Gjyqtarja Eglantina Mikani pas seancës dëgjimore me KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPK Veting

Eglantina Mikani jep shpjegime për të ardhurat e bashkëshortit

Gjyqtarja Eglantina Mikani e Gjykatës së Korçës u përball të martën më 25 tetor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, ku gjatë seancës dëgjimore dha shpjegime për balancat negative në disa vite dhe për dy çështje të gjykuara prej saj, për të cilat i ishte kaluar barrë prove.

Procesi i vetingut për gjyqtaren Mikani po kryhet nga trupa e KPK-së e kryesuar nga Roland Ilia, me relatore Pamela Qirkon dhe anëtare Brunilda Bekteshin. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Francesco Ciardi.

Eglantina Mikani e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1998 dhe punon prej më shumë se dy dekadash si gjyqtare e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë.

Relatorja Qirko sqaroi se Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, ILDKPKI ka konstatuar se deklarimi i pasurisë nga Mikani nuk është i saktë dhe se nuk disponon dokumentacion të plotë ligjor për të ardhurat e deklaruara si të përfituara nga bashkëshorti. Edhe gjatë seancës dëgjimore, subjekti u pyet dhe dha shpjegime lidhur me të ardhurat e bashkëshortit të deklaruara prej saj se janë përfituar nga një aktivitet privat dhe nga punësimi.

Subjekti ka deklaruar një depozitë bankare të bashkëshortit në vlerën rreth 3.3 milionë lekë, me pjesë takuese 50% secili. Qirko shpjegoi se Mikani ka pasqyruar prej deklaratës së vitit 2006 e në vijim ecurinë e krijimit të kësaj depozite të çelur në janar të 2007-ës, me shumën 200 mijë lekë, e shtuar çdo vit deri sa ka mbërritur në vlerën 3.3 milionë lekë.

Po ashtu, subjekti ka deklaruar edhe gjendje cash në shumën 1 milion e 150 mijë lekë që përfaqëson vlera të shtuara prej vitit 2006, kur ka deklaruar kursime jashtë sistemit bankar.

Si burim krijimi të këtyre pasurive janë deklaruar të ardhurat familjare. Por nga analiza financiare paraprake e Komisionit ka rezultuar balancë negative fondesh në masën 1.1 milionë lekë për kursimin e likujditeteve, kryerjen e shpenzimeve dhe investimet e kryera prej vitit 2006 e në vijim.

Gjyqtarja Eglantina Mikani u ndal gjatë dhe në mënyrë të detajuar në analizën financiare të të ardhurave të bashkëshortit, që i ka deklaruar si burime për krijimin e likujditeteve. Ajo u shpreh se në analizën e KPK-së duhej të ishin konsideruar të ardhurat e bashkëshortit nga aktiviteti i kompjuterave për lojëra për fëmijë në vitet 2006 dhe 2007; nga një aktivitet bastesh sportive; si dhe nga punësimi i tij në një shoqëri ku për rreth 6 muaj rezulton se nuk janë shlyer kontributet.

Për të ardhurat nga punësimi, subjekti pretendoi se mospasja e listëpagesave lidhet me mosplotësimin e detyrimeve të punëdhënësit. Ndërkohë, ajo kërkoi që për aktivitetitn e lotarive të regjistruar nga bashkëshorti së bashku me një ortak të tijin, shpenzimet për këtë veprimtari duhet të llogariten për secilin investitor dhe të mos i atribuohen vetëm personit të lidhur me të.

Sipas Mikanit, edhe nëna e bashkëshortit ka qenë e punësuar dhe ka pasur aktivitet të sajin me kompjutera për lojëra për fëmijë, prej nga ka siguruar të ardhura një pjesë të të cilave i’a ka dhënë të birit, pasi në atë periudhë jetonin me qira. Po ashtu, ajo pretendoi se në vitin 2008 kishte pasur shpenzime jetike minimale.

Subjekti këmbënguli se të ardhurat e bashkëshortit nga aktivitetet dhe punësimi janë të ligjshme. Sipas saj, nëse do të korrigjohen shpenzimet dhe të saktësohet se investimi në pajisjet e lojërave është kryer para martesës, duke e konsideruar si kapital paramartesor, atëherë balanca pozitive e vitit 2005 kur ka filluar bashkëjetesa do të shkonte në vlerë të madhe që do të ndikonte edhe në përllgaritjet e viteve në vijim.

Qirko e pyeti subjektin se si vërtetohej ligjshmëria e të ardhurave të bashkëshortit të deklaruara prej saj. Mikani argumentoi se bashkëshorti kishte hyrë në martesë pa likujditete, ndërkohë që ai ka qenë pjesë e familjes së tij duke pasur kontribut. Pas insistimit të Qirkos lidhur me mënyrën e dhënies së një shume bashkëshortit nga nëna e tij, Mikani u shpreh se kishin qenë në formën e dhurimit. “Ka qenë vullneti i nënës që i ka dhënë për shkak të kontributit të tij,” pohoi Mikani.

Relatorja Qirko solli në vëmendje pretendimin e subjektit se konstatimi i Komisionit për moskonsiderimin e të ardhurave të bashkëshortit për të cilat nuk janë paguar detyrimet nga punëdhënësi, nuk është i saktë. Qirko e pyeti subjektin se kur kishte marrë dijeni për këtë situatë dhe nëse kishte ndërmarrë veprime ligjore që detyrojnë kompaninë të shlyejë detyrimet karshi bashkëshortit.

Mikani sqaroi se kishte marrë dijeni rreth dy vjet më parë gjatë hetimit administrativ në KPK, por sipas saj nuk i ishin drejtuar gjykatës edhe për faktin se bashkëshorti kishte mjaftueshëm vjetërsi pune. Sipas saj, provohej në mënyrë indirekte punësimi i bashkëshortit.

Ndërkohë, Mikani ka rezultuar me balancë pozitive për blerjen e një automjeti tip Benz në vitin 2009, kundrejt çmimit 800 mijë lekë.

Komisioni nuk ka gjetur probleme në dy pasuri të gjendura në Korçë, ku subjekti rezulton bashkëpronare, të trashëguara nga babai – konkretisht për një truall me sipërfaqe 102.5 m2 + një ndërtesë me sipërfaqe rreth 75 m2 të ndodhur aty ku Mikani zotëron 1/3 pjesë takuese; si dhe një truall me sipërfaqe 103 m2 me pjesë takuese 1/12-at.

Në seancë u konstatua se subjekti kishte deklaruar adresa të ndryshme për një apartament në Korçë të prenotuar në vitin 2019 dhe të blerë në 2021-in. Subjekti shpjegoi në seancë se kjo kishte ndodhur për shkak të ndryshimit të emërtimit të rrugës ku gjendet objekti ku ka blerë apartamentin.

Raporti i parë i Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK për gjyqtaren Mikani ka qenë pozitiv. Por pas përditësimit janë ngritur dyshime se subjekti, në formën e shpërdorimit të detyrës, ka favorizuar një të proceduar në caktimin e masës së sigurisë. Megjithatë, DSIK e ka lënë në vlerësim të Komisionit këtë gjetje duke mos dalë me një qëndrim të dytë.

Qirko shpjegoi se nga verifikimi i dosjes në fjalë janë evidentuar disa indicie që kanë lidhje me profesionalizmin. “Nuk ka indicie për kontakte të papërshtatshme të subjektit të rivlerësimit”, pohoi relatorja Qirko dhe vijoi gjetjet e konstatuara në kriterin profesional.

Për çështjen e konstatuar nga DSIK, Komisioni evidenton mungesë të arsyetimit të subjektit lidhur me nevojën e caktimit të një mase sigurie me garanci pasurore për një të proceduar, kundrejt masës së sigurisë “arrest në burg”.

Mikani pohoi se legjislacioni parashikon pranimin e garancive pasurore në raste të tilla. Sipas saj, vendimarrja e saj për caktimin e masës së sigurisë “caktim garancie pasurore”, kishte marrë formë të prerë pasi nuk ishte ankimuar nga prokuroria.

Sipas saj, edhe gjykimi në themel i kryer nga një tjetër trupë gjykuese, e ka pezulluar dënimin e atij të pandehuri, duke pasur parasysh rrezikshmërinë e ulët dhe veprën penale për të cilën akuzohej.

Këshilli i Lartë Gjyqësor, KLGJ ka dorëzuar raport pozitiv për gjyqtaren Mikani. Ndërkohë, nga verifikimi të dhënave arkivore është konstatuar se ndaj saj janë depozituar gjashtë ankesa pranë ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë, KLD. Për një prej këtyre ankesave ku janë pretenduar shkelje procedurale një një masë sigurimi padie, ish- KLD ka kërkuar fillimin e hetimit disiplinor, por Ministri i Drejtëisë i asaj kohe nuk është shprehur.

Qirko vërejti se subjekti nuk ka respektuar procedurën si dhe nuk ka arsyetuar lidhur me nevojën e vendosjes së një garancie të kërkuar nga pala paditëse në procesin me objekt caktim masë sigurimi padie. Sipas Komisionit, Mikani ka zgjidhur themelin e çështjes duke vepruar në kundërshtim me një vendim unifikues të Gjykatës së Lartë.

Subjekti pretendoi se në vendimin e arsyetuar prej saj gjenden jo vetëm përcaktimet ligjore ku është bazuar, por se janë analizuar edhe kriteret dhe kushtet e vendosjes së masës së sigurimit të padisë. Sipas saj, vendimarrja nuk ka asnjë kundërshti me vendimin unifikues dhe se nuk ka të bëjë me zgjidhjen e çështjes në themel.

Ajo deklaroi se nuk është cënuar interesi i paditësit ashtu si ai pretendon. Mikani shtoi se Ministri i Dejësisë nuk ishte shprehur dhe ish-KLD kishte vendosur mbylljen e verifikimit.

Ngaj gjyqtares Eglantina Mikani janë depozituar gjithsej 10 denoncime nga publiku, nga të cilat i janë kërkuar shpjegime subjektit për katër prej tyre.

Në përfundim, gjyqtarja Mikani kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më 26 tetor, në orën 13:00.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *