Prokuori Hysen Keta duke dalë nga KPA | Foto : V. Karaj
KPA Lajme Veting

KPA mbyll për herë të dytë shqyrtimin gjyqësor për Hysen Ketën

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA vendosi të mërkurën më 16 mars të mbylli për herë të dytë hetimin gjyqësor lidhur me ankimin e ish-drejtuesit të Prokurorisë së Përmetit Hysen Keta, kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për shkarkimin e tij. Në seancën parardhëse më 22 shkurt kur Kolegji njoftoi se kishte vendosur të riçelte hetimin gjyqësor të mbyllur me parë, pas depozitimit të një gjetje nga ana e përfaqësueses së Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, ONM, Elka Ermenkova.

Megjithëse KPA nuk bëri të njohura të dhëna rreth gjetjes së ONM-së, gjatë paraqitjes së qëndrimit të Ketës në seancën e të mërkurës u kuptua se bëhej fjalë për konstatime lidhur me të ardhurat e pretenduara nga subjekti si të përfituara nga avokatia gjatë periudhën 1994-1998, për të cilat nuk ka siguruar dokumente se janë paguar detyrimet tatimore.

Ish-drejtuesi i Prokurorisë së Përmetit, Hysen Keta u shkarkua nga detyra prej Komisionit të Pavarur të Kualifikimit më 25 korrik 2019, pasi u konkludua se kishte kryer deklarim të pamjaftueshëm të kostove reale të ndërtimit të dy shtëpive mbi një truall të trashëguar nga babai në Tiranë.

Vendimi i KPK-së u ankimua nga Keta dhe trupa Kolegjit e kryesuar nga Sokol Çomo me relatore Rezarta Schuetz dhe anëtarë Albana Shtylla, Ardian Hajdari, Ina Rama, vendosi ta kalojë çështjen në seancë publike me qëllim “konstatimin e drejtë të gjendjes faktike të çështjes, nëpërmjet përsëritjes së marrjes së provave të nevojshme”.

Në seancën publike më 26 janar, kryesuesi Çomo vuri në dukje se provat shtesë ishin përgjigjet nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe ajo e Tiranës në lidhje me shlyerjen e detyrimeve tatimore dhe të ardhurat e Ketës në vitet 93-98.

Sipas kryesuesit të trupës, institucionet kishin kthyer përgjigje se nuk kishin dokumente për këtë periudhë. I pyetur gjatë asaj séance prokurori Keta dhe avokati i tij Julian Mërtiri kërkuan që përgjigja të merrej si provë. Mërtiri tha se ajo provonte pamundësinë objektive të Ketës për të dokumentuar pagesën e detyrimeve tatimore në periudhën që kishte punuar si avokat.

Përfaqësuesi ligjor i Ketës, avokati Julian Mërtiri ritheksoi të mërkurën se vetë institucionet tatimore kanë informuar se dokumentet lidhur me pagesën e detyrimeve për këto të ardhura është e pamundur të sigurohen pasi nuk kanë disponuar në atë periudhë sistem elektronik.

Sipas Mërtirit, nuk qëndron gjetja e ONM-së ku konstatohet se në përgjigjen e tatimeve nuk përcaktohet nëse mungesa e dokumentacionit ka ardhur si pasojë e agjesimit të dokumenteve apo të ndonjë shkaku që ka qenë i pavarur nga institucionet, e për rrjedhojë rezulton se subjekti nuk ka paguar detyrimet tatimore.

Ai këmbënguli se mungesa e një sistemi ka bërë që institucionet tatimore të mos i disponojnë të dhënat dhe për rrjedhojë prokurori Hysen Keta gjendet në kushte e pamundësisë objektive për ti siguruar ato.

Mërtiri kundërshtoi edhe krahasimin e bërë prej ONM-së në rastin e një tjetër subjekti rivlerësimi i cili kishte depozituar dokumentacion për detyrimet e paguara gjatë ushtrimit të profesionit të avokatit për periudhën 1995-2008.

Ai arugmentoi se në rastin e Ketës ishte ndërprerë pagesa e detyrimeve në vitin 1998 kur ai ishte emëruar si prokuror. Sipas Mërtirit, kishin kaluar më shumë se 20 vjet dhe subjekti nuk ka pasur detyrim ligjor të ruante dokumentet.

Për rastin e evidentuar nga ONM, Mërtiri vërejti se subjekti tjetër e kishte ushtruar profesionin e avokatit në vijimësi nga viti 1995 deri në 2008 dhe për këtë arsye nuk janë asgjesuar dokumentet lidhur me pagesën e tatimeve nga ana e tij.

Mërtiri theksoi se vërtetimi i burimit të këtyre të ardhurave krijojnë bindjen se ai i ka disponuar.

KPA mbylli shqyrtimin gjyqësor dhe u tërhoq për vendim që njoftoi se do ta shpalli të enjten më 17 mars, në orën 15:30.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *