Gjyqtarja Majlinda Dogga në KPK
Analiza KPK Lajme Veting

KPK u bind nga shpjegimet e gjyqtares Majlinda Dogga për pasurinë

Gjyqtarja e Tiranës, Majlinda Dogga u konfirmua në detyrë më 19 dhjetor 2022, pasi bindi trupën e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK lidhur me burimet e pasurive, për të cilat u konstatuan balanca negative gjatë hetimit paraprak. Një bilanc negativ rreth 1 milion lekë i shtrirë në disa vite që mbeti pas rishikimit të analizës financiare, bazuar edhe në shpjegimet e provat e subjektit, u konsiderua i pamjafuteshëm nga KPK për të sjellë penalizim për gjyqtaren Dogga, që u la në detyrë bazuar në parimin e proporcionalitretit dhe objektivitetit.

Gjyqtarja Dogga u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës, ndërsa u evidentuan ankesa të palëve në proces për zvarritje, si dhe për gjykimin e një çështje në kushtet e konfliktit të interesit. KPK vlerësoi në përfundim se subjekti nuk gjendej në kushtet e konfliktit të interesit, si dhe u çmua se mangësitë e konstatuara në aspektin e aftësive ligjore dhe organizative nuk përbënin gabime thelbësore dhe serioze, duke mos u konkluduar probleme penalizuese as në këtë kriter rivlerësimi.

Procesi i vetingut për gjyqtaren Dogga u krye nga trupa e KPK e kryesuar nga Suela Zhegu, me relatore Etleda Çiftjan dhe anëtare Alma Faskajn.

Majlinda Dogga e ka filluar karrierën e saj në sistemin e drejtësisë në vitin 1995 dhe punon prej më shumë se dy dekadash si gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Vlerësimi për pasurinë

Subjekti ka deklaruar pronësinë e një automjeti të blerë në vitin 2007 për çmimin 9000 euro. Si burim krijimi ka deklaruar shumën 3000 euro nga shitja e një automjeti të mëparshëm, ndërsa pjesën tjetër të mbuluar nga kursimet e familjes të akumuluara ndër vite.

Për shkak se mjeti i mëparshëm është shitur pesë ditë pas blerjes së makinës së re, KPK nuk e ka konsideruar në analizën financiare paraprake vlerën 3000 euro.

Nga verifikimi i burimit tjetër, kursimet e akumuluara ndër vite në shumën 6000 euro, ka rezultuar se subjekti nuk ka deklaruar kursime cash gjatë periudhës 2003-2007. Për rrjedhojë nuk janë konsideruar si burime për blerjen e mjetit duke rezultuar me pamundësi financiare në shumën 1.1 milion lekë.

Pasi është njohur me këto rezultate të hetimit paraprak, subjekti ka shpjeguar se nuk e ka kuptuar që sipas ligjit për deklarimin e pasurive duhet të deklaronte gjendjen, shtesat si dhe pakësimin e gjendjes cash, pasi nuk ka pasur njohuri të plota mbi mënyrën e plotësimit dhe deklarimit të deklaratës vjetore.

Në vijim ajo ka sqaruar se burimi i vlerës prej 6000 euro kanë qenë kursimet e viteve të kaluara, të cilat nuk janë përfshirë në deklarimet e ILDKPKI-së në vite. Sipas subjektit, referuar analizës financiare të kryer nga Komisioni, ajo rezulton me balanca pozitive të mjaftueshme për tre vitet e fundit para vitit 2007.

Për të provuar se të ardhurat nga shitja e automjetit ishin siguruar përpara se të blihej i riu, subjekti ka dorëzuar në Komision një deklaratë noteriale të palës blerëse, i cili ka deklaruar se shumën 3000 euro e ka paguar një javë përpara se të nënshkruhej kontratra dhe se këtë veprim e kishte kryer me qëllim që familja e subjektit të mund të blinte një makinë tjetër.

Në përfundim, Komisioni vlerëson se në kontratën noteriale të shitjes së makinës së mëparshme është përcaktuar se gjithë shuma 3000 euro është likujduar nga blerësi më përpara. Nisur dhe nga fakti se makina e re është blerë vetëm pesë ditë përpara se të shitej ajo që disponohej nga familja e subjektit, në përfundim KPK ka vlerësuar se shuma 3000 euro është marrë më para se të kryhej ky transaksion dhe e ka përfshirë në analizën financiare.

Ndërkohë, nuk është konsideruar mundësia e kursimit nga subjekti gjatë tre viteve të fundit pasi nuk janë gjetur gjurmë provueshmërie dhe për rrjedhojë ka mbetur balancë negative në shumën 737 mijë lekë për blerjen e automjetit në viti 2007. Kjo mungesë e burimeve është vlerësuar e pamjaftueshme për të sjellë pasojë e vetme.

Subjekti nuk ka shënuar në deklaratën “veting” gjendje të likujditeteve cash jashtë sistemit bankar. Ndërkohë, duke ju referuar deklarimeve periodike për likujditetet cash duhej të kishin pasur gjendje në vlerën 4 milion e 840 mijë lekë në momentin e plotësimit të deklaratës “veting”.

Nga analiza financiare e kryer për mundësinë e kursimeve në vite kanë rezultuar balanca negative në disa vite, konkretisht në vitin 2013 në vlerën 460 mijë lekë; 540 mijë lekë në 2014-ën dhe pamundësi në vlerën 576 mijë lekë në vitin 2016.

Subjekti i rivlerësimit ka shpjeguar se në deklarimet e saj ndër vite në lidhje me likuiditetet cash jashtë sistemit bankar, ka menduar se duke i deklaruar në tërësi tek formati i të ardhurave, e kishte përmbushur detyrimin e saj. Edhe në këtë rast ajo është justifikuar me mospasjen e njohurive të plota mbi mënyrën e plotësimit dhe deklarimit.

Ajo ka pretenduar se gjendja e kursimeve e deklaruar në deklaratat vjetore dhe likuiditetet cash të disponuara kanë qenë nga një ekonomi dhe jetesë familjare me shpenzime modeste, pa udhëtime jashtë shtetit apo investime në pasuri të paluajtshme.

Në përfundim, KPK ka konkluduar se subjekti dhe personat e lidhur kanë deklaruar gjendjen e kursimeve jashtë sistemit bankar dhe jo ndryshimet. “Skenari i përllogaritjes së kursimeve në mënyrë kumulative (si shtesa) do të krijonte në rastin konkret një situatë të palogjiktë, në të cilën nga njëra anë subjekti dhe vajza disponojnë një vlerë të konsiderueshme (hipotetikisht 4.840.000 lekë) dhe nga ana tjetër nuk i deklarojnë ato në deklaratën Vetting 2017, duke ‘humbur mundësinë’ për t’i përdorur ato për mbulimin në të ardhmen të ndonjë rrethane të paligjshme të lidhur me justifikimin e burimeve të ligjshme të pasurisë”, argumenton KPK dhe ka marrë në konsideratë pretendimet e subjektit duke i fshirë thuajse të gjitha balancat negative për kursimet dhe shpenzimet në vite. Në përfundim, është konkluduar vetëm një balancë negative në vitin 2013 në shumën 61 mijë lekë që është konsideruar e pamjaftueshme për të sjellë ndonjë pasojë.

KPK vlerëson se Dogga ka kryer deklarim të pasaktë dhe jo në përputhje me ligjin lidhur me likuiditetet cash jashtë sistemit bankar, si në deklarimet periodike vjetore, ashtu edhe në atë “veting”, por duke konsideruar se janë të pashoqëruara me mungesë të burimeve të ligjshme, çmon se nuk mund të përbëjnë shkak për shkarkim.

Vajza e gjyqtares Dogga ka pasqyruar në deklaratën “veting” një depozitë në shumën rreth 1 milion lekë, me burim krijimi të ardhurat nga paga si financiere.

KPK e ka kryer analizën financiare paraprake bazuar në deklaratën “veting”, prej nga është konstatuar pamundësi financiare në shumën 506 mijë lekë. Po ashtu, është gjetur se nuk është pasqyruar në deklarimet vjetore vlera e likujditeteve në llogarinë e vajzës.

Dogga ka shpjeguar se “nuk e ka kuptuar se sipas ligjit për deklarimin e pasurive ka pasur detyrimin të deklarojë gjendjen e llogarive bankare të vajzës E. D., pasi ka menduar se duke i deklaruar në tërësi tek formati i të ardhurave, e ka përmbushur detyrimin ligjor”. Ajo ka sqaruar se një pjesë e vlerës është depozituar nga kursimet familjare, pasi është kryer në kohën kur e bija është diplomuar. Pasi KPK ka konsideruar disa prej pretendimeve të Doggës, balanca negative është ka mbetur në shumën 306 mijë lekë.

Vajza e subjektit ka shënuar në deklaratën “veting” blerjen e një apartamenti në vitin 2017 kundrejt çmimit 49 mijë e 600 euro, ku për pagesën e këstit të parë dhe të dytë në shumën 15 mijë euro në vitin 2016, ka deklaruar kursimet familjare në 30-40 vite. Nga analiza paraprake e KPK-së ka rezultuar pamundësi finanaciare në shumën 623 mijë lekë për pagesën e vlerën 15 mijë euro. Dogga ka kërkuar se të vlerësohen në analizë kursimet cash në vite.

KPK konstaton se vajza e subjektit ka deklaruar gjendje cash në shumat 500 mijë lekë dhe 220 mijë lekë. Në vijim, Komisioni vëren se shuma 220 mijë lekë është depozituar në llogarinë e vajzës, ndërsa vlera prej 500 mijë lekësh, referuar dhe deklarimit të subjektit të vitit 2016, duket që të jetë përdorur për këstin e apartamentit. Bazuar në këtë analizë, KPK ka aritur në përfundimin se subjekti dhe e bija kanë pasur burime të mjaftueshme për pagesën e shumës 15 mijë euro.

Nga rishikimi i analizës financiare të përgjithshme bazuar edhe në provat dhe shpjegimet e subjektit, ka mbetur pamundësi financiare e shtrirë në disa vite në shumën totale rreth 1 milion lekë, por që në aplikim të parimit të proporcionalitetit dhe objektivitetit nuk është konsideruar penalizuese.

Konflikti intresit

Vajza e subjektit, shtetasja E.D. ka shënuar në deklaratën “veting” blerjen e një automjeti në vitin 2008 kundrejt çmimit 300 mijë lekë. Si burim krijimi të kësaj pasurie janë deklaruar kursimet familjare.

Nga verifikimi i dokumentacionit të mjetit ka rezultuar se pala shitëse, shtetasja E.S., e ka blerë në 2007-ën një makinë me ‘0’ km, për çmimin 1.3 milion lekë. Rreth një vit e gjysmë më vonë ia ka shitur vajzës së subjektit për shumën 300 mijë lekë.

Nisur nga çmimi i ulët i blerjes, KPK i ka kërkuar Doggës që të japë sqarime lidhur me marrëdhënien e saj dhe të bijës me palën shitëse. Ajo ka deklaruar se nuk ka asnjë marrdhënie me shtetasen E.S., por se e njeh si vajzën e shokut të bashkëshortit. Edhe e bija ka deklaruar se e njeh si vajzën e shokut të të atit.

Nisur nga këto konstatime, KPK ka hetuar në drejtim të konfliktit të interesit prej nga ka rezultuar se në momentin kur pala shitëse ka blerë mjetin në vitin 2007, babai i saj ka qenë palë në një gjykim ku anëtare e trupës ka qenë dhe subjekti. Një vit e gjysmë më vonë ajo ia ka shitur këtë automjet në kushte të favorshme vajzës së gjyqtares Dogga, si dhe kjo e fundit ka deklaruar marrëdhënien e miqësisë së saj me shtetasin A.S. që përpara se të lidhej kontrata e shitblerjes së makinës në vitin 2008. Në fazën e hetimit paraprak, KPK ka konstatuar se dukej se subjekti ka vepruar në gjendjen e konfliktit të interesit në gjykimin e çështjes në fjalë për shkak të marrdhënieve të miqësisë mes palës dhe bashkëshortit.

Dogga ka deklaruar se nuk ka pasur njohje me shtetasin A.S., pasi ai është një nga shokët dhe miqtë e shumtë që bashkëshorti i saj ka në jetën e tij. Ajo ka pretenduar se nuk ka pasur shkak ligjor për të hequr dorë dhe për të provuar këtë fakt ka paraqitur një deklaratë noteriale të shtetasit A. S., ku ai deklaron se ka njohje personale me bashkëshortin e subjektit për shkak të punës së tij si arsimtar, ndërkohë që vetë ushtronte veprimtari tregtare në zonën ku gjendjej shkolla. Ai ka sqaruar se marrdhënia e tij me bashkëshortin e gjyqtares Dogga është personale, e rastësishme dhe se nuk ka marrëdhënie tjetër familjare mes tyre apo anëtarëve të tjerë të familjes.

Në përfundim, Komisioni ka vlerësuar se blerja e automjetit në vitin 2008 nuk prodhon gjendjen e subjektit të rivlerësimit në situatën e konfliktit të interesit për shkak të vendimmarrjes së saj në vitin 2007, kohë kur është dhënë edhe vendimi gjyqësor

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *