Gjyqtari Aleks Nikolli pas vendimit të KPK. Foto:Vladimir Karaj/BIRN
Analiza KPK Vendi

Standardet e dyfishta: KPK mbajti 9 muaj në sirtar shkarkimin e Aleks Nikollit

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit përdor një standard për veten dhe një tjetër për gjyqtarët që gjykon, për sa i përket zbardhjes së vendimeve dhe shkeljes së afateve të parashikuara në ligj.

Gjyqtari Aleks Nikolli pas vendimit të KPK. Foto:Vladimir Karaj/BIRN

Ndërsa ka referuar dhe hetuar disa gjyqtarë e prokurorë për shkelje të afateve proceduriale për zbardhjen e vendimeve gjyqësore, KPK e shtyu zbardhjen e vendimit të shkarkimit e gjyqtarit Aleks Nikolli për gati 9 muaj.

Publikimi i vendimit u bë me 19 prill, vetëm pasi BIRN i kërkoi zyrtarisht shpjegime Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, pse ky vendim i shpallur me 10 gusht nuk ishte zbardhur.

KPK e ka detyrim ligjor zbardhjen e vendimeve 30 ditë pas shpalljes së tyre. Gjatë periudhës së ndërmjetme kur subjekti është i shkarkuar nga KPK por nuk ka një vendim të formës së prerë nga KPA, ai paguhet me 75 përqind të pagës edhe pse nuk shkon në punë dhe është i pezulluar nga detyra.

Nikolli u shkarkua me shumicë nga trupa që kryesohej nga Brunilda Bekteshi, me anëtar Lulzim Hamitaj dhe relator Olsi Komici, pas hetimit vetëm në kriterin e pasurisë.

Sipas vendimit të zbardhur pro shkarkimit të subjektit nga detyra votuan komisionerët Olsi Komici dhe Brunilda Bekteshit, ndërsa Lulzim Hamitaj i cilësoi të pamjaftueshme shkaqet e shkarkimit dhe kërkon në mendim pakice rihapje të hetimit për dy kriteret e tjera.

I pyetur nga BIRN, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e justifikoi vonesën 9-mujore në zbardhjen e vendimit të Aleks Nikollit duke paraqitur si arsye situatën e krijuar nga COVID-19, ngarkesën e KPK dhe kompleksitetin e çështjes. Komision gjithashtu pretendoi se mos zbardhja në kohë e vendimit nuk përbënte dëm ndaj palëve.

“[Ligji] nuk e lidh afatin e zbardhjes së vendimeve me ndonjë pasojë në dëm të palëve, për shkak se nuk konsiderohet të jetë afat i prerë ligjor (prekluziv), sikurse është afati i ankimimit,” tha KPK në një përgjigje me shkrim nëpërmjet email-it.

Ndërkohë KPK i tha BIRN se nuk kishte asnjë çështje tjetër që priste të zbardhej dhe që ishte përtej afateve.

“Pavarësisht ngarkesës, ju informojmë se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, nuk ka asnjë vendim të pazbardhur,” theksoi KPK. “Paralelisht me proceset e tjera të rivlerësimit, aktualisht relatorët po punojnë për zbardhjen e vendimeve të marra së fundmi,” shtoi Komisioni.

Siç del në vendimin e zbardhur të KPK-së, Aleks Nikolli u shkarkua për probleme në kriterin e pasurisë dhe dyshimet mbi një marrëdhënie financiare fiktive me vjehrrin dhe bashkëshorten. Sipas vendimit Nikolli kishte një mungesë burimesh prej 4,1 milionë lekësh për investimin e një shtëpie tre katëshe në Ishull Lezhë.

Pretendimet e Nikollit se një pjesë e pasurisë ishte investuar nga vëllezërit u rrëzuan nga shumica, që arsyetoi se ai nuk kishte provuar të ardhurat e vëllezërve në emigracion dhe nuk kishte sjellë dokumentacion ligjor që i dokumentonte ato.

Ndryshe nga shumica, komisioneri Hamitaj në pakicë pretendoi se analiza financiare nuk kishte marrë parasysh disa burime të ligjshme të pasurisë të vëllezërve në emigracion.

Po ashtu KPK gjeti të dyshimtë përfitimin nga Nikolli të një shume prej 1.2 milionë lekësh nga një kompani ndërtimi, si penalitet për një kontratë të dështuar sipërmarrje. Nikolli pretendoi se kompania nuk e kishte përmbushur kontratën, por KPK e gjeti të dyshimtë përfitimin sa kohë një penalitet i tillë nuk ishte përfshirë në kontratë.

Shumica gjeti me probleme edhe një transaksion mes Nikollit, vjehrrit dhe bashkëshortes së tij.

Nikolli pretendonte se kishte blerë për një çmim 1.2 milionë lekë një dyqan në Lezhë nga vjehrri i tij. Gjyqtari pretendon se në kohën e blerjes ai nuk e kishte këtë lidhje familjare dhe nuk ishte njohur ende me bashkëshorten. Ai thotë se çmimi i lirë në këtë kohë diktohej nga vendndodhja e dyqanit dhe një sërë problemesh të tjera.

Por pasi e bleu me çmim të favorshëm dyqanin, disa vite më vonë ai ia shiti atë familjes së bashkëshortes – e cila e bleu atë për llogari të bashkëshortes së gjyqtarit. Nikolli sipas KPK dha arsye kontradiktore në lidhje me rritjen e çmimit në pak kohë të së njëjtës njësi. Ndërkohë ia pretendoi se ajo nuk duhej të përfshihej në vetingun e tij, si pasuri e bashkëshortes para martese.

KPK i rrëzoi këtëo pretendime. Në arsyetim shumica thotë se kishte dyshime për “caktim të një çmimi fiktiv ndërmjet shitësit (subjektit) dhe blerësit (bashkëshortes së ardhshme të subjektit B.G.), në kontratën e shitjes”.

Shumica vuri në dukje se Nikolli kishte dhënë një sërë deklarimesh kontradiktore për njësinë. Ndër të tjera blerja e saj nga familja e bashkëshortes së tij për llogari të saj ka rezultuar pa asnjë vlerë ekonomike për ta, pasi njësia nuk ishte vënë në punë për asnjë moment nga viti i blerjes, 2009 deri në vitin 2016.

Në pakicë Hamitaj e kundërshtoi këtë përfundim të shumicës, duke arsyetuar se nuk ishte shkak shkarkimi për kriterin e pasurisë.

“Fiktivitei i dyshuar mund të shkaktojë vlerësime negative lidhur me etikën e subjektit, por nuk mund të pasjellë mos konsiderimin e një të ardhure të provuar në mënyrë të plotë dhe të tatuar”, u shpreh ai.

Ndërkohë në lidhje me huapërdorjen e një apartamenti të blerë nga vëllai që jetonte në Britani dhe shkëmbimin e tij me një pjesë të shtëpisë në Ishull-Lezhë, trupa është ndarë në tre mendime të ndryshme. Bekteshi në mendim paralel arsyeton se Nikolli duhej të kishte shpjeguar burimin e ligjshëm për këtë apartament.

Në shumicë është arsyetuar se vëllai nuk kishte arsye dhe motiv për blerjen e një apartamenti të tillë në Lezhë, të cilin nuk kishte ndërmend ta shfrytëzonte dhe as pse duhej të investonte aty në ndërtim shtesash.

Shumica arrin në përfundimin se Nikolli, kishte bërë deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm të pasurisë. Po ashtu ai akuzohet për shmangie me qëllim të detyrimeve tatimore, kryerjen e veprimeve fiktive për ligjërim të ardhurave financiare nga burime të paidentifikuara dhe veprime juridike fiktive me qëllim justifikimin e fshehjes së pasurisë në emër të personave të tjerë të lidhur.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *