Eugen Papandile, Sekretar i Përgjithshëm  i Gjykatës Kushtetuese pas seancës në KPK. Foto:BIRN
KPA Lajme Veting

KPA lë në fuqi sanksionin 15-vjeçar për Eugen Papandilen

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA shpalli të mërkurën më 19 prill vendimin për lënien në fuqi ndërprerjes së vetingut ndaj Sekretarit të Përgjithshëm të Gjykatës Kushtetuese, Eugen Papandile, si dhe të vendosjes së sanksionit që i ndalon atij rikthimin në sistemin e drejtësisë për 15 vjet. Vendimi u mor me shumicë votash nga trupi gjykues i Kolegjit i kryesuar nga Natasha Mulaj, me relatore Ina Ramën dhe anëtare Mimoza Tasin, Albana Shtyllën dhe Rezarta Schuetz.

Gjatë procesit në shkallën e parë të vetingut në nëntor të vitit 2022, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK konstatoi se Papandile, i cili më herët kishte qenë këshilltar ligjor pranë Gjykatës Kushtetuese, nuk i ishte përgjigjur një pyetësori si dhe kishte pretenduar se ai nuk ishte subjekt rivlerësimi, me argumentin se në vitin 2017 ishte emëruar Sekretar i Përgjithshëm që ishte pozicion nëpunësi civil.

Por, sipas Komisionit, pranimi nga Papandile i detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm dhe heqja dorë nga të qenit ndihmës ligjor, ishte de fakto dorëheqje.

Trupa e KPK arsyetoi se pas hetimeve dhe pas disa përgjigjeve të Papandiles, në të cilat ai thoshte se nuk ishte subjekt rivlerësimi, dukej se në rastin e tij duhej të zbatohej neni G i Kushtetutës, që parashikon se në rast dorëheqje subjekti përjashtohet për 15 vite nga mbajtja e funksioneve në sistemin e drejtësisë.

Papandile e ankimoi vendimin e Komisionit, por pas shqyrtimit të pretendimeve në dhomë këshillimi, Kolegji i rrëzoi ato me shumicë votash.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *