Prokurori Ylli Bashaj pas një seance në KPK. Foto: LSA.
KPA Lajme

Kolegji shtyn seancën ndaj Ylli Bashajt pas gjetjes së re nga ONM

Seanca në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, për shqyrtim e ankimit të Komisionerit Publik ndaj konfirmimit në detyrë të prokurorit Ylli Bashaj u shty të mërkurën, pasi Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit paraqiti një gjetje të re.

Prokurori Bashaj kërkoi kohë që të njihej me këtë pretendim dhe trupa e KPA e shtyu seancën për në datën 15 janar.

Bashaj, i cili u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në qershor të vitit që shkoi, përballet në KPA me ankimin e Komisionerit Publik dhe një rekomandim të ONM që kërkojnë hetim më të plotë tl pasurisë së prokurorit.

Gjatë seancës dëgjimore më 12 qershor, Bashaj u përball në KPK me pyetje që kishin të bënin kryesisht mbi koherencën dhe vërtetësinë e një kontrate për blerjen e një shtëpie në vitin 2000. Ai këmbënguli në vërtetësinë e deklarimeve dhe kërkoi konfirmimin në detyrë.

Në përfundim, Komisioni vlerësoi se problemet e konstatuara në kriterin e pasurisë; pasaktësitë në deklarim dhe balanca negative e fondeve e përqendruar në një vit të vetëm, nuk ishin të mjaftueshme për të sjellë penalizim. Bazuar në parimin e proporcionalitetit, KPK konkludoi se Bashaj kishte arritur nivel të besueshëm për pasurinë. Po ashtu, u çmua se kishte arritur nivel të besueshëm për figurën dhe kualifikues për profesionalizmin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *