Seanca ndaj prokurorit Mustafa Turku në KPK | Foto nga: Vladimir Karaj
Analiza KPK

Mustafa Turku u shkarkua për deklarim të pamjaftueshëm dhe cënim të besimit

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK, vendosi më 16 tetor të shkarkojë nga detyra prokurorin e Elbasanit, Mustafa Turku, pasi u konkludua se kishte kryer deklarim të pasaktë e të pamjaftueshëm për pasurinë, si dhe kishte cënuar besimin e publikut me veprimet dhe mosveprimet e tij në të paktën dy çështje. Ndërkohë, prokurori Turku mori vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës.

Vendimi për shkarkimin e Turkut u mor në mënyrë unanime nga trupa e KPK e kryesuar nga Firdes Shuli, me relatore Valbona Sanxhaktarin dhe anëtar Olsi Komicin. Mustafa Turku e nisi karierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1986. Ai punoi prej më shumë se dy dekadash si prokuror i Prokurorisë së Elbasanit.

Problemet e pasurisë

Trupa e KPK shprehet në vendimin e arsyetuar se problemet e konstatuara në vlerësimin e pasurisë së subjektit, e vendosin këtë të fundit në kushtet e deklarimit të pasaktë e të pamjaftueshëm. Në vijim Komisioni vlerëson se deklarimet e Turkut nuk kanë qenë të bazuara dhe në përputhje me dokumentacionin ligjor provues, përmes të cilit ai dhe personat e lidhur me të kanë fituar të drejta reale mbi pasuritë, objekt i këtij hetimi administrativ. Ndërkohë, nga analiza financiare ka rezultuar një bilanc negativ në shumën 4 milionë e 397 mijë lekë për gjithë periudhën e rivlerësuar.

“…Bazuar në parimin e objektivitetit e proporcionalitetit, trupi gjykues ka vlerësuar se situata negative financiare në vlerësimin tërësor të të gjitha pasurive të krijuara dhe shpenzimeve gjatë periudhës së ushtrimit të detyrës në shumën -4.397.122 (…) lekë është e tillë që të detyron aplikimin e masës disiplinore të shkarkimit nga detyra”, arsyeton KPK.

Subjekti është gjetur në pamundësi në shumën totale 901 mijë lekë për një shtëpi banimi apartament 3 + 1 + shtesa dhe blerjen e një automjeti në vitin 2000; për krijimin e një depozite 3.1 milionë në 2003-in ka rezultuar bilanc negativ në shumën 2.5 milionë lekë; në vitin 2005 është konstatuar pamundësi në shumën totale rreth 1.1 milion lekë për blerjen e një garsoniere në Golem(plazh) dhe për krijimin e gjendjes cash; si dhe një balancë negative 287 mijë lekë në vitin 2009 për blerjen e një automjeti.

Veç pamundësive financiare, për disa prej pasurive, Komisioni konstaton se deklarimet e subjektit në deklaratën “veting” nuk përputhem me deklarimet në vite, si dhe as me me dokumentacionin ligjor të kohës.

“’…Mosdeklarimet në deklaratat periodike vjetore, deklarimet e pasakta dhe të ndryshme në deklaratën Vetting, si dhe ato gjatë hetimit administrativ mbi përfitimin e kësaj pasurie, të cilat nuk gjetën zbatim as në ndonjë dokument të kohës apo në kontratën e shitblerjes së shtëpisë së prindërve të bashkëshortes, e çuan trupin gjykues në konkluzionin se nga tërësia e tyre nuk u arrit të provohej në ndonjë formë të dokumentuar dhurimi i kësaj pasurie, e cila është regjistruar në emër të subjektit të rivlerësimit dhe bashkëshortes së tij”, shprehet KPK në konkluzionin e analizës së garsonieres në Golem, pasuri për të cilën subjekti ka pretenduar se i është dhuruar bashkëshortes nga vëllai i saj në këmbim të pjesës takuese të falur nga ana e saj pas shitjes së banesës së familjes.

Po ashtu, në verifikimin e blerjes së automjetit në vitin 2000, KPK konstaton se qëndrimet e subjektit duket se vijnë në kontradiktë me deklarimet periodike, nga pamundësia e tij për të justifikuar burimin e ligjshëm.

Për rrjedhojë, KPK nuk ka konsideruar shpjegimet e subjektit në analizën e pasurive ku janë gjetur kontradikta mes pretendimeve dhe akteve të administruara, por është bazur në kontratat përkatëse të shitblerjeve dhe dokumentacionin tjetër ligjor.

Disa prej bilanceve negative në vlerë jodomethënëse, janë vlerësuar pej KPK në mënyrë kumulative edhe me situata të tjera financiare, duke u bazuar në parimin e proporcionalitetit dhe objektivitetit.

Cënimi besimit

Një ndër çështjet që KPK trajton në aspektin profesional ka të bëjë me qëndrimin e prokurorit Turku gjatë procesit gjyqësor që u kurorëzua me lirimin e Viktor Ymerit, i dënuar për vrasje.

Ymeri u lirua nga burgu në dhjetor 2019 pasi Gjykata e Elbasanit miratoi një sërë kërkesash të tij në disa procese paralele për ulje dënimi dhe përfitime  nga amnistia. Ymeri u arrestua sërish në vitin 2020 me akuza për vrasje të tjera, përfshi edhe atë të Vajdin Lamajt në 2005-ën.

“Nga analiza e qëndrimeve të organit të akuzës lidhur me këtë çështje, në vetvete shumë sensitive, rezulton se së paku subjekti i rivlerësimit ka reflektuar një sjellje profesionale sipërfaqësore e jo në përmbushje të detyrës, duke pranuar të drejtat e kërkuesit (të dënuarit) të paktën nëpërmjet mosveprimit të organit të akuzës. Tërësia e të gjitha sjelljeve pasive të organit të akuzës ndaj kësaj çështjeje dhe në fund ankimi ndaj një vendimi gjykate, për të cilin vetë organi i akuzës është shprehur dakord gjatë gjykimit e cila, në vetvete, mbetet e papërligjur në ndonjë rrethanë, prodhon gjithsesi një perceptim negativ të publikut”, arsyeton KPK.

Shpjegimet e Turkut se kjo është një praktikë e ndjekur në shumë raste nga organi i akuzës, vlerësohen nga Komisioni se munden të justifikojnë thelbin e zgjidhjes së çështjes. “[…]E cila, e vlerësuar në tërësinë e saj, ka cenuar thelbin e veprimtarisë së organit të akuzës duke e shndërruar atë një proces abuziv”, citohet në vendim.

Trupa e KPK vëren se nga një vëzhgim i kronologjisë së veprimeve të kryera prej subjektit, veprimeve e mosveprimeve të kryera prej tij, konstatohen sjellje sipërfaqësore, të cilat duket se, përpos të tjerave, kanë ndikuar në zgjidhjen e çështjes sipas kërkesave të të dënuarit, duke krijuar një perceptim publik që cenon imazhin e organit të akuzës e që bie ndesh me vlerat që duhet të përçojë integriteti i magistratit. Për rredhojë, konsiderohet se kjo sjellje krijon kushtet e cenimit të besimit të publikut te sistemi i drejtësisë.

Sipas Komisionit, në vlerësimin e përgjithshëm të çështjeve të trajtuara në aspektin profesional, veprimet e subjektit të paktën në dy raste krijojnë kushte për cënimin e besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *