Gjyqtarja Fatmira Hajdari pas vendimit të shkarkimit nga KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPA Veting

KPA lë në fuqi shkarkimin e Fatmira Hajdarit

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA njoftoi të hënën më 24 tetor vendimin për lënien në fuqi të shkarkimit të ish-gjyqtares së Apelit Tiranë, Fatmira Hajdaraj(Hajdari). Ajo u shkarkua prej Komisionit më 18 qershor 2020, pasi u konkludua se kishte mungesë të burimeve të ligjshme për mbulimin e shpenzimeve, krijimin e pasurive dhe kryerjen e transaksioneve të padeklaruara për 12 vjet radhazi. Po ashtu, u konstatua se ishte kryer vepra penale e “ndërtimit të paligjshëm” në një pallat, që u konsiderua si cënim i besimit të publikut tek drejtësia.

Sipas KPA-së, vendimi për lënien në fuqi të largimit të Hajdarit nga sistemi i drejtësisë është marrë në mënyrë unanime në dhomë këshillimi nga trupa gjykuese e kryesuar nga Natasha Mulaj, me relatore Ina Ramën dhe anëtarë Albana Shtyllën, Rezarta Schuetz e Sokol Çomon

Në vendimin e arsyetuar të KPK-së për Fatmira Hajdaraj(Hajdari) zbulohen një mori transaksionesh financiare të padeklaruara apo të deklaruara në mënyrë të pasaktë, ndërsa analiza financiare e nxori ish-gjyqtaren me balancë negative 96.6 milionë lekë – një nga më të mëdhatë e konstatuara gjatë procesit të vetingut të magjistratëve.

Trupa e Komisionit që kreu vetingun vë në dukje se përveç 18.7 milionë lekë të pajustifikuara deri në vitin 2003, kur fillon edhe procesi i deklarimit të pasurive për zyrtarët, ishin edhe 80.8 milionë të tjera të ndarë 12 vite nga viti 2003 deri në 2016-ën.

Pasuritë me probleme, kryesisht të lidhura me zonjën Hajdari dhe të birin, përfshijnë një pallat në afërsi të rrugës së Elbasanit, qiramarrjen dhe shitje e një lokali bar-kafe në Qytetin Studenti, një apartament, një dyqan apo transaksione me aksione kompanish. KPK vë në dukje në vendim se ndërtimi pa leje i një pallati në tokën që nuk zotërohej nga subjekti ishte vepër penale.

Fatmira Hajdari është e veja e Azem Hajdarit, deputetit dhe njërit prej drejtuesve të lëvizjes së dhjetorit kundër diktaturës në vitet 90’, i cili u vra në vitit 1998. Ajo i kundërshtoi pretendimet e Komisionit gjatë seancës dëgjimore përballë trupës së kryesuar nga Roland Ilia, me anëtare Firdes Shuli dhe relatore Etleda Çiftja.

Hajdari e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2003 si gjyqtare e Gjykatës së Tiranës. Në korrik 2013, ajo u dekretua nga Presidenti gjyqtare në Gjykatën e Apelit të Tiranës, pozicion që e mbajti deri në shkarkimin nga detyra.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *