Gjyqtarja e Tiranës, Armela Hasantari pas seancës dëgjimore. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPK Veting

Gjyqtarja Armela Hasantari përballet me vetingun

Armela Hasantari, gjyqtarja e Gjykatës së Rrethit Tiranë u përball të mërkurën më 23 nëntor 2022 me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK kur në një seancë të shkurtër u relatuan gjetjet e Komisionit, për të cilat ajo shprehu dakortësinë dhe deklaroi se u qëndronte parashtrimeve me shkrim.

Procesi i vetingut për Hasantarin po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Genta Tafa Bungo, me relator Lulzim Hamitajn dhe anëtare Valbona Sanxhaktarin. Në cilësinë e vëzhgueses ndërkombëtare ishte e pranishme Elka Ermenkova.

Armela Hasantari përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2015 dhe në 2016-ën u emërua si gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ku dhe e ushtron funksionin  aktualisht.

KPK nuk ka gjetur probleme në blerjen e një automjeti tip “Mercedes Benz” nga subjekti kundrejt shumës 2700 euro si dhe për një depozitë në emër të vajzës në shumën rreth 250 mijë lekë.

Po ashtu, nuk janë konstatuar indicie për pjesën takuese 25% që bashkëshorti i Hasantarit zotëron në një apartament me anëtarët e familjes së tij të origjinës, pasuri e blerë në vitin 2000, si dhe për një autoveturë të blerë për çmimin 7000 euro.

Për krijimin e një depozite në vlerën rreth 45 mijë euro, bashkëshorti i Hasantarit ka rezultuar me burime të ligjshme të mjaftueshme. Por, nisur nga fakti se është deklaruar si burim krijimi edhe kthimi e një shume 20 mijë euro që bashkëshorti e kishte dhënë hua, KPK konstaton se nuk është vërtetuar me dokumentacion ligjor kthimi i kësaj vlere.

Megjithatë, është konstatuar se bashkëshorti i subjektit ka pasur burime të ligjshme të mjaftueshme për dhënien e huasë një shoqërie, si dhe kjo e fundit ka pasur likujditete të mjaftueshme në dispozicion. Nga verifikimet e kryera për këto transaksione, ka rezultuar se para kthimit të huasë, shoqëria huamarrëse kishte kryer një tërheqje me vlerë që e mbulon shumën 20 mijë euro.

Sipas relatorit Hamitajt, veç mungesës së dokumentacionit për kthimin e huasë, ky veprim nuk është pasqyruar në deklaratën “veting”.

Relatori Hamitaj pohoi se bashkëshorti i subjektit ka rezultuar me bilanc pozitiv edhe për krijimin e një gjendje cash në shumën 5000 euro, pasi është konsideruar me rezervë në analizën financiare kthimi i huasë 20 mijë euro.

Hasantari u vlerësua pozitivisht për pastëtinë e figurës, ndërkohë që në aspektin profesional u evidentua vetëm një çështje, ku vendimarrja e subjektit rezultonte të ishte rrëzuar nga Apeli. Hamitaj sqaroi se Gjykata e Apelit Tiranë e kishte konstatuar si shkelje procedurale vendimarrjen e subjektit për pranimin e një kërkesë padie, pa praninë e palës së paditur. “Duket se nuk është respektuar e drejta e palës së paditur”, pohoi Hamitaj.

Megjithëse Hasantari deklaroi se ishte dakort me rezultatet e hetimit administrativ në të tre kriteret dhe se u qëndronte gjithë shpjegimeve të dhëna me shkrim, duke mos paraqitur sqarime më të detajuara në seancë, Hamitaj e pyeti për rrethanat e vendimarrjes pa praninë e palës së paditur.

Subjekti u shpreh se gjykimi kishte qenë objektiv dhe ishte bazuar në proces të rregullt ligjor. Ajo shpjegoi se pala e paditur kishte refuzuar të merrte dijeni për zhvillimin e seancave gjyqësore, megjithëse njoftimi ishte realizuar në prani të dëshmitarit, ashtu si e parashikonte Kodi i Procedurës Civile, i mëparshëm. Ajo këmbënguli se kishte zbatuar procedurën, megjithëse Apeli kishte konstatuar se nuk ishte vërtetuar lidhja e dëshmitarit me palën e paditur.

KPK nuk ka gjetur probleme në katër denoncimet e kryera nga publiku.

Në përfundim të seancës, Hasantari kërkoi konfirmimin e saj në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më 25 nëntor në orën 09:30.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *