Gjyqtari Taulant Tafa pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: BIRN.
KPK Lajme Veting

Gjyqtari Taulant Tafa jep shpjegime për problemet në të tre kriteret e rivlerësimit

Gjyqtari Taulant Tafa i Gjykatës së rrethit Gjyqësor Elbasan u përball të mërkurën më 19 prill 2023 me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur gjatë seancës së dytë dëgjimore që zgjati pesë orë, u pyet dhe dha shpjegime për probleme në të tre kriteret e rivlerësimit, për pasurinë, figurën dhe profesionalizmin. Ai u paraqit në seancë me përfaqësuesin e tij ligjor, avokatin Rezart Kthupi.

Procesi i rivlerësimit kalimtar për gjyqtarin Taulant Tafa po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Olsi Komici, me relatore Xhensila Pinen dhe anëtare Firdes Shulin. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar, ishte i pranishëm Steven Kessler.

Taulant Tafa e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1995 dhe punon prej më shumë se dy dekadash si gjyqtar në Gjykatën e Rrethit të Elbasanit. Në korrik 2022, Tafa u përball me një procedim disiplinor në Këshillin e Lartë Gjyqësor për vendimin e tij për uljen e dënimit me 720 ditë për Arben Grorin.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë argumentoi se vendimi kishte favorizuar të dënuarin për vrasje dhe kërkoi shkarkimin e Tafës, por KLGJ vendosi masën e pezullimit 3-mujor për subjektin.

Mungesa financiare e konflikt interesi

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konstatoi mospërputhje të deklarimeve të subjektit për një banesë dy katëshe + bodrum + nënçati në Elbasan lidhur me kohën e ndërtimit dhe vlerën, si dhe nuk ka konsideruar në analizën financiare paraprake si burim krijimi një kredi që ka rezultuar se është marrë pas ndërtimit dhe regjistrimit të objektit. Për rrjedhojë, ka rezultuar pamundësi financiare për krijimin e kësaj pasurie.

Avokati Kthupi theksoi se deklarimet e subjektit për vlerat e objektit kanë ruajtur një rend kronologjik dhe janë të njëjta. Kthupi argumentoi se vlera pak më e lartë e pasqyruar në deklaratën veting ka të bëjë me dijeninë që ka pasur Tafa për punime të kryera jashtë preventivit, pasi punimet janë ndjekur nga babai. Sipas Kthupit, subjekti ka shënuar në deklaratën veting se deklarimin e ka kryer në dijeninë e tij dhe jo me fakte. Ai e cilësoi koherente vlerën e deklaruar edhe me gjetjet e KPK-së.

Sipas subjektit, kredia ishte marrë pas regjistrimit të banesës, pasi kjo pasuri ishte vendosur si garanci hipotekore. Kthupi sqaroi se pagesa për shoqërinë ndërtuese nuk mund të kryhej pa u përfunduar punimet dhe pa u regjistruar objekti.

Avokati këmbënguli se me vlerën e kredisë 2 milionë lekë përmbyset bilanci negativ dhe rezulton balancë pozitive. Ai shtoi se subjekti kishte burime të ligjshme për mbulimin e shpenzimeve të punimeve edhe nga të ardhurat e tij dhe të familjes. Ai kërkoi që në analizën financiare të përfshihen të ardhurat e babait të subjektit të ruajtura në një depozitë në Bankën e Kursimeve.

Sipas Kthpit, KPK konsideronte të ardhurat e përfituara nga depozita, por jo vlerën e saj. Ai pretendoi se subjekti rezulton me balancë pozitive në shumën 308 mijë lekë edhe nëse do të konsiderohej se shtëpia kishte përfunduar në vitin 2003, ashtu si ka vlerësuar paraprakisht Komisioni.

Komisioni konstatoi pamundësi në investimin e kryer nga subjekti në vitin 2005 për blerjen në bashkëpronësi me shtetasin D.D., të një bodrumi me sipërfaqe 194 m2 në Elbasan, kundrejt vlerës 14 milionë lekë, me pjesë takuese ½-ën secili.

Si burime krijimi të pjesës së tij takuese në vlerën 7 milionë lekë, Tafa ka deklaruar një hua të marrë nga D.D në shumën 6 milionë lekë si dhe një 1 milionë lekë prej një kredie me vlerë totale 5 milionë lekë të marrë me bashkëpronarin, duke vendosur si kolateral bodrumin.

Sipas relatores Pine, në vitin 2008 subjekti ka deklaruar shitjen e kësaj pasurie kundrejt vlerës 200 mijë euro dhe përfitimin e pjesës takuese në masën 100 mijë euro. Ai ka deklaruar gjithashtu shlyerjen e huasë.

KPK konstaton deklarime kontradiktore të subjektit, pasi ka pohuar se nuk ka kryer investime, ndërsa në IDKPKI ka shpjeguar se bashkëpronari ka përdorur 4 milionë lekë të kredisë për të kryer rregullime të ambjentit.

Pine pohoi se shtetasi D.D është konsideruar si person tjetër i lidhur në marrëdhënien e huasë dhe për rrjedhojë është verifikuar për mundësinë e tij financiare për krijimin e vlerës 6 milionë lekë në 2005. Sipas relatores, kanë mbetur të paprovuara të ardhurat e shtetasit D.D. në cilësinë e ortakut të një shoqërie, ashtu si është pretenduar nga subjekti. Nga verifikimet ka rezultuar se huadhënësi ka përfituar paga, që janë konsideruar të pamjaftueshme për dhënien e vlerës 6 milionë lekë. Për rrjedhojë, kjo shumë nuk është konsideruar në analizën financiare paraprake të KPK-së, duke konstatuar balancë negative në vlerën rreth 6.9 milionë lekë për pagesën e pjesës takuese nga ana e Tafës.

Po ashtu, Komisioni konstaton se subjekti nuk ka pasur burime të ligjshme për shlyerjen e parakohshme të kredisë në vitin 2008. Tafa ka deklaruar se me të ardhurat e siguruara nga bodrumi në vitin 2008, kanë shlyer pjesën e mbetur të kredisë për këtë pasuri në 2005-ën. Për shkak se shlyerja e shumës 30 mijë e 800 euro është kryer përpara shitjes së bodrumit, vlera e përfituar nuk është konsideruar si burim dhe për pasojë është konstatuar pamundësi financiare e Tafës për pjesën e tij në shlyerjen e këtij detyrimi.

Nga hetimi ka rezultuar se Tafa ka shqyrtuar edhe çështje të shoqërisë që i ka shitur bodrumin. Pine tha se subjekti duket se e ka shqyrtuar këtë çështje në kushtet e konfliktit të interesit.

Avokati Kthupi i kundërshtoi konstatimet e Komisionit për këtë pasuri. Ai sqaroi se detyrimet e subjektit për pjesën e tij takuese ishin shlyer me huanë në vlerën 6 milionë lekë dhe 1 milionë lekë prej kredisë së marrë me bashkëpronarin. Sipas tij, deklarimet e subjektit janë në të njëjtën logjikë me kontratën e shitblerjes dhe deklarimet e blerësit, që vërtetojnë se subjekti ka shlyer gjithë pjesën e tij.

Lidhur me burimet e huasë së marrë nga shtetasi D.D., u pretendua se ky i fundit kishte pasur të ardhura nga puna në emigracion dhe se kishte marrë vetë një hua në 2005-ën. Kthupi këmbënguli se kishin dorëzuar dokumentacion provues që vërtetonte se D.D. kishte marrë në atë kohë një hua në vlerën 6 milionë lekë si dhe se kishte siguruar të ardhura të tjera.

Për konstatimin e Komisionit për mungesën e logjikës ekonomike si pasojë e mospërfshirjes së subjektit në aktivitetin e zhvilluar nga bashkëpronari D.D., Kthupi argumentoi se investimi mund të kryhet edhe me qëllim që të shitet në të ardhmen me përfitim. Sipas tij, subjekti ka vjelë më vonë qira nga kjo pasuri.

“KPK nuk përfshin as huadhënien dhe as kredinë që janë në vlerën 7 milionë lekë, e njëjtë me bilancin negativ në shumën 6.9 milionë lekë të konstatuar prej Komisionit,” vërejti Kthupi.

Avokati kundërshtoi edhe moskonsiderimin e vlerës se shitjes si burim për shlyerjen e pjesës së mbetur të kredisë. Ai argumentoi se që të mundësohej shitja e bodrumit, ishte e nevojshme që të hiqej si barrë hipotekore për kredinë ose të shlyhej kjo e fundit. Kthupi pohoi se subjekti dhe bashkëpronari D.D. ishin dakordësuar me palën blerëse për të parapaguar vlerën që ishte përdorur për shlyerjen e kredisë.

Në vijim, Kthupi u ndal në konstatimin për konflikt interesi duke vënë në dukje se legjislacioni e lë në çmim të gjyqtarit heqjen dorë. Ai theksoi se vendimarrja e subjektit rezulton në krah të kundërt me atë që mund të kishte qenë interesi i tij.

Komisioni konstatoi se subjekti ka blerë një automjet që e ka zhdoganuar një vit më vonë. Nga verifikimet ka rezultuar se mjeti ka kryer një hyrje të dytë në Republikën e Shqipërisë, por nuk figuron që të ketë dalë. Sipas Pines, duket se hyrja rishtaz e mjetit duke mos u pasqyruar dalja e tij, me qëllim shmangien ose vonesën e zhdoganimit, nuk e forcojnë besimin e publikut tek drejtësia. Po ashtu, u konstatua pamundësi financiare për blerjen e mjetit.

Avokati Kthupi vërejti se mjeti nuk ishte përdorur për rreth një vit për shkak të gjendjes së keqe teknike. Ai theksoi se dalja dhe hyrja e mjetit në pikën kufitare është kryer sipas ligjit, ndërsa shtoi mosregjistrimi i daljes nuk është përgjegjësi e subjektit, por e institucioneve kompetente. Kthupi vërejti se nuk ka pasur shmangie të detyrimeve doganore dhe tatimore. Përfaqësuesi i subjektit pohoi se nëse do të konsiderohej në mënyrë progresive mundësia e kursimeve në vite, atëherë do të rezultonte me bilanc pozitiv.

Raportet për figurën

Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK ka dorëzuar fillimisht raport pozitiv për gjyqtarin Tafa. Në vijim ka raportuar informacione për dyshime të përfshirjes së subjektit në veprime të paligjshme, si dhe për kontakte me persona të proceduar penalisht. Sipas KPK-së, subjekti është pyetur gjatë hetimit administrativ nëse ka pasur njohje me shtetasin E.S., i dënuar në Itali për veprën penale të “shitjes së narkotikëve”.

Tafa ka shpjeguar se më këtë person njihen që prej fëmijërisë. Ai ka paraqitur dokumentacionin për heqje dorë nga çështja lidhur me kërkesën për njohje të vendimit të autoriteteve gjyqësore italiane.

“Duket se subjekti nuk ka deklaruar kontaktin e papërshtatshëm me shtetasin E.S.,” deklaroi Pine dhe renditi të dhënat e analizuara nga disa dosje penale të shqyrtuara bazuar në referimet e DSIK-së.

Nga sa u relatua prej Komisionit, u konstatuan gjetje për arsyetim të pabazuar në rrethanat e një çështje; se në një çështje tjetër është kryer ulja e dënimit pa kaluar afati ligjor nga ulja e mëparshme; si dhe në një rast është përdorur si arsye e veçantë për lirim me kusht gjendja ekonomike e të pandehurit, që sipas Pines është në kundërshtim me praktikën e unifikuar të Gjykatës së Lartë.

Pine evidentoi një çështje tjetër, ku sipas saj, ishte pranuar gjykimi i shkurtuar pa u kryer seanca paraprake ku mund të disponohej për këtë kërkesë.

Avokati Kthupi vërejti se çështjet e analizuara në funksion të informacioneve të DSIK-së për figurën nuk i përkasin periudhës së rivlerësimit kalimtar 2012-2017. “Periudha e pretenduar është jashtë kontrollit të Komisionit. Ky është kriter kushtetues,” theksoi Kthupi dhe pretendoi se ky raport nuk mund të merrej në konsideratë.

Po ashtu, avokati i Tafës sqaroi se dënimi alternative ishte dhënë pasi i pandehuri ishte kryefamiljar dhe i vetmi që mund të siguronte të ardhura për familjen. Ai e cilësoi të pabazuar konstatimin e KPK-së për uljen e dënimit pa u mbushur afati 12 mujor, duke theksuar se kishin vendosur në dispozicion vendimin e mëparshëm të formës së prerë që ishte dhënë 1 vit e një muaj e disa ditë përpara vendimarjes së Tafës.

Lidhur me konstatimin për lirimin me kusht, Kthupi sqaroi se në vendimin unifikues të Gjykatës së lartë, arsyeja e veçantë lidhet me riedukimin dhe riintegrimin e të dnëuarit në shoqëri. Sipas tij, vujajtja e dënimit konstatohet në raportin e IEVP-së dhe se gjykata nuk kryer hetim kryesisht.

Në vijim, kthupi e cilësoi informacionin e DSIK-së të paplotë, të paqartë dhe dashakeqës.

Lidhur me shtetasin E.S., ai shpjegoi se subjekti njihej që prej fëmijërisë pasi ishin lindur e rritur në të njëjtën lagje. Por rrugët e tyre ishin ndarë kur Tafa kishte nisur studimet e larta në vitin 1989, ndërsa shtetasi E.S. ishte larguar në vitin 1990 në Itali. Subjekti këmbënguli se nuk kishte pasur lidhje miqësore me E.S. dhe as kishte pasur dijeni për dënimin e tij në Itali. Ai u mbrojt edhe me faktin se institucionet ligjzbatuese dhe ato të drejtësisë në vend nuk kishin pasur informacion për këtë dënim të shtetasit E.S., përpara se të mbërrinte kërkesa për njohjen e vendimit.

“Në momentin e shqytimit të çështjes kam kërkuar heqjen dorë dhe është gjykuar nga një tjetër gjyqtar. Kjo tregon se kur mësova për dënimin e tij, hoqa dorë dhe nuk ka pasur kontakte të asnjë lloji,” pohoi Tafa dhe këmbënguli se nuk kishte pasur detyrim që të kishte dijeni për dënimin e këtij shtetasi. Tafa theksoi se kjo situatë nuk mund të konsiderohet si kontakt i papërshtatshëm.

Profesionalizmi

Në seancë u evidentuan dhjetëra çështje të denoncuara nga shtetasi A.B., që ngrinte pretendime ndaj subjektit të rivlerësimit për favorizim të të pandehurve duke anashkaluar analizimin e provave; duke zvarritur gjykimin me qëllim për të mbërritur në afatin e lirimit dhe se në disa raste nuk është provuar se çështjet i janë caktuar Tafës me short elektronik.

Ndaj Tafës janë kryer denoncime edhe për mbulimin e shpenzimeve të kurimit të bashkëshortes në Belgjikë nga persona të përfshirë në krimin e organizuar dhe se ka pasur aksione në emër të personave të tjerë.

Avokati Kthupi vërejti se shumica e denoncimeve vinin nga i njëjti person; 18 të tilla. Sipas tij, nga 14 vendime për të cilat ngrihen pretendime, 12 janë lënë në fuqi dhe kanë marrë formë të prerë nga gjykatat më të larta.

Lidhur me kërkesën e KPK-së për të dhënë qëndrime për ato vendimarje, Kthupi vërejti se bëhet fjalë për vendime të shtrira në kohë. Sipas tij, ka pasur ndryshime të praktikës dhe legjislacionit dhe për rrjedhojë edhe mund të ketë qëndrim të ndryshëm nga ai në momentin e gjykimit.

Lidhur me denoncimin për shpenzimet e kurimit të bashkëshortes, Tafa shpjegoi se ishte e vërtetuar se bashkëshortja kishte tërhequr një depozitë në vlerën 1.5 milionë lekë si dhe kishin shërbyer kursimet në vite për ndërhyrjen kirurgjikale që ajo kishte kryer në Belgjikë. Sipas tij, këto prova hedhin poshtë pretendimet e denoncuesit.

Lidhur me pretendimet për aksionet në shoqëritë e të afërmve, subjekti deklaroi se ishte e vërtetuar se ata nuk kanë pasur aktivitet privat. “Tregon se janë denoncime të rreme dhe të qëllimshme,” deklaroi ai.

Në përfundim të seancës, avokati Kthupi pretendoi se gjyqtari Taulnt Tafa nuk rezulton të ketë shkelje që të sjellin penalizim dhe kërkoi konfirmimin e tij në detyrë.

KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më 24 prill, në orën 09:45.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *