Ish-prokurori Besnik Cengu | Foto: Edmond Hoxhaj/BIRN
Analiza KPK Lajme Veting

Vlerësimet e ndryshme të KPK për pensionin e parakohshëm të Besnik Cengut

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK vendosi me shumicë votash më 3 mars 2023 të pranojë kërkesën e prokurorit të Tiranës, Besnik Cengu për të përfunduar procesin e rivlerësimit kalimtar ndaj tij pa një vendim përfundimtar, pasi e kishte humbur objektin dhe qëllimin për shkak të daljes në pension të parakoshëm. Trupa e KPK u nda, ku kryesuesja Pamela Qirko dhe anëtarja Brunilda Bekteshi e vlerësuan të drejtë kërkesën e Cengut, ndërsa relatori Roland Ilia doli në pakicë duke çmuar se vetingu ndaj këtij subjekti rivlerësimi duhej të ishte ndërprerë në zbatim të nenit G të Aneksit të Kushtetutës, që përcakton sanksionin për ndalimin e rikthimit në sistemin e drejtësisë për 15 vjet.

Në vendimin e arsyetuar të KPK sqarohet se procesi i vetingut ndaj Cengut ka filluar në qershor të vitit 2020. Rreth dy vjet e gjysmë më vonë ai i është drejtuar Këshillit të Lartë të Prokurorisë, KLP me kërkesë për miratimin e pensionit të parakohshëm dhe mbarimit të statusit të magjistratit, ku ka renditur edhe arsyet e tij.

Pasi Komisioni është njohur me vendimarrjen e KLP-së për miratimin e kërkesës së Cengut, ka kryer verifikime pranë Gjykatës Administrative të Apelit, nga ka rezultuar se subjekti nuk ka kryer ankim. Në vijim, KPK ka thirrur Cengun në seancë dëgjimore, në të cilën konstatoi se nga hetimi paraprak dukej se ishte shprehur vullneti i pavesuar i tij për dorëheqje.

Në seancën e zhvilluar më 2 mars 2023 u relatua se në situata të tilla, Komisioni orientohet që përveç ndërprerjes së vetingut, të vendosë edhe ndalimin e emërimit të subjektit të rivlerësimit gjyqtar ose prokuror të çdo niveli, anëtar të Këshillit të Lartë Gjyqësor ose të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor të Lartë të Drejtësisë ose Prokuror të Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare, sipas nenit G të Aneksit të Kushtutës.

Cengu i kundërshtoi në seancën dëgjimore konkluzionet paraprake të Komisionit duke këmbëngulur se nuk kishte kërkuar dorëheqje nga detyra, por dalje në pension të parakohshëm për shkak të gjendjes së tij shëndetësore të rënduar.

Ai deklaroi se nuk do të kthehej më në detyrë pasi nuk e përballonte dot për arsye shëndetësore, ndërsa e cilësoi të padrejtë sanksionin 15-vjeçar në rastin e tij. Cengu në përfundim kërkoi që të trajtohet si rastet e daljes në pension për shkak të moshës dhe të ndërpritet vetingu pa një vendim përfundimtar.

Ai argumentoi se për kërkimet e tij ka shfrytëzuar të drejtën që i jep ligji për pensionin e parakohshëm, duke këmbëngulur se nuk bën fjalë kurrsesi për dorëheqje, por për të drejtën e pensionit të parakohshëm që gëzon magjistrati, që në rastin konkret ka plotësuar kriteret ligjore për pensionin e parakohshëm.

Trupi gjykues vëren se nga verifikimi i kërkesës së subjektit të depozituar pranë KLP-së, ka rezultuar se ai ka bërë me dije se ka mbi 10 vjet që trajtohet nga kardiologu për diagnozat e sëmundjes infarkt miokardi, hipertension arterial, fibrilacion arterial dhe insuficiencë kardiake.

“Nga leximi literal i përmbajtjes së kërkesës, trupi gjykues konstaton se nuk pasqyrohet në asnjë paragraf si shkak ‘dorëheqja’”, konstaton shumica.

Në vijim, KPK ka analizuar kriteret e përcaktuara për të përfituar daljen në pension të parakoshëhm, nga ka rezultuar se Cengu kishte mbushur moshën 60 vjeç dhe kishte ushtruar funksionin e magjistratit për të paktën 30 vjet, sikurse kërkonte ligji.

“…Subjekti i rivlerësimit ka qenë plotësisht i legjitimuar në kërkimin e tij, të cilin e ka bazuar në nenin 64, germa “c” 6 e po këtij ligji, nenin 527 të Kushtetutës, ka respektuar të drejtën e pakufizuar të njohur nga ligji për të dalë në pension të parakohshëm dhe, për rrjedhojë, vlerësohet se vendimmarrja e trupit gjykues bazohet në parimin e ligjshmërisë së parashikuar në nenin 48 të Kodit të Procedurës Administrative, pavarësisht arsyeve të gjendjes së tij shëndetësore9, që e kanë vënë në lëvizje për të kërkuar daljen në pension të parakohshëm”, arsyeton shumica dhe vlerëson se paraqitja e kërkesës për miratimin e pensionit të parakohshëm pranë KLP-së nuk mund të konsiderohet si shprehje e vullnetit për të ndërprerë marrëdhëniet e punës ose për të lënë detyrën përpara kohe.

Gjithashtu, trupi gjykues i KPK vlerëson se, pasoja e ardhur pas miratimit të pensionit të parakohshëm, është e barazvlefshme me pasojën që vjen nga dalja në pension pleqërie.

Lidhur me sanksionin 15-vjeçar, shumica argumenton se “instituti i daljes në pension është i ndryshëm nga ai i dorëheqjes dhe, për pasojë, këto dy institute nuk mund të ndërlidhen dhe as të zëvendësojnë njëri-tjetrin”.

Në vijim, Qirko dhe Bekteshi argumentojnë se dhënia e dorëheqjes pa argument për të lënë funksionin, jo vetëm që nuk njeh moshë apo vjetërsi në ushtrimin e funksionit sikurse kërkon domosdoshmërisht kërkimi i daljes në pension të parakohshëm, por duket dhe si një mjet për të shmangur vetingun.

“Trupi gjykues mban në konsideratë faktin që këto dy institute përjashtojnë njëra-tjetrën, duke sjellë në të vërtetë në të dyja rastet ndërprerjen e marrëdhënieve të punës, por ndryshojnë me njëri-tjetrin, pasi dalja në pension është e lidhur domosdoshmërisht me moshën, ku magjistrati duhet të ketë mbushur moshën 60 vjeç, të ketë qenë në ushtrim të funksionit si magjistrat të paktën për 30 vjet, kushte të cilat u provuan nga subjekti i rivlerësimit, ndërsa dorëheqja shpreh një vullnet subjektiv të pakushtëzuar të individit kur ende ekzistojnë marrëdhëniet e punës së magjistratit, e cila shoqërohet me pasojat ligjore të nenit G të Aneksit të Kushtetutës”, arsyeton shumica.

Qoirko dhe Bekteshi vërejnë se për rastet e daljes në pension të parakohshëm nuk është parashikuar aplikimi i nenit G të Aneksit të Kushtetutës dhe çmojnë se vendosja e sanksionit 15-vjeçar do të bënte që subjekti të penalizohej pa ligj, veprim që do të binte ndesh me Kushtetutën, lejgislacionin përkatës, si dhe me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Në përfundim ato kanë vendosur ndëprerjen e vetingut ndaj Vengut pa një vendim përfundimtar.

Relatori Roland Ilia, në pakicë, vlerëson se Cengu ka shprehur vullnetin për të mos vijuar ushtrimin e detyrës, pavarësisht se ende nuk ka mbushur moshën 67 vjeç.

“Shprehja e vullnetit të subjektit për të ndërprerë marrëdhëniet e tij të punës, bërja prezent para Komisionit e këtij fakti dhe formalizimi me paraqitjen e kërkesës drejtuar Këshillit të Lartë të Prokurorisë çmohen si ndërprerje për shkak të vullnetit të subjektit për të lënë detyrën përpara kohe, duke e konsideruar këtë si dorëheqje të tij nga funksioni”, arsyeton ai dhe vlerëson se situata kur subjekti me veprime konkrete ka hequr dorë nga ushtrimi i detyrës pa mbushur moshën e pensionit të pleqerisë, kualifikohet si e barazvlefshme me dorëheqjen.

Në vijim ai sjell në vëmendje se dispozitat kushtetuese dhe ligjore, si dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me procesin e vetingut të magjistratëve parashikojnë se ndërprerja e procesit të rivlerësimit për shkak të dorëheqjes, duhet shoqëruar me nenin G të Aneksit të Kushtetutës që përcakton sanksionin 15-vjeçar.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *