Gjyqtari i Apelit Tiranë, Shkëlqim Mustafa pas seancës në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
Analiza KPA

Argumentet e KPA për shkarkimin e Shkëlqim Mustafës

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA, vendosi më 4 prill 2023 që të linte në fuqi shkarkimin nga detyra të gjyqtarit të Apelit, Shkëlqim Mustafa për deklarim të pamjaftueshëm në kriterin e pasurisë. Ndërsa anëtarja Natasha Mulaj në pakicë vlerësoi se Mustafa duhej të qëndronte në detyrë.

Sipas vendimit të arsyetuar, Kolegji mori në shqyrtim në dhomë këshillimi shkaqet e ankimit të Mustafës dhe në shumicë i rrëzoi ato. Sipas procesit në shkallë të parë, Mustafa dyshohej se kishte kryer veprime fiktive në shitjen dhe blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 88.8 m2 në Gjirokastër, me qëllim justifikimin e pasurive të krijuara më vonë. Mustafa ka deklaruar blerjen e kësaj pasurie nga vjehrri në vitin 2006 kundrejt çmimit 3.7 milionë lekë dhe shitjen në 2010-ën në vlerën 60 mijë euro. Po ashtu, ka paraqitur në Komision një dokument nga ASHK-ja Gjirokastër, ku konfirmohet pagesa e detyrimit financiar për këtë çmim.

Gjatë procesit në shkallë të parë, Komisioni konstatoi se çmimi i blerjes së apartamentit në Gjirokastër nga subjekti në vitin 2006 ishte pak më i lartë se ai i referencës, ndërsa ai i shitjes në vitin 2010 në vlerën 60 mijë euro ka rezultuar pothuajse dyfish më i lartë nga çmimi i referencës së zonës.

Subjekti ka pretenduar në ankim se përllogaritja e çmimit të shitjes së banesave i referohet të dhënave të publikuara nga EKB-ja, vetëm në rastin e mungesës së provave ligjore për çmimet e shitjes në tregun e lirë. Sipas tij, KPK mund t’u referohej të dhënave të EKB-së, vetëm në rast se do të kishte konkluduar për pavlefshmërinë e provave që ai kishte paraqitur për këto transaksione.

Lidhur me amortizimin e mobilieve, subjekti petendoi se nuk mund të shtrohej për diskutim në asnjë variant të mundshëm logjik, pasi kanë qenë të ardhura nga Greqia dhe të një cilësie shumë të mirë, të përdorura për vetëm 3 vite e gjysmë prej tij.

Mustafa argumenton se vlera e shitjes prej 4.2 milionë lekë sipas EKB-së, është e njëjtë si për një apartament në periferi ashtu dhe për një apartament afër qendrës madje në zonë muzeale. Ai shton se, nëse këtij çmimi do t’i shtohej vlera prej 2 milionë lekë që përfaqëson koston shtesë të punimeve cilësore, si dhe vlerën e mobilimit, diferenca që do të mbetej mes çmimit të shitjes sipas kontratës dhe atij sipas EKB-së, do të ishte 1.8 milionë lekë dhe jo dyfishi si ka konkluduar Komisioni.

Shumica e KPA vëren se subjekti nuk përcakton vlerën e punimeve cilësore dhe atë të mobilimit tërësor veçmas. Ndërkohë, vlerëson se mobilimi për vetë natyrën e investimit, është i amortizueshëm në kohë, e gradualisht humb vlerën e tij reale pas përdorimit në vite. “…Për këto arsye nuk është e besueshme se mund të afektojë në një masë kaq të ndjeshme, sa të dyfishojë çmimin e shitjes”, citohet në vendim.

Për rrjedhojë, Kolegji vlerëson se çmimi 60 mijë euro i shitjes së apartamentit, pavarësisht shlyerjes së detyrimit tatimor mbi të, mbetet joreal. Në përfundim të shqyrtimit të këtij shkaku ankimi, Kolegji e gjen të drejtë qëndrimin e Komisionit se subjekti i rivlerësimit ka kryer deklarim të rremë në deklaratën e pasurisë “veting” lidhur me çmimin e shitjes së apartamentit me sipërfaqe 88,8 m2 në vitin 2010.

Relatorja e çështjes, Natasha Mulaj ka dalë në pakicë, duke propozuar ndryshimin e vendimit të Komisionit dhe konfirmimin në detyrë të Mustafës.

Lidhur me apartamentin 88.8 m2 në Gjirokastër, ajo nënvizon se transaksionet e kryera provohen me kontrata noteriale të kohës, me fuqi të plotë provuese, që nuk ka sesi të krijojnë bindjen se mund të jenë veprime fiktive.

“Në rastin në fjalë, vendndodhja e apartamentit pranë qendrës së qytetit, pranë zonës muzeale dhe institucioneve arsimore, shëndetësore e kulturore, arsyeshëm ndikon në vlerën e shtuar të shitjes së këtij apartamenti”, shprehet Mulaj dhe sjell në vëmendje se sipas të dhënave të EKB, çmimi i shitjes së pasurisë të ndodhur në qendër të Tiranës, është thuajse dy herë më i lartë krahasuar me atë të ndodhur në periferi.

Sipas Mulajt, nuk mund të ndëshkohet subjekti i rivlerësimit për mungesë të të dhënave statistikore të plota për qytetin në Gjirokastrës, lidhur me këtë tregues.

Në deklaratën “veting”, subjekti ka pasqyruar një apartament me sipërfaqe 126 m2 në Tiranë, e blerë nga shtetasi B.N., të cilit deklaron se i ka dhënë vetëm shumën 28 mijë euro sipas deklaratave noteriale të viteve të mëparshme, ndërsa shuma tjetër do t’i likujdohet me kredi në momentin e hipotekimit të kësaj shtëpie. Sipas tij, mungesa e hipotekimit ka sjellë edhe vonesën e marrjes së kredisë, për mungesë kolaterali.

Mustafa deklaron se banon në këtë shtëpi që prej nëntorit 2012 dhe se ka miqësi të vjetër me shitësin B.N., i cili e ka përfituar banesën në cilësinë e pronarit të tokës ku është ndërtuar pallati.

Shumica vëren se, në mars të vitit 2011 është hartuar një deklaratë noteriale, ku përcaktohet se Mustafa i ka dhënë hua mikut të tij vlerën 38 mijë euro të përfituar nga shitja e apartamentit në Gjirokastër, me qëllim përfitimin e një banese në objektin që do të ndërtohej në Tiranë.

Në një deklaratë tjetër noteriale të dhjetorit të atij viti, thuhet se subjekti i ka marrë shtetasit B.N. shumën prej 10 mijë eurosh, nga të cilat 4300 euro janë përdorur për shpenzime të ndryshme familjare dhe 5700 euro janë depozituar në bankë.

Komisioni, për këtë pasuri, ka vlerësuar se deklarimet e subjektit, janë të paplota e të pamjaftueshme, pasi ai nuk deklaron vlerën reale të detyrimit ndaj palës shitëse, apo detyrimin e mbetur për apartamentin e zotëruar prej tij, duke e fshehur atë. Po ashtu, është konkluduar se ka kryer deklarim të rremë, pasi sipas informacioneve të dhëna nga shoqëria ndërtuese, apartamenti ka tjetër sipërfaqe.

Kolegji vlerëson se subjekti nuk ka kryer deklarim të rremë, pasi sipërfaqja e shënuar në deklaratën “veting” përputhet dhe atë të përcaktuar në deklaratën noteriale të pronarit B.N.

Ndërkohë, KPA vëren se nga analizimi i deklaratës noteriale të marsit 2011 ku është përcaktuar dhënia e shumës 38 mijë euro shtetasit B.N. për apartamentin, konstatohet mospërputhje sa i përket pagesës së pjesës tjetër për blerjen e apartamentit. “…Pasi në deklaratën noteriale 2011 B. N. dhe Shkëlqim Mustafa kanë përcaktuar se kjo do të arrihet në një marrëveshje mbasi të ketë përfunduar apartamenti, gjë që nënkupton se përfundimi i apartamentit nuk lidhet me regjistrimin e pasurisë, por me përfundimin e ndërtimit dhe subjekti i rivlerësimit deklaron se banon në të që prej datës 18.11.2012 e, në këto kushte, duhet të kishte përcaktuar çmimin e apartamentit dhe pagesën e pjesës së mbetur, si dhe ta deklaronte në deklaratën e interesave privatë të këtij viti, gjë që nuk e ka bërë”, vlerëson Kolegji.

Në vijim, shumica konstaton se për subjektin nuk është e qartë se çfarë përfaqëson në vetvete shuma 28 mijë euro, pasi njëherë i referohet si kapar, që në vetvete përbën një garanci dhe njëherë si këst paraprak, pagesë çmimi.

Për rrjedhojë, KPA e gjen me vend konkluzionin e Komisionit se subjekti ka kryer deklarim të rremë lidhur me çmimin e kësaj pasurie.

Mulaj shprehet plotësisht kundër konkluzionit të shumicës për këtë pasuri duke konstatuar se shpjegimet e dhëna nga subjekti i rivlerësimit, janë në përputhje të plotë me aktet e administruara në dosjen gjyqësore dhe të vërteta.

Ajo arsyeon se në deklaratën noteraile të marsit 2011, mes shtetasit B. N. dhe subjektit të rivlerësimit, është përcaktuar qartësisht dakordësia e tyre që shuma e dhënë hua prej 38.000 eurosh, nga Mustafa, do t’i kthehej nga B. N. brenda dy vjetësh në dy mënyra: ose cash, ose me shitjen e një apartamenti në pallatin që po ndërtohet në truallin e tij në Tiranë. Ndërsa për pjesën tjetër përcaktohej se do të arrihej një marrëveshje mbasi të kishte përfunduar apartamenti.

Mulaj shton se apartamenti nuk është regjistruar për shkak të konflikteve gjyqësore mes shoqërisë ndërtuese dhe palës shitëse, shtetasit B.N. Sipas saj, rrethanat e faktit nuk kanë lidhje me vullnetin e subjektit, ose të jenë sajuar prej tij për efekt të procesit të rivlerësimit, por janë rrethana të krijuara nga pronarët e truallit dhe shoqëria ndërtuese.

Musafa ka përdorur një automjet në pronësi të djalit të vajzës së xhaxhait I.M., i cili jeton në Mbretërinë e Bashkuar. Pasi e ka blerë, IM ka lëshuar autorizim për përdorimin e mjetit nga subjekti.

Sipas Komisionit, nga verifikimi i sistemit TIMS rezulton se shtetasi I.M. del shpesh jashtë vendit me automjet, por nuk rezulton ta ketë përdorur makinën për të cilën i ka lëshuar autorizim për përdorim Mustafës. Ndërkohë, është konstatuar se subjekti e ka përdorur rregullisht dhe në mënyrë të shpeshtë automjetin në fjalë.

Komisioni nga konkluduar se subjekti nuk ka arritur të provojë me dokumentacion ligjor aftësitë financiare të pronarëve të mjetit për krijimin e kësaj pasurie.  Nga hetimi në KPK ka rezultuar se Mustafa nuk e ka pasqyruar përdorimin e këtij mjeti në deklaratat periodike dhe as në atë veting.

Subjekti ka parashtruar në ankim se pronësia nuk humbet, pavarësisht ndodhjes së pronarit jashtë territorit të Shqipërisë. Ai ka theksuar se ka depozituar në Komision dokumetacion provues që vërtetojnë se pronarët e mjetit kanë pasur mundësi të blejnë jo vetëm këtë makinë, por edhe automjete të tjera.

Sipas tij, ndryshe nga sa konstaton KPK, bazuar në të dhënat e sistemit TIMS evidentohet qartë se I. M. ka kaluar 6 herë kufirin e Republikës së Shqipërisë me këtë automjet. Lidhur me mosdeklarimin e përdorimit të këtij mjeti, Mustafa ka pretenduar se detyrimi ligjor ka ardhur pas ndryshimeve të vitit 2017. Po ashtu, subjekti ka kundërshtuar dyshimet e ngritura nga KPK se ky automjet mund të jetë pasuri e tij.

Kolegji konstaton se veç subjektit, me këtë automjet ka udhëuar jashtë shtetit edhe pronari i tij, shtetasi I.M. dhe e gjen të gabuar arsyetimin e KPK se nuk është përdorur prej tij.

Ndërkohë, ashtu si edhe Komisioni, KPA çmon se subjekti në deklaratën e pasurisë “veting” ka kryer të paktën fshehje të pasurisë në përdorim, pasi nuk e ka pasqyruar këtë fakt.

Mulaj vëren se është e provuar se mjeti është blerë nga shtetasi I.M dhe se ai rezulton me të ardhura financiare të mjaftueshme për krijimin e kësaj pasurie.

Ajo çmon se Mustafa duhej ta kishte deklaruar përdorimin e këtij mjeti, por shton se nga aktet vërtetohet se subjekti nuk është përpjekur ta fshehë qëllimisht këtë pasuri në përdorim, si dhe se nuk është pronë e fshehur e tij.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *