Gjyqtari Durim Hasa në KPK
Analiza KPK Vendi

KPK: Durim Hasa nuk provoi pasurinë dhe ka cënuar besimin e publikut

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vlerëson se gjyqtari i Beratit, Durim Hasa rezultoi me bilanc negativ për pasurinë, ndërkohë që me veprimet në disa transaksione për disa apartamente dhe qëndrimin e tij në disa çështje e vendimarrje ka cënuar besimin e publikut tek drejtësia. 

Gjyqtari Durim Hasa në KPK

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK shpalli më 14 qershor vendimin e shkarkimit nga detyra të gjyqtarit të Beratit Durim Hasa, pasi u gjet me probleme për pasurinë si dhe u konstatua se me veprimet e tij në transaksionet e disa apartamenteve dhe me disa vendimarrje të tij, kishte cënuar besimin e publikut tek drejtësia.

Procesi i vetingut për gjyqtarin Durim Hasa u krye nga trupi gjykues i KPK i kryesuar nga Firdes Shuli, me relatore Etleda Çiftjan dhe anëtar Roland Ilian.

Durim Hasa e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1994 dhe ka punuar fillimisht si gjyqtar në Gjykatën e Skraparit. Prej vitit 2008 deri në shkarkimin e tij nga detyra, Hasa e ushtroi funksionin në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Berat.

Në vendimin e arsyetuar të KPK renditen barrat e provës për të cilat gjyqtari Hasa nuk ka arritur të bindë Komisionin për të kundërtën e rezultateve të hetimit.

Mungesë burimesh për pasurinë

Komisioni konstaton se subjekti ka kryer deklarim jo të saktë për një apartament me sipërfaqe 96.6 m2 në Tiranë të blerë në vitin 2007, si dhe nuk ka pasur burime të ligjshme për krijimin e kësaj pasurie. Sipas KPK, Hasa nuk ka deklaruar saktë burimin e krijimit të shumës 34 mijë euro që ka shërbyer për të blerë këtë apartament, pasi në deklaratën veting ka shënuar si burim të ardhurat e familjes, ndërsa në 2006-ën ka deklaruar dhe një dhuratë nga babai dhe hua në vëllai. “[…]subjekti duhet të kishte deklaruar saktë burimin e krijimit, referuar kohës së kryerjes së pagesës”, thekson Komisioni.

Trupi gjykues nuk ka marrë në konsideratë kursimet e pretenduara në shumën 200 mijë lekë para fillimit të detyrës në vitin 1992, duke u bazuar në jurispudencën e Kolegjit mbi të ardhurat e përfituara nga individët në Shqipëri deri në atë periudhë. “[…]për shkak të krizës drastike financiare që kaloi vendi atë vit, si pasojë e ndryshimeve të natyrës politike dhe ekonomike, janë të papërfillshme për shkak të inflacionit deri në 400% që kaloi ekonomia shqiptare”, referon KPK konkluzionin e Kolegjit.

Gjithashtu, KPK vlerëson se Hasa nuk provoi me dokumentacion ligjor burimin e ligjshëm të një huaje 400 mijë lekë të marrë nga vëllai në vitin 2006. “Pavarësisht deklarimit në DIPP-në e vitit 2006 të huasë, personi tjetër i lidhur duhet të provonte se këto të ardhura janë deklaruar në organet përkatëse tatimore dhe për to është paguar detyrimit tatimor. Fakti që këto vlera monetare janë në sistemin bankar, nuk justifikon ligjshmërinë e tyre”, shprehet Komisioni.

Sipas KPK, Hasa nuk provoi dot me dokumentacion ligjor edhe burimin e ligjshëm të babait për dhurimin e një shume 1 milion lekë.

Po ashtu nuk është konsideruar pretendimi i subjektit se në vitin 2006 ka kursyer 800 mijë lekë dhe jo 400 mijë lekë sa ishte deklaruar më parë, pasi sipas KPK ky qëndrim është paraqitur pas njohjes së subjektit me barrën e provës për mungesë burimesh.

Në përfundim tw analizws sw burimeve tw apartamentit, trupi gjykues i Komisionit konkludon se subjekti i rivlerësimit dhe personat e tjerë të lidhur kanë mungesë të burimeve financiare të ligjshme në shumën 2.2 milionë lekë për të justifikuar likuidimin e vlerës 34 mijë euro për apartamentin në vitin 2006, kur është porositur kjo pasuri.

Komisioni konstaton mospërputhje deklarimesh me provat e administruara në lidhje me pjesën takuese të një garazhi automjeti; deklarim jo të saktë dhe mungesë të burimeve të ligjshme për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 55 m2 në Berat për çmimin 2.4 milionë lekë dhe pamundësi për blerjen e një automjeti tip “Renault Megane” në 2011-ën për 2700 euro.

Hasa është gjetur me deklarim të pasaktë dhe mungesë burimesh dhe për dhënien hua të një shume 1.2 milion lekë në vitin 2005 shtetasit S.L.. Për rrjedhojë, nuk është konsideruar në analizën financiare shuma 200 mijë lekë e deklaruar prej subjektit si e përfituar si interesa financiare.

Sipas KPK, deklarimet kontradiktore dhe një sërë transaksionesh joformale në lidhje me një apartament të pronësi ose posedim të gjyqtarit Hasa në qytetin e Çorovodës ka sjellë vështirësi në kontrollin e ligjshmërisë së këtyre pasurive.

Mungesë burimesh janë konstatuar edhe për blerjen e një automjeti tip “Mercedes-Benz” në pronësi të djalit të subjektit.

Në tabelën financiare të hartuar nga Komisioni janë pasqyruar balanca negative për krijimin e pasurive dhe mbulimin e shpenzimeve për periudhën 1994-2016, në vlerën totale 4.7 milionë lekë.

Cënimi i besimit të publikut

Në vlerësimin tërësor, Komisioni ka analizuar disa çështje të shqyrtuara nga gjyqtari Hasa prej nga është konstatuar gjendja e tij në kushtet e konfliktit të interesit dhe se ai ka cënuar besimin e publikut tek drejtësia duke mos hequr dorë.

Sipas KPK, Hasa ka marrë vendim ndaj shtetasit S.L, me të cilin kishte marrëdhënie shoqërore dhe interesi, pasi i ka dhënë hua me interes. “Nëpërmjet marrjes së vendimit për vlerësim sigurie ndaj shtetasit S. L., me të cilin kishte marrëdhënie shoqërore dhe interesi dhe ishte në kushtet e papajtueshmërisë në ushtrimin e detyrës së tij”, konstaton KPK.

Nisur nga informacionet e institucioneve ligjzbatuese, Komisioni ka verifikuar një vendim për zëvendësim mase sigurie nga “arrest me burg” në “detyrim për paraqitje”. Sipas trupit gjykues, subjkti ka lehtësuar masën e sigurisë, ndonëse nuk plotësoheshin kushtet për zëvendësimin e masës së sigurimit.

“Ky vendim i dhënë nga subjekti, i parë në harmoni me provat e tjera të administruara gjatë hetimit, informacioni i verifikuar nga organet ligjzbatuese, si dhe bindja e brendshme e trupit gjykues, ka elementë që të bindin se në rastin konkret ka pasur një favorizim të të pandehurit në dhënien e masës së sigurisë”, shprehet trupi gjykues dhe vlerëson se ky favorizim ndikon në perceptimin e komunitetit ku jeton i pandehuri në lidhje me organet e drejtësisë.

Megjithëse ka pasur një hetim nga ish-Prokuroria e Krimeve të Rënda lidhur me këtë çështje për veprat penale, “ushtrim i ndikimit të paligjshëm nga funksionari që ushtron funksion publik”, “korrupsion pasiv të gjyqtarit, prokurorit dhe funksionarit tjetër të drejtësisë”, me kërkesë të SPAK është pushuar nga Gjykata e Posaçme me arsyetimin se nuk provohet se fakti egziston fakti penal. “[…]Ky vlerësim në këtë proces administrativ, në asnjë rast nuk vë në dyshim vendimin, të marrë nga Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, vlerëson KPK.

Nga hetimi është evidentuar edhe një rast kur gjyqtari Hasa ka takuar një të afërm të të pandehurit me inicialet A. M., gjatë kohës kur shqyrtonte çështjen.

“Frekuentimi i personave të afërm me të pandehurit, i gjykuar vetëm në dukje, cenon figurën dhe integritetin e një magjistrati, duke ndikuar në perceptimin e publikut për dhënien e drejtësisë”, vlerëson Komisioni dhe vëren se subjekti e ka konfirmuar vetë takimin me të afërmin e të pandehurit A.M. .

Komisioni sjell në vëmendje se gjyqtari Hasa ka kryer një sërë transaksionesh joligjore për dy apartamente në Çorovodë duke mos i kushtuar rëndësi anës formale.

Komisioni konstaton se Hasa nuk ka deklaruar në vitin 2003 transaksionet e kryera për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 52 m2 në Çorovodë në vitin 1996 dhe përdorimin e një apartamenti me sipërfaqe 59 m2 po në këtë qytet. Gjithashtu, ka rezultuar se ai nuk ka deklaruar në vitin 2011 kontratën e këmbimit të pasurive. “Subjekti i rivlerësimit ka ushtruar tagrat e pronarit të apartamentit me sip. 59 m2 , në lagjen “***” dhe apartamentit me sip. 52 m2 , në lagjen ‘***’, në Çorovodë, në kushtet kur nuk mund të sillej si pronar, pasi ndodhej në mungesë të dokumentacionit ligjor justifikues për posedimin de jure të këtyre apartamenteve”, shprehet Komisioni dhe konstaton se gjatë kësaj kohe subjekti ka kryer transaksione për blerjen dhe shitjen e tyre.

Hasa ka sqaruar se është dakordësuar me shtetasin E.D. që të blinte një apartament që ky i fundit e kishte përfituar me statusin e të pastrehut. Sipas Hasës, E.D. donte të blinte një apartament në një lagje tjetër ku jetonin prindërit dhe vëllezërit e tij.

Subjekti ka pretenduar se e ka blerë shtëpinë e përfituar prej E.D. si i pastreh pa nënshkruar dokumentacion pasi duhej që pala shitëse të shlyente kredinë për llogari të Entit Kombëtar i Banesave, EKB. Hasa ka pohuar në KPK se, me qëllim garantimin e blerjes së bërë ka kryer blerjen e banesës që kishte synim pala shitëse dhe pasi të shlyhej kredia për llogari të EKB-së do të kryenin ndërrimin.  Ai ka kërkuar që Komisioni të marrë në konsideratë edhe periudhën kur janë kryer veprimet.

Por Komisioni vlerëson se Hasa ka vepruar në një mënyrë jo të denjë për një magjistrat. “[…]i cili duhet të jetë i pari në dhënien e shembullit se dokumentacioni ligjor ka rëndësi[…]”, vwren KPK dhe shton se nga hetimi administrativ janë gjetur edhe disa mangësi profesionale.

Në përfundim KPK çmon se gjyqtari Durim Hasa duhej shkarkuar pasi ka kryer deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm për pasurinë, si dhe ka cënuar besimin e publikut te sistemi i drejtësisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *