Gjyqtarja e Gjykatës Administrative të Apelit, Bernina Kondi pas shpalljes së vendimit të shkarkimit nga KPK. Foto: Gent Shkullaku/ LSA
Analiza KPA Lajme Veting

Kolegji rrëzon “cënimin e besimit” për Bernina Kondin, por lë në fuqi shkarkimin

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA i ka vlerësuar të drejta një pjesë të shkaqeve të ankimit të ish-gjyqtares së Gjykatës Administrative të Apelit, Bernina Kondi, por balancat negative të konstatuara në shumën totale rreth 1.7 milionë lekë si dhe pasaktësitë në deklarime janë vlerësuar të mjaftueshme për lënien në fuqi të shkarkimit të saj.

Kondi u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit më 15 qershor 2020, por ajo e ankimoi vendimin në KPA, duke ngritur shkaqe proceduriale lidhur me procesin e rregullt ligjor si dhe ka kundërshtuar vlerësimin për pasurinë.

Kolegji e ka gjetur të drejtë pretendimin e subjektit ndaj konkluzionit të Komisionit lidhur me cënimin e besimit të publikut tek drejtësia, duke sjellë si argument faktin se hetimi administrativ është përfunduar vetëm për një kriter, atë të pasurisë. Po ashtu, KPA vlerëson se subjekti nuk mund të gjendet njëkohësisht në kushtet e kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm për pasurinë dhe të cënimit të besimit të publikut, për të njëjtat probleme.

Ndërkohë, trupi gjykues i KPA kryesuar nga Natasha Mulaj, me relatore Ina Ramën dhe anëtarë Albana Shtyllën, Rezarta Schuetz e Sokol Çomon, i ka rrëzuar pretendimet e tjera të subjektit për cënim të parimeve të procesit të rregullt ligjor dhe aspektet procedurale të procesit të rivlerësimit.

Kyesuesja Mulaj ka shfaqur mendimin paralel lidhur me trajtimin e cënimit të besimit të publikut tek drejtësia. Megjithëse ajo vlerëson se në rastin konkret subjekti nuk gjendet në kushtet e cënimit të besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë, këmbëngul se ky kriter mund të jetë i zbatueshëm edhe në rastet kur procesi i rivlerësimit përfundon me vendimarrje vetëm për një kriter.

Ajo paraqet tjetër vlerësim edhe për konkluzionin e shumicës se për shkak të penalizimit për deklarim të pamjaftueshëm, nuk mund të aplikohet edhe dispozita ligjore për cënimin e besimit të publikut tek drejtësia. “Në vlerësimin tim, aplikueshmëria e të dyja dispozitave nuk duhet konsideruar si ndëshkim i dyfishtë, por evidentimi i përgjegjësisë ligjore që subjektet duhet të mbajnë për veprimet e tyre,” shprehet Mulaj.

Shkaqet për pasurinë

Komisioni ka konkluduar se gjyqtarja Kondi ka kryer deklarim të pasaktë të kësteve të paguara për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 57 m2 në Tiranë, të përfituar me kontratë sipërmarrje të vitit 2004 për vlerën totale 39 mijë euro. Gjithashtu, KPK konstatoi se Kondi nuk shpjegoi dot bindshëm vlerën e paguar për këtë pasuri të krijuar para martesës; si dhe se nuk provoi destinacionin e një kredie dhe burimin e një huaje, për të cilën ka deklaruar se kishte shërbyer për likujdimin e detyrimit të kredisë në vitin 2010.

Për blejen e këtij apartamenti, Kondi ka deklaruar si burime dy kredi një të marrë në vitin 2005 në vlerën 2.5 milionë lekë dhe tjetrën në 2006-ën në shumën 500 mijë lekë. Si burime janë deklaruar edhe kursime të familjes dhe të ardhura të mbledhura nga shitja e librave të botuara prej subjektit.

Komisioni ka konstatuar një mandat në shumën 8000 euro në vitin 2006, veç atyre të përcaktuara në kontratën e sipërmarrjes dhe ka ngritur dyshime se për apartamentin është paguar vlera 47 mijë euro.

Subjekti ka shpjeguar se vlera e paguar për këtë pasuri është ajo e përcaktuar në kontratë, ndërsa për shumën 8000 euro ka sqaruar se i’a ka dhënë prapa shoqëria me kërkesë të saj, pasi i nevojiteshin për kurimin e gjyshes jashtë vendit, si dhe ka pohuar se e ka rikthyer brenda vitit. Sipas Kondit, kjo shumë është pjesë e vlerës së paguar 39 mijë euro.

Shumica e KPA nuk i ka gjetur bindëse sqarimet e subjektit. Në vendim thuhet se nuk ka ndonjë dokument që tregon nevojën për pagimin e një shume të tillë për trajtimin shëndetësor të gjyshes, si dhe nga dokumentacioni spitalor i paraqitur ka rezultuar se regjistrimi është kryer pasi subjekti e ka rikthyer shumën tek shoqëria ndërtuese. Po ashtu, është vlerësuar jo e logjikshme që të kërkohej mbështetje nga një shoqëri ndërtimi me të cilën nuk deklarohet se ka pasur ndonjë marrëdhënie të posaçme.

Ndërsa Mulaj çmon se aktet vërtetojnë se çmimi real i paguar për apartamentin është ai i pasyqruar në kontratën e shitjes në shumën 39 mijë euro.

Njësoj vlerëson edhe gjyqtarja Albana Shtylla. “Subjekti i rivlerësimit ka pasur detyrimin ligjor për të deklaruar në deklaratën vjetore periodike të vitit 2006, shlyerjen e detyrimit financiar të mbetur ndaj shoqërisë “{***}” Shpk, por jo veprimet financiare të kryera brenda vitit kalendarik, të cilat përfundimisht kanë passjellë shlyerjen e plotë të vlerës së apartamentit të dakordësuar në kontratën e sipërmarrjes,” argumenton Shtylla.

Ajo vëren se mandati për kthimin e shumës 8000 euro nuk tregon një veprim financiar të kryer nga subjekti për shlyerjen e detyrimeve ndaj shoqërisë dhe për rrjedhojë e bën të besueshëm qëndrimin e Kondit. Sipas Shtyllës, kthimi i kësaj shume nga shoqëria vetëm ka shtyrë në kohë shlyerjen e një pjese të këstit të dytë për t’u paguar më tej si këst i fundit.

Subjekti kundërshton edhe analizën e KPK-së lidhur me burimet e ligjshme që kanë shërbyer për blerjen e këtij apartamenti. Ajo vlerëson se Komisioni gabon në konkluzionin e tij lidhur me destinacionin e kredisë, duke pretenduar se ka pasur detyrimin të deklarojë burimet e financimit të pasurisë dhe jo dokumentacion për të qartësuar veprimet pas disbursimit të kredisë.

Për burimin e të ardhurave nga shitja e librave, Kondi ka pretenduar se çdo aludim i Komisionit lidhur me këto të ardhura, është i pabazuar pasi ka provuar me dokumentacion provues ligjshmërinë e tyre.

Po ashtu, Kondi ka pretenduar se me dokumentacionin e dorëzuar ka arritur të vërtetojë ligjshmërinë e burimeve financare që kanë shërbyer për huanë që ka marrë nga kushërira e saj.

Ajo ka kërkuar që nga analiza financiare e kryer për vitin 2004 të hiqen shpenzimet për kostot e jetesës, duke argumentuar se ka jetuar me prindërit dhe janë mbuluar prej tyre.

Në lidhje me shkaqet e ngritura për burimet e financimit të këtij apartamenti, Komisioni ka konstatuar se mungonte dokumentacioni justifikues bankar mbi destinacionin e dy transaksioneve të kryera në llogarinë e kredisë në krrik të 2005-ës, në shumat nga 1 milion e 230 mijë lekë secili, si dhe dokumentacioni justifikues bankar mbi tërheqjen e kredisë në shumën prej 2.5 milionë lekësh.

Kondi ka pretenduar se të gjitha veprimet e kryera, si dhe dokumentacioni i paraqitur prej saj tregojnë qartë që çdo veprim ka qenë në përputhje të plotë me realizimin e kontratës së sipërmarrjes, dhe se huaja, sipas parashikimeve të kontratës së lidhur me Alpha Bank, ishte lidhur me qëllimin e vetëm për blerje apartamenti.

Kolegji konstaton se Komisioni nuk ka ngritur dyshime që kjo kredi të jetë përdorur për ndonjë pasuri apo shpenzim tjetër të subjektit, si dhe e ka përfshirë si burim për apartamentin. “Qëndrimi i Komisionit se subjekti nuk provon bindshëm destinacionin e kësaj kredie, është një konkluzion pa relevancë në vendimmarrje, që duket se kapërcen përcaktimet ligjore për shkeljet e ligjit të cilat mund të shkaktojnë për subjektet e rivlerësimit, vendosjen e një mase disiplinore”, arsyeton shumica dhe e gjen të drejtë këtë shkak të ankimit.

Pretendimi i subjektit në ankim lidhur me të ardhurat nga shitja e librave është konsideruar prej Kolegjit i panevojshëm për t’u analizuar, pasi Komisioni ka njohur në përfundim ligjshmërinë e këtyre të ardhurave, si dhe vlerësohet se nuk kanë rezultuar me ndonjë impakt të ndjeshëm financiar në analizën e bërë për vitin 2004.

Kolegji e cilëson si një konkluzion deklarativ lidhur me vlerësimin etik të subjektit, konstatimin e Komisionit në drejtim të sjelljes përsa i përket qëndrimit të ndryshëm për disponimin e faturave tatimore që provonin shitjen e librave dhe përfitimin e të ardhurave të deklaruara. Nisur nga fakti se shkarkimi i Kondit është bërë vetëm mbi konkluzionet e arritura në kriterin e pasurisë, Kolegji vlerëson si të pambështetur ligjërisht konkluzionin e arritur për vlerësimin etik, të përdorur si një prej shkaqeve të shkarkimit, duke e gjendur të drejtë shkakun e ankimit të subjektit.

Ndërkohë, ashtu si në Komision, Kondi ka dështuar të vërtetojë burimet e ligjshme të huadhënësve për krijimin e shumës 1.2 milionë lekë që ka shërbyer për shlyerjen e kredisë në 2010-ën. “Mbetën në nivel deklarativ e të paprovuara pretendimet e subjektit të rivlerësimit, znj. Bernina Kondi, se shuma e marrë hua prej saj, realisht është krijuar jo nga huadhënësja G. N., por nga kushëriri tjetër i subjektit, z. A. G., i cili i kishte krijuar këto të ardhura nga punësimi në Itali…”, vlerëson Kolegji dhe shton se subjekti dështoi të provojë edhe se shtetasi A.G. ka pasur të ardhura të ligjshme për krijimin e vlerës së marrë hua prej saj.

Pretendimi tjetër se nuk ka pasur shpenzime jetese në vitin 2004 pasi jetonte me prindërit dhe janë mbuluar prej tyre, është gjetur pa peshë në zgjidhjen e çështjes.

Megjithëse është reduktuar lehtësisht bilanci negativ i vitit 2010 duke mbetur në shumën 1 milion e 493 mijë lekë, Kolegji e ka gjetur të drejtë konkluzionin e KPK për pamundësinë finanaciare, që i janë shtuar edhe mungesat në dy vite duke arritur në vlerën totale prej 1 milion e 753 mijë lekësh.

Për një kredi me kushte lehtësuese në shumën 5 milionë lekë të përfituar në vitin 2011, KPK ka konstatuar se veprimet juridike të kryera nga subjekti i rivlerësimit janë kryer në tejkalim të parashikimeve ligjore mbi përfitimin e kredisë.

Nga hetimi në Komision ka rezultuar se gjyqtarja Bernina Kondi, ka porositur një banesë në qytetin e Beratit ku ushtronte funksionin, për blerjen e së cilës iu akordua një kredi me kushte lehtësuese në shumën 5 milionë lekë.

Këtë kontratë porosie, rezulton se subjekti e ka revokuar duke blerë pas katër muajsh, edhe me fondet e kredisë lehtësuese, një apartament tjetër në Tiranë. Sipas KPK, subjekti e bleu apartamentin në Tiranë duke përdorur edhe kredinë e butë në një kohë kur nuk ushtronte detyrën në këtë qark, si dhe kur zotëronte një apartament tjetër në kryeqytet.

Kolegji konstaton se KPK nuk e ka qartësuar se në cilin kualifikim ligjor e ka atashuar konkluzionin e tij, si dhe nuk ka mbajtur ndonjë qëndrim lidhur me legjitimitetin e kësaj pasurie.

Megjithëse Kolegji vëren se në dosjen e hetimit administrativ gjenden fakte që dëshmojnë për veprime të subjektit në tejkalim apo në mashtrim të ligjit me qëllim përfitimin e kredisë me kushte lehtësuese, mungesa e konkluzionit të Komisionit për përcaktimin e këtij qëndrimi ka çuar në vlerësimin se konstatimi i arritur nuk mund të përdoret si një element për penalizimin e subjektit.

Në përfundim, Kolegji konkludon se, Kondi nuk arrin nivel të besueshëm pasi rezulton të ketë bërë deklarime të pasakta dhe ka mungesë të burimeve të ligjshme për të justifikuar pasuritë e krijuara e shpenzimet e kryera, duke e lënë në fuqi shkarkimin e saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *