Rilinda Selimi në KPA | Foto: BIRN
Analiza KPA Veting

KPA me tre mendime të ndryshme për rivlerësimin e Rilinda Selimit

Gjyqtarja e Gjykatës së Apelit Administrativ, Rilinda Selimi u konfirmua në detyrë prej Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK më 14 dhjetor 2020, por pas ankimit të Institucionit të Komisionerëve Publikë, nuk arriti të kalojë në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, KPA testin për pastërtinë e figurës. Më herët, Komisioni dhe Kolegji larguan nga detyra bashkëshortin subjektit, ish-gjyqtarin e Gjykatës së Lartë, po për shkak të kontakteve të papërshtatshme me një person të përfshirë në krimin e organizuar.

Trupa e Kolegjit e kryesuar nga Sokol Çomo, me relatore Rezarta Schuetz dhe anëtarë Albana Shtylla, Natasha Mulaj e Mimoza Tasi janë bashkuar në vendimarrjen përfundimtare për ndryshimin e vendimit të Komisionit dhe shkarkimin e gjyqtares Rilinda Selimi për probleme në kriterin e figurës, ndërkohë që janë ndarë lidhur me pasurinë dhe profesionalizmin.

Mulaj dhe Tasi kanë paraqitur mendime paralel ku kundërshtojnë konkluzionin e shumicës se vjehrri i subjektit, me të cilin rezultojnë bashkëpronarë në një aset nuk është person tjetër i lidhur. Ato argumentojnë se shumica nuk i është përmbajtur legjislacionit dhe jurispudencës së mëparshme të Kolegjit, kur ka dalë në këtë konkluzion.

Menjëherë pasi Komisioni konfirmimoi në detyrë Rilinda Selimin, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, ONM rekomandoi apelimin e vendimit, duke arsyetuar se KPK nuk kishte hetuar apo kishte hetuar sipërfaqësisht disa prej problemeve të gjyqtares që preknin të tre kriteret e rivlerësimit. Bazuar në këtë rekomandim, ish-komisioneri Darjel Sina kreu ankimin në Kolegj duke kërkuar lëninen në fuqi ose ndryshimin e vendimit të KPK-së. Në përfundim të shqyrtimit të çështjes në Kolegj, zëvendësuesja e Sinës, komisionerja Irena Nino kërkoi shkarkimin e Selimit me pretendimin se subjekti nuk arrinte nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë dhe të figurës.

Shkarkimi për figurën

Në ankim kërkohej që të analizoheshin rrethanat ligjore që cilësojnë ekzistencën e një kontakti të papërshtatshëm në kushtet kur në rivlerësimin e bashkëshortit të subjektit, Shkëlzen Selimi, kishte rezultuar i provuar kontakti i papërshtatshëm me persona të përfshirë me krimin e organizuar.

Komisioni nuk gjeti probleme në figurën e gjyqtares Selimi pasi vendosi të mos administronte materiale të dosjes së procesit të vetingut të kryer për bashkëshortin e saj.

Gjatë shqyrtimit të çështjes në Kolegj, ish-gjyqtarja Rilinda Selimi i kundërshtoi si të pabazuara shkaqet e ankimit duke theksuar se “rrethanat e hetuara dhe provuara gjatë hetimit, dëshmojnë integritetin e saj të pacenuar”.

Duke analizuar pretendimet e Komisionerëve Publikë, akteve në fashikull, provave të sjella dhe pretendimeve të subjektit të rivlerësimit, trupi gjykues i Kolegjit konkludon se Selimi nuk arrin nivel të besueshëm në kontrollin e figurës, për shkak se ka kontakte të papërshtatshme të personit të lidhur dhe të asaj vetë, me një person të përfshirë në krimin e organizuar, shtetasin F.D..

Në vendimin e arsyetuar të Kolegjit evidentohet se kur bashkëshorti i subjektit, ish-gjyqtari Shkëlzen Selimi kur është pyetur në mënyrë direkte nga Komisioni, e ka karakterizuar lidhjen e tij me shtetasin F. D. si miqësi familjare, afatgjatë, të shëndoshë e që, ndër të tjera, përfshinte udhëtime me familjet, festa familjare e përvjetorë. “Në disa raste, kemi udhëtuar jashtë shtetit të dy, dhe në një rast, me familjet, në Gjermani, në dhjetor të vitit 2013 […]”, ka deklaruar ndër të tjera ish-gjyqtari Selimi.

Në vijim, KPA sjell në vëmendje faktin se udhëtimi në Gjermani në vitin 2013 me familjet e F.D. është deklaruar edhe nga vetë subjekti i rivlerësimit, ndonëse në një kontekst tjetër.

Për rrjedhojë, trupi gjykues i Kolegjit i cilëson jo bindëse pretendimet e subjektit për një marrëdhënie që nuk e ka përfshirë atë dhe se për rrjedhojë përmbush testin e standardit të komunikimit “rastësor”.

Bazuar në këto konstatime, KPA e cilëson konkluzionin e Komisionit të bazuar mbi një interpretim arbitrar të fakteve të pakontestueshme dhe të gabuar dhe ka çmuar se ish-gjyqtarja Selimi rezultoi me probleme serioze gjatë kontrollit të figurës, për shkak të kontaktit të papërshtatshëm me një person të përfshirë në krimin e organizuar.

Mendimet ndryshe për pasurinë

Lidhur me burimet e krijimit të një pike shërndarjesh karburanti në Vlorë, Komisioni ka konkluduar se familja e Selimit ka pasur balancë negative prej 179 mijë lekësh në vitin 2013 për të kryer pagesat për pjesën takuese prej 50% të bashkëpronësisë, si dhe për shpenzimet e tjera, që nuk është gjetur penalizuese. Për vjehrrin e subjektit bashkëpronar në këtë asset, ka vlerësuar se nuk është person tjetër i lidhur, meqenëse nuk paraqitet në cilësinë e huadhënësit apo dhuruesit. Megjithatë, KPK ka kryer llogaritje të vjehrrit, prej nga i ka rezultuar mjaftueshmëri financiare për gjysmën e tij të investimit.

Komisioneri Sina pretendoi në ankim se KPK nuk ka kryer hetim të plotë në drejtim të dy burimeve të krijimit të kësaj pasurie në bashkëpronësi të familjes së subjektit dhe vjehrrit të saj – konkretisht për të ardhurat që kanë shërbyer për pagesën 101 mijë euro në vitin 2013 nga ana e babait të bashkëshortit, shtetasit K.S., si dhe për mundësinë e familjes së subjektit për kursimin e shumës 10 mijë euro të paguar për këtë pronë.

Sipas Komisionerëve, vjehrri është person i lidhur me Selimin për shkak të shtatë elementëve, konkretisht për bashkëinvestimin në pikën e shpërndarjes së karburanteve; dy hua, një në shumën 5140 euro dhe tjetrën në vlerën 42 mijë e 500 euro që bashkëshorti i subjektit i ka dhënë të atit; vendosja e një apartamenti në Krujë nga vjehrri si kolateral për një kredi bankare të përfituar nga bashkëshortët Selimi në vitin 2008; fakti se vjehrri paraqitet në cilësinë e bashkëdebitorit në kontratën e një huaje të marrë për blerjen e kësaj pasurie; bashkëshorti i subjektit dhe babai i tij kanë dhënë me qira pikën e karburanteve dhe të ardhurat e gjeneruara janë depozituar në llogarinë e tyre të përbashkët; si dhe për faktin se gjyqtarja Selimi e ka pasqyruar vjehrrin si person të lidhur në deklaratën “veting”.

Në parashtrimet e saj në Kolegj, Selimi kundërshtoi arsyetimin e Komisionerit, që u gjet i drejtë edhe nga shumica e Kolegjit e përbërë nga kryesuesi Sokol Çomo, relatorja Rezarta Schuetz dhe anëtarja Albana Shtylla.

“Trupi gjykues i Kolegjit sjell në vëmendje se leximi harmonik i dispozitave ligjore, zbatuar në rrethanat faktike konkrete, tregon se z. K. S., pavarësisht nga cilësia e ndërmarrë si bashkinvestitor me personin e lidhur me subjektin, nuk përmbush kushtet për t’u cilësuar si person tjetër i lidhur me subjektin e rivlerësimit. Z. K. S. nuk rezulton të ketë qenë dhurues apo huadhënës në krijimin e kësaj pasurie”, argumenton shumica dhe e ka rrëzuar këtë shkak të ankimit. Shumica, ashtu si edhe Komisioni nuk kanë gjetur shkaqe penalizuese gjatë analizimit të burimeve të krijimit të kësaj pasurie.

Gjyqtarja Natasha Mulaj në mendimin e saj ndryshe, çmon se procedura për procesin e rivlerësimit duhej të kishte vazhduar konform ligjit për vlerësimin e kriterit të pasurisë, sipas shkaqeve të ankimit të ngritura nga Komisioneri Publik.

“Qëndrimi im kundër në këtë çështje, së pari është logjika absurde e përdorur nga shumica, lidhur me interpretimin që ata i bëjnë në rastin konkret personit tjetër të lidhur. Nga aktet në dosjen gjyqësore, konstatoj marrëdhënie interesi pasuror të subjektit të rivlerësimit, znj. Rilinda Selimi, dhe bashkëshortit të saj, me vjehrrin e subjektit z. K. S., duke e klasifikuar kështu, këtë të fundit në cilësinë e ‘personit tjetër të lidhur’”, konstaton Mulaj.

Sipas saj, lidhja e interesit pasuror dhe e marrëdhënieve të tjera të biznesit rezultojnë të provuara për shkak të rrethanave faktike të evidentuara qartësisht në ankimin e depozituar nga Komisioneri Publik dhe rendit të shtatë elementët e evidentuar në ankim.

“[…]Të gjitha këto marrëdhënie interesi mes subjektit të rivlerësimit, znj. Rilinda Selimi, dhe vjehrrit të saj, z. K. S., e kualifikojnë këtë të fundit automatikisht sipas ligjit, në person tjetër të lidhur, fakte që nuk u konsideruan të mjaftueshme për shumicën”, vlerëson Mulaj dhe vëren se shumica “nuk mund të mohojë marrëdhëniet e interesit mes tyre, të deklaruara në deklaratat periodike dhe deklaratën e pasurisë ‘veting’, nga vetë subjekti, të provuara me dokumentacion ligjor”. Sipas Mulajt, në këtë rqast shumica nuk i ka qëndruar as jurispudencës së mëparshme të Kolegjit.

Edhe anëtarja Mimoza Tasi ndan të njëjtin qëndrim si Mulaj për këtë çështje. “[…]Për sa kohë nga aktet e depozituara në fashikullin e subjektit të rivlerësimit të ardhur nga Komisioni, si dhe nga provat e administruara në Kolegj, rezulton e provuar që marrëdhënia e subjektit të rivlerësimit dhe e personit të lidhur (bashkëshortit), me personin e lidhur (vjehrrin), është një marrëdhënie investimi që ka si qëllim krijimin e fitimit dhe të të ardhurave, e konsideroj si një lidhje për interesa pasurorë të mirëfilltë, e për rrjedhojë merr cilësimin e personit tjetër të lidhur dhe, në këtë kuptim, edhe vjehrri i subjektit të rivlerësimit duhej të justifikonte ligjshmërinë e burimit të krijimit të pasurive”, arsyeton Tasi dhe vlerëson se babai i bashkëshortit të subjektit të rivlerësimit duhej të konsiderohej edhe si person i lidhur, edhe si person tjetër i lidhur dhe për rrjedhojë në të dyja rastet, duhet të justifikonte ligjshmërinë e burimeve dhe të krijimit të pikës së karburanteve në Vlorë.

Sipas Tasit, nëse do të ishte kryer vlerësimi i të gjitha akteve të ndodhura në dosje dhe fakteve e provave të depozituara nga subjekti i rivlerësimit gjatë gjykimit të çështjes si në Komision, edhe në Kolegj, duke u konsideruar vjehrri si person tjetër i lidhur, Selimi nuk do të arrinte nivel të besueshëm në vlerësimin e kriterit të pasurisë.

Qëndrimi për profesionalizmin

Tasi ka dalë me qëndrim të ndryshëm nga shumica edhe në vlerësimin e afësive profesionale të Selimit.

Komisioneri Sina ka ngritur në ankim pretendime mbi ekzistencën e disa rrethanave që lidhen me çështje të profesionalizmit dhe etikës, konkretisht me mospagesën e detyrimeve tatimore mbi qiratë dhe mbi të ardhurat nga shitja e makinave; trajtimit preferencial të pabarazisë ndaj ligjit në një çështje ku subjekti ka qenë palë paditëse; si dhe të ushtrimit të detyrës në kushtet e konfliktit të interesit.

Megjithëse komisionerja Nino është shprehur se për kriterin e aftësive profesionale Selimi kishte arritur të provonte se nuk gjendej në kushtet e konfliktit të interesit, gjyqtarja Tasi veçon shkakun e ankimit që lidhet me trajtim preferencial në një çështje ku ishte palë, duke vlerësuar se duhej të ishte trajtuar më thellësisht në drejtim të pasojave që ai sjell në raport me dëmtimin e imazhit dhe cenimin e besimit të publikut te sistemi i drejtësisë.

“[…]Gjykoj se mënyra e trajtimit të saj, duke pasur cilësinë e gjyqtares dhe kohëzgjatja e procesit civil të iniciuar prej saj, ku rezulton e provuar se në periudhën 4-mujore, shkurt – qershor 2017, u zhvilluan 2 procese gjyqësore në dy shkallë gjykimi, provojnë pa asnjë dyshim një trajtim preferencial nga kolegët gjyqtarë që e vendos subjektin e rivlerësimit në kushtet e ushtrimit të ndikimit të paligjshëm”, vlerëson Tasi dhe shton se në  ndryshim nga Komisioni do të konsideronte “ndikim” nga ana e subjektit, shpejtësinë me të cilën u zgjidh në gjykatë mosmarrëveshja civile ku ajo kishte qenë palë.

Sipas Tasit, rezulton e provuar se ushtrimi i ndikimit tё subjektit tё rivlerёsimit pёr kёtё rast, çoi nё shkelje e tejkalim tё procedurave pёr zgjidhjen e çёshtjes brenda një kohe shumë të shkurtër, jo vetёm nё shkallёn e parё tё gjykimit, por edhe nё shkallёn e dytё.

Në përfundim, gjyqtarja Tasi çmon se Selimi nuk arrin nivel të mjaftueshëm në asnjë nga kriteret e rivlereësimit dhe se ka cënuar besimin e publikut te drejtësia.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *