Seanca në Apel, KPA i bën pyetje shtesë Nertina Kosovës
Lajme

Seanca në Apel, KPA i bën pyetje shtesë Nertina Kosovës

Seanca në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit ndaj gjyqtares së Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda Nertina Kosova u shty për t’i dhënë kohë asaj të përgjigjet një sërë pyetjesh që iu bënë nga relatorja e çështjes.

Gjyqtarja Nertina Kosova në KPA | Foto nga : LSA

Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi të shtyjë deri në 3 korrik gjykimin e çështjes ndaj gjyqtares Nertina Kosova. Gjatë seancës së të mërkurës, KPA pritej të paraqiste analizën e saj financiare bazuar mbi kërkesën e Komisionerit Publik për mundësitë ekonomike të babait të gjyqtares për të kursyer 1 milion lekë që ia kishte dhënë asaj për të blerë shtëpinë.

Analiza u kërkua pas pranimit të dokumenteve të paraqitura në Kolegj nga gjyqtarja dhe pasi Komisioneri Publik konsideroi të kërkonte analizë vetëm për këtë pjesë të ankimit. Por kryesuesi i trupës Sokol Çomo bëri me dije se para se të përfundohej kjo analizë relatoja e çështjes Natasha Mulaj kishte nevojë t’i bënte disa pyetje Kosovës.

Mulaj bëri më pas një sërë pyetjesh. Ajo i tha Kosovës se bëhej fjalë për paqarëtsi të saj dhe këshilltarëve ligjorë rreth disa çështjeve, që edhe pse ishin prekur në ankimin e Komisionerit Publik dhe ishin përmendur nga gjyqtarja mbeteshin të pasqaruara.

Ndër të tejra Mulaj kërkoi burimin e krijimit të një shume prej 1.5 milion lekësh të përdorur në një kontratë paraprake për blerja apartamenti, kontratë që nuk është realizuar. Po ashtu ajo kërkoi informacion të detajuar mbi marrëdhënien e gjyqtares me bankën ku ishte marrë kredia.

Duke iu referuar faktit që gjyqtarja duke mos blerë shtëpinë për të cilën ishte kërkuar kredia, por një shtëpi tjetër dhe duke e cilësuar këtë si ndryshim destinacioni që nënkuptonte edhe prishje të kontratës, Mulaj kërkoi të dinte nëse Kosova kishte informuar bankën për ndryshimin.

Po ashtu ajo kërkoi informacione shtesë mbi kursimet e gjyqtares duke ripyetur për arsyet e mosdeklarimit prej saj të kursimeve familjare. Ajo kërkoi të dinte se përse një depozitë kursimesh nuk ishte përdorur dhe informacione shtesë mbi bursën dhe faktin që të ardhurat prej kësaj ishin përdorur për të financuar kursimet.

Mulaj kërkoi informacione shtesë mbi tranfertën bankare të kryer nga vëllai i gjyqtares, duke kërkuar vendin ku ishte hapur llogaria bankare dhe prova të tjera mbi punësimin e tij në kompaninë për të cilën ka bërë transfertën. Ai po ashtu kërkoi informacione shtesë mbi disa likujditete dhe shumën prej 1 milion lekësh që babai i kishte dhënë për të paguar këstin e parë për shtëpinë. Po ashtu u kërkua informacion për disa mosdeklarime dhe interpretim ligjorë rreth tyre.

Mulaj bëri me dije se pyetjet ishin për të sqaruar paqartësitë dhe se ajo e kuptonte se një pjesë e këtyre pyetjeve ishin parashtruar në ankimim.

Psasi u njoh me pyetjet Kosova kërkoi kohë për të kthyer përgjigje. Ndërkohë nga ana tjetër i pyetur nga anëtarët e trupës gjykuese Komisioneri Publik tha se ai ishte vetëm në pritje të analizës financiare për mundësitë e krijimit të shumës 1 milion lekë dhe e quajti të ezauruar pjesën tjetër të procesit.

Ai tha se pas analizës do ishte gati të jepte përfundimet. I pyetur nga dy anëtarë të trupës nëse i qëndronte pretendimeve të ngritura në ankim, Komisioneri tha se për këto do të shprehej në konkluzione, por këmbënguli se çështja ishte hetuar mjaftueshëm. Pas një ndërprerje trupa gjykuese njoftoi shtyrjen e seancës për datën 3 korrik ora 10.00.

Kosova, e cila kaloi me sukses shkallën e parë të vetingut më 18 korrik 2018, pasi KPK e vlerësoi pozitivisht në të tre kriteret, u përball më pas me një ankim të Komisioneri Publik, Florian Ballhysa, i cili pretendon se hetimi i KPK në kriterin e pasurisë nuk ishte i plotë.

Gjatë seancës së parë në KPA, Komisioneri Publik i kërkoi trupës gjykuese të kryejë një hetim të ri dhe të rivlerësojë pasuritë e gjyqtares dhe personave të lidhur me të. Ballhysa u shpreh se pas hetimit KPA duhet të vendoste ose për rrëzimin e vendimit të KPK-së ose për lënien e tij në fuqi. Ai e cilësoi të paplotë hetimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Kosova nga ana tjetër e cilësoi ankimin e Komisionerit Publik “të pabazuar në ligj dhe në prova”. Ajo paraqiti pranë Kolegjit 61 dokumente të përbërë nga 364 faqe, të cilat kërkoi të merreshin si prova, në rast se KPA vendoste nisjen e një hetimi të ri gjyqësor. Gjyqtarja edhe pse kundërshtoi pretendimet e Komisionerit kryesisht për cilësimin e të afërmve si persona të lidhur, paraqiti dokumente që sipas saj vërtetonin burimin e ligjshëm të pasurive.

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *