Gjyqtari Astrit Shema në seancën dëgjimore para KPK. Foto: LSA
Analiza KPA Veting

Astrit Shema nuk i përmbysi dot balancat negative në KPA

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA i gjeti të drejta një pjesë të pretendimeve të ish-gjyqtarit të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Vlorë, Astrit Shema, të ngritura ndaj konkluzioneve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK që çuan në shkarkimin e tij, megjithatë nuk u gjetën të mjaftueshme për ndryshimin e vendimit në shkallën e parë të vetingut.

Komisioni vendosi më 21 shkurt 2020 të shkarkojë nga detyra gjyqtarin Shema, pasi vlerësoi se kishte kryer deklarim të pamjaftueshëm në kriterin e pasurisë, se kishte kryer deklarim të rremë dhe kishte fshehur burimin e vërtetë të krijimit të pasurive nëpërmjet deklarimit të pasaktë. Po ashtu, u konkludua mungesë e burimeve të ligjshme për krijimin e pasurive në vlerën totale 7.7 milionë lekë.

Ish-gjyqtari Shema ushtroi ankim në Kolegj, duke pretenduar se vendimi është i pabazuar në ligj, se vendimarrja ka qenë e paragjykuar dhe paracaktuar, si dhe se është rezultat i cënimit dhe shkeljes së normave për një proces të rregullt ligjor e në vlerësim të gabuar të rrethanave faktike për vlerësimin e kriterit të pasurisë.

Ai i kërkoi Kolegjit që pasi të shqyrtojë shkaqet e ankimit, të kalojë shqyrtimin e çështjes në seancë gjyqësore publike duke çelur hetimin edhe për dy kriteret e tjerë, atë të pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit. Në përfundim, Shema kërkoi që të konfirmohej në detyrë.

KPA i ka gjetur të pambështetura pretendimet e subjektit lidhur me procesin e rregullt ligjor. Ndërkohë, konsiderimi si i drejtë i disa prej shkaqeve të ngritura lidhur me vlerësimin e pasurisë, nuk kanë sjellë ndryshimin e vendimit të Komisionit.

Trupi gjykues i Kolegjit e cilëson në kundërshtim me logjikën e ligjit dhe metodologjinë e zbatuar gjatë procesit të vetingut, pretendimin e subjektit se vendimi i Komisionit është i pabazuar dhe alogjik, pasi nxjerr një diferencë të pambuluar të pasurisë, pothuajse sa vlera e pasurisë, edhe pse kjo vlerë është vetëm sa 29% e të ardhurave të tij të ligjshme. KPA sjell në vëmendje se metodologjia e analizës financiare për vlerësimin e mjaftueshmërisë së burimeve financiare të ligjshme për krijimin e pasurive dhe përballimin e shpenzimeve, i referohet momentit të krijimit të pasurisë.

Lidhur me blerjen e një trualli me sipërfaqe 500 m2 në Tiranë në vitin 2002, KPK ka konkluduar mungesë burimesh financiare të ligjshme në shumën 899 mijë lekë, si dhe ka konstatuar se nuk është paraqitur dokumentacion ligjor justifikues për burimet e tre bashkëpronarëve, duke i konsideruar ata si persona të lidhur.

Shema ka pretenduar se nuk është kryer llogaritje e drejtë për shpenzimet e jetesës për periudhën 1998-2002 dhe ato për arredimin e një apartamenti në Përmet; për të ardhurat nga pagat e tij dhe të bashkëshortes; si dhe ka këmbëngulur se KPK ka bërë interpretim të gabuar të ligjit në konsiderimin e dy bashkëpronarëve të truallit si persona të lidhur.

Kolegji i vlerëson pa peshë në analizën financiare të kësaj pasurie të ardhurat e subjektit dhe të bashkëshortes deri në vitin 1992, duke konsideruar se nuk kanë lidhje me krijimin e ndonjë kursimi.

Në vijim, Shema ka pretenduar se shuma prej 5000 eurosh si shpenzim për arredimin e apartamentit në Përmet, është deklaruar prej tij si llogaritje të përafërt e mobilieve që ndodhen në banesë, referuar çmimeve në momentin e kthimit të përgjigjes, pasi për shkak të periudhës mbi 20 vjet nga momenti i blerjes, nuk mban mend çmimet reale.

Kolegji thekson se për qartësimin e situatës faktike për këto shpenzime, saktësia dhe konsistenca e deklarimeve mbetet e rëndësishme dhe është përgjegjësi e vetë subjektit, ndërsa ndryshimi i deklarimeve ka ngritur dyshime se është kryer në funksion të përmirësimit të situatës financiare.

Ndërkohë, KPA e gjen të bazuar shkakun e ankimit, se bashkëpronarët e truallit nuk duhej të ishin konsideruar prej Komisionit si persona të tjerë të lidhur.

“…Kur nga hetimi administrativ nuk rezulton asnjë gjetje mbi bazën e së cilës mund të ngriheshin dyshime të arsyeshme në lidhje me përfshirjen reale të këtyre personave në investim, d.m.th. dyshime për fshehje nga ana e subjektit të rivlerësimit të pasurisë së tij në emër të këtyre bashkëinvestitorëve, kualifikimi si persona të tjerë të lidhur i bashkëinvestitorëve, nuk është i bazuar në ligj”, arseyton KPA

Në vijim të këtij qëndrimi, bazuar në konstatimet se vlera e investimit të subjektit në ndërtimin e godinës mbi truall e deklaruar prej tij është përpjesëtimore me pjesën e pronësisë së tij ideale dhe e përafërt me vlerat e investimit të deklaruara për bashkëpronarët e tjerë; në faktin se Komisioni nuk evidenton asnjë gjetje nga mund të ngriheshin dyshime për fshehje të pasurisë në emër të bashkëinvestitorëve të cilët gëzojnë pjesët e tyre takuese, KPA vlerëson se shtetasit F.B., K.B. dhe Sh.M., nuk konsiderohen si persona të tjerë të lidhur që të lindte detyrimi për të justifikuar burimet e ligjshme të tyre.

Megjithatë, Kolegji konkludon se për pasurinë truall me sipërfaqe 500 m2 të ndodhur në qytetin e Tiranës, në bashkëpronësi me shtetasit K. B. , F. B. dhe Sh. M., pas analizës financiare të kryer duke reflektuar disa nga pretendimet e subjektit të rivlerësimit lidhur me shpenzimet e jetesës, sërish rezulton balancë negative në shumën 481 mijë lekë.

Shema ka kundërshtuar konkluzionin e Komisionit për deklarim të pasaktë dhe përpjekje për të fshehur fakte të rëndësishme për një banesë pesë kate në bashkëpronësi të ndërtuar mbi turallin 500 m2 në Tiranë, si dhe se ka bërë deklarim të rremë në lidhje me datën e fillimit të punimeve të godinës.

Ai ka pretenduar në ankim se ka deklaruar me përgjegjësi pagesat dhe investimin për pjesën e tij takuese, sipas vlerave të pasqyruara po me vërtetësi në deklaratat periodike vjetore të pasurisë. Po ashtu, ka theksuar se investimi fillestar për ndërtimin e objektit është kryer në vitin 2005 dhe nuk ka lidhje me fillimin e punimeve.

Duke iu referuar akteve të administruara në dosjen e legalizimit të objektit, nga vetëdeklarimet e subjektit dhe të bashkëinvestitorëve, përcaktohet se punimet kanë filluar në maj të vitit 2002. Komisioni ka vlerësuar si kohë të fillimit të punimeve vitin 2003, duke qenë se nga pamjet që vijnë nga ortophoto e këtij viti, gjenden gjurmë të hedhjes së themeleve të objektit, ndërkohë që nuk ka pamje të tilla që të konfirmojnë se punimet kanë filluar në 2002-in. Ky fakt është konfirmuar edhe nga vetë subjekti në përgjigjet e dhëna në KPK përgjatë hetimit administrativ.

Kolegji vlerëson se, mosdeklarimi i kohës së fillimit të punimeve në deklaratën “veting”, si dhe shpjegimet kontradiktore në pyetësorë për këtë periudhë, passjell që deklarimi i subjektit të jetë jo i plotë dhe i saktë.

Shema ka kundërshtuar edhe konkluzionin tjetër të Komisionit për deklarim të pamjaftueshëm në lidhje me vlerën e investimeve të kryera në godinë; se nuk ka deklaruar saktë fakte të rëndësishme për këto prona të tij; si dhe për balancën negative në vlerën 3.7 milionë lekë.

Duke këmbëngulur se investimi për ndërtimin e godinës është kryer në vitet 2005-2008, dhe jo në vitet 2003-2006; ai ka pretenduar se se në deklaratën “veting” ka përfshirë vlerën e truallit në atë të ndërtesës duke përdorur lidhësen “dhe”, duke argumentuar se trualli dhe ndërtesa janë trupëzuar në një pasuri të vetme.

Në vijim, Shema ka pretenduar se vlera e investimit nuk është llogaritur saktë nga Komisioni, pasi nuk është vlerësuar si duhet kostoja e punimeve në pjesën takuese të katit të parë dhe kostot e ndërtimit të kryer në mënyrë informale. Ai ka vërejtur se bashkëpronarët nuk i kanë dhuruar pjesët e tyre takuese në katin përdhe, por kanë deklaruar se në pjesët takuese nuk është investuar prej tyre, por prej subjektit. Po ashtu, Shema ka pretenduar se qëllimi i marrjes së një kredie 30 mijë euro në vitin 2006 ka qenë për mbulimin e shpenzimeve të ndërtimit.

Kolegji shprehet se ka analizuar gjithë aktet e fashikullit nga ka rezultuar se subjekti në deklaratën “veting” ka shënuar zotërimin në bashkëpronësi të një trualli me sipërfaqe 500 m2, ku është ndërtuar banesë me pesë kate, edhe kjo pasuri në bashkëpronësi. Si burim krijimi ka deklaruar pagat, shpërblimet ndër vite të punës së tij dhe të bashkëshortes, hua në shumën 10 mijë euro dhe kredi bankare. Shema ka deklaruar se ka shpenzuar për ndërtimin e pjesës takuese të banesës informale 60 mijë euro.

“…Rezulton se shuma prej 60.000 eurosh është deklaruar qartë prej subjektit si vlerë e shpenzuar për ndërtimin e pjesës takuese të banesës informale”, konstaton Kolegji dhe vëren se vlerat e pasurive truall dhe banesë janë deklaruar të ndara dhe bazuar në këto të dhëna ka rrëzuar pretendimin e subjektit se Komisioni ka gabuar në përllogaritjen e vlerës së dy pasurive.

Duke pranuar si të drejtë konkluzionin e KPK se ndërtimi informal është kryer në periudhën 2003-2006, në Kolegj është kryer analiza financiare në dy opsione, duke reflektuar edhe një version garantisht sipas pretendimeve të subjektit për gjendjen karabina të katit përdhe. Në versionin e parë ka rezultuar balancë negative në vlerën 3.6 milionë lekë dhe në opsionin e dytë, duke përllogaritur shpenzimet e ndërtimit të katit përdhe në fazën karabina në masën 40%, përkundrejt 50% të përllogaritur në analizën financiare të paraqitur prej subjektit në Komision, ka rezultuar pamundësi në shumën 2.3 milionë lekë. Kolegji konstaton se në të dy versionet, Shema gjendet me mungesë financiare në vlera të larta.

“…Nga analiza financiare e kryer në Kolegj, edhe në versionin më garantist, sipas të cilit do të pranoheshin pretendimet e tij lidhur me fazën e ndërtimit të katit përdhe me kosto më të ulët për shkak të gjendjes karabina, subjekti rezulton se gjendet në kushtet e mungesës të burimeve financiare të ligjshme për të justifikuar vlerën e investimit”, citohet në vendim.

Komisioni është rrëzuar prej KPA-së edhe në një rast tjetër lidhur me konsiderimin si person të lidhur të pronarit të një apartamenti në qytetin e Vlorës që subjekti ka deklaruar se përdor në ditë të veçanta të punës, kur i nevojitet.

Kolegji vëren se subjekti i rivlerësimit e ka deklaruar këtë marrdhënie përdorimi duke lejuar organet e rivlerësimit, por edhe ILDKPKI-në përgjatë viteve 2011-2015, të verifikojnë dhe kontrollojnë të drejtat e subjektit mbi këtë pasuri, në përmbushje të detyrimeve të tij ligjore.

Referuar situatës faktike dhe gjetjeve të Komisionit, të cilat nuk hedhin dyshime për të drejta të tjera të subjektit, të ndryshme nga ajo e përdorimit, si edhe moskonstatimin e konfliktit të interesit, Kolegji e gjen të pabazuar dhe në tejkalim të ligjit, qëndrimin e Komisionit se pronari i apartamentit duhet të konsiderohet si person tjetër i lidhur e për rjedhojë të provohen burimet e ligjshme për atë pasuri.

KPA ka gjetur të pabazuar edhe konkluzionin tjetër të Komisionit se Shema duhej të kishte deklaruar pasurinë e pritshme truall me sipërfaqe 4000 m2 në Përmet, në bashkëpronësi, si një e drejtë reale e fituar nga dëshmia e trashëgimisë, pavarësisht kohës kur e zotëron këtë pronë.

“…Trupi gjykues vlerëson se konkluzioni i Komisionit lidhur me mosdeklarimin në deklaratën vetting të kësaj pasurie, si pasuri e pritshme, përderisa subjekti nuk gëzon të drejta pronësie mbi këtë pronë në kohën e përpilimit të deklaratës vetting, nuk është i mbështetur në ligj”, citohet në vendim.

Megjithëse nga analiza financiare e kryer në Kolegj, balanca negative e konstatuar prej Komisionit është reduktuar, pamundësitë financiare janë konsideruar si deklarim i pamjaftueshëm në kriterin pasuror dhe është lënë në fuqi Shkarkimi i Shemës.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *