Prokurori Artur Cara pas vendimit të KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
Analiza KPK

Prokurori Artur Cara u konfirmua me kontestime në KPK

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK u nda në vlerësimin e prokurorit të Fierit Artur Cara, ku shumica e trupës e përbërë nga kryesuesja Xhensila Pine dhe anëtari Olsi Komiçi çmuan se ai kishte arritur nivel të besueshëm për pasurinë dhe figurën, si dhe nivel kualifikues për profesionalizmin, ndërsa relatorja Firdes Shuli votoi për shkarkimin e tij për probleme në kriterin pasuror.

Artur Cara e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë si oficer i policisë gjyqësore në vitin 2000. Ai u emërua prokuror në vitin 2009 dhe punoi prej asaj kohe në Prokurorinë e Fierit. Aktualisht ai shërben si këshilltar ligjor pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Vlerësimi për pasuritë

Për një apartament me sipërfaqe 120 m2 në Tiranë të blerë kundrejt vlerës 38 mijë euro, KPK i ka kaluar Carës barrë prove për pamundësinë e shlyerjes me burime të ligjshme të një pjese të çmimit të kësaj pasurie të paguar deri në vitin 2003, kur ai nuk ishte emëruar ende si prokuror. Po ashtu, është konstatuar se burimi i krijimit të kësaj pasurie me kursime të akumuluara ndër vite bie në kundërshtim me deklarimet gjatë hartimit të dokumentacionit ligjor, ku burim është deklaruar dhurimi, nga për rrjedhojë i është kaluar barrë prove edhe për deklarim të pasaktë të burimeve të krijimit.

Pas paraqitjes së provave dhe shpjegimeve përfundimtare nga subjekti, lidhur me pasaktësitë në deklarime, shumica ka arritur në konkluzionin se nuk ka kushte për të krijuar dyshime për fshehjen e burimit të pasurisë nga ana e Carës. Në arritjen e këtij përfundimi, shumica ka mbajtur në konsideratë faktin se nuk është provuar asnjë veprim apo përpjekje e subjektit për të deformuar apo manipuluar të vërtetën në funksion të paraqitjes së rreme të të dhënave lidhur me këtë pasuri.

Në zbatim të parimit të proporcionalittit dhe objektivitetit është çmuar se rrethanat e konstatuara lidhur me dokumentacionin ligjor nuk përbëjnë arsye për shkarkimin nga detyra.

Nga analiza financiare përfundimtare është konstatuar balancë negative në shumën 1.2 milionë lekë deri në qershor të 2003-it. Por, kjo pamundësi financiare e konstatuar për periudhën para se Cara të emërohej si prokuror, në zbatim dhe të parimit të objektivitetit dhe proporcionalitetit, është vlerësuar prej shumicës se nuk mund të sjellë penalizim.

Relatorja Shuli në pakicë, vëren se nga ana e Komisionit janë marrë në konsideratë deklarimet e subjektit gjatë procesit të rivlerësimit se si burim për krijimin e pasurisë kanë shërbyer kursimet nga pagat e tij dhe të bashkëshortes deri në vitin 2003, kur është blerë pasuria, e cila është porositur prej të dy bashkëshortëve përpara se të fillonin bashkëjetesën në vitin 2004. Bazuar në këto deklarime është kryer analiza financiare paraprake për të dy duke konsideruar vetëm të ardhurat dhe shpenzimet jetike të tyre, por pa përfshirë të ardhurat dhe shpenzimet jetike apo investimet nga familjet respektive të origjinës ku kanë jetuar të dy bashkëshortët gjatë asaj periudhe.

Në parashtrimet e tij, Cara ka kundërshtuar këtë analizë financiare, duke deklaruar se bashkëshortja ka kontribuuar me të gjitha të ardhurat e krijuara prej saj para martesës në blerjen e pasurisë, duke pretenduar që në analizën financiare të mos llogariten shpenzime jetese të saj për shkak se këto janë mbuluar nga familja e origjinës. Shumica e ka vlerësuar të bazuar këtë pretendim me arsyetimin se bashkëshortja nuk ka qenë në një certifikatë familjare me subjektin dhe nuk ka plotësuar deklarime periodike si person i lidhur.

Shuli shprehet kundër dhe sjell në vëmendje se deklarimi i Carës, sipas të cilit bashkëshortja e tij ka kontribuuar me të gjitha të ardhurat e saj pa i llogaritur shpenzime jetese, që është ngritur për herë të parë në parashtrime, bie në kundërshtim me deklarimin e mëparshëm të tij se si burim për krijimin e pasurisë kanë shërbyer kursimet nga pagat e tij dhe të bashkëshortes. Sipas Shulit, pretendimi se bashkëshortja ka kontribuar me gjithë vlerën e të ardhurave të saj ka ardhur pasi është konstatuar bilanci negativ nga KPK.

Pasi paraqet një analizë të detajuar të gjithë burimeve dhe shpenzimeve për këtë pasuri, Shuli vlerëson se subjekti nuk ka provuar të kundërtën e konstatimit në hetimin paraprak. Sipas pakicës, Cara ka kryer deklarime të pasakta e të pamjaftueshme në lidhje me apartamentin dhe burimet e krijimit dhe rendit argumentet e saj përse pretendimet e tij bien në kundërshtim me faktet e konstatuara gjatë hetimit administrativ. Po ashtu, konstaton edhe pamundësinë financiare për krijimin e kësaj pasurie.

Për një apartament me sipërfaqe 72.9 m në Sarandë, të blerë në vitin 2012 në vlerën 16 mijë euro, KPK i ka kaluar subjektit barrë prove për mosdeklarim të saktë të vlerës së pasurisë në deklaratën “veting”, pasi ka pasqyruar vetëm vlerën e karabinasë prej 16 mijë euro dhe burimin e saj. Po ashtu, është konstatuar pasaktësi në deklarimin e burimit, pasi është shtuar gjendje nga një kredi e marrë në vitin 2012.

Nga analiza financiare paraprake ka rezultuar bilanc negativ në masën 767 mijë lekë për pagimin e shumës 16 mijë euro në dy këste në vitin 2012.

Shumica e ka gjetur bindës shpjegimin e subjektit se vlera 16 mijë euro e deklaruar prej tij konsiderohet vlera e blerjes në vitin 2012 sipas dokumentit ligjor dhe faktik të kohës. Duke qenë se investimet për të përfunduar punimet e plota janë konsideruar si shpenzime gjatë viteve, shumica ka arritur në konkluzionin se subjekti ka kryer deklarim të saktë në deklaratën “veting” lidhur me vlerën e pasurisë.

Sipas shumicës, subjekti arriti të provojë mundësinë e krijimit të gjendjes cash në vlerën e deklaruar prej 1.6 milion lekësh para fillimit të detyrës dhe për rrjedhojë është rishikuar analiza financiare. Po ashtu, janë rishikuar edhe shpenzimet bazuar në provat dhe shpjegimet e dorëzuara nga prokurori Cara.

Nga analiza financiare përfundimtare ka rezultuar bilanc negativ në shumën 312 mijë lekë, që është çmuar se nuk është në masën që cënon besimin e publikut dhe nuk përbënë arsye për shkarkim.

Por, Shuli në pakicë vlerëson se subjekti nuk ka arritur të vërtetojë të kundërtën e barrës së provës për asnjë nga konstatimet e Komisionit lidhur me këtë pasuri. Sipas pakicës, vetë subjekti pretendon se nuk bëhet fjalë për objekt në gjendje karabinaje, por për objekt të përfunduar, për të cilin palët kanë rënë në marrëveshje që finiturat të përzgjidhen në raport me shijet personale.

“Sa i takon mosdeklarimit të vlerës së saktë të pasurisë në deklaratën Vetting, subjekti është i paqartë dhe kontradiktor në parashtrimet e veta. Megjithatë, asnjë nga pretendimet dhe argumentet e paraqitura nuk mund të justifikojë mosdeklarimin e vlerës së plotë të pasurisë sipas parashikimit të shtojcës 2 të ligjit nr. 84/2016, në momentin e deklarimit, datë 25.1.2017, kur është plotësuar deklarata Vetting, që përbëhet nga 16.000 euro, paguar për blerjen në vitin 2012 plus minimalisht investimi i pretenduar nga vetë subjekti prej 320.000 lekësh për të përfunduar punimet në periudhën 2013 – 2016”, arsyeton Shuli.

Sipas saj, mosdeklarimi i investimeve për punimet shtesë dhe vlerës së tyre në asnjë prej deklarimeve vjetore dhe as në deklaratën “veting”, ndryshimi i qëndrimit në parashtrime në lidhje me periudhën e kryerjes së punimeve për përfundimin e apartamentit vetëm pasi është njohur me konstatimet e Komisionit, si dhe mosparaqitja e parashtrimeve në lidhje me një kredi të marrë në vitin 2016 që në deklaratën rivlerësimit kalimtar ishte pasqyruar si burim për shlyerjen e detyrimeve financiare për shkak të kryerjes së punimeve shtesë, krijojnë bindjen se deklarimet e Carës në lidhje me këtë pasuri janë të pasakta e të pamjaftueshme për një vlerësim objektiv.

Sipas pakicës, këto rethana në vlerësimin tërësor të çështjes çmohen si shkaqe në favor të masës disiplinore të shkarkimit.

KPK është ndarë dhe në vlerësimin e transaksioneve dhe veprimeve juridike financiare të kryera nga bashkëshortja e subjektit në emër të familjarëve të saj, e cila ka qenë e pajisur prej tyre dhe me një prokurë të posaçme të vitit 2000.

Shuli vëren se bazuar në faktet e rezultuara gjatë hetimit administrativ për këto transaksione u ngritën dyshime për pasuri të fshehura nga subjekti, për të cilat Komisioni kreu hetime.

Lidhur me transaksionet dhe pajisjen e saj me prokurorë të posaçme nga familjarët për kyrerjen e këtyre veprimeve financiare, shumica mban në konsideratë faktin se bashkëshortja e subjektit i ka pasqyruar këto rrethana që në deklarimin e interesave privatë para fillimit të detyrës në vitin 2009.

“…Duke vlerësuar se kjo marrëdhënie datonte sipas dokumentacionit ligjor të administruar gjatë hetimit administrativ prej vitit 2000 para fillimit të punës nga subjekti dhe para martesës së tyre, Komisioni i vlerësoi bindëse shpjegimet e subjektit të rivlerësimit lidhur me arsyet dhe qëllimin e kryerjes së këtyre transaksioneve nga bashkëshortja e tij, duke arritur në përfundimin se nuk kemi të bëjmë me pasuri të fshehur”, arsyeton shumica dhe thekson se nga hetimi administrativ nuk provohen përpjekje të prokurorit Cara për të fshehur pasurinë e tij.

Por, Shuli në pakicë çmon se disa prej dyshimeve nuk janë rrëzuar edhe në përfundim të procesit. “…Ka pasur mjaftueshëm të dhëna të cilat kanë ngritur dyshime të arsyeshme mbi mungesën e një interesi nga ana e bashkëshortes, sikurse subjekti pretendon, për kryerjen e kaq shumë veprimeve në favor të të afërmve të saj,” shprehet Shuli dhe duke iu referuar jurispudencës së KPA, vlerëson se pretendimet e subjektit se anëtarët e familjes së origjinës së bashkëshortes nuk janë persona të tjerë të lidhur, është i pabazuar.

Sipas pakicës, transaksionet bankare të bashkëshortes duhet t’i nënshtrohen një verifikimi të plotë. Në analizë të transaksioneve, pakica vëren se subjekti përpara se të fillonte detyrën e prokurorit ka qenë oficer i policisë gjyqësore. “…Por më kryesorja është se prokura e posaçme e vitit 2000 nuk i ka dhënë të drejtë bashkëshortes së subjektit për të kryer transaksione financiare, të cilat, siç kanë rezultuar gjatë hetimit, ka pasur raste që i përkasin edhe periudhës kur subjekti ka qenë në detyrë”, konstaton Shuli dhe vlerëson se subjekti nuk ka vërtetuar të kundërtën e konstatimeve të hetimit paraprak.

Komisioni ka kryer verifikime edhe për një njësi 100 m2 të blerë nga familjarët e bashkëshortes së subjektit në vitin 2001. Kjo, pasi bashkëshortja e subjektit ka kryer veprime në dhënien me qira të kësaj pasurie.

Shumica ka vlerësuar se për njësinë dhe një apartament, duke konsideruar shpjegimet e Carës dhe deklarimet e tij në seancë mbi këto marrëdhënie të bashkëshortes të krijuara para lidhjes së martesës së tyre, si dhe konkluzionin mbi transaksionet e bashkëshortes me familjarët e saj, nuk provohen nga hetimi administrativ përpjekje për të fshehur pasurinë.

Shuli konstaton se shumica nuk është shprehur në vendimin e saj për këtë pasuri. Sipas saj, në përfundim të hetimit administrativ, duket se bashkëshortja e subjektit është sjellë si pronare pasi ka lidhur një kontratë qiraje, si dhe ka administruar të ardhurat nga qiratë, pa i pasur këto të drejta.

“[…]Është e vërtetë që pasuria njësi është përfituar në vitin 2000 nga Ll. Z. etj., vit në të cilin subjekti nuk ka qenë në detyrë, por vjelja dhe administrimi i qirave nga ana e bashkëshortes së tij, përkon me disa vite që subjekti ka qenë në detyrë, konkretisht në vitet 2009 – 2011”, konstaton Shuli dhe sipas saj mbetet e pajustifikuar dhe e pakuptimtë e gjithë veprimtaria e bashkëshortes së subjektit, e cila në mënyrë të përsëritur ka kryer veprime financiare edhe pa qenë e autorizuar, në ndihmë të familjes.

Pakica ka dalë me analizë financiare të sajën, duke konkluduar se prokurori Cara rezulton me bilanc negativ në shumën 2.5 milionë lekë për periudhën 2009-2016 kur ka ushtruar detyrën detyrën e prokurorit. Shuli shprehet se ka votuar shkarkimin e këtij subjekti rivlerësimi për deklarime të pasakta; mungesë të burimeve financiare për krijimin e pasurive; për deklarime kontradiktore dhe përpjekje për anashkalimin e fakteve dhe rrethanave të rezultuara nga hetimi administrativ; si dhe se nuk ka vërtetuar bindshëm se nuk është në kushtet e fshehjes së pasurisë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *