Shpallja e vendimit të KPA për gjyqtarin Zaimi. Foto kortezi KPA
KPA Lajme Veting

KPA shkarkon gjyqtarin Pëllumb Zaimi

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA vendosi të premten më 15 dhjetor të shkarkojë nga detyra gjyqtarin e Beratit, Pëllumb Zaimi, i cili ishte konfirmuar më parë nga Komisioni. Shkaqet e ngritura nga Komisioneri Publik Florian Ballhysa u gjetën të drejta nga Kolegji që në vlerësimin tërësor të tyre çmoi se gjyqtari Pëllumb Zaimi gjendej në kushtet e cënimit të besimit të publikut tek drejtësia.

Gjyqtari Pëllumb Zaimi u konfirmua më 18 tetor 2022 nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, i cili nuk i gjeti penalizuese balancat negative për dy vite, të cilat u cilësuan gjatë seancës dëgjimore nga vetë subjekti si modeste. Po ashtu, KPK nuk gjeti probleme shkarkuese edhe gjetjet për raste të konfliktit të interesit në dukje në shqyrtimin e disa çështjeve, si dhe në të dhënat e një raporti të Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK për dyshime për veprime korruptive, dosje që u trajtuan në aspektin profesional.

Kryesuesja e trupit gjykues, Natasha Mulaj deklaroi gjatë shpalljes së vendimit se, për çështjet e kriterit profesional, Zaimi ka treguar mungesë kujdesi në trajtimin e rasteve të konfliktit të interesit, qoftë dhe në dukje. Sipas saj, në gjykimin e çështjeve civile me palë apo palë e tretë ASHK, drejtoria vendore Berat, provohet ekzistenca e konfliktit të interesit në dukje, për shkak të marrëdhënieve familjare, pasi vajza e subjektit ka qenë drejtuese e këtij institucioni në vitet 2021-2022 kur ai ka gjykuar 12 çështje civile me këtë subjekt procedural.

Gjithashtu, trupi gjykues konstaton se subjekti gjendet në kushtet e konfliktit të interesit pasi në kohën kur së bashku me bashkëshorten kanë qenë aksionar të Albtelekom sh.a., ka gjykuar 16 çështje civile me palë paditëse këtë shoqëri. Kolegji vlerëson se denoncimet e publikut dhe çështje të tjera të konstatuara në dosjet gjyqësore të analizuara nga Komisioni janë dëshmi të perceptimit të publikut se subjekti rivlerësimit ka vepruar në kundërshtim me parimin se drejtësia jo vetëm duhet të jepet por edhe të duket se po jepet.

Nga vlerësimi çështjeve penale dhe denoncimeve të publikut, të paraqitura si shkak nga Komisioneri Publik, trupi gjykues vlerëson se subjekti ka treguar mangësi profesionale në trajtimin e këtyre çështjeve. Sipas KPA, Zaimi nuk ka treguar kujdesin e nevojshëm në interpretim të parimit të sigurisë juridike, në administrimin e provave, në aplikimin e ligjit procedural, si dhe ka shfaqur mungesë etike në komunikimin me palët dhe pjesëmarrësit në seancat publike duke dhënë një perceptim të gabuar të publikut në dhënien e drejtësisë.

Këto konstatime nuk janë gjetur shkarkuese si shkaqe më vetë, por janë marrë në konsideratë në vlerësimin e tërësor të çështjes.

Për pasurinë, Kolegji e gjen të drejtë pretendimin e Komisionerit se subjekti rezulton me pamundësi për të mbuluar shpenzimet, kursimet dhe pagesat në vitin 2007 për një apartament në Linzë të Tiranës.

Për një apartament në Berat, që subjekti e ka pasur në përdorim KPA konstaton se subjekti ka bërë deklarim të pasaktë dhe duke sjellë pamundësi objektive për kontrollin e kësaj pasurie. Po ashtu, çmohet se subjekti dhe bashkëshortja janë gjendur në kushtet e deklarimit të pasaktë dhe për shkak të mos deklarimit të aksioneve në Albtelekom sh.a.

Pamjaftueshmëria financiare e konstatuar në tre vite, pasaktësia për mos deklarimin e aksioneve në Albtelekom sh.a., si dhe për apartamentin në përdorim, megjithëse nuk janë vlerësuar të mjaftueshme si shkaqe shkarkimi, janë konsideruar prej Kolegjit në vlerësimin tërësor.

“Mangësitë profesionale së bashku me problemet e pasurisë çuan Kolegjin në konkluzionin se subjekti ka cënuar besimin e publikut në sistemin e drejtësisë”, deklaroi Mulaj dhe shtoi se vendimi i Komisionit nuk është gjetur i drejtë e për rrjedhojë duhet ndryshuar dhe shkarkuar nga detyra gjyqtari Pëllumb Zaimi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *