Gjyqtarja Elona Toro pas seancës në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Foto: Edmond Hoxhaj.
Analiza KPA

Argumentet e KPA për lënien në fuqi të konfirmimit të Elona Toros

Gjyqtarja e Apeli Tiranë, Elona Toro u konfirmua në detyrë më 17 qershor 2020 pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK konkludoi se pasaktësitë në deklarimin e pasurive dhe balanca negative e fondeve në vlerë relativisht të vogël, bazuar në parimin e proporcionalitetit nuk ishin të mjafueshme që të sillnin penalizim.

KPK konstatoi se në asnjë rast pasaktësitë e konstatuara nuk kanë ndikuar në cenimin e burimit të krijimit të pasurive të këtij subjekti rivlerësimi. Ajo u vlerësua pozitivisht për figurën dhe e aftë profesionalisht.

Komisioneri Publik, Florian Ballhysa paraqiti ankim duke evidentuar nevojën e hetimit të mëtejshëm të deklarimeve të subjektit të rivlerësimit dhe interesave privatë të saj, të personave të lidhur, të personave të tjerë të lidhur me të, për çështje që sipas tij janë hetuar në mënyrë të paplotë nga Komisioni ose për të cilat ky hetim mungon. Po ashtu, ai kërkoi dhe kryerjen e një analize të re financiare, me qëllim justifikimin bindshëm të burimeve të ligjshme të krijimit të pasurive me të ardhura të ligjshme.

Në ankim ai kërkoi ndryshimin ose lënien në fuqi të vendimit të Komisionit, ndërsa në konkluzionet përfundimtare kërkoi shkarkimin e subjektit për mungesë të burimeve financiare.

Sipas Ballhysës, analiza për mundësinë e babait të subjektit për krijimin e vlerave të dhuruara 6000 euro dhe 4000 USD, duhet të shtrihet në periudhën shkurt 2005 – nëntor 2008 kur këto likujditete janë krijuar dhe depozituar në bankë. Sipas tij, babai i Toros rezulton në pamundësi financiare në shumën rreth 226 mijë lekë. Ai vlerësoi se të ardhurat e babait të subjektit nga qiradhënia e një apartamenti nuk mund të konsiderohen pasi nuk janë vërtetuar me dokumentacion ligjor pagesat e detyrimeve tatimore.

Në vijim, Komisioneri konkludoi se gjatë gjykimit në Kolegj nuk u arrit të provohej mundësia e huadhënësit A.Ll për krijimin e vlerës 45 mijë euro dhënë hua bashkëshortit të subjektit, pasi nuk u vërtetua me dokumentacion ligjor përfitimi i të adhurave të pretenduara nga dhënia me qira e disa pronave.

Ballhysa vlerësoi se prej përllogaritjes përfundimtare të të ardhurave të gjyqtares Toro dhe bashkëshortit të saj, të shpenzimeve jetike e atyre të udhëtimeve, si dhe atyre për shlyerjen e huave, rezultojnë pamundësi financiare në vitet 2012, 2014, 2015 dhe 2016 në shumën totale rreth 900 mijë lekë. Ai konstatoi se të ardhurat e pretenduara nga pagat e bashkëshortit të subjektit nuk janë deklaruar në vite, ndërkohë që nga dokumentacioni administruar mbetej e paqartë se sa ka qenë pagesa reale e tij.

Kërkimet përfundimtare të Komisionerit u kundërshtuan nga Toro e cila këmbënguli se babai kishte pasur mundësi financiare për dhurimin e shumave 6000 euro dhe 4000 USD. Ajo solli në vëmendje faktin se ishte vërtetuar se banesa e dhënë me qira nga i ati, ishte përdorur pasi ishin shpenzuar energjia dhe uji, si dhe se e kishte pasqyruar këtë të ardhur në deklaratat periodike përkatëse. Subjekti kërkoi që shuma e përfituar nga babai prej qiradhënies të jetë pjesë e analizës financiare. Ajo kërkoi që analiza financiare për të atin të shtrihet deri në 2009-ën, kur ajo i ka përfituar këto fonde.

Po ashtu, Toro pretendoi se huadhënësi kishte pasur burime financiare për dhënien e vlerës 45 mijë euro bashkëshortit të saj. Ajo kërkoi që analiza financiare për huadhënësin të kryhet vetëm për shumën e dhënë dhe arugmentoi se ishte e provuar se huadhënësi kishte pasur biznes të suksesshëm prej vitit 1993, që e kishte zgjeruar në 1997-ën.

Sipas subjektit, pamundësia financiare që mbetej është proporcionale dhe nuk mund të sillte penalizim.

Kolegji vëren se i nënshtroi analizës së tij ato shkaqe ankimi, të cilat Komisioneri i paraqiti në përfundim të procesit gjyqësor si arsye mbi të cilat duhej të vendosej ndryshimi i vendimit të KPK-së.

KPA konsideroi se Komisioneri Publik hoqi dorë nga shkaqet e ankimit të cilat lidheshin me burimin e krijimit të shumës 39 mijë e 200 euro, e ardhur nga shitja e pasurisë në bashkëpronësinë e subjektit të rivlerësimit dhe të atit të saj. Kolegji vlerëson se këto pretendime nuk duhet të jenë pjesë e vlerësimit të trupit gjykues, për sa kohë që kërkimi i Komisionerit Publik për ndryshimin e vendimit nuk mbështetet në to, por në shkaqet e tjera të ankimit.

Për sa i përket kufijve kohorë, në të cilën do të shtrihet analiza financiare për babanë e subjektit të rivlerësimit, për të verifikuar burimin e ligjshëm të krijimit të shumave prej 6000 euro dhe 4000 USD, Kolegji ashtu si edhe Komisioneri Publik, çmoi të drejtë kryerjen e saj duke filluar nga shkurti 2005 deri në momentin kur këto fonde janë kredituar përfundimisht në llogari, në nëntor të 2008-ës.

“Kolegji çmoi se versioni i analizës financiare, sipas pretendimit të subjektit për të konsideruar si kufij kohor shkurtin e vitit 2005 deri në momentin që subjekti i kishte përfituar këto shuma, në korrik 2009, është një version, i cili nuk i përgjigjet kohës së krijimit të këtyre pasurive, por momentit të përdorimit të tyre si burim për financimin e pasurisë apartament në pronësi të subjektit”, vlerëson KPA duke arguentuar se tërheqja e vlerave nga banka në vitin 2009 nuk përkon me krijimin e tyre.

Lidhur me të ardhurat e babait nga qiradhënia e një apartamenti, Kolegji ashtu si dhe Komisioni, ka konsideruar të drejtë përfshirjen në analizë vetëm të të ardhurave të krijuara nga marrëdhënia e qirasë me E. T., për të cilat provohet pagesa e detyrimeve tatimore. Të ardhurat prej marrdhënies së qirasë me një shtetas tjetër, ndonëse krijojnë besueshmëri tek Kolegji për krijimin e tyre, nuk janë konsideruar si të ardhura pasi nuk është provuar pagimi i detyrimeve tatimore.

Përkundër pretendimit të Komisionerit Publik për përfshirjen si shpenzim në analizën financiare të babait të subjektit të të gjitha investimeve që ai rezulton se ka kryer, Kolegji vlerëson se analiza duhet shtrirë në drejtim të verifikimit të mundësisë për të krijuar me të ardhura të ligjshme të shumave të dhuruara.

KPA shton se pjesë e kësaj analize do të jenë edhe shpenzimet e kryera prej tij për të përballuar kostot e jetesës. “Ky vlerësim konsiderohet se përmbush kriteret e një vlerësimi të arsyeshëm e proporcional, lidhur me mundësitë e personave të tjerë të lidhur, duke krijuar një panoramë të mjaftueshme për marrjen e një vendimi, lidhur me burimet e ligjshme të krijimit të pasurive të dhëna hua apo dhuruar sipas rastit”, arsyetohet në vendim.

Nga analiza financiare e kryer prej Kolegjit për dhurimet e shumave 6000 euro dhe 4000 USD, babai i subjektit ka rezultuar me bilanc pozitiv prej 43 mijë lekësh.

Kolegji aryeton ndryshe nga Komisioneri edhe lidhur me analizën e burimeve të huadhënësit A.Ll. për vlerën 45 mijë mijë euro. Ashtu si dhe në analizën për mundësinë e babait të subjektit për dhurimet e dy shumave, edhe në verifikimin e të ardhurave të huadhënësit A.Ll. është çmuar që të kontrollohen burimet e krijimit të shumës prej 45 mijë eurosh. KPA vëren se rezultojnë disa të ardhura të dokumentuara të krijuara prej huadhënësit dhe familjes së tij, por edhe një sërë të ardhurash të tjetra të pretenduara që vijnë si nga administrimi i ish-pronave të kthyera babait të tij e bashkëpronarëve, ashtu edhe nga aktiviteti tregtar që ky person ka zhvilluar në vite si aksioner në disa shoqëri, kuotat e të cilave i ka shitur më pas.

Nga analiza financiare e kryer në Kolegj, huadhënësi A.Ll. ka rezultuar një bilanc negativ në shumën 482 mijë lekë për dhënien e shumës 45 mijë euro.

Por, Kolegji ka zbatuar parimin e objektivitetit dhe proporcionalitetit duke marrë në konsideratë ekzistencën e disa burimeve që kanë mundësuar krijimin e të ardhurave në vite; të drejtat pasurore mbi pasuri të paluajtshme që duket se kanë prodhuar të ardhura ndër vite; shumat monetare të depozituara në llogari bankare në vlera më të mëdha se ato të dhëna hua përpara se të kryhej ky transaksion; pamundësinë së subjektit për të verifikuar saktësisht normën e fitimit të personit tjetër të lidhur në kushtet e llojit të veprimtarisë që ai kryente; si dhe gabime të mundshme në përllogaritje.

Nisur nga fakti se nuk ka pasur ndonjë indicie që të vinte në dyshim marrdhënien e huas, KPA arrin në konkluzionin se në vlerësimin e përgjithshëm të gjithë këtyre rrethanave, balanca negative e konstatuar nuk do të konsiderohet si përcaktuese për provueshmërinë e burimeve të ligjshme që kanë shërbyer për krijimin e shumës prej 45 mijë euro dhe për rrjedhojë ajo do të çmohet se e kalon testin e ligjshmërisë.

Nga analiza financiare e kryer në Kolegj për pamundësitë financiare në vitet 2012, 2014, 2015 dhe 2016, ka rezultuar sërish bilanc negativ i shtrirë në të katër vitet, në vlerën totale prej 872 mijë lekësh, por në zbatim të parimit të objektivitetit dhe proporcionalitetit dhe për shkak se është e shpërndarë, është çmuar se nuk duhet të sjellë penalizim për Toron.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *