Prokurori Ervin Beqiri pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
Analiza KPA

Pretendimet e Ervin Beqirit për pasurinë u gjetën deklarative edhe nga KPA

Ish-prokurori i Elbasanit, Ervin Beqiri u shkarkua nga detyra më 3 mars 2022, pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK konkludoi se ai kishte kryer deklarim të pamjaftueshëm për një apartament të blerë në Tiranë në vitin 2013, si dhe për pamundësi financiare për krijimin e kësaj pasurie. Komisioni konstatoi se Beqiri ka paraqitur deklarime të reja gjatë hetimit administrativ lidhur me burimet financiare që kanë shërbyer për pagesat e kësteve të apartamentit, të cilat janë vlerësuar në nivel deklarativ dhe jo të besueshme.

Vendimi u kundërshtua nga subjekti i cili pretendoi se hetimi i Komisionit nuk ishte i plotë, por shkaqet e ngritura prej tij lidhur me aspektin procedural dhe për pasurinë u gjetën thuajse të gjitha të pabazuara nga Kolegji, që la në fuqi shkarkimin e tij.

Beqiri e ka cilësuar të padrejtë konkluzionin i KPK për apartamentin, me argumentin se nuk janë marrë në konsideratë të ardhurat dhe mundësitë e kursimit të personave të tjerë të lidhur, prindërve dhe motrave të tij, si dhe huatë që këta të fundit kanë marrë nga persona të tjerë.

Ai ka pretenduar se nuk ka pasur detyrimin të pasqyrojë në deklaratën para fillimit të detyrës dhe as në ato periodike pasuritë e prindërve ose të motrave, pavarësisht se ka bashkëjetuar me ta në të njëjtin trung familjar për një periudhë kohore. Sipas subjektit, detyrimin për deklarim e kanë pasur vetëm bashkëshortët dhe fëmijët madhorë.

Në vijim Beqiri ka pretenduar se sipas ligjit për rivlerësimin e magjistratëve, subjektet nuk kanë pasur për detyrë të shënonin në deklaratën “veting” huatë, dhurimet ose marrëdhëniet e tjera juridike të personave të lidhur me persona të tjerë, por vetëm kanë pasur detyrimin për të justifikuar ligjshmërinë e burimit të krijimit të pasurive të tyre. Ai ka sqaruar se në momentin e dorëzimit të deklaratës “veting”, në certifikaën e gjendjes civile ka qenë në trung familjar me bashëkshorten dhe fëmijët e mitur.

Po ashtu, ka parashtruar se në deklaratat periodike vjetore të paraqitura në ILDKPKI, subjektet e rivlerësimit, nuk kanë pasur për detyrë të deklaronin burimet e ligjshme të dhuruesve apo huadhënësve të tyre, por vetëm të deklaronin me saktësi dhurimin, huanë ose çdo marrëdhënie tjetër juridike nga të cilat buronin interesa pasurore.

Komisioni ka çmuar se Beqiri duhej të deklaronte lidhur me familjarët e tij, në cilësinë e personave të lidhur me të – gjë të cilën duket se ai e ka shmangur me arsyetimin se ishte ndarë nga trungu familjar pas datës 17 tetor 2016. Sipas KPK, pasuria e krijuar prej tij në vitin 2013 ka qenë më së shumti e mbështetur financiarisht nga familjaret, të cilët duhet të deklaronin në cilësinë e personave të lidhur dhe jo në cilësinë e personave të tjerë të lidhur.

Nga hetimi i kryer nga Komisioni ka rezultuar se edhe ata kanë pasur pasuri të krijuara, ndër vite, si likuiditete bankare dhe në përfundim është çmuar se Beqiri ka shmangur nga deklarimi “veting” pasuritë e familjarëve të tij, duke e bërë deklarimin të pamjaftueshëm.

Trupi gjykues i Kolegjit konstaton se në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit për vetingun e magjistratëve, subjekti i rivlerësimit ka qenë në të njëjtën certifikatë familjare me prindërit dhe motrat. Duke iu referuar këtij ligji, KPA vlerëson se prindërit dhe motrat e subjektit të rivlerësimit, për shkak të qenies në të njëjtën certifikatë familjare, konsiderohen persona të lidhur që kanë pasur detyrimin për të paraqitur deklaratën e pasurisë “veting” bashkë me gjithë dokumentet që justifikojnë vërtetësinë e deklarimeve për ligjshmërinë e burimit të krijimit të pasurive të tyre.

“Ndarja e subjektit të rivlerësimit nga trungu familjar, disa ditë pas hyrjes në fuqi të ligjit nr. 84/2016, nuk i ka përjashtuar nga përgjegjësia ligjore për deklarimin e pasurive në deklaratën vetting prindërit dhe motrat, të cilët kanë qenë pjesë e certifikatës familjare në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji”, shprehet KPA.

Bazuar në këto rrethana, Kolegji vlerëson se Beqiri ka shmangur detyrimin për deklarim të pasurisë dhe të interesave privatë të personave të lidhur, gjë që ka sjellë pamundësinë e Komisionit në drejtim të hetimit të pasurive të tyre.

Gjithashtu, ndryshimi i certifikatës familjare disa ditë pas hyrjes në fuqi të ligjit, si dhe pas daljes së Udhëzimit të ILDKPKI-së, sipas Kolegjit, tregon për një veprim të paramenduar të subjektit për shmangien nga deklarimi në procesin e rivlerësimit të familjarëve të tij.

Në vlerësimin përfundimtar, trupi gjykues i KPA konkludon se është i bazuar në ligj qëndrimi i Komisionit se subjekti i rivlerësimit ka bërë deklarim të pamjaftueshëm në deklaratën “veting”, pasi ka shmangur nga deklarimi pasuritë e familjarëve të tij, të cilët kishin detyrimin që të deklaronin interesat pasurorë në kuadër të procesit të rivlerësimit.

Po ashtu, Kolegji e gjen të drejtë konstatimin e Komisionit për mungesën e burimeve për shlyerjen e këstit të parë në vitin 2013, që ka arritur në këtë përfundim pasi nuk ka përfshirë në analizën financiare të prindërve dhe motrave të subjektit për huanë dhënë atij në janar të vitit 2013 në shumën 5.1 milionë lekë.

KPA analizon burimet e pretenduara nga subjekti se kanë shërbyer për vlerën 5.1 milionë që i kanë dhënë familjarët. Në vendim evidentohet se Komisioni nuk e ka konsideruar në analizë shumën e përfituar nga shitja e një apartamenti nga prindërit e subjektit në vitin 2000, të pretenduar si burim të huasë së dhënë, pasi në atë periudhë ata kanë blerë një tjetër pasuri në kryeqytet. Po ashtu, të ardhurat nga shitja e apartamentit janë deklaruar për herë të parë si burim për kursimet e të atit gjatë hetimit administrativ në Komision.

Trupi gjykues i Kolegjit konstaton se Beqiri nuk arrin të provojë mospërdorimin e kësaj shume për blerjen e apartamentit nga prindërit në Tiranë, në vitin 2000. “I vetmi argument që jep subjekti në këtë drejtim është se përfitimi i shumës nga shitja e apartamentit në Fier është bërë më vonë, pasi është paguar shuma për blerjen e apartamentit në Tiranë. […]. Ndërkohë, nga aktet konstatohet se me kontratën e shitjes së apartamentit në Fier, palët janë shprehur se shuma e blerjes është shlyer jashtë zyrës noteriale, pa specifikuar një datë, duke rezultuar se në harkun kohor të disa ditëve nga prindërit e subjektit janë kryer transaksionet e dhënies dhe marrjes së shumave përkatëse”, citohet në vendim.

Sipas KPA, përfitimi i shumës nga shitja e apartamentit në Fier, në të njëjtën periudhë kohore me blerjen e apartamentit në Tiranë, e bën më të arsyeshëm përdorimin e kësaj vlere për financimin e banesës në Tiranë nga prindërit e subjektit.

Për më tepër, subjekti nuk është bindës në pretendimet e tij se kjo shumë është mbajtur cash nga prindërit e tij për 13 vjet, për t’iu dhënë më pas hua atij, për blerjen e apartamentit.

Për shkak të mosprovimit të përdorimit të shumës prej 1.5 milion lekësh nga të ardhurat nga shitja e apartamentit në Fier si burim për huanë e dhënë nga i ati, si dhe nga momenti i deklarimit të këtij burimi vetëm gjatë hetimit administrativ në Komision, Kolegji e çmon të bazuar qëndrimin e Komisionit për moskonsiderimin e kësaj vlere si pjesë së huasë së dhënë subjektit nga i ati.

Kolegji e gjen të drejtë pretendimin e subjektit se ai nuk ka pasur detyrimin të shënojë në deklaratën para fillimit të detyrës dhe ato periodike pasuritë e prindërve ose të motrave. Por, sipas KPA, mungesa e detyrimit për deklarim të prindërve nuk passjell detyrimisht të provuar pretendimin e subjektit se gjendja cash e kursyer prej tyre ka qenë më e madhe se ajo e deklaruar prej tij në vite, nëse nuk arrin të sjellë prova në mbështetje të pretendimeve të tij.

Për rrjedhojë, KPA e gjen të bazuar qëndrimin e Komisionit se deklarimi i subjektit gjatë procesit të rivlerësimit mbetet deklarativ dhe i pambështetur në dokumentacion provues.

Lidhur me pretendimin e subjektit se ai nuk ka pasur për detyrë të deklaronte huatë, dhurimet ose marrëdhëniet e tjera juridike të personave të lidhur me persona të tjerë, KPA sjell në vëmendje se babai i ish-prokuorit Beqiri ka pasur detyrimin për të deklaruar në deklaratën “veting”, gjë që nuk kryer në momentin e dorëzimit.

Trupi gjykues vëren se, pavarësisht se huatë nuk janë marrë direkt nga subjekti i rivlerësimit, por nga babai i tij, ato shuma pretendohet se kanë shërbyer për krijimin e pasurisë apartament në pronësi të tij dhe për rrjedhojë ka pasur detyrimin të deklaronte dhe të provonte me dokumentacion justifikues ligjor burimin e të ardhurave.

Ndërkohë, Kolegji gjen të drejtë pretendimin e Beqirit, se këto huadhënie nuk janë janë deklaruar në funksion të analizës financiare të kryer nga Komisioni, pasi ai i ka pasqyruar në pyetësorin standard, kur nuk kishte pasur dijeni për rezultatet e analizës financiare.

Mgjithatë, ashtu si KPK edhe Kolegji vlerëson se nuk janë dokumentuar me akte provuese dy hua që pretendohet se janë marrë nga babai i subjektit, duke mbetur në nivel deklarativ.

Për rrjedhojë, vlerësohet i bazuar konkluzioni i KPK se babai i subjektit rezulton me pamundësi në shumën 228 mijë lekë pë dhënien e huasë dhe se vetë prokurori Beqiri me bilanc negativ në shumën 382 mijë lekë për pagesën e këstit të parë.

Subjekti ka kundërshtuar edhe konkluzionin tjetër të KPK se ai rezulton në pamundësi për krijimin e shumës 1.2 milion lekë që ka shërbyer për pagesën e këstit të dytë. Beqiri ka parashtruar se shuma 1.2 milionë lekë, është krijuar nga kursimet e prindërve dhe motrave, me të cilët jetonte në momentin e deklarimit dhe i është dhënë hua prej tyre.

Por, Kolegji vëren se pavarësisht sa pretendon subjekti, në deklarimet e tij dhe të bashkëshortes nuk rezulton të jetë përmendur një hua tjetër e dhënë nga babai nga kursimet tyre. Nisur nga fakti se kjo hua ka shërbyer për blerjen e apartamentit, KPA çmon se Beqiri ka pasur detyrimin ligjor që ta deklaronte atë në deklaratën periodike vjetore, megjithëse ai ka pretenduar se detyrimi është shlyer brenda vitit. Në vendim thuhet se dhe në deklaratën “veting”, subjekti nuk ka bërë deklarim të kësaj huaje.

Ashtu si në Komision, edhe Kolegjit i ka rezultuar se babai i subjektit ka qenë në pamundësi për krijimin e shumës 1.2 milion lekë. Për rrjedhojë, çmohet se Beqiri ka qenë në pamundësi edhe për pagesën e këstit të dytë të apartamentit.

Nga analiza financiare e kryer në Kolegj për apartamentin e blerë në vitin 2013 në Tiranë, ka rezultuar bilanc negativ në shumën rreth 1.5 milion lekë. Po ashtu, KPA vlerëson se Beqiri ka bërë deklarim të pamjaftueshëm, pasi ka shmangur nga deklarimi pasuritë e familjarëve të tij duke pamundësuar kontrollin e pasurive dhe interesave privatë të tyre.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *