Gjyqtari Lazer Sallaku pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPK Lajme

Lazer Sallaku jep shpjegime për pasurinë dhe mbylljen e çështjes së CEZ

Gjyqtari i Gjykatës së Tiranës, Lazer Sallaku, u përball të mërkurën më 24 maj me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur gjatë seancës dëgjimore kundërshtoi bilancet negative kryesisht në blerjen e një apartamenti. Në kriterin profesional, Sallaku dha shpjegime për pushimin e çështjes së privatizimit të CEZ Shpërndarje. Sallaku mori vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës.

Procesi i vetingut për gjyqtarin Sallaku po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Pamela Qirko, me relatore Brunilda Bekteshin dhe anëtar Roland Ilian. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Francesco Ciardi.

Lazer Sallaku ka punuar si avokat përpara se të niste karrierën në sistemin e drejtësisë, si inspektor i Këshillit të Lartë të Drejtësisë në vitin 2007. Ai u emërua gjyqtar në vitin 2010 dhe e ushtroi fillimisht funksionin në Gjykatën e Durrësit. Prej vitit 2013, Sallaku punon si gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Tiranë.

Bilancet negative

Si burime krijimi të një apartamenti në Tiranë, të rezervuar në vitin 2014 kundrejt vlerës 46,323 euro, subjekti ka deklaruar pakësimin e gjendjes cash.

Ndërkohë, pas zgjidhjes së martesës, ka deklaruar se i ka kthyer ish-bashkëshortes vlerën 45 mijë euro dhe apartamenti është regjistruar vetëm në emrin e tij. Si burim të shumës 45 mijë euro dhënë bashkëshortes pas divorcit, Sallaku ka deklaruar një kredi në vlerën 36 mijë euro dhe një hua nga një kushëri në shumën 11 mijë euro. Bekteshi sqaroi se vërtetohej kalimi i vlerës 45 mijë euro në llogarinë e ish-bashkëshortes, si dhe nuk janë gjetur probleme në burimet e kësaj shume.

Subjekti ka shpjeguar për Komisionin se kursimet që kanë shërbyer për blerjen e apartamentit në vitin 2014, ishin krijuar nga pagat e tij e të ish-bashkëshortes, si dhe një dhurim në vlerën 40 mijë euro të përfituar nga kjo e fundit prej nënës së saj të ndjerë.

Kur Sallakut i është kërkuar që të vërtetojë mundësinë financiare të ish-vjehrrës për dhurimin e vlerës 40 mijë euro me burime të ligjshme, ai ka këmbëngulur se kjo shumë ishte krijuar përpara lidhjes së martesës. Ai ka sqaruar se aktualisht nuk ka komunikim me ish-bashkëshorten dhe nuk e ka të mundur të sigurojë të dhëna dhe dokumentacion.

Megjithatë, ai ka vendosur në dispozicion të Komisionit një mandat pagese në vlerën 46 mijë euro në favor të ish-vjehrrës në vitin 2004. Por, Bekteshi konstatoi se pas tërheqjes së kësaj shume rezulton se ish-vjehrra ka blerë një pasuri në shumën rreth 3 milionë lekë.

Bazuar në këto të dhëna, Komisioni nuk e ka konsideruar në analizën financiare për blerjen e apartamentit vlerën 40 mijë euro, prej nga ka rezultuar pamundësi për krijimin e kësaj pasurie.

Po ashtu, janë konstatuar balanca negative dhe në vitet 2010-2011.

E njëjta situatë është paraqitur dhe për blerjen e një garazhi për çmimin 7500 euro, pasi janë deklaruar të njëjtat burime.

Sallaku vërejti se ka punuar 20 vjet si gjyqtar dhe 7 vjet si avokat, ndërkohë që pasuria që ai tha se zotëron, përbëhet nga një apartament për të cilin aktualisht i duhet të shlyejë kredinë 36 mijë euro dhe huanë 11 mijë euro, të marra me qëllim kthimin e shumës 45 mijë euro ish-bashkëshortes. Për garazhin sqaroi se ende nuk e kishte në pronësi të tij.

Ai deklaroi se ishte e provuar se i kishte kthyer ish-bashkëshortes shumën 45 mijë euro. Sipas tij, ky fakt tregon se i ka kthyer vlerën që i është dhuruar nga e ëma, të cilën e cilësoi si pasuri vetjake të sajën.

Subjekti solli në vëmendje se Kodi i Familjes përcakton se çdo pasuri e krijuar gjatë martesës i nënshtrohet bashkësisë familjare, por sipas tij, ka edhe parashikim lidhur me pasurinë vetjake.

“Shuma që i është dhuruar ish-bashkëshortes nga nëna është krijuar para martesës, në vitin 2004 dhe nuk kam pasur të drejta mbi atë vlerë. Ai dhurim nuk duhej të lidhej me procesin e rivlerësimit”, u shpreh Sallaku dhe solli në vëmendje një tjetër vendim të KPK-së, ku sipas tij një subjekt rivlerësimi nuk ishte ngarkuar me barrë prove për pasuri të krijuara nga bashkëshorti i saj, para martesës.

Sallaku pohoi se diferenca negative në vlerën 4.7 milionë lekë në vitin 2014 vinte si pasojë e moskonsiderimit të shumës së dhuruar ish-bashkëshortes nga nëna e saj.

Ai vërejti se në vitin 2010 është konstatuar balancë negative në shumën 180 mijë lekë, ndërsa për pamundësinë në vlerën rreth 1 milion lekë në 2011-ën, pretendoi se krijohej për shkak të moskonsiderimit në analizë të të ardhurave të krijuara nga shitja e një automjeti të llojit Mitsubishi dhe të skafit.

Subjekti shpjegoi se kjo kishte ardhur si pasojë e mungesës së kujdesit në deklarimin e gjendjes cash.

Sallaku dhe ish-bashkëshotja kanë rezultuar me mundësi financiare për blerjen e një automjeti të llojit Benz në vitin 2015 kundrejt shumë 200 mijë lekë.

Po ashtu, ka rezultuar se ish-bashkëshortja ka pasur mundësi dhe për blerjen e një automjeti tjetër në vitin 2014 për shumën 7000 euro, ku si burim krijimi ka shërbyer trashëgimia ligjore nga babai i saj i 1/3-ës të vlerës së shitjes të një apartamenti.

KPK nuk ka gjetur probleme për një apartament të blerë në vitin 2007 nga subjekti kundrejt vlerës 60 mijë euro, shumë e cila është është marrë kredi në atë kohë. Ai ka shpjeguar, se pas zgjedhjes së martesës së mëparshme, janë dakordësuar me ish-bashkëshorten për kalimin asaj të të gjithë të drejtave dhe detyrimeve të apartamentit. Bekteshi konstatoi se nga hetimi ka rezultuar se shlyerja e kredisë është kryer rregullisht nga ish-bashkëshortja e subjektit.

Po ashtu, nuk u konstatuan probleme në blerjen e skafit. Subjekti ka thënë se nuk ka siguruar kontratën e shitblerjes së këtij mjeti lundrues, duke argumentuar se janë djegur arkivat në vitin 1997.

Ndërkohë, Bekteshi konstatoi mospërputhje mes deklarimit të subjektit lidhur me çmimin e blerjes së automjetit të llojit Mitsubishi, pasi gjyqtari Sallaku e ka deklaruar në vlerën 700 mijë lekë, ndërsa në kontratë është përcaktuar 180 mijë lekë. Megjithatë, Komisioni konstaton se subjekti ka pasur mundësi për blerjen e këtij mjeti, si dhe të një Benzi në vitin 1999.

Gjetjet për profesionalizmin

Sallaku dha shpjegime në kriterin profesional lidhur me një denoncim ku ngriheshin pretendime për pushim të padrejtë të hetimit lidhur me mënyrën e privatizimit të kompanisë së shpërndarjes së energjisë elektrike, CEZ. Subjekti sqaroi se çështja ishte pushuar fillimisht nga Prokuroria e Përgjithshme dhe se kjo vendimarrje ishte lënë në fuqi edhe nga Gjykata e Lartë.

Ai sqaroi se pas rihapjes së hetimit me kërkesë të Kuvendit, Prokuroria e Tiranës kishte kërkuar sërish pushimin e hetimeve në vitin 2017. Sallaku pohoi se nuk e kishte pranuar këtë kërkesë të prokurorisë dhe kishte vendosur rikthimin e akteve për hetime të mëtejshme, duke lënë edhe detyra konkrete.

Sipas subjektit, pas afro tre vitesh, prokuroria e kishte risjellë dosjen sërish për pushim, kërkesë që ai e kishte pranuar. Gjyqtari Sallaku theksoi se vendimarrja e tij për pranimin e kërkesës së prokurorisë për pushimin e hetimeve ishte lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit.

Ai shtoi se denoncuesi kishte kryer ankesë dhe në Inspektorin e Lartë të Drejtësisë për këtë çështje dhe se ishte vendosur arkivimi i asaj ankese, me argumentin se pretendimet e ngritura janë objekt i gjykatave më të larta.

Sallaku këmbënguli se vendimarja e tij ishte e bazuar në prova dhe u shpreh se e kishte të pamundur financiarisht që të fotokopjonte aktet e dosjes për t’i vendosur ato në dispozicion të Komisionit, pasi ishin 54 fashikuj.

Lidhur me një denoncim ku ngrihen pretendime për një vendim mosfillimi, subjekti pohoi se ankuesi nuk kishte ushtruar ankim ndaj vendimarjes së tij.

Për një tjetër rast mosfillimi, Sallaku sqaroi se bëhej fjalë për parashkrimin e veprës penale. Ai tha se është është e mirëpërcaktuar në ligj që të mos fillohet hetimi. “Dispozita nuk lë vend as për fillimin e hetimeve dhe as për interpretim”, pohoi subjekti.

Relatorja Bekteshi konstatoi se Apeli kishte vlerësuar ndryshe duke bërë tjetër interpretim dhe e pyeti subjektin nëse kishte dijeni për ndonjë vendim unifikues që trajtonte çështje të tilla. Sallaku u shpreh se nuk kishte dijeni nëse kishte një praktikë unifikuese lidhur me qëndrimin e ndryshëm të tij nga Apeli.

Në përfundim, gjyqtari Lazer Sallaku e cilësoi korrekt procesin e rivlerësimit të tij dhe kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më 26 maj, në orën 09:35.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *