Prokurori Arbër Berexha pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPK Lajme

Prokurori Arbër Berexha jep shpjegime për pasurinë dhe profesionalizmin

Prokurori i Tiranës, Arbër Berexha u përball të mërkurën më 10 janar me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur gjatë seancës dëgjimore dha shpjegime për barrat e provës në kriterin e pasurisë dhe gjetjet për profesionalizmin. Berexha u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës.

Procesi i vetingut për prokurorin Arbër Berexha po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Etleda Çiftja, me relatore Brunilda Bekteshin dhe anëtar Lulzim Hamitajn. Në cilësinë e vëzhgueses ndërkombëtare ishte e pranishme Marie Tuma.

Arbër Berexha përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2011 dhe pas një periudhe të shkurtër stazhi në Prokurorinë e Durrësit, u emërua në Prokurorinë e Elbasanit ku e ushtroi funksionin deri në qershor të vitit 2023, kur u caktua në Prokurorinë e Tiranës nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

Shpjegimet e subjektit u përqendruan më së shumti në analizën e burimeve të një apartamenti me sipërfaqe 92.7 m2 në Yzberisht, të blerë nga prindërit në vitin 2011 kundrejt vlerës rreth 35 mijë e 900 euro – pasuri e deklaruar në deklaratën “veting”.

Si burime krijimi të kësaj pasurie janë deklaruar të ardhurat e prindërve nga shitja e një apartamenti në Kavajë, të përfituar me privatizim; nga shitja e dy ngastrave tokë; pagat dhe të ardhurat familjare.

Nga analiza financiare paraprake e kryer prej Komisionit, prindërit e subjektit kanë rezultuar në pamundësi financiare në vlerën 1.4 milionë lekë për të paguar këstin e parë dhe 1.2 milionë lekë për shlyerjen e këstit të katërt.

Prokurori Berexha konstatoi në seancë se KPK e kishte kryer analizën financiare për familjen e tij për periudhën 1994 – 2011. Ai vërejti se pagesa e këstit të parë ishte kryer vetëm një muaj pasi ishte emëruar si prokuror. Sipas subjektit, familja kishte pasur mundësi të kursente prej vitit 2008 kur ai kishte filluar Shkollën e Magjistraturës dhe trajtohej me bursë.

Berexha kërkoi që lidhur me këstin e parë, të konsideorhet se të ardhurat janë krijuar para fillimit të detyrës. Sipas tij, prindërit kanë qenë punëtorë të thjeshtë dhe kanë kyer edhe punë informale.

Subjekti pretendoi se të ardhurat nga shitja e apartamentit në Kavajë në shumën 3.1 milionë lekë, ato nga shitja e dy ngastrave tokë nga e ëma, si dhe të ardhurat nga pagat dhe kursimet, ishin të mjaftueshme për shlyerjen e gjithë kësteve të apartamentit në Yzberisht.

Po ashtu, kërkoi që të mos përfshihen në analizën financiare shpenzimet e udhëtimeve që sipas tij i ka mbuluar shkolla. Berexha pohoi se në vitin 2010 rezultonte bilanc pozitiv në shumën rreth 500 mijë lekë që ishte mbartur në 2011-ën, vit në të cilin këmbënguli se ishin krijuar sërish kursime.

Subjekti shtoi se në vitin 2011 faktohej se kishte tërhequr nga banka reth 581 mijë lekë prej bursës, me të cilat kishte koontribuar për apartamentin.

Në vijim ai kërkoi që të konsiderohej në analizë një shumë 800 mijë lekë, sipas tij të përfituar nga nëna në këmbim të dhënies së pjesës së saj takuese të tokës, nipërve. Berexha shpjegoi se transaksioni ishte kryer si dhurim, me qëllim që të lehtësohej procedura e kalimit të pronësisë tek personat e afërm. Megjithëse nga hetimi ka rezultuar se nëna i’ua ka dhuruar nipave pjesën e saj të tokës, subjekti theksoi se një gjë e tillë nuk mund të ndodte në një kohë kur duhej të blihej banesa. Sipas tij, nëna e ka marë vlerëson 800 mijë lekë që është shpenzuar për mobilim.

Ai pohoi se e kishte mësuar gjatë hetimit administrativ se nuk ishin shlyer detyrimet tatimore për vlerën e përfituar dh se këtë gjë e kishte realizuar menjëherë sapo ishte vendosur në dijeni.

Sipas subjektit, pamundësitë e konstatuara nga KPK rjedhin si pasojë e përllogaritjes së shpenzimeve jetike prej vitit 1994. Ai theksoi se të ardhurat e prindërve janë më të larta se shpenzimet.

Pamundësi janë konstatuar në vitin 2013 në vlerën 951 mijë lekë për krijimin  një depozite dhe një shumën 32 mijë lekë për blerjen e një automjeti në 2015-ën.

Nga analiza financiare e kryer vetëm për subjektin dhe bashkëjetuesen pas fillimit të detyrës, ka rezultuar një balancë negative në shumën 77 mijë lekë.

Berexha kundërshtoi edhe balancat e vogla negative të konstatuara për blerjen e automjetit dhe analizën financiare për periudhën 210-2016.

Ai deklaroi se në kohën kur kishte blerë makinën, për shpenzimet kishte përdorur gjendjen cash. Subjekti kërkoi që të korrigjohen shpenzimet e udhëtimeve të bashkëjetueses dhe këmbënguli se rrëzoheshin edhe bilancet e tjera negative.

“Pasuria neto gjatë ushtrimit të detyrës është disa herë më e vogël nga të ardhurat”, vërejti subjekti.

Në aspektin profesional u evidentuan disa çështje të denoncuara nga publiku, në të cilat Komisioni ka vërejtur se subjekti dukej se nuk kishte kryer veprime hetimore, që në disa raste ishin urdhëruar nga gjykata që kishte prishur vendime të tij për mosfillimin e procedimeve penale.

Sipas Berexhës, në rastin e denoncuesit A.E., gjykata e Shkallës së Parë nuk i kishte lënë detyra, por kishte qenë Apeli që kishte caktuar e për rrjedhojë nuk qëndronte konstatimi i bërë se nuk ishin kryer veprimet hetimore të kërkuara.

Lidhur me një çështje tjetër për të cilën u konstatua po ashtu se dukej se subjekti nuk kishte kryer hetime, ai u mbrojt duke u shprehur se kishte vendosur mosfillimin, pasi nuk kishte vepër penale.

KPK konstatoi edhe periudha të gjata në të cilat subjekti nuk ka kryer veprime hetimore. Berexha u mbrojt me faktin se nuk kishte pasur emra të regjistruar në këto procedime penale e për rrjedhojë nuk kishte afate.

Në përfundim të seancës, subjekti u pyet ndër të tjera nga vëzhguesja ndërkombëtare Marie Tuma, lidhur me dy vendimarje të tij për mosfillim të hetimit të një çështjeje.

Ai shpjegoi se në vitin 2014 kishte vendosur mosfillimin e procedimit penal pasi kjo çështje ishte hetuar më parë në 2010-ën nga një tjetër koleg që e kishte pushuar, e për rjedhojë e kishte konsideruar si gjë të gjykuar. Ndërsa për vendimin e dytë të dhënë pasi gjykata kishte urdhëruar kryerjen e veprimeve hetimore, Berexha tha se kjo vendimarje vinte si pasojë e parashkrimit të veprës penale.

Në përfundim prokurori Arbër Berexha kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 12 janar, në orën 09:45.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *