Anëtarët e KPA, Mimoza Tasi, Albana Shtylla, Natasha Mulaj, Sokol Çomo dhe Rezarta Schuetz. Foto: Nensi Bogdani/ BIRN.
Analiza KPA Veting

KPA rrëzon ankimin e Gjovalin Përnocës dhe lë në fuqi shkarkimin e tij

Ish-gjyqtari i ish-Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda, Gjovalin Përnoca u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK, më 13 shtator 2019, pasi u konkludua se kishte pamundësi financiare për blerjen e një vile në Tiranë, një shtëpie pushimi në Golem dhe për krijimin e një depozite 3.2 milionë lekë. Sipas trupit gjykues, ai dyshohet se ka fshehur një depozitë 35 mijë USD si dhe nuk ka deklaruar trajtimin preferencial në blerjen e një apartamenti në kryeqytet.

Vendimi i KPK u ankimua nga Përnoca, i cili ngriti shkaqe me natyrë procedurale që kishin të bënin me cënim të drejtës për një proces të rregullt ligjor, si dhe kundër konkluzioneve të Komisionit për pasurinë.

Shkaqet me natyrë procedurale u gjetën të pambështetura në prova, ndërkohë që pretendimet dhe provat e paraqitura prej subjektit në KPA për pasurinë, nuk e ndryshuan rezultatin negativ.

Vlerësimi pasurive

Për një apartament me sipërfaqe 108.4 m2 + dy garazhe në Tiranë, të porositur në vitin 2005 kundrejt çmimit 49 mijë e 860 euro, Komisioni ka konkluduar se subjekti nuk ka deklaruar një trajtim preferencial. Sipas KPK, subjekti nuk ka pasqyruar në deklaratën periodike të vitit 2005 trajtimin preferencial që i është bërë nga shtetasi A.G., i cili i ka siguruar një apartament me çmim të favorshëm, duke paguar fillimisht personalisht të gjithë çmimin e apartamentit, megjithëse ishte bashkëporositës me gjyqtarin Përnoca, duke i dhënë këtij të fundit mundësi pritjeje për likuidimin. Nisur nga këto rrethana, Komisioni ka vlerësuar se Përnoca gjendet në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm.

Në vijim, Komisioni ka vlerësuar se çmimi i blerjes së apartamentit nuk është ai real, pasi rezulton të jetë shumë më i ulët krahasuar me çmimin e referencës që është përllogaritur në vlerën 75 mijë e 593 euro. Sipas KPK-së, në këtë rast kemi të bëjmë me një situtë trajtimi preferencial dhe të padeklaruar nga subjekti.

Po ashtu, është konstatuar balancë negative në shumën 228 mijë lekë për kryerjen e investimeve dhe shpenzimeve në vitin 2005, si dhe pamundësi financiare për blerjen e apartamentit në vlerën 49 mijë e 860 euro në 2006-ën.

Përnoca ka pretenduar në ankim se e ka pasyruar si një kontratë të thjeshtë porosie, pasi ka pasur bindjen se po e blinte këtë pronë mbi koston reale, rreth dyfishin e saj dhe se nuk po përfitonte asgjë nën kosto. Sipas subjektit, kjo kontratë ishte një veprim juridik i zakonshëm, pasi nuk ishte në kushtet e detyrimit për ta trajtuar si dhuratë.

Ai ka këmbëngulur se e ka blerë apartamentin mbi koston reale të ndërtimit dhe ka sjellë si argument pretendimin se shoqëria ndërtuese në vitin 2003 ka bërë shitje apartamentesh, me çmime më të ulta se sa vlera me të cilën subjekti i rivlerësimit ka blerë shtëpinë.

Përnoca ka kundërshtuar edhe analizën financiare të Komisionit duke pretenduar se viti 2005 rezulton me bilanc pozitiv nëse do të merren në konsideratë të ardhurat e bashkëshortes nga një punë jashtë orarit. Sipas tij, nuk mund të penalizohet për mosnjohjen e këtyre të ardhurave nga puna e ligjshme, vetëm bazuar në faktin se nuk janë paguar detyrimet tatimore përkatëse.

Pasi ka analizuar pretendimet dhe faktet e administruara gjatë hetimit administrativ, Kolegji ashtu si dhe KPK, vëren vëren se ka një diferencë të konsiderueshme çmimi i shitjes për këtë pasuri. Megjithëse çmimi i referencës në vitin 2005 nuk ka qenë detyrues, ashtu si pretendon edhe subjekti, Kolegji vlerëson se marrja në konsideratë për përllogaritje nga Komisioni, është një standard i arsyeshëm për referim, si dhe një tregues për diferencën e lartë që ekziston midis çmimit të përcaktuar në kontratën e sipërmarrjes krahasuar me ato mesatare.

KPA i vlerëson jo të besueshme veprimet e subjektit mbi këtë pasuri – konkretisht lidhur me arsyet se, pse shtetasi A. G. pranoi të paguajë shumën prej 49 mijë e 860 eurosh për blerjen e apartamentit dhe dy garazhet, me qëllim përfitimin e kësaj pasurie në favor të Përnocës, si dhe të pranojë likuidimin pjesë-pjesë nga ky i fundit të vlerës së shlyer.

Nga analiza financiare e kryer në Kolegj, gjyqtari Përnoca ka rezultuar në pamundësi financiare për blerjen e apartamentit dhe garazheve në Tiranë, pasi nuk ka arritur të justifikojë likujdimin e një shume 15 mijë euro në vitin 2006 me burim kursime në vite, si dhe për pagesën e vlerës 34 mijë e 860 euro po në atë vit, me burim të ardhurat e përfituara prej shitjes së një apartamenti në Kavajë. Sipas kolegjit, Përnoca ka rezultuar me mungesë burimesh financiare për blerjen e apartamentit në Kavajë, çmimi i shitjes së të cilit është deklaruar si burim për banesën në kryeqytet.

KPK ka konstatuar deklarim të paplotë të Përnocës për një ndërtesë me dy kate + papafingo dhe truall në Tiranë, e blerë në vitin 1998. Sipas KPK, subjekti nuk ka deklaruar sipërfaqet shtesë, si dhe ka rezultuar në pamundësi financiare për krijimin e kësaj pasurie pasi njëri nga burimet, të ardhurat nga shitja e një banese në Rrëshen, janë krijuar një vit më vonë.

Përnoca ka kundërshtuar konkluzionin e Komisionit se ai ka kryer ndërtim pa leje, me argumentin se fakti që objekti është legalizuar, nuk mund të tregojë apriori se ai e ka bërë shtesë ndërtimi pa leje. Subjekti ka pretenduar se thjesht ka cituar dokumentet e prodhuara nga institucionet shtetërore dhe se në këto kushte nuk ka fshehur dhe nuk ka kryer deklarim të pasaktë. Si argument për këtë pretendim ka dorëzuar një deklartë noteriale të vitit 2019 të personit që i ka shitur shtëpinë, sipas të cilit nuk është bërë asnjë ndryshim i strukturës së jashtme të banesës.

Pretendimet e Përnocës se diferencat e konstatuara për sipërfaqen e banesës janë kryesisht gabime në matje ndër vite, për shkak të mos njohjes së nocioneve mbi sipërfaqet e matshme si sipërfaqe banimi, sipërfaqe ndërtimi dhe sipërfaqe ndihmëse, vlerësohen të pabazuara prej Kolegjit. Sipas KPA, bazuar në dokumentacionet e pëcjella nga institucionet shtetërore, rezulton se subjekti disponon një sipërfaqe më të madhe ndërtimore nga ajo që pretendon se ka blerë dhe për rrjedhojë gjendet në  në kushtet e mosdeklarimit të saktë të sipërfaqes së këtij objekti edhe në deklaratën “veting”.

Lidhur me burimet e krijimit të kësaj pasurie, Përnoca ka pretenduar se ka bërë një gabim formal në deklarimet periodike dhe në deklaratën “veting”, kur ka shënuar se për shlyerjen e çmimit në vitin 1998 kanë shërbyer edhe një pjesë e të ardhurave nga shitja e shtëpisë në Mirditë.

Ai ka sjellë në vëmendje jurispudencën e Kolegjit dhe të Komisionit, kur pasaktësitë në deklarime që janë kryer nga pakujdesia, nuk janë konsideruar si shkak për penalizim.

Megjithatë, analiza financiare e kryer në Kolegj e ka nxjerrë subjektin me pamundësi për blerjen e një banese në Shkodër në vitin 1997, çmimi i shitjes së të cilës është deklaruar si burim krijimi për shtëpinë në Tiranë.

Bazuar në dokumentet e administruara, ka rezultuar balancë negative në vlerën 627 mijë lekë për banesën në Shkodër. Edhe prej analizës financiare ku janë konsideruar pretendimet e subjektit në ankim lidhur me të ardhurat nga pagat e bashkëshortes; një hua në shumën 200 mijë lekë; si dhe të përllogaritjes së shpenzimeve jetike në masën 30%, ka rezultuar sërish diferencë negative që është reduktuar në shumën 152 mijë lekë.

Në vendimin e KPA sqarohet se në të dy metodat e llogaritjes nuk janë konsideruar si të ardhura të ligjshme dietat e përfituara për periudhën maj-qershor 1993, që sipas jurispudencës së deritanishme është vlerësuar se nuk mund të kursehen, pasi jepen për shpenzime jetike thelbësore.

Bazuar në këto konkluzione, KPA arrin në përfundimin se lidhur me banesën dy kate + papafingo dhe truall në Tiranë, subjekti i rivlerësimit ndodhet në kushtet e deklarimit të pasaktë; të rremë; si dhe me pamjaftueshmëri financiare për blerjen e kësaj pasurie në vitin 1998, në shumën 1.3 milion lekë.

Komisioni ka konstatuar se subjekti ka kryer deklarim të rremë për një depozitë në shumën 3.2 milionë lekë në vitin 2002 e konvertuar në 35 mijë USd në 2003-in, për të cilën ka pretenduar se ishte në pronësi të mbesës së bashkëshortes. Nga analiza financiare ka rezultuar balancë negative në shumën 1.8 milion lekë për krijimin e vlerës së depozitës.

Po ashtu, është konkluduar se Përnoca nuk ka deklaruar në vitet 2003 dhe 2004 një depozitë prej 35 mijë USD dhe se nuk ka provuar me dokumentacion ligjor burimin e kësaj shume. Bazuar në dokumentacionin e administruar, si dhe në deklarimet e subjektit të konsideruara si kontradiktore, KPK ka krijuar bindjen se depozita prej 35 mijë USD është pasuri e subjektit, ashtu sikurse rezulton nga informacioni bankar.

Përnoca i kundërshtoi si jo reale dhe jo të drejta konkluzionet e Komisionit. Ai pretendoi se, ashtu si ka shpjeguar edhe në Komision, depozitimi i shumës 3.2 milionë lekë në vitin 2002, është bërë pasi së bashku me bashkëshorten kanë qenë vizitorë në Londër dhe mbesa u ka dhënë sasinë prej 8000 paund për t’i sjellë në Shqipëri dhe ruajtur. Po ashtu subjekti ka pretenduar se mbesa i ka porositur të pranojë nga familjarët e tjerë në Shqipëri edhe disa para të tjera e t’i ruanin të gjitha bashkë.

Sipas Përnocës, këto para janë sjellë në shtator 2002 nga bashkëshortja, pa pasur nevojë të bënin deklarime në kufirin anglez apo shqiptar, pasi sasia ishte poshtë limitit të deklarueshëm.

Por, këto pretendime nuk janë gjetur bindëse nga Kolegji.  “Pavarësisht pretendimeve të subjektit të rivlerësimit gjatë hetimit administrativ në Komision, por edhe në Kolegj, si dhe përpjekjeve të tij për të justifikuar faktin se depozita në shumën 3.200.000 lekë, e konvertuar në 35.000 USD, nuk i përket bashkëshortes së tij, A. P., por mbesës së saj, nuk u provua me dokumente dërgimi i shumave të pretenduara të transferuara nga Anglia për t’i ruajtur ato, duke mbetur ky pretendim vetëm në kuadër deklarativ, i paprovuar dhe i pavërtetuar me dokumentacion justifikues ligjor”, konstaton KPA dhe i vlerëson të pabazuara e kontradiktore pretendimet e Përnocës.

Kolegji vëren se mospasqyrimi në deklaratat periodike të shumës 3.2 milionë lekë të tërhequr në vitin 2003 dhe gjendjen e depozitës 35 mijë euro në fund të atij viti dhe në 2004-ën, bie në kundërshtimet me detyrimet që Përnoca ka pasur në cilësinë e subjektit deklarues.

Po ashtu, ka rezultuar pamundësi financiare për krijimin e kësaj depozite dhe në përfundim, Kolegji e ka gjetur të drejtë konkluzionin e Komisionit për këtë pasuri.

Nga analiza e plotë financiare për vitet 2003-2016  kryer në KPA, ka rezultuar  balancë negative në vlerën 2 milionë e 546 mijë lekë, që ka tejkaluar balancën negative të konstatuar në Komision në shumën 2 milion e 271 mijë lekë.

“Edhe nëse abstragohet nga fakti që pretendimet për pasaktësitë në deklaratat e interesave privatë vjetorë nuk ishin bindëse, argumentet e subjektit nuk mund të përmbysin konstatimin që subjekti ndodhet në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm, për shkak të mungesës së burimeve të ligjshme për të mbuluar shpenzimet e deklaruara ndër vite”, argumenton Kolegji dhe ka lënë në fuqi vendimarrjen e Komsionit për shkarkimin e Përnocës.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *