Edina Kurti, prokurore e Prokurorisë Durrës: Foto Edmond Hoxhaj
Analiza KPK Veting

KPK me dy qëndrime: Si u përmbys balanca negative për prokuroren Edina Kurti

Prokurorja e Durrësit, Edina Kurti u konfirmua në detyrë më 1 nëntor 2022, pasi shumica e trupës së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, i konsideroi bindëse shpjegimet e saj për pasurinë duke e përmbysur balancën negative, ndërkohë që problemet në kriterin profesional u konsideruan jodomethënëse.

Kurti e vijoi detyrën bazuar në votat e kryesueses Valbona Sanxhaktari dhe anëtarit Olsi Komici, ndërsa relatorja e çështjes, Xhensila Pine çmoi se duhej të ishte shkarkuar për pamjaftueshmëri financiare dhe cenim të besimit të publikut me veprimet dhe mosveprimet e saj gjatë hetimit të disa çështjeve.

Edina Kurti e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2002 si oficere e policisë gjyqësore. Ajo u emërua prokurore në vitin 2012 dhe pasi e ushtroi funksionin për afro një dekadë në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kavajë, së fundmi është transferuar në atë të Durrësit.

Vlerësimi ndryshe për pasuritë

Në kriterin pasuror, Komisioni është ndarë në vlerësimin e një apartamenti në Durrës, ku subjekti rezulton bashkëpronare me bashkëshortin dhe vjehrrën me pjesë takuese 1/3-at secili. Po ashtu, shumica dhe pakica kanë dalë me vlerësime të ndryshme për një kontratë shërbimi të nënshkruar nga bashkëshorti i subjektit me një shoqëri.

Si burime krijimi për apartamentin me sipërfaqe 127 m2 në Durrës të blerë në vitin 2014 kundrejt çmimit 9.7 milionë lekë, Kurti ka deklaruar kredi në shumën 2 milionë e 486 mijë lekë të përfituar nga vjehrra në vitin 2014 si e pastrehë; vlerën 5.2 milionë lekë të paguar po nga vjehrra në vitin 2011, por pa specifikuar të ardhurat që kanë shërbyer si burim për krijimin e kësaj shume; si dhe kursimet cash të saj dhe të bashkëshortit në shumën 2 milionë lekë, me burim të ardhurat familjare të mbledhura ndër vite dhe ato të përfituara nga puna e bashkëshortit në emigracion.

E pyetur nga ILDKPKI-ja lidhur me burimin e shumës 5 milionë e 298 mijë lekë, subjekti ka deklaruar se një pjesë e këtij fondi rjedh nga të ardhurat e punës që vjehrri dhe vjehrra kanë bërë në Greqi në vitet 1993-2003. Gjithashtu, ka sqaruar se vjehrri i saj M. K., prej vitit 2001 ka punuar në detyrën e drejtorit të Agjencisë Detare Shtetërore Taulantia sh.a., si dhe kanë bërë bashkim familjar në Kanada me vajzën e tyre që jeton prej shumë vitesh në atë shtet, ku janë pajisur edhe me karta qëndrimi dhe marrin një suplement pagese mujore.

Ndërsa e pyetur gjatë hetimit administrativ në KPK, Kurti ndër të tjera ka deklaruar se pjesa më e madhe e shumës 5 milionë e 298 mijë lekë është nga kontributi i vajzës së tyre që jeton dhe punon nga Kanada prej vitit 2002 e në vijim.

Gjithashtu, Komisioni ka konstatuar se si burim për këstin e tretë në shumën 2 milion e 486 mijë lekë ka qenë një hua e marrë nga vjehrra e subjektit dhe jo kredia, megjithëse kjo vlerë është deklaruar se ka shërbyer për të shlyer huanë.

Në përmbyllje të hetimit paraprak, subjektit i është kaluar si barrë prove pamundësia për të vërtetuar me dokumentacion ligjor kohën e pagesës së këstit të parë të apartamentit nga prindërit e bashkëshortit në shumën 5 milionë e 298 mijë lekë; si dhe se nuk ka provuar burimin e ligjshëm të kësaj vlere.

Kurti ka pretenduar se ka kontribuar edhe motra e bashkëshortit që jeton dhe punon në Kanada, në shumën 40 mijë dollarë kanadezë. Bazuar edhe në këtë argument, subjekti ka pretenduar se ka vërtetuar se prindërit kanë pasur burime financiare të ligjshme të mjaftueshme për të paguar këstin e parë në vitin 2011, megjithëse nuk ka detyrim të provojë këtë burim për bashkëpronarët, të cilët sipas saj nuk janë persona të lidhur.

Këto pretendime janë gjetur të drejta nga shumica, që vlerëson se subjekti ka provuar se kunata jeton dhe punon në shtetin kanadez dhe se ajo dhe bashkëshorti i saj kanë përfituar të ardhura të konsiderueshme nga puna e tyre, të cilat mundësojnë plotësisht krijimin e shumës 40 mijë dollarë kanadez.

“Sigurisht që në këtë rast vlerësimi përfundimtar i kësaj situate është kryer për një nivel më të ulët provueshmërie, për shkak se prindërit e bashkëshortit të subjektit nuk përfshihen në rrethin e personave të lidhur, në kuptim të ligjit nr. 84/2016, por as në rrethin e personave të tjerë të lidhur, të cilët sipas përcaktimeve të pikës 4 të nenit 32 të këtij ligji të vendoseshin në kushtet e detyrimit për të provuar ligjshmërinë e burimit të krijimit të pasurisë, për sa kohë nuk ndodheshin në një marrëdhënie dhurimi, huamarrje ose huadhënie me subjektin e rivlerësimit”, argumenton shumica.

Pine në pakicë vëren se kontributi i kunatës në vlerën 40 mijë dollarë kanadezë është deklaruar nga subjekti vetëm gjatë hetimit administrativ. “Ky burim nuk është deklaruar as në deklaratën Vetting dhe as në përgjigjet sqaruese në ILDKPKI në vitin 2016, kohë kur subjekti ka dhënë shpjegime të hollësishme mbi çdo pagesë të kryer dhe burimin e këtij apartamenti”, konstaton Pine dhe duke iu referuar jurispudencës së Kolegjit vlerëson se ky pretendim i subjektit nuk mund të merret në kosideratë. Sipas pakicës, mbetet i pa vërtetuar burimi i ligjshëm i shumës 5 milionë e 298 mijë lekë që ka shërbyer për pagesën e këstit të parë.

Për këstin e dytë në shumën 2 milionë lekë nga kursimet e subjektit dhe të bashkëshortit, ka rezultuar se ata nuk kanë deklaruar pakësimin e gjendjes cash, e për rrjedhojë Komisioni ka vlerësuar fillimisht se kjo vlerë nuk mund të jetë përdorur si burim krijimi i apartamentit në Durrës.

Subjekti ka pretenduar ndër të tjera, se e ka pasqyruar qartësisht në deklaratën “veting”, se shuma prej 2 milionë lekësh që është disponuar cash në banesë, është paguar prej saj dhe bashkëshortit për pagesën e këstit të dytë.

Shumica argumenton se për vlerësimin e pasurisë, procesi nis me verifikimin dhe kontrollin e deklarimeve të bëra nga subjekti në deklaratën e rivlerësimit “veting”, e më tej me krahasimin dhe analizimin e saj në raport me deklarimet periodike të interesave, në këndvështrim edhe të vlerës së provës që marrin këto deklarata.

Duke iu referuar jurispudencës së Kolegjit, shumica vlerëson se pasaktësitë në deklarimet periodike, kur nuk shoqërohen me mungesë të burimeve të ligjshme për krijimin e pasurive, nuk mund të konsiderohen si shkaqe që mund të ngarkojnë me përgjegjësi subjektin e rivlerësimit.

Edhe Pine në pakicë i referohet në arsyetimin e saj jurispudencës së Kolegjit dhe legjislacionit të vetingut që përcakton se deklaratat periodike kanë vlerën e provës, por ajo çmon ndryshe. Sipas saj, pakësimi i gjendjes cash i padeklaruar në vitin 2014, nuk mund të merret në konsideratë në analizën financiare. Pine vlerëson se saktësia dhe mjaftueshmëria e deklarimeve për një subjekt, matet vetëm përmes deklarimeve të sakta dhe të plota.

Nga hetimi paraprak është konstatuar se nuk është provuar burimi i ligjshëm i shumës 2 milionë e 486 mijë lekë që i’u dha hua prindërve të bashkëshortit të subjektit për pagesën e këstit të tretë, me dakordësinë se do t’i kthehej kjo vlerë sapo të disbursohej kredia.

Shumica çmon se Kurti ka deklaruar me vërtetësi shumat e depozituara në llogarinë e nënës së bashkëshortit në vitin 2014 dhe për burimin e krijimit të kësaj vlere, në masën 18 mijë euro, që është marrë hua prej vjehrrës për realizimin e pagesës së këstit të tretë.

Ndërsa Pine vlerëson se subjekti ka kryer deklarim të pasaktë lidhur me burimin e pagesë së këtij kësti, pasi nuk ka pasqyruar në deklaratën “veting”, huanë e marrë nga Sh.M..

Pine konstaton se një prej burimeve të shumës së dhënë vjehrrës së subjektit është shtuar gjatë hetimit administrativ dhe për këtë arsye nuk mund të përfshihet në analizën financiare. Sipas saj, subjekti ka dështuar të vërtetojë ligjshmërinë e burimeve finaciare që kanë shërbyer për pagesën e këstit të tretë në 2014-ën.

Gjatë hetimit administrativ, Komisioni ka administruar një kontratë porosie të vitit 2014, të lidhur mes një shoqërie dhe bashkëshortit të subjektit, ku ky i fundit ka marrë përsipër ndihmën në fushën e menaxhimit, administrimit, reklamimit, kërkimit, gjetjes së tregut të shitjeve brenda dhe jashtë vendit – të produkteve që tregton kjo shoqëri, si dhe për realizimin e shitjes së tyre.

Subjekti ka sqaruar se bashkëshorti ra dakord me përfaqësuesin ligjor të shoqërisë në fjalë, por për shkak të mungesës së investimeve nga shoqëria për realizimin e kontratës së shërbimit, është kryer revokimi i saj në vitin 2015.

Komisioni ka konstatuar se nënshkrimi i kësaj kontrate dhe revokimi duhej të ishin pasqyruar në deklarimet e viteve përkatëse dhe i ka kaluar subjektit barrë prove se bashkëshorti ka shmangur nga detyrimi për deklarim të ardhura të pritshme të dakordësuara apo përfituara bazuar në kontratën e shërbimit të vitit 2014.

Shumica i ka gjetur bindëse shpjegimet e subjektit se nuk është detyrim ligjor deklarimi i të ardhurave të parealizuara apo i atyre të pritshme për t’u realizuar në të ardhmen.

Por, Pine evidenton se sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Biznesit, QKB, rezulton se kompania ka pasur fitime të deklaruara në vitet përkatëse dhe i gjen të pambështetura deklarimet e subjektit se bashkëshorti nuk përfitoi asnjë të ardhur nga kjo kontratë. “Në vitin 2016 në deklarimin ne ILDKPI ka deklaruar vendimin e ortakut të vetëm të shoqërisë nr.*** datë 18.02.2018, nëpërmjet të cilit ortaku i vetëm i shoqërisë “***” shpk ka shpërblyer administratorin Z. I. K. në përqindje me fitimin e realizuar nga shoqëria gjatë vitit 2017 për shumën 7.925 euro”, konstaton Pine dhe çmon se bashkëshorti i subjektit ka shmangur nga detyrimi për deklarim të ardhura të pritshme të dakordësuara apo përfituara bazuar në kontratën e porosisë. Po ashtu, ajo vlerëson se në këtë rast janë ndërmarrë hapa për të fshehur ose paraqitur në mënyrë të pasaktë të ardhurat.

Pasi shumica i ka vlerësuar bindëse shpjegimet e Kurtit, në analizën financiare të përgjithshme ka konstatuar balancë negative në vlerën totale 240 mijë lekë, të shpërndarë në tre vite.

“Duke gjykuar mbi bazën e parimit të proporcionalitetit, deklarimet e pasakta dhe balanca financiare negative, të konstatuara si më sipër nuk ndikojnë në vlerësimin tërësor të pasurisë së subjektit”, arsyeton shumica dhe konkludon se prokurorja Edina Kurti ka arritur një nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë.

Ndërsa Pine në pakicë çmon se Kurti nuk ka shpjeguar bindshëm burimin e ligjshëm të pasurive të saj, si dhe ndërmarrë hapa për të fshehur ose paraqitur në mënyrë të pasaktë pasuritë.

Konkluzionet për profesionalizmin

Në kriterin profesional, shumica nuk ka gjetur provleme domethënëse. “Komisioni çmon se në vlerësimin e përgjithshëm nuk janë konstatuar rrethana, gabime thelbësore dhe serioze apo një seri e qartë dhe e vazhdueshme e gjykimeve të gabuara prej subjektit të rivlerësimit, gjë që mund të çonte në konstatimin e mungesës së aftësive profesionale”, vlerëson shumica dhe konkludon se Kurti ka arritur nivel kualifikues në kriterin profesional.

Ndërsa Pine në pakicë çmon se shkeljet apo mangësitë profesionale të konstatuara pengojnë kualifikimin e Kurtit si të përshtatshëme profesionalisht. Sipas saj, përmbajtja e problemeve profesionale të konstatuara përgjatë hetimit administrativ, përfshirë numrin e çështjeve, në të cilat janë evidentuar mjaftojnë për t’i konsideruar në vlerësimin tërësor.

Pine rendit gjetjet për të cilat konkludon se subjekti gjendet në kushtet e cënimit të besimit të publikut tek drejtësia.

Nga verifikimi i një vendimi mosfillimi, ka rezultuar se Kurti nuk ka marrë masat për ruajtjen e vendit të ngjarjes dhe fiksimin e gjurmëve dhe provave materiale.

Në një rast tjetër ka rezultuar se subjekti nuk ka regjistruar emrin e personit që i atribuohet vepra penale, megjithëse në referimin e policisë gjyqësore është evidentuar emri i personit, i cili mendohet se lidhet me veprën penale.

Sipas Pines, në një tjetër çështje subjekti i rivlerësimit ka bërë arsyetim të gabuar dhe kontradiktor në vendimin e pushimit. Ajo evidenton se nuk është regjistruar procedimi për katër muaj, duke bërë që personi i dyshuar të përfitojë nga ligji “Për amnistinë”.

Në vijim, Pine analizon një çështje ku rezulton se subjekti ka bërë interpretim të gabuar në një kërkesë për njohje të një vendimi penal të huaj, ndërkohë që duhej të bënte kërkim për rishikimin e vendimit. Sipas pakicës, subjekti nuk ka dhënë shpjegime bindëse përse nuk ka vijuar me korrigjimin e objektit të kërkesës, sikundër është përcaktuar në vendimin e gjykatës. Pine vlerëson se mosveprimet e Kurtit kanë sjellë mbajtjen në burg të të dënuarit, tej kohës së caktuar në vendimin e dënimit, duke përbërë shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

“Lidhur me kriterin profesional e denoncimet kam arritur në konkluzionin se veprimet e mosveprimet e subjektit të rivlerësimit në çështjet e analizuara më sipër cenojnë besimin e publikut te drejtësia dhe përbëjnë shkak që ndaj saj të aplikohet neni 61, pika 5 e ligjit nr. 84/2016”, vlerëson Pine dhe kërkon shkarkimin e prokurores Edina Kurti.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *