Kolegji i Posaçëm i Apelimit gjatë një vendimi.
KPA Veting

Kolegji rrëzon vendimin e KPK për prokuroren Esmeralda Ndoci

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA vendosi të martën më 25 tetor të rrëzojë vendimarrjen e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për ndërprerjen e vetingut për prokuroren e Shkodrës, Esmeralda Maillard Ndoci dhe ndalimin e saj për  t’u rikthyer në sistemin e drejtësisë gjatë 15 viteve të ardhshme, për shkak të dorëheqjes nga detyra.

KPA njoftoi mbrëmjen e të martës se trupi gjykues i kryesuar nga Natasha Mulaj, me relatore Ina Ramën dhe anëtarë Albana Shtylla, Mimoza Tasi e Sokol Çomo, pasi shqyrtoi në dhomë këshillimi ankimin e Ndocit, vendosi me shumicë votash të prishë vendimarrjen e Komisionit dhe të pushojë gjykimin e çështjes.

Hetimi administrativ për Ndocin filloi në nëntor 2019, por subjekti pasi mori leje të papaguar për dy vite, depozitoi fillimisht një kërkesë paraprake për konstatimin e moskompetencën lëndore të KPK-së për fillimin e procedurës së vetingut ndaj saj. Po ashtu, ajo kërkoi që në rast se do t’i rrëzohej kërkesa, atëherë t’i lihej një afat i arsyeshëm për kthimin e përgjigjeve të formularit – duke u konsideruar largësia e saj jashtë vendit, pasi jetonte në Afrikë.

Ndoci parashtroi si argument faktin se prej dy vjetësh qëndronte jashtë vendit pranë bashkëshortit të saj, pas marrjes së lejes së papaguar 2-vjeçare. Ajo shprehu vullnetin për t’u vetuar, por theksoi se për të qëndruar pranë bashkëshortit, i duhej të japte dorëheqjen nga detyra.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë, KLP pranoi kërkesën e Ndocit për dorëheqje dhe deklaroi mbarimin e statusit të magjistratit për këtë subjekt rivlerësimi, vendim që nuk u ankimua.

KPK e rrëzoi kërkesën e Ndocit për moskopetencën me argumentin se procesit të rivlerësimit ex officio i nënshtrohen të gjithë gjyqtarët, prokurorët dhe kategoritë e tjera, pa bërë asnjë specifikim, ndarje në nënkategori apo dallim midis gjyqtarëve apo prokurorëve në detyrë dhe atyre jo në detyrë.

Po ashtu u rrëzua edhe kërkesa për shmangien nga sanksioni 15-vjeçar. Komisioni konstatoi se bazuar në kërkesën për dorëheqje të subjektit, vendimarrjen e KLP-së për mbarimin e statusit të magjistartit dhe mos ushtrimin e ankimit ndaj këtij vendimi, ishte konfirmuar vullneti i pavesuar i Ndocit për t’u larguar nga detyra.

Për rrjedhojë, bazuar në Aneksin e Kushtetutës ku përcaktohet se ndërprerja e procesit të rivlerësimit për shkak te dorëheqjes së magjistratëve shoqërohet edhe me ndalimin e rikthimit të tyre në sistemin e drejtësisë për 15-vjet, u vendos ndërperja e vetingut dhe sankasioni përkatës – vendimarrje që u rrëzua nga shumica e Kolegjit që shqyrtoi çështjen.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *