. ka pretenduar se i janë pushuar procedimet megjithëse gjykata ka urdhëruar kryerjen e hetimeve të tjera. Prokurori Barjamaj deklaroi se ajo çështje nuk ishte hetuar prej tij pasi në atë periudhë kishte qenë i komanduar në Prokurorinë e Fierit. Subjekti shtoi se për shkak se ishte larguar jashtë prokurori i çështjes, e kishte përfaqësuar në gjykatë. Ai theksoi se nuk i kishte ankimuar vendimet e gjykatës për urdhërimet e kryerjes së hetimeve të reja. Barjamaj deklaroi se pasi kishte kryer hetimet e kërkuara nga gjykata kishte vendosur sërish pushimin e çështjes.

Ai shtoi se pasi gjykata e kishte kthyer sërish për kryerjen e një veprimi tjetër që kërkonte ekspertim, për shkak se ekspertët lokalë e kishin humbur besimin, kishte kërkuar ekspertë jashtë rrethit.

Denoncuesi tjetër ka pretenduar se ka pasur kedashje në hetimin ndaj tij pasi është akuzuar pa prova dhe qëndron në burg prej 16 muajsh. Ai ka pretenduar se subjekti e ka thirrur dhe pyetur pa praninë e avokatit.

Prokurori Barjamaj deklaroi se kishte shkuar për të komunikuar akuzën e të pandehurit, por avokati nuk kishte marrë pjesë. “Kanë bërë lojë procedurale me qëllim për të djegur afatet. Të gjithë të arrestuarit i kam thirrur së bashku me avokatët, por nuk kanë pranuar të japin shpjegime”, pohoi Barjamaj dhe shtoi se asnjë gjykatë nuk e kishte gjetur në shkelje të afateve deri tani.

KPK ka hetuar edhe indicie të mbërritura lidhur me një çështje të hetuar nga subjekti në Prokurorinë e Fierit, ku për një prej të pandehurve është konstatuar se është kërkuar caktimi i një mase sigurie personale më të lehtë nga ajo që ishte vendosur më parë.

Barjamaj mohoi të kishte qenë ai që kishte kërkuar lehtësimin e masës së të pandehurit. Ai deklaroi se caktimin e një mase të lehtë sigurie e kishte kërkuar avokati i të pandehurit, me pretendime për gjendjen shëndetësore.

Sipas subjektit, veç dokumentacionit të burgut prej nga rezultonte se i pandehuri kishte marrë disa herë mjekim për situatën e tij, ishte caktuar edhe një mjek ligjor për të vlerësuar gjendjen shëndetësore.

Barjamaj pohoi se kishte rezultuar se i pandehuri vuante nga diabeti dhe trajtohej me insulinë. Ai tha se kishte një familjar që trajtohej me insulinë e për rrjedhojë kishte dijeni rreth situatave të një pacienti të tillë.  Subjekti pohoi se me qëllim që të pandehurit të mos i rrezikohej shëndeti, kishte pranuar kërkesën e avokatit për caktimin e një mase sigurie më të lehtë, nga “arrest në burg”, në “arrest shtëpie”. “E mora përsipër vetë këtë pasojë profesionale”, pohoi subjekti.

Në përfundim, prokurori Barjamaj kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet të hënën më 20 shkurt, në orën 09:45.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *