Seanca e prkurorit Ylli Bashaj në KPA | Foto: Vladimir Karaj
KPA Lajme

KPA urdhëron Komisioneren Publike të mbaj qëndrim mbi gjetjen e ONM-së

Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) mori vendim të ndërmjetëm për të urdhëruar Komisioneren Publike që të dalë me qëndrim sa i përket një gjetje të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM) në çështjen ndaj prokurorit Ylli Bashaj.

Gjetja e ONM u paraqit në seancën e mëparshme dhe që siç u përmblodh nga palët të hënën, kishte të bënte me pasurinë e Bashajt dhe dyshimet e ngritura rreth saj. Bashaj e cilësoi atë si mendim personal të vëzhguesve dhe këmbënguli se kjo gjetje tejkalonte shkaqet e ankimit. Ai theksoi se pretendimet e ngritura në gjetje nuk qëndronin.

Komisionerja Publike, Irena Nino e pyetur në seancë nga kryesuesja Albana Shtylla dhe më pas nga relatorja Natasha Mulaj, e shmangu përgjigjen e drejtpërdrejtë mbi gjetjen e ONM. Nino tha se do të shprehej për të në bisedimet përfundimtare të çështjes. Por pasi dëgjoi palët, trupa e mbledhur në dhomë këshillimi u shpreh ndryshe.

Fillimisht KPA bëri me dije se gjetja do të pranohej si provë në proces. Më pas Kolegji urdhëroi komisioneren Nino që të shprehej me shkrim në lidhje me qëndrimin e saj mbi këtë gjetje. Gerrit Sprenger, vëzhguesi ndërkombëtar i pranishëm në seancë, po ashtu u shpreh se Komisioneri Publik duhej të paraqiste qëndrim të qartë me shkrim në lidhje me gjetjen e ONM-së. KPA i la kohë Komisioneres të paraqesë qëndrimin e saj deri në seancën e radhës më 19 janar.

Gjatë seancës palët paraqitën parashtrimet e tyre. Nino i qëndroi ankimit të saj dhe vuri në dukje se kërkonte shqyrtim të gjendjes financiare të subjektit dhe transaksioneve mbi një apartament të blerë në vitin 2000.

“Si përfundim, Komisioneri Publik, në të tilla rrethana, brenda kompetencave të tij kushtetuese, në zbatim dhe të rekomandimit të ONM-së, vlerëson se shkaqet e ankimit në vlerësimin e kriterit të pasurisë, do të duhet të gjejnë përgjigje gjatë vlerësimit të çështjes në Kolegj”, u shpreh Nino.

Bashaj i kundërshtoi gjetjet dhe kërkoi që vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) të qëndronte në fuqi. Bashaj po ashtu kundërshtoi edhe pretendimet e ngritura në gjetjen e ONM-së duke këmbëngulur se rasti i tij nuk ishte i ngjashëm me ato të sjella në gjetje. Bashaj la të kuptohej se opinioni i vëzhguesve e paragjykonte atë duke kërkuar shkarkimin e tij.

Siç doli në fjalën e tij, gjetja apo opinioni i nënshkruar nga tre vëzhgues i kërkonte Kolegjit të qartësonte “kriterin e proporcionalitetit” mbi të cilin KPK kishte vendosur konfirmimin në detyrë të Bashajt. Ky i fundit këmbënguli se rastet e paraqitura si shembuj nuk ishin të ngjashme me çështjen e tij.

Po ashtu Bashaj kundërshtoi gjetjen sa i përket shpenzimeve jetike.

Sprenger e pyeti Bashaj mbi çmimin real të apartamentit. Sipas parashtrimit të vëzhguesit, subjekti i rivlerësimit kishte paguar 28 mijë euro në vitin 2000 për apartamentin dhe kishte marrë në vitin 2001 një kredi 8 mijë euro, po për këtë apartament.

Ose apartamenti kishte kushtuar 36 mijë euro, ose kontrata me shumën 28 mijë euro ishte nënshkruar për të mundësuar këtë kredi, theksoi Sprenger.

Bashaj këmbënguli se apartamenti kishte kushtuar 28 mijë euro. Ai tha se ishte e kuptueshme që shuma e paguar në vitin 2000 kishte qenë 20 mijë euro dhe se kjo ishte arsyeja pse ishte marrë kredia.

Rasti i Bashaj po gjykohet nga një trupë e kryesuar nga Albana Shtylla, me anëtar Natasha Mulaj, Sokol Çomo, Ina Rama dhe Mimoza Tasi.

Bashaj, i cili u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në qershor të vitit që shkoi, përballet në KPA me ankimin e Komisionerit Publik dhe një rekomandim të ONM.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *