Inspektorja e KLGJ, Brunilda Çarçiu në seancë dëgjimore. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPK Lajme Veting

Inspektorja e KLGJ, Brunilda Çarçiu jep shpjegime për pasurinë

Inspektorja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Brunilda Çarçiu u përball të martën më 14 qershor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur gjatë seancës dëgjimore u pyet dhe dha shpjegimet për pasurinë dhe statusin e magjistratit. Çarçiu mori vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin.

Hetimi administrativ për Çarçiun po kryhet nga trupa e KPK-së e kryesuar nga Brunidla Bekteshi, me relatore Firdes Shulin dhe anëtar Lulzim Hamitajn. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Gerrit Sprenger.

Nga sa u deklarua në seancë nga subjekti i rivlerësimit, ajo është emëruar gjyqtare në vitin 1991 në Gjykatën e Gramshit dhe në vitin 2000 ka dhënë dorëheqjen duke u emëruar si këshilltare ligjore në Gjykatën e Lartë. Në vitin 2011, Çarçiu ka filluar punë si specialiste pranë ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe në nëntor të 2016-ës, është emëruar si inspektore në këtë institucion.

Relatorja Shuli sqaroi në fillim të seancës se KLGJ ka vlerësuar se Çarçiu e zotëron statusin e magjistratit. Vetë subjekti ka deklaruar se e linte në çmim të trupës për të gjykuar lidhur me gëzimin ose jo të këtij statusi.

Trupa e KPK-së është ndarë lidhur me këtë situatë, ku shumica ka vlerësuar që subjekti t’i nënshtrohet procesit të rivlerësimit kalimtar si inspektore dhe ish-gjyqtare, ndërsa pakica dhe ONM kanë paraqitur mendim se Çarçiu nuk është subjekt rivlerësimi dhe se procesi duhet të ndërpritet.

E pyetur në fund të seancës nga anëtari Lulzim Hamitaj lidhur me pozicionin që kishte pasur në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit për vetingun e magjistratëve, Çarçiu e cilësoi rastin e saj të veçantë.

“Duke qenë se hyrja e ligjit në fuqi më gjeti si inspektore, vlerësova të plotësoj raportet përkatëse. I plotësova që të mos më thonin pse nuk i plotësove,” tha ajo.

Në vijim, Çarçiu shtoi se edhe po të mos kishte qenë subjekt i KPK-së, do të ishte i institucioneve të reja të vetingut, konkretisht KLGJ-së.

Me shumicë votash, Komisioni ka vendosur vijimin e procedurës së rivlerësimit. Çarçiu ka marrë vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin, si dhe nuk ka rezultuar të jetë kryer asnjë denoncim nga publiku ndaj saj.

Konstatimet për pasurinë

Si burime krijimi për ndërtimin e një banese dy- katëshe në Laprakë të Tiranës, subjekti ka deklaruar të ardhurat nga pagat dhe aktiviteti privat. Nga hetimi ka rezultuar se në vitin 1996, bashkëshorti i saj dhe tre persona të tjerë kanë blerë godinën një katëshe të ish-zdruktharisë në Laprakë. Në vijim është ndërtuar objekti me dy kate, ky subjekti dhe bashkëshorti zotërojnë ¼-ën pjesë takuese.

Komisioni konstaton paqartësi në posedimin e truallit nga ana e bashkëshortit të subjektit dhe bashkëpronarët e tjerë të ndërtesës, që në vitet në vijim gjatë procesit të legalizimit, bazuar në një vendim qeverie ka kaluar në pronësi e parcela ndërtimore për ndërtimin pa leje.

Gjatë hetimit, Çarçiu ka deklaruar se ndërtimi ka filluar në vitin 1996 dhe është përfunduar në 2000-in, ndërsa në formularin e vetëdeklarimit në funksion të procesit të legalizimit është konsideruar se ndërtimi është përfunduar në vitin 1997.

Në deklaratën e vitit 2003, subjekti ka deklaruar si vlerë të pjesës së saj takuese shumën 3 milionë lekë. Megjithëse nga përllogaritja e kryer sipas çmimeve të referencës së Entit Kombëtar të Banesave, EKB ka rezultuar se shpenzimet për pjesën takuese të subjektit kanë qenë rreth 2 milionë lekë, KPK ka përfshirë në analizën financiare si shpenzim shumën e deklaruar 3 milion lekë.

Shuli shpjegoi se janë analizuar burimet e krijimit të kësaj pasurie, nga është provuar se vjehrri i Çarçiut është regjistruar si subjekt tregtar në vitin 1993, por nuk janë vërtetuar të dhënat e tjera për të konsideruar të ligjshme të ardhurat e pretenduara nga ky aktivitet.

Situatë e ngjashme është paraqitur edhe për aktivitetin e ushtruar nga bashkëshorti në atë periudhë si ekspert kontabël i licensuar. “Provohet se ka qenë ekspert kontrabël dhe subjekti ka provuar auditimin e tre shoqërive dhe se është ngarkuar për kryerjen e auditimit të 18 aktiviteve të tjera”, pohoi Shuli. Por, për shkak se institucioni i tatimeve nuk ka paraqitur të dhëna, si dhe nuk ka informuar për arsyen përse nuk janë dokumentuar detyrimet, nuk janë përfshirë në analizën financiare edhe këto të ardhura.

Çarçiu ka arritur të provojë edhe ushtrimin e aktivitetit bujqësor e blegtoral nga vjehrri para vitit 2000, por për shkak se nuk është dokumentuar shitja e prodhimeve, nuk janë konsideruar në analizën financiare as këto të ardhura.

Për rrjedhojë, KPK ka konstatuar pamjaftueshmëri për mbulimin e vlerës 3 milionë lekë si shpenzim për ndërtimin e shtëpisë në Laprakë.

Subjekti ka deklaruar se në vitin 2007 ka blerë një apartament me sipërfaqe 51 m2 në Durrës në vlerën 2 milionë lekë me burim nga pagat dhe një dyqan me sipërfaqe 52.32 m2 në vlerën rreth 4 milion lekë me burim të deklaruar pagat dhe të ardhurat e përfituara nga shitja e një apartamenti në qytetin e Gramshit.

Sipas KPK, të dyja këto pasuri janë blerë më lirë nga vlera e tregut, që rezulton rreth dy herë më i lartë nga çmimi i përfitimit të tyre. Megjithëse Çarçiu ka deklaruar se ka përfituar të ardhura nga dhënia me qira e këtyre pasurive, Komisioni ka konsideruar vetëm ato për të cilat janë vërtetuar pagimi i detyrimeve tatimore.

Nga analiza financiare e kryer në KPK ka rezultuar se subjekti ka disponuar në fund të vitit 2006 kursime cash në shumën 4.6 milionë lekë dhe ka përfituar 1.7 milion lekë nga shitja e apartamentit në Gramsh. Por këto shuma nuk janë konsideruar të mjaftueshme për blerjen e dy pasurive në vitin 2007, si dhe ka rezultuar se nuk është deklaruar pakësimi i gjendjes cash për shkak të kryerjes së këtyre investimeve.

Sipas Shulit, subjekti ka rezultuar në pamundësi financiare edhe për krijimin e një gjendje cash në shumën 900 mijë lekë nga viti 2007 e në vijim.

Balancë negative ka rezultuar dhe për disa shuma të depozituara në llogarinë e bashkëshortit të subjektit nga kunati dhe babai, në vlerën totale 10 mijë USD, pasi sipas Komisionit, nuk janë provuar burimet e vlerave të dhuruara.

Po ashtu, ka rezultuar pamundësi për investimin nga bashkëshorti në obliagacione të një shume 2.5 milionë lekë dhe të një llogarie në shumën 700 mijë lekë.

Megjithëse nga analizimi i deklarimeve cash ka rezultuar se subjekti ka mbajtur të njëjtin qëndrim edhe gjatë hetimit administrativ, Komisioni konstaton balanca negative si në periudhën kur subjekti ka gëzuar statusin e magjistratit, ashtu edhe kur ajo ka punuar si specialiste për periudhën 2011-2016.

Për periudhën kur Çarçiu nuk është konsideruar në detyrë, është konstatuar balancë negative në shumën 3.1 milionë lekë.

Nga analiza financiare e përgjithshme paraprake e shtrirë në tre dekada, përfshi dhe kohën kur subjekti nuk konsiderohet në detyrë, është konstatuar balancë negative në vlerën totale rreth 9 milionë lekë.

Relatorja Shuli sqaroi se subjekti e ka kundërshtuar analizën financiare të KPK dhe ka kërkuar të konsiderohet analiza e saj. Për shtëpinë me dy kate ajo ka kërkuar që analiza të shtrihet në periudhën 1996-2000 dhe për shpenzime në vlerën 1.7 milion lekë. Po ashtu, subjekti ka kërkuar të konsiderohen të ardhurat e bashkëshortit dhe të vjehrrit nga aktivitetet private; të pranohen të ardhurat nga qiratë; vlera 10 mijë USD dhënë nga vjehrri dhe kunati, si dhe të përfshihen të ardhurat e vajzës.

Në vijim, Çarçiu ka kërkuar të reduktohen shenzimet e jetesës deri në vitin 1999 me argumentin se nuk ka pasur të dhëna zyrtare dhe të rishikohen shpenzimet e udhëtimeve.

Në seancë, Çarçiu e paraqiti në mënyrë të përmbledhur qëndrimin e saj. Ajo shpjegoi se kishte filluar punë në vitin 1991 dhe se kishte jetuar më së shumti në fshat. “Familja ime i ka krijuar gjithë pasuritë me punë dhe me burime të ligjshme,” theksoi Çarçiu.

Ajo shpjegoi se vjehrri kishte ngritur një dyqan në oborrin e shtëpisë dhe se kishte siguruar prodhime nga bujqësia e blegtoria. Sipas Çarçiut, ato të ardhura mjaftonin për të mbajtur familjen, pasi edhe qyteti i Gramshit është i vogël dhe nuk kishte shpenzime të mëdha, duke krijuar mundësinë për kursime. “Kishte mundësi kursimi pasi dhe paga e gjyqtarit në atë kohë ishte më e lartë se e profesioneve të tjera”, deklaroi subjekti.

Çarçiu këmbënguli se ishte përpjekur të sigurojë dokumente, por se ishin institucionet shtetërore që veç faktit që nuk i disponojnë të dhënat dhe dokumentet, nuk kanë informuar as përse nuk i kanë këto të dhëna. Ajo u shpreh se gjendej në pamundësi objektive për të siguruar gjithë dokumentacionin që kërkohej për të vërtetuar ligjshmërinë e burimeve të deklaruara si të përfituara nga aktivitetet private, në formën që kërkohen nga KPK.

“Por, mendoj se me dokumentet që kam dorëzuar vërtetoj se i kam shteruar kërkimet e mia”, pohoi Çarçiu.

Ajo kërkoi që minimumi jetik të mos përllogaritet 66% e të ardhurave, duke i konsideruar shpenzimet jetike të përllogaritua nga KPK tepër të mëdha. “Ndërkohë që kam jetuar dhe në fshat”, vërejti subjekti.

“Kam provuar në mënyrë të bindshme burimin e pasurive, ndërsa për dy kriteret e tjerë nuk kam pasur barrë prove”, deklaroi Çarçiu.

Anëtarët e trupës së KPK dhe Sprenger i drejtuan subjektit disa pyetje lidhur me gjetjet për pasurinë dhe situatën e statusit e magjistrarit. Pasi iu rrëzua një kërkesë për shtyrjen e seancës dëgjimore për përgatitjen e përgjigjeve duke i ofruar mundësinë që t’i dorëzojë me shkrim të nesërmen, Çarçiu praqiti qëndrimin e saj.

Lidhur me kërkesën për konsiderimin e shumës 1.7 milionë lekë si shpenzim për shtëpinë me dy kate dhe jo vlerën 3 milionë të deklaruar në 2003-in, subjekti sqaroi se nuk kishin mbajtur të dhëna për shpenzimet e kryera. Sipas saj, në vitin 2003 kishte deklaruar vlerën e objektit në atë kohë, por jo shpenzimet e kryera. Çarçiu sqaroi se punimet ishin kryer me punëtorë ndër vite dhe se nuk ishte kontraktuar ndonjë shoqëri ndërtuese që të ishte kryer preventiv.

Për konstatimet për përfitimin e apartamentit dhe dyqanin me çmim më të lirë se ai i tregut, Çarçiu këmbënguli se nuk kishte pasur trajtim preferencial. Sipas saj, për të gjithë blerësit kishte qenë çmim i përafërt.

Vëzhguesi i ONM vërejti se tatimet kishin kthyer përgjigje se nuk disponojnë dokumentacion të plotë për të ardhurat e vjehrrit nga aktiviteti tregtar për shkak të ngjarjeve të vitit 1997. Por ai kërkoi të dinte se përse nuk ishte siguruar informacion për vitet 1998 dhe 1999.

Çarçiu deklaroi se në kërkesën e saj kishte kërkuar të dhëna për gjithë periudhën, përfshi edhe vitet 1998 dhe 1999.

“Në vitin 1997 u bë katrahurë, u dogjën komisariati, gjykata dhe prokuroria. Situata për rimëkëmbjen e institucioneve vijoi edhe në vitin 1998. Kam paraqitur prova indirekte, certifikatën e regjistrimit të vjehrrit në vitin 1993 për aktivitetin privat, kur ishte në moshën 73-vjeçare dhe kishte dalë në pension. U regjistrua për të qenë në rregull me ligjin,” tha ajo.

“Kam sjellë prova se ai ishte dyqani i vetëm në zonë. Të ardhurat kanë qenë më shumë, por kam kërkuar të konsiderohet vetëm minimumi në vlerën 6 milionë lekë,” deklaroi Çarçiu.

Në përfundim, inspektorja e KLGJ-së, Brunilda Çarçiu deklaroi se kishte arritur nivel të besueshëm në të tre kriteret dhe kërkoi të konfirmohet në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më 20 qershor, në orën 09:45.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *