Gjyqtarja Etleva Deda në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Foto: Edmond Hoxhaj.
Analiza KPA Veting

KPA u nda në vlerësimin e pasurisë së gjyqtares Etleva Deda

Gjyqtarja e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Etleva Deda arriti ta mbrojë konfirmimin e saj në detyrë edhe në shkallën e dytë të vetingut.

Deda u konfirmua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit më 12 qershor 2020, pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK çmoi se ajo arriti nivel të besueshëm në të tre kriteret e rivlerësimit. Por Komisioneri Publik, Florian Ballhysa ushtroi ankim duke e cilësuar vendimin e Komisionit të cenueshëm në tërësinë e tij.

Në ankim u konstatuan pasaktësi në deklarimet e gjendjes cash në vite, për të cilat KPK ka arsyetuar se nuk ishin të qëllimshme, pasi ishin sqaruar në deklaratën “veting” dhe nuk mund të sillnin penalizim.

Ballhysa vlerësoi se KPK i ishte referuar gabim jurisprudencës së KPA-së lidhur me mënyrën e deklarimeve të gjendjeve cash dhe konkludoi se subjekti i rivlerësimit ka kryer deklarim të pasaktë e të pamjaftueshëm në kriterin e pasurisë.

Po ashtu, ai konstatoi se subjekti gjendej në kushtet e cënimit të besimit të publikut tek drejtësia, në përdorimin e vlerës së përfiuar nga një kredi me kushte lehtësuese, për të përfituar të ardhura shtesë.

Katër prej anëtarëve të trupit gjykues të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, KPA, Rezarta Schuetz, Albana Shtylla, Natasha Mulaj dhe Mimoza Tasi i gjetën të pabazuara shkaqet e ngritura nga Ballhysa, duke lënë në fuqi vendimin e Komisionit.

Në pakicë, anëtari Sokol Çomo e ka gjetur të drejtë konkluzionin e Komisionerit Publik se Deda gjendet në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm të pasurisë dhe se nuk duhej të konfirmohej në detyrë. Megjithëse ai nuk e gjen penalizues shkakun për cënimin e besimit të publikut tek drejtësia, e vlerëson të papranueshëm përfitimin financiar duke përdorur vlerën e përfituar nga kredia e butë, ku një pjesë e interesave shlyhen nga taksapaguesit shqiptarë.

Vlerësimi ndryshe për pasurinë

Subjekti ka deklaruar se në tetor të vitit 2009 ka lidhur kontratën e porosisë për apartamentin me sipërfaqe 115 m2 në Tiranë që zotëron aktualisht, kundrejt çmimit 92 mijë euro – nga të cilat 72 mijë euro i ka likujduar menjëherë, ndërsa 20 mijë euro me kryerjen e aktit përfundimtar të shitblerjes. Në nëntor të vitit 2011, ka shlyer gjithë vlerën për apartamentin dhe një muaj më vonë e ka regjistruar.

Si burime krijimi të kësaj pasurie, subjekti ka deklaruar një kredi me kushte lehtësuese në vlerën 5 milionë lekë; të ardhura nga paga të siguruara nga puna ndër vite dhe 15 mijë euro të dhuruara nga prindërit në vitin 2009. Subjekti ka shpjeguar se vlera e dhuruar nga prindërit rrjedh nga të ardhurat e siguruara prej tyre nga shitja e një apartamenti.

Sipas Komisionit, mosdeklarimi i disponimit të likujditeteve cash pas tërheqjes së vlerës 5 milionë lekë të përfituar nga kredia, nuk ka pasur si qëllim fshehjen e ndonjë pasurie. Për këtë arsye, pasaktësitë janë konsideruar jo penalizuese.

Ndryshe nga Komisioni, Ballhysa vlerësoi se subjekti ka pasur detyrimin të deklarojë vlerën e likuiditeteve gjendje në cash, jashtë sistemit bankar, në lekë ose valutë të huaj, si dhe çdo ndryshim të këtyre vlerave. Ai konstatoi se, pas tërheqjeve nga llogaritë bankare të shumës së kredisë prej 5 milionë lekësh në vitin 2007, nuk rezulton të ketë deklaruar në asnjë prej deklaratave periodike të interesave të viteve 2007 e 2008, posedimin cash në banesë ose përdorimin e tyre, duke bërë të pamundur gjurmimin e këtyre të ardhurave gjatë viteve përkatëse.

Deda prapësoi duke pretenduar se kaishte pasqyruar kredinë në deklartat e interesave privatë vjetorë, nga viti 2006 e në vazhdim. Ajo theksoi se nuk kishte kryer asnjë veprim juridik gjatë asaj periudhe dhe për rrjedhojë, shumën e kredisë që e ka pasur gjendje cash në banesë deri në vitin 2009, e ka vlerësuar si fakt të deklaruar. Sipas Dedës, veprimet e kryera prej saj janë të qarta dhe mosdeklarimi i gjendjes cash në fund të vitit 2007, ka qenë një pasaktësi e paqëllimshme.

Kolegji e gjen të drejtë konstatimin e Ballhysës se Deda ka kryer deklarim të pasaktë për shkak të mospasqyrimit të disponimit cash të shumës 5 milionë lekë në deklaratat e pasurisë të viteve 2007 dhe 2008.

Por, shumica e trupit gjykues të KPA konstaton se mosdeklarimi i këtij fakti juridik nga subjekti i rivlerësimit në deklarimet periodike, nuk pamundësoi institucionet e rivlerësimit për kontrollin dhe verifikimin e vërtetësisë së deklarimeve të tij në deklaratën e rivlerësimit.

“Trupi gjykues, pasi çmoi të ritheksojë vlerën që kanë deklarimet e mëparshme të subjekteve të rivlerësimit, në vijim edhe të asaj që është theksuar në jurisprudencën tashmë të konsoliduar të Kolegjit, arriti në konkluzionin se pasaktësia e deklarimeve periodike, në rastin konkret, nuk përbën shkak për deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë objekt kontrolli, deklaruar saktë e plotësisht në deklaratën e rivlerësimit, pasi nuk ka rezultuar asnjë e dhënë, sipas së cilës mosdeklarimi i posedimit në cash të shumës prej 5.000.000 lekësh në vitet 2007 dhe 2008 dhe përdorimi i saj në vitin 2009, të ketë shërbyer për fshehjen e veprimeve të subjektit të rivlerësimit lidhur me këtë pasuri”, arsyeton shumica dhe shton se në deklaratat periodike gjenden gjurmë të rrethanave faktike të pretenduara nga subjekti në deklaratën “veting”.

Shumica vëren se subjekti dhe personat e lidhur me të nuk rezulton që të kenë krijuar pasuri apo të jenë kryer shpenzime gjatë periudhës kur këto likujditete janë mbajtur cash në banesë. Në vijim shumica vëren se nga autoritetet ndihmëse për kontrollin e kriterit të figurës, nuk është raportuar asnjë dyshim apo indicie për përfshirje të subjektit të rivlerësimit në veprime korruptive dhe e vlerëson bindës shpjegimin për mbajtjen e shumës 5 milionë lekë në banesë dhe përdorimin e kësaj vlere për pagesën e këstit të parë.

Anëtari në pakicë, Sokol Çomo vlerëson ndryshe nga kolegët e tij, duke mbështetur vlerësimin e Komisionerit Publik. “…Në kushtet kur subjekti i rivlerësimit nuk rezulton të ketë deklaruar në asnjë prej deklaratave periodike të viteve 2007 e 2008, por aq më tepër as në atë të vitit 2009, posedimin cash në banesë të shumës së kredisë prej 5.000.000 lekësh ose përdorimin e saj në lekë apo në euro, e bën të pamundur për institucionet e rivlerësimit gjurmimin e ekzistencës së kësaj shume në vitet përkatëse”, çmon Çomo.

Ai shton se pretendimi i subjektit të rivlerësimit se gjatë viteve 2007-2009 ka gjeneruar të ardhura shtesë nëpërmjet përfshirjes së shumës 5 milionë lekë në transaksione në tregun e lirë të këmbimit valuator, është i paprovuar. Çomo argumenton, se nëse një gjë e tillë do të kishte ndodhur duhej të ishte pasqyruar në deklaratat periodike të viteve përkatëse, duke identifikuar vlerën e shtuar apo të pakësuar nga përdorimi i vlerës së kredisë në tregun e lirë të këmbimit valutor.

“…Nuk duhet prezumuar se subjekti i rivlerësimit ka fituar të ardhura nga këto transaksione financiare, pasi ekziston edhe mundësia tjetër që subjekti të ketë pësuar humbje të konsiderueshme nga këto transaksione, për shkak të luhatjeve të kursit të këmbimit”, arsyeton Çomo.

Ai arrin në konkluzionin se është objektivisht e pamundur për të kontrolluar transaksionet e kryera me shumën e kredisë dhe verifikimin e të ardhurave të pretenduara si të krijuara si pasojë e këtyre transaksioneve, për të arritur në përfundimin nëse këto vlera përbëjnë apo jo burim të ligjshëm për pagimin e këstit të parë prej 72 mijë eurosh në vitin 2009.

Kolegji e ka rrëzuar analizën e Komisionerit Publik lidhur me kursimet nga pagat për vitet 2006 dhe 2009. Në ankim, Ballhysa ka argumentuar se nga përllogaritja financiare e vitit 2006 dhe në 2009-ën, rezulton se subjekti i rivlerësimit nuk mbulon me burime të ligjshme kursimet e deklaruara, përkatësisht me diferenca negative në shumat 150 mijë lekë dhe 376 mijë lekë. Sipas komisionerit, subjekti nuk ka deklaruar në 2009-ën pakësim të gjendjes cash.

Deda i kundërshtoi këto konstatime të Ballhyës gjatë shqyrtimit të çështjes në Kolegj, duke këmbëngulur se shpjegimet e saj janë në harmoni me deklarimet periodike dhe se pasaktësitë kanë qenë të paqëllimshme.

Shumica vlerëson se subjekti ka pasur mundësi të krijojë kursime në vitet në fjalë dhe konludon balanca pozitive.

Çomo në pakicë, konstaton se subjekti nuk ka deklaruar pakësimin e kursimeve cash në banesë dhe vlerëson se pretendimet e Dedës gjatë hetimit administrativ në Komision, nuk përputhen as me deklaratat periodike vjetore dhe as me atë “veting”.

“Kolegji… ka orientuar Komisionin që të mos prezumojë përdorimin nga subjektet të gjendjeve ‘cash’ si burime për krijimin e pasurive dhe mbulimin e shpenzimeve, për sa kohë një gjë e tillë nuk është deklaruar në mënyrë të qartë dhe të plotë nga vetë subjekti i rivlerësimit në deklaratat periodike,” vëren Çomo.

Komisioni ka çmuar se është provuar mundësia financiare e prindërve të gjyqtares për blerjen e apartamentit në Durrës në vitin 2003 dhe detyrimin për pagimin e tatimit mbi të ardhurat nga shitja e kësaj pasurie në vitin 2006, prej dhe nga është përfituar shuma 15 mijë euro e dhuruar.

Por, Ballhysa ka vlerësuar se nuk është shpjeguar në mënyrë të besueshme origjina e ligjshme të shumës prej 15 mijë eurosh që i është dhuruar subjektit nga prindërit. Sipas Komisionerit Publik, në dosjen e Komisionit nuk dokumentohet pagesa e tatimit për të ardhurat.

Subjekti ka shpjeguar se shuma e dhuruar e ka burimin nga diferenca e mbetur midis apartamentit të shitur nga babai dhe blerja e një banese tjetër më të vogël prej tij. Sipas Dedës, apartamentet në fjalë janë ende të paregjistruara nga shoqëritë respektive të ndërtimit.

Edhe Kolegji vëren këtë fakt dhe duke analizuar kuadrin ligjor, vlerëson se babait të subjektit do t’i lindte detyrimi për ta paguar tatimin, në momentin e lidhjes së kontratës së shitjes. “Në kushtet kur kontrata e shitblerjes nuk është lidhur ende, siç rezultoi nga hetimi i kryer në Kolegj, nuk ka lindur ende detyrimi i z. D. për të paguar detyrimin tatimor”, çmon KPA dhe konkludon se për shumën e dhuruar 15 mijë euro plotësohen kërkesat për garantimin e ligjshmërisë.

Kolegji ka rrëzuar si të pabazuar edhe pretendimin e komisionerit, për pamundësi financiare të prindërve të subjektit për shumën e dhuruar. Në përfundim Kolegji konkludon se gjyqtarja Etleva Deda ka pasur burime financiare të ligjshme të mjaftueshme për blerjen e apartamentit në Tiranë.

Cënimi besimit

Komisioneri Publik ka pretenduar në ankim se subjekti i rivlerësimit ka cenuar besimin e publikut te sistemi i drejtësisë, pasi ka përdorur vlerën e kredisë me kushte lehtësuese për të përfituar nga konvertimi i monedhave – përfitime të cilat nuk i ka dokumentuar dhe deklaruar në asnjë nga deklaratat periodike vjetore. Sipas Ballhysës, këto veprime janë në kontradiktë me sjelljen që pritet nga një magjistrat dhe cenojnë besimin e publikut te sistemi i drejtësisë.

Subjekti u ka qëndruar shpjegimeve të dhëna në Komision, kur ka deklaruar se, “sikurse shumica e popullsisë, këmbimin e lekut në euro e kam kryer në momentet më të volitshme, duke ndjekur kursin e këmbimit”. Sipas saj, të gjitha kursimet i ka konvertuar në euro duke ndjekur kursin në favor të kësaj lloj valute, pasi do të blinte shtëpi në kryeqytet, ku tregu i shitblerjes së banesave funksiononte në monedha të ndryshme.

Këto shpjegime janë çmuar të logjikshme nga Kolegji. “Sipas deklarimeve të subjektit të rivlerësimit, znj. Etleva Deda, ajo ka kryer pikërisht këtë veprim, ka këmbyer paratë nga një monedhë në tjetrën, me qëllim krijimin e një gjendjeje/shume monetare në monedhën euro, për blerjen e një banese, qëllim ky edhe i marrjes së kredisë në kushte lehtësuese”, konstaton Kolegji dhe vlerëson se përfitimi i mundshëm financiar nga ky veprim, do të mund të identifikohej vetëm nëse Deda do ta kishte investuar në institucione bankare për të përfituar mbi këtë shumë nga normat e interesit, apo nëse do ta kishte këmbyer këtë shumë nga “lekë” në “euro” dhe anasjelltas.

Sipas shumicës, nga analiza e të gjitha fakteve të rezultuara e të provuara nuk janë evidentuar shkaqe e shkelje konkrete që të çonin në bindjen se cenimi i besimit të publikut ishte i perceptueshëm dhe real. Për rrjedhojë kjo situatë nuk është konsideruar si shkelje e etikës.

Çomo bashkohet me konkluzionin e shumicës se ky shkak nuk mund të sjellë shkarkimin e subjektit, por ai e konsideron si sjellje të papranueshme përdorimin e kredisë me kushte lehtësuese për qëllime fitimprurëse.

“Në arritjen e këtij konkluzioni, kam mbajtur parasysh faktin se për këtë kredi, shteti në vitet 2006 – 2009, me paratë e taksapaguesve, i ka paguar bankës për llogari të subjektit, një pjesë të interesit prej 9% në vit, ndërkohë që subjekti i rivlerësimit ka paguar pjesën tjetër prej 3% dhe ndërkohë ka bërë veprimtari këmbimi valuator”, argumenton Çomo.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *