Ndihmësja ligjore e PP, Klerona Meçi | Foto: Edmond Hoxhaj
KPK Lajme Veting

Ndihmësja ligjore Klerona Meçi përballet me probleme për pasurinë dhe figurën

Ndihmësja ligjore pranë Prokurorisë së Përgjithshme, Klerona Meçi u përball të hënën më 15 janar me probleme në kriterin e pasurisë dhe figurës, si pasojë e mungesës së burimeve të ligjshme të babait për blerjen e një apartamenti të përdorur prej saj, si dhe mos deklarimit në formularin e kontrollit të figurës të një procedimi të të atit për “Pastrim të produkteve të veprës penale…”.

Relatorja Xhensila Pine sqaroi në fillim të seancës se, në momentin e hyrjes në fuqi të legjislacionit të vetingut, se subjekti ka qenë në një trung familjar me persona të tjerë madhorë të cilët duhet të plotësonin deklaratën e pasurisë si persona të lidhur. Sipas Pines, duket se subjekti ka bërë deklarim të pamjaftueshëm në deklaratën “veting”, duke shmangur nga deklarimi dhe kontrolli pasuritë e familjarëve.

Lidhur me këtë barrë prove, Meçi deklaroi se mosplotësimi deklaratës veting nga anëtarët e familjes së origjinës në moshë madhore nuk ishte kryer për shkak të intepretimit të saj. Sipas subjektit, ligji vetingut të magjistratëve u pezullua nga Gjykata Kushtetutese pas një kërkese të disa deputetëve për shfuqizim. Ajo shtoi se pezullimi ka zgjatur deri më 19 shkurt 2017, kohë në të cilën ajo ishte ndarë nga trungu familjar. “Nuk kisha arsye t’i fshihja pasi babai ka pasur sipërmarrje ndër vite”, pohoi Meçi ndër të tjera.

Barrat e provës për pasurinë

Këshilltarja Meçi ka pasqyruar në deklaratën “veting” përdorimin e një apartamenti me sipërfaqe 102.6 m2 në Selitë të Vjetër, në Tiranë – pasuri e blerë nga babai për shumën 79 mijë e 500 euro në vitin 2016.

Sipas KPK, transaksionet e kryera ndërmjet babait të subjektit, shoqërisë së tij dhe shoqërisë ndërtuese, kanë sjellë paqartësi në lidhje me çmimin e blerjes së këtij apartamenti, si dhe me mënyrën e likujdimit.

Pine vërejti se subjekti nuk ka shënuar në deklaratën “veting” burim të të ardhurave të babait të saj për pagesën  e çmimit të apartamentit, por ka bashkëlidhur vetëm kontratën e sipërmarrjes, ndonëse është pranuar përdorimi në mënyrë të vazhdueshme i kësaj pasurie prej saj, duke pasur detyrimin të deklarojë burimin e krijimit. KPK konstaton se Meçi nuk e ka përmbushur këtë kërkesë ligjore me deklaratën “veting”.

Nga analiza financiare paraprake e Komisionit ka rezultuar pamundësi e babait të Meçit për blerjen e kësaj pasurie me burime të ligjshme. Megjithëse babai i subjektit ka rezultuar aksioner në tre shoqëri, sipas KPK, edhe pa u llogaritur shpenzimet për jetesë të shtatë personave të tjerë që ai kishte në certifikatë familjare, pasuritë dhe shpenzimet e tjera, ka qenë e pamundur të dokumentohet mundësia financiare e tij me burime të ligjshme për pagesën e këstit të parë në shumën 44 mijë e 360 euro në vitin 2016.

E njëjta situatë është konstatuar dhe për pagesën e pjesës së mbetur të çmimit në vitin 2018, pasi nuk kanë rezultuar të dhëna në lidhje me të ardhura nga shpërndarja e dividentëve për periudhën 2014, deri në dhjetor të 2018-ës.

Meçi ka deklaruar se babai i ka blerë një autoveturë të llojit Benz në shumën 3500 euro dhe shpenzime zhdoganimi 104 mijë lekë.

Sipas dokumentacionit të DPSHTRR të administruar nga KPK, subjekti e ka blerë makinën në tetor të vitit 2016 nga një shoqëri në Gjermani.

Por, bazuar në kartelën e regjistrimit të mjetit në shtetin gjerman, është konstatuar se atje është lëshuar leje dhe targa provizore me një adresë në Sarandë, për një tjetër person.

Sipas relatores Pine, duket se ka mospërputhje të personit që i ka shitur këtë automjet subjektit, pasi në kartën e regjistrimit në Gjermani pronar rezulton shtetasi N.P., ndërsa në kontratën e paraqitur nga Meçi është shoqëria A.G..

Komisioni ngre paqartësi në lidhje me mënyrën dhe kohën e pagesës së këtij çmimi dhe personin që ka paguar detyrimet doganore. Pine konstatoi se subjekti ka shpjeguar se N.P. në emër të të cilit është lësuar leja dhe targa provizore është një mik i babait, i cili ka blerë mjetin në Gjermani dhe e ka sjellë në Shqipëri.

Për shkak se shoqëritë ku babai ka qenë aksioner nuk kanë shpërndarë dividend prej vitit 2014, në analizën financiare janë marrë në konsideratë me rezervë të ardhurat e tij nga pagat. Megjithatë, Meçit i është kërkuar të provojë saktësisht burimin e ligjshëm që ka shërbyer për blerjen e mjetit.

Subjekti pohoi se për apartamentin dhe autoveturën kishte dorëzuar një analizë financiare të hartuar nga një auditues, që sipas saj e ka filluar analizën prej vitit 1993, kur babai ka krijuar hsoqërinë e parë. Sipas saj, audituesi ka përllogaritur vlerat minimale prej nga ka rezultuar se të ardhurat e babait për periudhën 1993-2023 kapin vlerën 93 milionë lekë.

Ajo këmbënguli se babai ka pasur burime të ligjshme të mjaftueshme dhe se i ati nuk ishte penalizuar ndonjëherë për vlerat që kishte disponuara si likujditete bankare. “Bankat kur kanë rezerva nuk e kryejnë transaksionin”, tha ajo dhe shtoi se shumat që ka disponuar i ati përputhen me deklarimet e saj gjatë procesit të rivlerësimit dhe renditi vlerat e përfituara prej tij nga investimet, pagat dhe nga dividendi.

Lidhur me procedurën e ndjekur për blerjen e automjetit ajo shpjegoi se babai i kishte kërkuar shtetasit N.P. që të blinte mjetin duke i dhënë cash paratë. Sipas subjektit, kjo kishte qenë dhe arsyeja përse targat provizore ishin lëshuar në emër të N.P..

“Bazuar në parimin e objektivitetit dhe proporcionalitetit e kam përmbushur barrën e provës”, pohoi Meçi.

Figura

Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK, nuk ka gjetur probleme për Meçin lidhur me pastërtinë e figurës. Në deklaratën për kontrollin e figurës ajo ka shënuar se për dajën kishte dijeni se kishte qenë i dënuar në Greqi për trafikim lëndësh narkotike.

Ndërkohë, nga hetimi i KPK ka rezultuar se Prokuroria e Gjirokastrës  kishte regjistruar në vitin 2014 ndaj babait të subjektit procedim penal për veprën penale “Pastrimi i Produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Më pas janë sekuestruar llogaritë bankare në emrin personal dhe në emër të shoqërive në të cilat ishte ortak babai i Meçit. Ky vendim është konfirmuar me vendim të formës së prerë.

Në përfundim është konkluduar me pushim të gjykimit dhe për këtë arsye në regjistrër nuk është shënuar emri i babait të subjektit në rubrikën e autorit të veprës penale.

Ndërkohë, ka rezultuar se në vitet 2014-2015, subjekti ka qenë e punësuar pranë shoqërisë së babait që i ishin bllokuar llogaritë. Ajo ka shpjeguar për Komisionin se detyrat funksionale kanë qenë asistenca e përgjithshme juridike në lidhje me menaxhimin e përgjithshëm të kontratave dhe praktikave tregtare.

Pine tha se duket se babai i subjektit hyn në rrethin e personave të përfshirë në krimin e organizuar, rrethanë që nuk është pasqyruar në formularin për kontrollin e figurës.

Fakti që subjekti ishte e punësuar te shoqëria që po hetohej për pastrimin e produkteve të veprës penale, sipas KPK, jo vetëm konfirmon dijeninë e saj lidhur me procedimin dhe detyrimin  deklarimit, por dukt se cënon dhe besimin e publikut te sistemi i drejtësisë.

Subjekti deklaroi se kur kishte plotësuar deklaratën për kontrollin e figurës nuk e kishte ditur për sekuestrimin e llogarive të të atit. Sipas saj, babai nuk kishte qenë ndonjëherë person nën hetim dhe nuk ishte pyetur nga prokuroria as në cilësinë e personit që ka dijeni mbi ngjarjen.

Meçi shtoi, se verifikimi ishte kryer nga prokuroria në kohën kur ajo ishte duke përmbyllur studimet në fakultetin juridik dhe kishte qenë e angazhuar me provimet në atë kohë.

Lidhur me skuestrimin e llogarive bankare të të atit, ajo solli në vëmendje se nuk ishin kryer bazuar në ligjin  e ashtëquajtur “antimafia”. Meçi deklaroi se pas ankimit të kryer nga babai, masa e sekuestros kishte mbetur në fuqi pjesërisht. Ajo i cilësoi vendimet e sekuestros jo përfundimtare duke theksuar se ato mund të hiqen në çdo moment.

Për t’u mbrojtur lidhur me konstatimet e KPK për të atin, ajo solli në vëmendje një tjetër vendim të Komisionit për një subjekt rivlerësimi, që sipas saj kishte marrë nga babai një hua 14 mijë euro, por që nuk ishte konstatuar asnjëherë se kishte qenë person nën hetim.

Vëzhguesi ndërkombëtar, Theo Jacobs solli në vëmendje se babai i saj kishte qenë në fokus të hetimeve të prokurorisë. Ai pyeti se si mund të përkonin situatat se babai nuk kishte qenë nën hetim, ndërkohë që i ishin bllokuar llogaritë.

Meçi deklaroi se kishte qenë banka që kishte bërë sinjalizimin për një transaksion, por ajo ritheksoi se babai nuk kishte qenë asnjëherë person nën hetim për këtë çështje.

Jacobs shtoi se prokurori që kishte marrë hua nga babai i subjektit ishte drejtues dhe se ishte shkarkuar për këtë çështje. “Babai juaj ishte target i hetimit të prokurorisë. Nuk ka lidhje nëse ishte regjistruar procedimi penal ndaj tij ose jo”, theksoi Jacobs.

Subjekti pohoi se prokurori që kishte marrë hua nga babai nuk ishte shkarkuar për këtë arsye, por për probleme të tjera. Sipas saj, procedimi ishte i vitit 2014, ndërsa huaja iushte dhënë shumë vite më vonë.

Në përfundim, ajo kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK njoftoi në seancë se vendimi do të shpallej më datë 16 janar, por në vijim njoftoi se ishte shtyrë pasi ishte riçelur hetimi administrativ për këtë subjekt rivlerësimi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *