KPA i gjeti të drejta konkluzionet e shkarkimit të Ervin Trashit
Analiza KPA

KPA i gjeti të drejta konkluzionet e shkarkimit të Ervin Trashit

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA i rrëzoi si të pabazuara pretendimet e ngritura nga ish-gjyqtari i Vlorës, Ervin Trashi, duke lënë në fuqi vendimin e Komisionit për shkarkimin e tij për probleme në kriterin e pasurisë dhe të figurës. Një prej anëtareve të trupit gjykues ka dalë me mendim paralel lidhur me një pasuri, duke kërkuar që subjekti të mos penalizohet për këtë rast, megjithatë ajo i është bashkuar shumicës në konkluzionet e tjera duke nënshkruar shkarkimin e Trashit.

Ervin Trashi u shkarkua nga detyra më 12 nëntor 2021, pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK konkludoi se ai kishte kryer deklarime të pasakta dhe të pamjaftueshme për pasurinë, si dhe për figurën. Sipas KPK, Trashi u gjet me balancë negative prej 5.9 milionë lekësh, si dhe u ngritën dyshime për fshehjen e posedimit të një automjeti. Trashi u vlerësua i papërshtatshëm dhe për pastërtinë figurës, pasi nuk kishte deklaruar një procedim penal për korrupsion të regjistruar në ngarkim të tij.

Lidhur me një apartament banimi me sipërfaqe 56 m2 në Vlorë, Komisioni ka konkluduar se subjekti nuk ariti të kundërshtojë barrën e provës për deklarime të pasakta e në kundërshtim me ligjin, si dhe se nuk e ka justifikuar me burime të ligjshme investimin në total prej 27 mijë eurosh dhe shlyerjen e kredisë 20 mijë euro.

KPK ka arritur në këtë konkluzion pasi ka konstatuar se evidentohet paqartësi në lidhje me çmimin e shitjes së pasurisë, për shkak të mospërputhjes me vlerën e shënuar në të dyja kontratat; pasi në vitin 2008 kur është kryer porosia çmimi është shënuar 27 mijë euro, ndërsa në vitin 2012 kur është lidhur kontrata e shitjes dhe në deklaratën “veting”, figuron vlera 24 mijë euro. Po ashtu, ka rezultuar se Trashi nuk ka pasqyruar burimin e krijimit të kësaj pasurie

Trashi e ka ka kundërshtuar konkluzionin e Komisionit, lidhur me krijimin e kësaj pasurie, duke e cilësuar të pabazuar në provat e paraqitura prej tij.

Ndaj konstatimit për mosdeklarimit e burimit, subjekti ka parashtruar se ka deklaruar kontratën e kredisë, e cila ka shërbyer si burim për blerjen e pasurisë. Ai ka pretenduar se mungesa e përcaktimit të burimit të blerjes në deklaratën “veting”, përderisa nuk ka shërbyer për të fshehur pasurinë, mund të cilësohet si pasaktësi dhe nuk duhet vlerësuar në dëm të tij.

Për mospërputhjen e çmimit të blerjes, ka pretenduar se ka argumentuar në mënyrë bindëse dhe me prova se çmimi i apartamentit nuk ka qenë 27 mijë euro, por 24 mijë euro dhe se burimi i krijimit ka qenë i ligjshëm. Sipas Trashit, megjithëse porosia kishte qenë për 27 mijë euro, për shkak të të metave të apartamentit, është rënë dakord që të konsiderohet se nga subjekti ishin kryer punime në masën 3000 euro dhe se duhej të shlyente vetëm vlerën 24 mijë euro.

Në vijim, subjekti ka pretenduar se Komisioni në mënyrë të gabuar ka konkluduar se nuk kishte provuar se vëllai i tij kishte pasur mundësi që me burime të ligjshme t’i jepte një hua prej 1.8 milionë lekësh. Ai ka pretenduar se kishte vërtetuar se i vëllai kishte kryer punë e gjeneruar të ardhura dhe se mospagimi i detyrimeve tatimore në kohën e krijimit të të ardhurave ka ardhur nga pakujdesia dhe se nuk ka pasur qëllim fshehjen e të ardhurave apo shmangien e ndonjë detyrimi.

Trashi ka theksuar se është vërtetuar se ai nuk ka krijuar pasuri me huanë pasi e ka shlyer me pagat, duke këmbëngulur se duhej të ishte përfshirë në analizën e vitit 2011. Sipas tij, huanë e ka marrë nga vëllai për të zvogëluar shpenzimet e kredisë, si ndihmë mes vëllezërish.

Lidhur me konkluzionin e KPK për pamundësi për shlyerjen e huasë, Trashi ka kërkuar që të mos përfshihet në analizë vledra prej 3000 euro si shpenzime për punimet e apartamentit duke u kryer reduktimet përkatëse. Sipas tij, ulja e çmimit ka qenë për të metat e punimeve.

Pas shqytimit të akteve dhe pretendimeve të subjektit, Kolegji, i ka gjetur të drejta konkluzionet e Komisionit. Kolegji vëren se, në një deklaratë noteriale të nënshkruar gjatë procesit të rivlerësimit nga subjekti dhe shoqëria ndërtuese, për interpretimin e kontratës së shitjes, deklarimet e tyre përputhen plotësisht me shpjegimet e dhëna nga gjyqtari Trashi lidhur me mospërputhjet e rezultuara gjatë hetimit administrativ. “[…]Krijon bindjen të jenë konceptuar në favor të subjektit”, citohet në vendimin e KPA dhe theksohet se nga aktet dhe deklarimet e subjektit rezultojnë të dhëna kontradiktore lidhur me diferencën 3000 euro në çmimin e blerjes së apartamentit.

Sipas Kolegjit, Trashi arrin të provojë se ka paguar si vlerë të blerjes së apartamentit shumën 24 mijë euro, por nuk arrin të provojë se shuma 3000 euro është zbritur nga çmimi fillestar i dakordësuar për shkak të mangësive në punime dhe se nuk është shpenzuar prej tij.

Bazuar në këto të dhëna, KPA e vlerëson si të bazuar konkluzionin e Komisionit që ka konsideruar se pretendimet e subjektit të rivlerësimit për ndryshimin e çmimit të blerjes së apartamentit mbeten në nivel deklarativ dhe se vlera e investimit në blerjen e apartamentit është 27 mijë euro euro.

Ashtu si KPK, edhe KPA çmon se provat e paraqitura nga subjekti për të justifikuar ligjshmërinë e huasë, pasi nuk kanë vlerë provuese. “Marrëdhënia e huasë që vëllai ka pasur me një person tjetër, nuk është tregues që ai ka pasur mundësi financiare për t’i dhënë hua 5 vjet më vonë vetë subjektit”, arsyeton Kolegji dhe e gjen të drejtë konkluzionin e Komisionit për moskonsiderimin e huasë 1.8 milionë lekë si burim për shlyerjen e huasë.

Po ashtu, KPA vlerëson të bazuar qëndrimin e majtur nga Komisioni për moskonsiderimin  një hsume cash prej 400 mijë lekësh, pasi Trashi ka rezultuar me bilanc negativ.

Po ashtu, arsyetohet se subjekti nuk ka arritur të provojë se çmimi i blerjes së apartamentit ka qenë 24 mijë euro, si dhe nuk ka provuar se shuma 3000 euro është zbritur nga çmimi i shitjes për shkak të mangësive në punime.

Në përfundim, Kolegji konkludon se Trashi ka dhënë deklarime të pasakta në deklaratën veting për burimin e krijimit të pasurisë, si dhe është në kushtet e mungesës së burimeve financiare të ligjshme.

Subjekti ka kundërshtuar si të pabazuar edhe konkluzionin e arritur nga Komisioni për pasaktësi në deklarimin e një automjeti të llojit Benz dhe se nuk ka pasur mundësi për blerjen në vitin 2016, por Kolegji e gjen të pabazuar këtë pretendim të subjektit pasi ka rezultuar me bilanc negativ dhe nga analiza e kryer në shkallën e dytë të vetingut. Ndërkohë, mungesa e deklarimit të burimit të krijimit të kësaj pasurie në deklaratën “veting”.

Megjithëse KPK ngriti dyshime se subjekti është përpjekur të fshehë posedimin e një mjeti për katër vjet, analizën financiare përfundimtare e ka kryer sipas pretendimeve të tij, bazuar dhe në jurisprudencën e KPA. Pavarësisht kësaj, Trashi ka rezultuar me pamundësi financiare. KPK ka parashtruar se për shkak të marrëdhënieve familjare dhe shoqërore e ka përdorur mjetin njëkohësisht me pronarin, duke këmbëngulur se nuk e ka fshehur përdorimin e tij, pasi e ka pasqyruar në një akt notarial të vitit 2012.

Kolegji çmon se mungesa e deklarimit të burimit të krijimit të kësaj pasurie në deklaratën vetting e bën deklarimin e subjektit të paplotë e të pasaktë dhe në kundërshtim me ligjin. “[…]Në kushtet kur subjekti i rivlerësimit nuk arrin të vërtetojë pasjen e burimeve të ligjshme për blerjen e këtij automjeti, si dhe bazuar në një vlerësim tërësor të rrethanave të lidhura me përdorimin e këtij automjeti, mosdeklarimi i burimit merr një peshë specifike të posaçme, duke e kualifikuar këtë situatë faktike si deklarim të pamjaftueshëm për kontrollin e kriterit të vlerësimit të pasurisë dhe bëhet shkak për penalizimin e subjektit të rivlerësimit”, citohet në vendim.

Komisioni konstaton deklarim të pamjaftueshëm edhe lidhur me ndërtimin e një pjese të një shtëpie banimi me tre kate në Lushnjë, në pronësi të babait të subjektit. Trashi ka deklaruar se kjo shtëpi është ndërtuar para vitit 2006, kur ai nuk ishte në detyrë, por nga hetimi është konkuduar se deri në atë periudhë ishin ndërtuar vetëm dy katet e para, ndërsa papafingo është ndërtuar në vjijim dhe ka rezultuar pamundësi financiare për shtimin e këtij kati. Komisioni ka vlerësuar se subjekti nuk arriti të kundërshtojë barrën e provës në lidhje me ndërtimin e katit të tretë gjatë kohës që ka qenë në detyrë.

Trashi ka pretenduar se kjo shtëpi është ndërtuar para se të fillonte punën si gjyqtar dhe nuk duhet të përfshihet në analizën financiare, pasi aty ai ka vetëm të drejta banimi. Sipas tij, prindërit janë hetuar vetëm për shkak të qenies në të njëjtën certifikatë të gjendjes civile, ndërkohë që nuk ka asnjë marrëdhënie financiare midis tyre.

Por, edhe shumica e trupit gjykues të Kolegjit, e përbërë nga kryesuesi Sokol Çomo dhe anëtaret Albana Shylla, Natasha Mulaj dhe Ina Rama, arrin në përfundimin se subjekti nuk arriti të provonte se ky ndërtim është kryer përpara fillimit të detyrës dhe se ndodhet në kushtet e deklarimit të pasaktë dhe të mungesës së burimeve financiare të ligjshme.

Relatorja e çështjes, Mimoza Tasi ka dalë me mendim paralel lidhur me këtë pasuri, duke vlerësuar se Kolegji duhej të merrte në konsideratë provat e sjella nga subjekti i rivlerësimit, për kohën e përfundimit të katit të tretë të banesës para datës së fillimit të detyrës.

“Në vlerësimin tim, edhe pse kjo pasuri iu nënshtrua kontrollit nga Komisioni dhe Kolegji për qëllim të procesit të rivlerësimit, për të cilin jam dakord, nuk duhej që ndërtimi i katit të tretë, (papafingo), t’i ngarkohej subjektit të rivlerësimit, në kuptim të kontributit financiar të dhënë prej tij, vetëm sepse subjekti rezulton që të jetë në certifikatën familjare së bashku me prindërit”, arsyeton Tasi dhe shton se Trashi nuk duhej të penalizohej lidhur me këtë pasuri.

Në vijim Kolegji konstaton, ashtu si dhe ka konkluduar Komisioni, se vetë subjekti i rivlerësimit në mënyrë të përsëritur nuk ka deklaruar burimin e krijimit të pasurive, duke e justifikuar këtë mosveprim si një lapsus apo pasaktësi të paqëllimshme në deklarime.

Në përfundim, KPA çmon se subjekti ka kryer deklarime të pasakta dhe që vijnë në kundërshtim me ligjin, si dhe nga analiza financiare ka rezultuar me bilanc negativ në shumën rreth 5.3 milionë lekë.

Ashtu si KPK, edhe Kolegji çmon se mosdeklarimi i një procedimi penal i regjistruar në ngarkim të subjektit për korrupsion, është penalizues me masën disiplinore të shkarkimit nga detyra. Lidhur me pretendimin e Trashit se çështja është pushuar, Kolegji tërheq vëmendjen se konkluzioni i Komisionit lidhur me kontrollin e figurës nuk ka të bëjë me vlerësimin e çështjes penale, por me detyrimin që ai ka pasur për të deklaruar procedimin penal ndaj tij në formularin e kontrollit të figurës.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *