Seanca në KPK | Foto: Edmond Hoxhaj
KPK Lajme

KPK ndërpret vetingun për prokurorin Rifat Kojku

Prokurori i Dibrës, Rifat Kojku është shortuar për t’iu nënshtruar procesit të vetingut në dhjetor të vitit 2020 dhe rreth një muaj më vonë është njoftuar për hetimin administrativ të filluar ndaj tij. Pasi kanë kaluar dy vjet e gjysmë, në qershor të vitit 2023, Kojku ka vendosur në dijeni Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK lidhur me një kërkesë të paraqitur nga ana e tij pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë, KLP për deklarimin e mbarimit të statusit të magjistratit për shkak të mbushjes së moshës për dalje në pension.

Në vijim, në korrik KLP ka vendosur deklarimin e mbarimit të statusit të magjistratit për prokurorin Rifat Kojku dhe këtë vendim ia ka përcjellë Komisionit.

Pasi i janë kërkuar të dhëna mbi arsyen e deklarimit të mbarimit të statusit të magjistratit, Kojku ka depozituar në Komision kërkesën e drejtuar KLP-së, të cilën e ka mbështetur në ligjin “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, me argumentin se ka mbushur moshën 65 vjeç dhe se për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore, ka kërkuar të dalë në pension pleqërie.

Kojku ka informuar se nuk ka ushtruar ankim ndaj vendimit të KLP-së, si dhe është shprehur se nuk do të marrë pjesë në seancë dëgjimore për arsye shëndetësore.

Komisioni vëren se, subjekti i rivlerësimit me veprime konkrete ka hequr dorë nga ushtrimi i detyrës së prokurorit, ndërkohë që ende nuk ka mbushur moshën 67 vjeç, të përcaktuar nga ligji përkatës dhe mund të vazhdonte të ushtronte ende detyrën dhe të gëzonte statusin e magjistratit edhe për 2 vjet të tjerë. Trupa e KPA konkludon se kur subjekti i rivlerësimit me vullnetin e tij ka lënë detyrën që ushtronte përkundrejt mundësisë ligjore për të vazhduar ushtrimin e funksionit, kjo situatë kualifikohet si dorëheqje nga detyra – rast kur ndërprerja e vetingut shoqërohet me ndalimin e rikthimit në sistemin e drjetësisë për 15 vjet.

Sipas ligjit për “Statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve…”, magjistrati del në pension pleqërie në moshën 67 vjeç dhe se me kërkesën e tij mund të qëndrojë në detyrë deri në moshën 70 vjeç.

Duke i’u referuar nenit G të Aneksit të Kushtetutës, Komisioni ka vendosur të deklarojë ndërprerjen e procesit të rivlerësimit kalimtar për prokurorin Rifat Kojku dhe t’i ndalojë atij riemërimin si gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *