Gjyqtari Pëllumb Zaimi pas vendimit të konfirmimit. Foto: Edmond Hoxhaj.
KP Veting

Komisioneri Publik ankimon vendimin e gjyqtarit Pëllumb Zaimi

Komisioneri Publik, Florian Ballhysa ankimoi të premten më 25 nëntor vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për konfirmimin në detyrë të gjyqtarit të Beratit, Pëllumb Zaimi. Bazuar në dokumentacionin e administruar gjatë hetimit administrativ në KPK, Ballhysa vlerëson se Zaimi nuk arrin nivel të besueshëm dhe i kërkon Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, KPA që të vendosi shkarkimin e tij nga detyra.

Gjyqtari Pëllumb Zaimi u konfirmua më 18 tetor 2022 nga Komisioni, i cili nuk i gjeti penalizuese balancat negative për dy vite, të cilat u cilësuan gjatë seancës dëgjimore nga vetë subjekti si modeste.

Po ashtu, KPK nuk gjeti probleme shkarkuese edhe gjetjet për raste të konfliktit të interesit në dukje në shqyrtimin e disa çështjeve, si dhe në të dhënat e një raporti të Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK për dyshime për veprime korruptive, dosje që u trajtuan në aspektin profesional.

Pëllumb Zaimi e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1994 në Skrapar dhe pas mbylljes së asaj gjykate vitin 2007, u emërua në 2008-ën në Gjykatën e Beratit, ku dhe e ushtron aktualisht detyrën.

Etika dhe profesionalizmi

Sipas komisionerit Florian Ballhysa, nga çështjet gjyqësore të analizuara për shkak të denoncimeve të paraqitura në Komision, ndër të tjera janë evidentuar rrethana në të cilat duket se subjekti ka ushtruar detyrën në kushtet e konfliktit të interesit.

Një denoncues ka pretenduar për vendimmarrje të padrejtë të dhënë nga subjekti i rivlerësimit lidhur me procesin gjyqësor për konflikt pronësie, duke e lidhur vendimmarrjen edhe me pozitën e vajzës së subjektit, si drejtuese e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, ASHK Berat. Sipas denoncuesit, në këtë çështje ka qenë palë si person i tretë institucioni i drejtuar nga vajza e Zaimit, ku sipas padisë kërkohej ndër të tjera që të bëhej edhe regjistrimi i një sipërfaqe toke.

Edhe një tjetër denoncues ka pretenduar se në mënyrë të ripërsëritur ka kërkuar përjashtimin e gjyqtarit Zaimi nga procesi gjyqësor, pasi palë e paditur prej tij ishte edhe ASHK Berat dhe se subjekti kishte konflikt interesi. Po ashtu, denoncuesi ka pretenduar për zvarritje të procesit gjyqësor, si dhe për shkelje të etikës nga subjekti, duke sqaruar se është refuzuar mbajtja e seancave në audio.

Bazuar në këto denoncime, Komisioni i ka kaluar subjektit barrë prove, ndër të tjera edhe për gjendjen e tij në kushtet e konfliktit të interesit. Zaimi ka argumentuar se në të gjitha rastet, ASHK Berat që drejtohej prej vajzës së tij, nuk ka pasur ndonjë rol në gjykim dhe asnjë interes të ligjshëm.

Komisioni ka konkluduar se konflikti i interesit, në raport me pozitën e palës së tretë ndërgjyqëse në proces, mbetet në nivel të parëndësishëm dhe nuk i ka konsideruar këto gjetje me pasojë.

Ndryshe nga KPK, Komisioneri Publik vlerëson se të drejtat procedurale të personit të tretë janë të njëjta me ato të palëve në proces, përveç atyre të drejtave që përbëjnë disponim të objektit të padisë. “…Arsyet e njëanshmërisë nuk lidhen me rolin dhe pasojat e palëve ndërgjygjëse në proces, pasi nuk përjashtohet ligjërisht asnjë çështje, që të justifikojë qenien e gjyqtarit në vendimmarrje, duke u ndodhur në kushtet e konfliktit të interesit”, arsyeton Ballhysa.

Po ashtu, komisioneri vlerëson të pabazuar pretendimin e subjektit se çështjet janë regjistruar në gjykatë para se vajza e tij të emërohej si drejtuese e ASHK-së Berat. “…Duket një argument i pabazuar, jo vetëm në drejtim të garantimit të paanësisë së trupit gjykues, që do të gjykonin çështjet e kësaj natyre, por edhe të garantimit të perceptimit të publikut, se drejtësia jo vetëm po jepej, por edhe të dukej se po jepej”, vëren Ballhysa dhe thekson se Zaimi kishte detyrimin të tregonte një vëmendje të shtuar në drejtim të trajtimit me objektivitet të të gjitha situatave të mundshme të konfliktit të interesit, edhe atij në dukje.

Sipas komisionerit, këto raste pasqyrojnë mungesën e kujdesit të pritshëm të subjektit të rivlerësimit për trajtimin e rasteve të konfliktit të interesit, qoftë dhe në dukje. Ballhysa arrin në përfundimin se këto situata duhen trajtuar e konsideruar brenda indikatorit të etikës dhe angazhimit ndaj vlerave profesionale.

Komisioni ka konstatuar të pamjaftueshme për penalizim të Zaimit edhe një gjetje për situatë të konfliktit të interesit në gjykimin e 15 çështjeve ku palë ndërgjyqëse ka qenë një shoqëri ku bashkëshortja dhe subjekti rezultojnë aksionerë, me përqindje minimale.

Subjekti ka shpjeguar se ka dorëzuar bonot e thesarit për blerjen e aksioneeve në këtë shoqëri pasi bashkëshortja ka qenë punonjëse dhe i kishte lindur e drejta për t’u bërë aksionere. Ai ka shtuar se nuk është në dijeni të statusit aktual të këtij veprimi dhe se nuk ka përfituar asnjëherë dividend.

Në përfundim KPK ka vlerësuar nisur nga fakti se Zaimi dhe bashkëshortja e tij kanë zotëruar aksione pranë kësaj shoqërie, duket se subjekti gjendet në kushtet e konfliktit të interesit, por kjo shkelje është çmuar se nuk mund të sillte shkarkimin.

Komisioneri Ballhysa vlerëson se prapësimet e subjektit, si dhe qëndrimi i Komisionit nuk mbështeten në jurisprudencën dhe qëndrimet e Kolegjit në trajtimin e rasteve të ngjashme lidhur me konstatimin e gjendjes së konfliktit të interesit. “Në rastin konkret, ekzistenca e konfliktit të interesit sipas nenit 72, pika 1, dhe nenit 73 të Kodit të Procedurës Civile, rezulton e provuar nga shqyrtimi dhe finalizimi i rreth 15 çështjeve gjyqësore, me palë paditëse shoqërinë “***” sh.a., ndërkohë që subjekti i rivlerësimit dhe personi i lidhur me të zotërojnë aksione pranë kësaj shoqërie, ashtu sikurse dhe Kolegji është shprehur në vendimin nr. 35/2021”, konstaton komisioneri dhe megjithëse vlerëson se kjo gjendje e konfliktit të interesit nuk mund të prodhojë efektet e deklarimit të pamjaftueshëm, kërkon që të vlerësohet në tërësi, në mënyrë kumulative.

Lidhur me aspektin profesional, Ballhysa veçon fashikujt penalë të administruar nga Gjykata e Beratit në funksion të verifikimit të DSIK-së në kontrollin e figurës.

Duke u bazur në jurispudencën e Kolegjit, Komisioneri Publik vlerëson se shkeljet e konstatuara në dosjet penale që administrohen në kuadër të vlerësimit të aftësive profesionale, marrin kuptim e tjetër peshë në konsideratë të informacioneve që rezultojnë nga agjencitë ligjzbatuese.

“Në këto rrethana, Komisioneri Publik vlerëson se këto çështje, në kuptim të këtij procesi, duhen trajtuar si pjesë e rezultateve administrative mbi kontrollin e figurës dhe Kolegji i merr parasysh ato në vlerësimin përfundimtar të subjektit të rivlerësimit, në zbatim të nenit 4, pika 2, të ligjit nr. 84/2016”, argumenton Ballhysa.

Komisioni nuk ka gjetur probleme profesionale të subjektit në një vendimarrje të vitit 2019 për një të pandehur për “vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, për të cilin subjekti ka vendosur të pranojë kërkesën e prokurorisë për pushim të hetimit duke arsyetuar se i pandehuri ka qenë i dënuar për të njëjtën vepër penale me vendim të formës së prerë.

Ndërsa Komisioneri Publik konstaton se subjekti i rivlerësimit ka treguar mangësi profesionale në trajtimin e kësaj çështjeje, në drejtim të treguesit të njohurive ligjore. Ballhysa vlerëson se nuk qëndron disponimi nga gjyqtari se i pandehuri është dënuar me vendim të formës së prerë për të njëjtën vepër penale dhe rendit të dhënat e konstatuara në aktet e administruara prej KPK-së.

Nga aktet në dosjen e Komisionit, rezulton se ndaj subjektit të rivlerësimit janë depozituar 25 denoncime nga publiku. KPK ka vlerësuar se ato nuk përmbajnë fakte apo rrethana konkrete që mund të përbëjnë prova në lidhje me kriterin e rivlerësimit në aspektin profesional. Por, Ballhysa ndan qëndrim të ndryshëm mbi rrethanat e konstatuara, duke vërjetur se pretendimet e disa prej denoncuesve gjejnë mbështetje në aktet në dosje.

Një prej denoncuesve ka pretenduar se Zaimi ka kryer shkelje të etikës profesionale të gjyqtarit, duke përdorur një fjalor arrogant, aspak etik dhe joprofesional, si dhe ka shtuar se subjekti ka përjashtuar disa herë nga seanca një person të interesuar në proces. Po ashtu, është pretenduar për shkelje procedurale të subjektit lidhur me mosparaqitjen e të akuzuarit si rezultat i mosnjoftimit.

Komisioni, ka konstatuar se hera-herës ka shprehje drejtuar palës ndërgjyqëse, të cilat duken joetike për figurën e magjistratit, tej komunikimit zyrtar. Pas kalimit të barrës së provës, Zaimi i ka kundërshtuar konstatimet e Komisionit duke iu referuar kuptimit të fjalëve të përdorura sipas Fjalorit të Gjuhës së Sotme Shqipe dhe rrethanave të zhvillimit të seancës gjyqësore.

Bazuar në këto shpjegime, KPK i është referuar rrethanës mbi të cilën është përdorur kjo shprehje nga subjekti dhe duke e konsideruar këtë mangësi si rast të veçuar, ka konkluduar se nuk mund të ngrihet në nivelin e një shkaku shkarkues.

Ndryshe nga Komisioni, Ballhysa vlerëson se gjuha e përdorur nga subjekti përbënë sjellje që nuk i shërben qëllimit për rikthimin e besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë dhe kërkon trajtimin e kësaj gjetje në vlerësimin tërësor.

Bazuar në dy denoncime të tjera, komisioneri konstaton probleme të subjektit në treguesin e njohurive ligjore, konkretisht mbi interpretimin e parimeve ligjore. Megjithëse një prej vendimarrjeve të tij është lënë në fuqi nga gjykatat me të larta, Ballhysa sjell në vëmendje jurispudencën e Kolegjit që nuk e konsideron si njësi matëse në vlerësimin profesional një rast të tillë.

Gjetjet për pasurinë

Ashtu si Komisioni, edhe Ballhysa vlerëson se balancat negative në vlera të vogla të konstatuara në vite nuk janë të mjaftueshme për shkarkim, por ai kërkon të trajtohen në vlerësimin tërësor. Ndryshe nga KPK që ka konstatuar pamundësi financiare në vitet 2005 dhe 2008, Komisioneri Publik konstaton balancë negative dhe në vitin 2007.

Në vijim, Ballhysa vëren se subjekti nuk ka pasqyruar në deklaratën “veting” një apartament në përdorim në Berat. Komisioneri evidenton faktin se Zaimi dhe familja e tij kanë banuar në këtë apartament për rreth 10 vite dhe se të dhënat për këtë pasuri janë depozituar prej tij pas konstatimit të faktit nga ana e Komisionit. Po ashtu, komisioneri konstaton se aktet e dorëzuara nga subjekti paraqesin të dhëna kontradiktore ndërmjet tyre, lidhur me të drejtat reale të pronësisë dhe vlerëson se krijohen kushtet e pamundësisë objektive për të kontrolluar këtë pasuri.

Në përfundim, Ballhysa kërkon ndryshimin e vendimit të Komisionit dhe shkarkimin nga detyra të gjyqtarit Pëllumb Zaimi.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *