Prokurori Robert Kote në KPK
KP Lajme Veting

Komisioneri Pubik ankimon si të pabazuar konfirmimin e Robert Kotes

Komisioneri Publik, Florian Ballhysa njoftoi më 14 shkurt 2022 ankimin ndaj vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për konfirmimin në detyrë të prokurorit të Tiranës, Robert Kote, me anë të të cilit kërkon shkarkimin nga detyra të këtij subjekti rivlerësimi. Ballhysa ngre shkaqe ankimi në të tre kriteret e rivlerësimit, duke i kundërshtuar konkluzionet e KPK-së si të pabazuara në aktet e hetimit administrativ.

Prokurori i Tiranës, Robert Kote u konfirmua në detyrë më 19 dhjetor 2022, pasi shumica e trupës së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit e përbërë nga relatorja Valbona Sanxhaktari dhe anëtarja Genta Tafa(Bungo) konkluduan se ai kishte arritur nivel të besueshëm në kriterin e pasurisë dhe figurës, si dhe nivel kualifikues për profesionalizmin. Kryesuesi Lulzim Hamitaj në pakicë doli kundër, duke çmuar se në vlerësimin tërësor të çështjes, subjekti kishte cënuar besimin e publikut tek drejtësia dhe duhej të ishte shkarkuar.

Për këtë çështje paraqiti opinion edhe përfaqësuesi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Gerrit Sprenger, i cili konstatoi nevojën e hetimit të mëtejshëm të gjetjeve me qëllim për të arritur në përfundimin e duhur.

Shkaqet e ankimit për pasurinë

Ndryshe nga Komisioni, Komisioneri Publik vlerëson se Kote nuk ka arritur të kundërshtojë barrën e provës për pamundësinë e financiare për vlerjen e një automjeti tip Audi në vitin 2015, kundrejt vlerës 1 milion lekë. Po ashtu, Ballhysa vlerëson se subjekti ka kryer veprime fiktive lidhur me përcaktimin e çmimit të shitjes së një mjeti tip Rover, vlerë që është deklaruar si burim krijimi për blerjen e Audi-t. Kote ka deklaruar si burime për blerjen e mjetit në vitin 2015 edhe kursimet.

KPK ka konstatuar se automjeti tip Rover është shitur disa herë më shtrenjtë nga sa është blerë, pavarësisht se është përdorur për tre vjet dhe nuk e ka konsideruar në analizë shumën 4000 euro të përfituar nga ky transaksion. Për rrjedhojë, nga hetimi paraprak është konstatuar balancë negative në shumën 783 mijë lekë.

Pas prapësimeve të subjektit, balanca negative është reduktuar në shumën 521 mijë lekë, që është çmuar nga shumica e KPK e pamjaftueshme për të penalizuar subjektin.

Komisioneri Publik, referuar akteve të administruara në dosje vëren se, edhe pas kalimit të barrës së provës, Kote nuk ka arritur të provojë të kundërtën lidhur me pamjaftueshmërinë financiare duke rezultuar në pamundësi në shumën – 783 mijë lekë.

Ballhysa vlerëson ndryshe nga KPK edhe lidhur me shpenzimet për shkollimin e vajzës në Vienë të Austrisë. Ai nuk ka pasqyruar në deklaratën “veting” dhe në ato periodike shpenzimet e kryera për shkollimin dhe jetesën e vajzës në Vienë.

Fillimisht në KPK ka rezultuar pamundësi financiare për mbulimin e këtyre shpenzimeve. Por pas dorëzimit të sqarimeve e provave nga Kote lidhur me periudhën e qëndrimit, që sipas tij ka qenë gati sa gjysma e asaj të përllogaritur nga Komisioni, si dhe kërkesës se shpenzimet duhen konsideruar për student dhe jo sipas të dhënave të EUROSTAT për shtetasit evropianë, shumica është bindur duke shuar balancën negative të vitit 2016, kurse për 2015-ën ka mbetur një diferencë e vogël.

Komisioneri Publik çmon se si pasojë e mosdeklarimit të këtyre shpenzimeve, deklarimeve kontradiktore të subjektit të rivlerësimit gjatë hetimit administrativ, si dhe mungesa e një dokumentacioni të plotë justifikues ligjor lidhur me këto shpenzime, krijojnë pamundësinë për të verifikuar se cilat ndër deklarimet e Kotes pasqyrojnë situatën e vërtetë faktike. Sipas Balhysës, rezulton pamundësi objektive për të kontrolluar ligjshmërinë e burimeve për mbulimin e këtyre shpenzimeve.

Në fijim, Komisioneri vëren se në vitin 2016, përveç shpenzimeve të shkollimit të vajzës dhe shpenzimeve të tjera, subjekti ka vlerë është një atoveturë në vlerën 1 milion e 320 mijë lekë, që e ka shitur po atë vit për 980 mijë lekë . Subjekti ka deklaruar se e ka blerë këtë makinë për çmimin 1 milion lekë.

Komisioni ka arritur në përfundimin se ky veprim është kryer brenda vitit të deklarimit, pasi subjekti nuk ka pasur të ardhura të mjaftueshme për blerjen e tij, prandaj e ka kthyer këtë automjet te shitësi i tij, duke mos konstatuar problematika lidhur me këtë pasuri.

Nisur nga fakti se subjekti ka deklaruar çmim tjetër nga sa shënohet në aktin e shitblerjes, Komisioneri vlerëosn se Kote ka bërë deklarime të pasakta dhe kontradiktore, duke mbetur e paqartë se sa ka qenë shuma e paguar në momentin e blerjes së kësaj pasurie dhe se sa ka qenë detyrimi i papërmbushur. Edhe në këtë rast, Ballhysa konstaton pamundësi objektive për të kontrolluar ligjshmërinë e burimeve të krijimit të kësaj pasurie.

Sipas Komisionerit, të ardhurat e subjektit rezultojnë të pamjaftueshme për blerjen e këtij mjeti në 2016-ën.

Nga hetimi ka rezultuar se Kote nuk ka deklaruar një kontratë paraprake për blerjen e një ambienti shërbimi të nënshkruar me një shoqëri ndërtuese në shkurt të vitit 2017, por ka deklaruar marrjen e një kredie në shumën 30 mijë euro.

Nga hetimet paraprake të KPK ka rezultuar se dukej se në momentin e nënshkrimit të kontratës, pala shitëse kishte qenë në kërkim për “shpërdorim detyre” për të cilën është deklaruar fajtor dhe është dënuar.

Hamitaj në pakicë ka vërejtur se ku shtetas rezulton të ketë pasur edhe disa probleme të tjera me drejtësinë. Po ashtu, ka rezultuar se Kote ka përdorur si kolateral për kredinë e marrë në shumën 30 mijë euro një pasuri të paluajtshme në emër të një shtetasi të tjetër, i cili gjithashtu ka qenë subjekt i hetuar, për të cilin ka deklaruar se e ka mik të vjetër.

Subjekti ka shpjeguar se nuk kishte pasur njohje me administratorin e shoqërisë ndërtuese dhe se takimi i vetëm kishte qenë në momentin e nënshkrimit të kontratës. Sipas subjektit, ai kishte pasur njohje me të atin e administratorit dhe jo me këtë të fundit.

Kontrata për blerjen e kësaj njësie shërbimi është revokuar pas rreth tre muajve. Kote ka shpjeguar se nuk ka pasur mundësi për të shlyer pjesën tjetër të çmimit që nuk mbulohej nga kredia. Sipas tij, i ka kërkuar hua kunatit, por as ky i fundit nuk ka mundur ta sigurojë shumën që i nevojitej, ndërkohë që nuk ka dashur të kërkojë hua diku tjetër. Kote ka këmbëngulur se arsyeja e revokimit ka qenë pamundësia për të paguar vlerën e plotë të pasurisë.

Shumica ka vlerësuar paraprakisht se subjekti ka kryer një sërë veprimesh që kanë pasur qëllim të vetëm përfitimin e kredisë bankare në shumën 30 mijë euro, me të cilat ai nuk ka krijuar pasuri në vijimësi.

Duke vlerësuar se kjo situatë nuk është brenda periudhës së rivlerësimit, KPK ka çmuar se ajo duhet t’i nënshtrohet kontrollit nga organet kompetente për vlerësimin e pasurisë, ashtu si dhe ka ndodhur prej kontrollit të ILDKPKI-së, që ka vendosur masë administrative ndaj subjektit lidhur me rrethanat e konstatuara.

Ndërsa Komisioneri Publik vlerëson se rrethanat të çojnë në konkluzionin e veprimeve fiktive në dukje të kryera nga ana e subjektit të rivlerësimit. “[…]Një sjellje me karakter përsëritës e tij apo në alternativën tjetër të pamundësisë financiare për të paguar shumën 15,000 euro, në muajin shkurt 2017”, shprehet Komisioneri dhe shton se marrëdhëniet e Kotes në momentin e nënshkrimit të kontratave me një person të dënuar apo me shtetasin tjetër që ka qenë i hetuar, për të cilin deklaron se ka miqësi 25-vjeçare, duhen parë në vlerësimin tërësor, nëse afektojnë në cënimin e besimit të publikut tek drejtësia.

Figura dhe profesionalizmi

Komisioni ka verifikuar një çështje të hetuar nga subjekti në vitin 2016, ndaj shtetasve K.T. dhe A.S. për veprën penale “mbajtje pa leje të municionit luftarak”, me qëllim transportin ose shitjen e tyre. Nga hetimi paraprak është konstatuar se duket se prokurori Kote nuk ka bërë një kualifikim të drejtë të veprës penale, e cila ka sjellë për pasojë pushimin e procedimit penal dhe shuarjen e masës së sigurisë, kthimin e automjetit dhe kalimin në favor të shtetit të municioneve luftarake të sekuestruara, për shkak edhe të ligjit për amnistinë.

Shumica ka vlerësuar se këto konstatime nuk mund të vlerësohen në kuadër të vlerësimit të figurës së subjektit të rivlerësimit, por ato mund të mbahen në konsideratë në vlerësimin tërësor të tij. Por, në konkluzionin e përgjithshëm shumica konstaton se nuk u provuan indice për kontakte të papërshtatshme dhe çmon se Kote arrin nivel të besueshëm për figurën.

Hamitaj në pakicë çmoi se megjithëse këto gjetje nuk mund të sjellin penalizim, kontribuojnë në cenimin e besimit të publikut në sistemin e drejtësisë dhe se duhet të mbahet në vëmendje në vlerësimin e përgjithshëm të çështjes. Ndërsa sipas ONM-së, do të kishte qenë e nevojshme të administrohej i gjithë fashikulli i çështjes në mënyrë që të shteroheshin të gjitha dyshimet e mundshme.

Komisioneri Publik ndan qëndrim të ngjashëm me Hamitajn, duke çmuar se elementet e këtij procedimi, në raport dhe me gjetjet e tjera në kuadër të cënimit të besimit të publikut tek drejtësia.

Komsioneri ndryshe nga Komisioni, ka gjetur probleme një një çështje penale të hetuar nga subjekti në vitin 2017. Sipas Ballhysës, ndryshimi i cilësimit të veprës penale gjatë gjykimit në seancën paraprake nga ana e Kotes, nuk duket se është bërë mbi akte të reja, të ndryshme nga ato të administruara në fashikullin e procedimit penal. Edhe në këtë rast, komisioneri i kërkon Kolegjit që elementet e këtij procedimi së bashku me gjetjet e tjera, duhen vlerësuar dhe trajtuar si situata që mund të ndikojnë në cënimin e besimit të publikut tek drejtësia.

Në përfundim, Komisioneri Publik Florian Ballhysa kërkon ndryshimin e vendimit të Komisionit dhe shkarkimin e prokurorit Robert Kote.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *