Trupa gjyqësore gjatë shpalljes së vendimit për gjyqtarin Sami Ujkashi. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPK Lajme

KPK shkarkon nga detyra gjyqtarin Sami Ujkashi

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK shpalli të premten më 28 korrik vendimin për shkarkimin nga detyra të gjyqtarit të Kukësit, Sami Ujkashi. Vendimi u mor nga trupa e KPK e kryesuar nga Firdes Shuli, me relatore Valbona Sanxhaktarin dhe anëtar Olsi Komicin.

Ashtu si dhe në seancën dëgjimore më 25 Korrik, gjyqtari Sami Ujkashi nuk u paraqit në shpalljen e vendimit për vetingun e tij. Po ashtu, Ujkashi ka munguar prej dhjetorit 2022 në seancat dëgjimore të Këshillit të Lartë Gjyqësor lidhur me një procedim disiplinor.

Sami Ujkashi e nisi karrierën në sistemin e drejtësisë si avokat, ndërsa në vitin 2010 u emërua gjyqtar në Gjykatën e Tropojës. Ai u pezullua në vitin 2011 për t’u rikthyer në punë në 2014-ën. Aktualisht e ushtron funksionin në gjykatën e juridiksionit të përgjithshëm të Kukësit.

Prej dhjetorit 2022, Ujkashi po përballet me një procedim disiplinor të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, i cili kërkon pezullimin e tij nga detyra. Hetimi disiplinor ka nisur për shkelje të legjislacionit material dhe cënim të imazhit të magjistratit përmes një vendimi për ulje dënimi dhe lirim në kundërshtim me ligjin të një personi të dënuar me 15 vjet burg – probleme që u konstatuan dhe prej Komisionit.

Gjithashtu, KPK konstatoi balanca negative dhe deklarime të pasakta në kriterin e pasurisë, si dhe probleme në aspektin e pastërtisë së figurës.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *