Gjyqtarja e Gjykatës së Posaçme të Apelit, Nure Dreni në seancën dëgjimore para KPK. Foto: Malton Dibra/LSA
Analiza KPA

Kolegji u nda në vlerësimin e pasurisë së Nure Drenit

Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit që shqyrtoi ankimin e ish-gjyqtares së Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Nure Dreni, ndaj vendimarrjes së Komisionit për shkarkimin e saj, është ndarë me qëndrime të ndryshme. Shkarkimi Drenit mbeti në fuqi me votat e kryesueses Natasha Mulaj, relatores Rezarta Schuetz dhe anëtarit Sokol Çomo, që konfirmuan vendimarrjen e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë. Ndërsa dy anëtaret në pakicë, Albana Shtylla dhe Mimoza Tasi çmojnë se duhej aplikuar parimi i objektivitetit dhe proporcionalitetit, duke e rikthyer në detyrë këtë subjekt rivlerësimi.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK vendosi më 17 qershor 2020 të shkarkojë nga detyra ish-gjyqtaren Nure Dreni, pasi konstatoi se ajo gjendej në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm për pasurinë, si pasojë e mungesës së burimeve të ligjshme për të justifikuar shpenzimet e kryera dhe pasuritë e krijuara gjatë viteve 2011-2014, duke rezultuar me bilanc negativ prej rreth 2.7 milionë lekësh. Ndërkohë, ajo mori vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës dhe u çmua se kishte arritur nivel kualifikues për profesionalizmin.

Dreni e ankimoi si të pabazuar vendimin e Komisionit dhe kërkoi çeljen e hetimit gjyqësor; shqyrtimin e çështjes në seancë publike; pranimin e provave të reja dhe ripërsëritjen e analizimit të atyre të dosjes së rivlerësimit.

Trupi gjykues çmoi se aktet e reja të sjella nga subjekti me ankimin duhet të refuzohen, pasi nuk lejohen nga ligji që të shqyrtohen. Po ashtu, Kolegji ka vlerësuar se aktet janë të panevojshme, pasi edhe nëse do të pranohen si të mirëqëna, janë pa rëndësi në zgjidhjen e çështjes.

Kolegji nuk ka gjetur shkelje procedurale që të kërkojnë korrigjimin e tyre në seancë publike dhe ka vendosur ta shqyrtojë ankimin mbi bazën e akteve në dhomë këshillimi.  

Mendimet ndryshe për pasurinë

Dreni ka kundërshtuar konkluzionin e Komisionit se ajo dhe personat e lidhur kanë pamjaftueshmëri financiare për të përballuar shpenzimet jetike dhe shpenzimet e tjera familjare, duke rezultuar me bilanc negativ në vlerën rreth 2.7 milionë lekë në vitet 2011-2014.

Ajo argumenton se një analizë e saktë, bazuar në pretendimet e saj, do të rezultonte në kushtet e mjaftueshmërisë financiare. Pretendimet e subjektit fokusohen në kërkimin për të përfshirë të ardhura, ku përpos atyre që ka përfshirë Komisioni, të konsiderohen edhe dietat e përfituara nga bashkëshorti gjatë detyrës, si dhe zbritjen e shpenzimeve të caktuara – siç janë shpenzimet e jetesës, të udhëtimit jashtë Shqipërisë apo të shkollimit të vajzave.

Po ashtu, Dreni ka kërkuar rillogaritje të cash-it jashtë sistemit bankar, sipas deklaratave periodike vjetore në vitet 2013 dhe 2014, gjendjes së llogarisë bankare të njërës prej vajzave në Britaninë e Madhe, si dhe rillogaritje kursi këmbimi të GBP britanik në lekë, për llogarinë bankare të vajzës në Britaninë e Madhe.

Kolegji konstaton se balanca negative nga analiza e kryer në Kolegj reduktohet vetëm me shmën 52 mijë lekë, që ka ardhur si pasojë e korrigjimit të disa shpenzimeve të udhëtimit në vitet 2011, 2012 dhe 2013, si dhe nga rillogaritja e likuiditeteve, sipas konfermave bankare në 2011-ën. Në vijim, trupi gjykues i çmon të pabazuara disa nga pretendimet e subjektit për zëra të caktuar.

Anëtarët e trupit gjykues janë ndarë në vlerësimin e një likujditeti cash të pretenduar nga subjekti se është disponuar që prej vitit 2004 dhe se është shpenzuar në 2014-ën.

Komisioni ka konkluduar se deklarimi i subjektit për përdorim të gjendjes cash në vlerën 1.6 milionë lekë në vitin 2014 nuk mund të ndodhte, pasi në fund të 2013-ës mund të dispononte vetëm 44 mijë lekë cash. KPK çmoi se pakësimi i gjendjes së cash-it deklaruar në vitin 2014, nuk mund të merrej në konideratë pasi nuk ishte deklaruar si likujditet cash që nga viti 2004.

Përkundër këtij konkluzioni, subjekti është shprehur në ankim se Komisioni nuk e ka parashtruar gjendjen cash ndër vite si problematikë. Sipas saj, gjendja e likuiditeteve jashtë sistemit bankar në vitin 2014, në vlerën 1.6 milionë lekë rrjedh nga shuma prej 1.9 milionë lekësh, e investuar në bono thesari në Bankën e Shqipërisë dhe deklaruar prej saj në deklaratën periodike vjetore të vitit 2003.

Kjo shumë, sipas Drenit, është tërhequr në fund të muajit tetor të vitit 2004 dhe nuk është deklaruar në deklaratën periodike të kohës, pasi ka menduar se gjendja “0” lekë në bono thesari deklaruar prej saj, nënkupton se cash-i është në shtëpi, pasi nuk kishte deklaruar as shpenzime të tjera atë vit.

Subjekti ka këmbëngulur se mungesa e deklarimit në vitin 2004 është një pakujdesi, meqenëse nuk është shënuar ruajtja në cash e fondeve të tërhequra nga bonot e thesarit. Në mbështetje të këtij pretendimi, ajo ka dorëzuar deklaratën para fillimit të detyrës së bashkëshortit të vitit 2013, në të cilën ai ka shënuar likujditete cash në banesë në shumën 1.6 milionë lekë. Dreni ka pretenduar se ky deklarim tregon gjendjen e cash-it ndër vite, e cila është pakësuar deri sa është zeruar në vitin 2014.

Shumica e Kolegjit e gjen të drejtë vlerësimin e Komisionit. “[..]Trupi gjykues konstaton se në periudhën kohore të ndërmjetme, nga viti 2004 e deri në deklaratën e pasurisë së rivlerësimit, subjekti ka deklaruar pakësime të gjendjes së likuiditeteve, por asnjëherë ekzistencën e ndonjë sasie cash-i që përkon me shumën e deklaruar në nëntor 2013 nga personi i lidhur. Për herë të parë, pretendimi i gjendjes së kësaj vlere të mbajtur në shtëpi, pas tërheqjes nga banka në fund të tetorit 2004, ka dalë për herë të parë në procesin e hetimit administrativ”, konstaton shumica e KPA.

Ndërsa lidhur me deklarimin e gjendjes cash në vitin 2013 nga bashkëshorti, çmohet se përderisa deklaruesi nuk specifikon burimin, prezumimi i kryer nga Komisioni për të përllogaritur mundësinë e krijimit të kësaj shume me të ardhurat e ligjshme të vitit, është i bazuar në ligj dhe në jurisprudencën e Kolegjit.

“…Pretendimi i subjektit se është lënë në heshtje një shumë e konsiderueshme e cash-it në banesë, për shkak se nënkuptohet ekzistenca e tyre si derivat i tërheqjes, është e pakuptimtë, pasi nuk përputhet me formimin e subjektit dhe as me pretendimet për pasaktësi të paqëllimshme”, arsyeton shumica dhe shton se, në kushtet kur Dreni nuk rezulton të ketë deklaruar në asnjë prej deklaratave periodike të viteve 2004-2014, posedimin cash në banesë të shumës prej 1.6 milionë lekësh ose përdorimin e saj, e bën të pamundur për institucionet e rivlerësimit gjurmimin e ekzistencës së kësaj shume në vitet përkatëse.

Në analizën financiare për periudhën 2011-2014, Kolegji ka pranuar disa nga pretendimet e subjektit pë cëra të caktuar, megjithatë bilanci negativ është ulur vetëm me 52 mijë lekë, duke mbetur në vlerën 2 milionë e 734 mijë lekë, nga 2 milionë e3 786 mijë lekë që ishte konkluduar në Komision.

Gjyqtarja Albana Shtylla vlerëson ndryshe nga shumica. Shtylla shprehet se problemet e konstatuara në kriterin e pasurisë, duhen vlerësuar në zbatim të parimit të objektivitetit dhe proporcionalitetit, që sipas saj nuk justifikojnë masën disiplinore të shkarkimit. Ajo sjell në vëmendje pamundësitë financiare të konstatuara nga KPK në vite, përkatësisht 393 mijë lekë në vitin 2011; në 2012-ën 674 mijë lekë; 330 mijë lekë në vitin 2012, dhe nënvizon se pjesa më e madhe e bilancit negativ ka rezultuar në 2014-ën, në vlerën 1.4 milionë lekë.

Shtylla del kundër shumicës për moskonsiderimin në analizën financiare të vitit 2014 të shumës prej 1.6 milionë lekësh, të pretenduar nga subjekti si gjendje kursimesh në cash e krijuar si rezultat i akumulimit në vite të shtesave dhe pakësimeve mbi shumën prej 1.9 milionë lekësh të përfituar cash në vitin 2004, si rezultat i mbylljes së investimit në bono thesari – investim që është pasqyruar në deklaratën e pasurisë së vitit 2003.

Ajo sjell në vëmendje se pasaktësia për shkak të mosdeklarimit në vite të gjendjes cash të krijuar në 2004-ën, afekton analizën financiare të vitit 2014 e, për pasojë, gjithë diferencën negative të konstatuar nga Komisioni për periudhën financiare 2011-2014. Po ashtu, Shtylla shprehet se mban në konsideratë edhe faktin se nga hetimi administrativ i kryer në Komision, nuk rezultoi e provuar që me mosdeklarimin e cash-it gjatë periudhës 2004-2014, subjekti të ketë pasur si qëllim të mbajë jashtë vëmendjes dhe kontrollit këto likujditete.

“Mosdeklarimi i shumës prej 1.900.000 lekësh si gjendje cash nga viti 2004 e në vijim, sipas shpjegimeve të dhëna në mënyrë persistente dhe konsekuente nga subjekti i rivlerësimit gjatë hetimit administrativ në Komision dhe në ankim, ka ardhur pikërisht si pasojë e perceptimit të saj se, duke deklaruar likuiditetin bankar në bono thesari në gjendje prej 1.900.000 lekësh në vitin 2003, në kushtet kur këto likuiditete janë tërhequr dhe nuk përfaqësonin kursime të krijuara në vitin 2004, në fakt nuk kishin pësuar shtim apo pakësim në momentin e disponimit cash, por vetëm kishin ndryshuar vendin e ruajtjes së tyre, nga banka në banesë”, arsyeton Shtylla dhe thekson se nuk rezulton që me këtë shumë të jetë krijuar ndonjë pasuri apo të jenë kryer shpenzimet.

Ashtu si Dreni, edhe Shtylla vlerëson se deklarimi i bashkëshortit të subjektit në vitin 2012 për disponimin e cash-it 1.6 milionë lekë, vërteton se kjo shumë ka ekzistuar realisht.

Sipas Shtyllës, bilanci negativ për periudhën 2011-2014 sipas analizës së Kolegjit, do të mbetej në shumën 1 milion e 316 mijë lekë, që në zbatim të parimit të objektivitetit dhe proporcionalitetit nuk do të duhej të kishte sjellë penalizim.

Edhe anëtarja tjetër në pakicë, Mimoza Tasi vlerëson se subjekti nuk duhej të ishte ngarkuar me përgjegjësi disiplinore e të shkarkohej nga detyra për shkak të moskonsiderimit, ndër të tjera, edhe të vlerës cash 1.6 milion lekë.

Megjithëse Tasi shprehet në përgjithësi dakord me konkluzionin e shumicës për mungesat e tjera të viteve 2011-2014, vlerëson se konsiderimi i vlerës 1.6 milionë lekë do të ulte balancën negative përfundimtare duke bërë të mundur aplikimin e objektivitetit dhe proporcionalitetit.

“Konstatoj se subjekti i rivlerësimit, me deklarimin e gjendjes cash, referuar kursimeve nga të ardhurat e viteve 2003 dhe 2004, ka krijuar një keqkuptim dhe është konfonduar duke mos e konceptuar edhe ndryshimin e statusit të shumës prej 1.960.000 lekësh nga bono thesari në gjendje cash në banesë e për ta deklaruar si të tillë. Por ky keqkuptim, në vlerësimin tim, nuk do të thotë që kjo shumë nuk ka ekzistuar”, shprehet Tasi dhe rendit një sërë argumentesh përse shpjegimet e subjektit i duken bindëse, si deklarimi i tërheqjes së bonove të thesarit në vitin 2004; qënien e shumës prej 1 milion e 960 mijë lekësh si gjendje cash në shtëpi, edhe pse e padeklaruar në deklaratën periodike, por e nënkuptuar; moskryerjen e investimeve apo shpenzimeve në vite me burim këtë shumë; deklarimin nga bashkëshorti në vitin 2013 të gjendjes vcash 1.6 milionë lekë, si dhe pakësimin në atë vit të një shume 900 mijë lekë, që sipas Tasit, do të kishte qenë e pamundur që të ndodhte nëse nuk do të ekzistonte gjendja cash.

Ashtu si Shtylla, Tasi vlerëson se shumica duhej të kishte aplikuar parimet e objektivitetit dhe të proporcionalitetit për kriterin e pasurisë dhe të konfirmonte Drenin në detyrë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *