Prokurori Astrit Halilaj në seancë dëgjimore me KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPK Lajme Veting

Prokurori Astrit Halilaj përballet me probleme të pasurisë

Prokurori i Shkodrës, Astrit Halilaj u përball të martën më 28 qershor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur gjatë seancës dëgjimore dha shpjegime për mënyrën krijimit dhe përfitimit të disa pasurive të paluajtshme, burimet financiare dhe balancat negative të konstatuara gjatë hetimit administrativ. Ndërkohë, Halilaj u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës, si dhe nuk u evidentuan probleme në kriterin profesional.

Problemet kryesore që u evidentuan në seancë kishin të bënin me investimet e kryera gjatë periudhës 1995-2014 në një banesë me dy kate + papafingo dhe burimet e krijimit të kësaj pasurie; me burimet për blerjen e një apartamenti + parkim në Vlorë; për një makinë dhe dy njësi shërbimi të porositura nga vëllai në vitin 2000, të drejtat reale të të cilave i janë kaluar subjektit në 2014-ën, por pa iu dhënë gjë në këmbim.

Procesi i rivlerësimit kalimtar për prokurorin Halilaj po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Genta Tafa Bungo, me relator Lulzim Hamitajn dhe anëtar Roland Ilia. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Francesco Ciardi.

Astrit Halilaj e ka filluar karrierën si oficer i policisë gjyqësore në vitin 1993 dhe përgjatë dy dekadave ka mbajtur pozicione drejtuese në Policinë e Shtetit. Prej vitit 2016, Halilaj punon si prokuror pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër.

Problemet për pasurinë

Hamitaj shpjegoi se prokurori Halilaj ka deklaruar pasurinë e tij edhe në vitin 2003, në cilësinë e oficerit të Policisë Gjyqësore; gjatë periudhës 2005-2013 si drejtues në funksione të ndryshme në Policinë e Shtetit dhe në vitin 2016 ka kryer deklarimin e parë si prokuror.

Në vitin 2003, subjekti ka deklaruar disponimin e një banese dy kate + papafingo në çati me sipërfaqe 120 m2, e ndërtuar vetë në vitin 1994, me vlerë 2 milionë lekë dhe pjesë takuese ¼-at. Në vitin 2011, Halilaj ka deklaruar punime shtesë në vlerën 300 mijë lekë dhe një vit më vonë ka deklaruar pagesën e një shume 400 mijë lekë për procedurat e legalizimit.

Sipas Hamitajt, në deklaratën e parë përpara fillimit të detyrës në vitin 2016, subjekti ka deklaruar banesën dy kate, truallin 420 m2 dhe shpenzime për ndërtimin e kësaj pasurie në vlerën totale 5 milionë lekë.

Relatori Hamitaj konstatoi se subjekti nuk ka deklaruar burimet financiare për krijimin e kësaj pasurie, si dhe ka rezultuar balancë negative në shumën 5.3 milionë lekë, bazuar në përllogaritjet sipas referencave të Entit Kombëtar të Banesave.

Prokurori Halilaj deklaroi se në vitin 1993 kishte blerë truallin dhe se me forcat e tyre kishin ndërtuar shtëpinë.

I pyetur nga relatori Hamitaj dhe vëzhguesi ndërkombëtar, Francesco Ciardi për etapat e ndërtimit të banesës dhe vlerat e shpenzuara, Halilaj shpjegoi se në vitin 1996 ishin përfunduar dy kate dhe në 1997-ën ishte përmbyllur edhe çatia. Por, subjekti sqaroi se në atë periudhë kishte qenë i banueshëm vetëm kati i parë, ndërsa kati i dytë dhe papafingo ishin në gjendje karabinaje.

Halilaj sqaroi se ishin kryer investime vit pas viti deri në 2014-ën, kur ishte përmbyllur e gjithë shtëpia dhe se ai kishte deklaruar vetëm ato shpenzime që ishin në masën 300 mijë lekë, ose më shumë. Subjekti pohoi se nuk ishin kryer preventive për punimet, ndërsa për një preventiv të vitit 1995 sqaroi se kishte qenë fiktiv, pasi nevojitej për lejen e ndërtimit. “Nuk kam situacione, kështu është punuar,” deklaroi subjekti.

Ai sqaroi se zotëronte në shtëpi një leje nga Bashkia e Tiranës e vitit 2014, për përfundimin e punimeve të fundit në shtëpinë private dhe se do ta dorëzonte në Komision pas seancës dëgjimore.

Për një apartament me sipërfaqe 79 m2 në Vlorë të blerë në vitin 2010 për çmimin 35 mijë euro, subjekti ka deklaruar si burime të ardhurat nga puna; një hua 10 mijë euro të marrë nga kunati i tij; si dhe vlerën e një depozite me të ardhurat e vëllait nga puna në emigracion. Në 2016-ën, Halilaj ka deklaruar edhe blerjen në vitin 2014 të një parkimi në vend të hapur në Vlorë, për çmimin 5000 euro, dhe me burim kursimet.

Sipas Hamitajt, subjekti ka depozituar si prova për mundësinë e huadhënësit dokumente që vërtetojnë se ai ka disponuar depozita bankare të mjaftueshme për dhënien e huasë. Por, nuk është arritur të vërtetohet me dokumentacion ligjor se huadhënësi ka ushtruar aktivitet privat, ashtu si ka pretenduar prokurori Halilaj.

Në vijim, subjekti ka shpjeguar se i kunati, ka disponuar dhe vlera monetare të kunatit të tij, i cili është shtetas gjerman. Hamitaj shpjegoi se nga hetimi i deritanishëm nuk është arritur të provohet ligjshmëria e burimeve të huasë.

KPK ka hetuar edhe depozitat në emër të subjektit që kanë origjinë një depozitë të çelur në vitin 2003, për të cilat Halilaj ka shpjeguar se janë vlera që u përkasin vëllezërve dhe janë krijuar me të ardhurat e punës së tyre në emigracion.

Hamitaj vërejti se subjekti ka dorëzuar disa mandate për tërheqjen e një pjese të shumave të dërguara në atë periudhë, por nuk është arritur të provohen të gjitha dërgesat, si dhe ligjshmëria e tyre.

Për shkak të pamundësisë së vërtetimit të ligjshmërisë së burimeve financiare që kanë shërbyer për dhënien e huasë dhe vlerave të dërguara prej vëllezërve, nga analiza paraprake e Komisionit ka rezultuar balancë negative në shumën 2.7 milionë lekë. Po ashtu, ka rezultuar pamundësi financiare në shumën 134 mijë lekë për blerjen e garazhit.

Prokurori Halilaj deklaroi se në periudhën kur blenë apartamentin, ai dhe bashkëshortja kishin të ardhura vjetore në shumën rreth 2.5 milionë lekë, si dhe përfitonin shërbime për shkak të funksioneve që ushtronin. Ai shtoi se veç të ardhurave, kishin edhe kursime si dhe administronin llogarinë e të vëllait.

Për të provuar se kunati dispononte vlera monetare të kunatit të tij me shtetësi gjermane, subjekti u shpreh se kishte dorëzuar një deklaratë të një administratori të një pike këmbimi valutor. Sipas Halilajt, deklaruesi shprehet se kunati shkonte shpeshherë për të këmbyer vlera të konsiderueshe, që sipas subjektit ishin shumat e dhëna nga shtetasi gjerman. Subjekti këmbënguli se ka pasur burime të mjaftueshme financiare për krijimin e këtyre pasurive dhe kërkoi që të konsiderohet si burim i ligjshëm edhe huaja e marrë nga kunati.

Nga hetimi ka rezultuar se në vitin 2014, subjektit i janë kaluar me anë të një akti noterial prej vëllait të tij E.H., të drejtat reale mbi dy njësi shërbimi në Tiranë, me sipërfaqe totale 72 m2. Sipas Hamitajt, vëllai i prokurorit Halilaj i ka porositur këto pasuri në vitin 2000 kundrejt çmimit 32 mijë USD. Kontrata e porosisë figuron të jetë nënshkruar nga prokurori Halilaj, si përfaqësues me prokurorë të posaçme, por kjo e fundit nuk është gjetur bashkëngjitur dokumentacionit.

Relatori Hamitaj shpjegoi se subjekti ka deklaruar se ka rënë dakort me vëllanë për këmbim në natyrë. Halilaj ka shpjeguar pagesën e kësteve nga vëllai për këto pasuri në vitet 2000 dhe 2001, por ka deklaruar se nuk i disponon mandatet. Ndërkohë, nuk është arritur të provohet se vëllai i subjektit ka përfituar ndonjë pasuri në këmbim të heqjes dorë nga zotërimi i dy dyqaneve.

Si burim krijimi për shumat e paguara nga i vëllai për dy njësitë, ka deklaruar të ardhurat nga ky i fundit prej punës si emigrant në Gjermani gjatë viteve 1999-2001. Halilaj ka pretenduar nuk ka arritur të sigurojë dokumentacion ligjor për të ardhurat e vëllait për shkak të kohës së gjatë që ka kaluar.

Bazuar në këto konstatime, Komisioni vlerëson se pretendimet e prokurorit Halilaj mbeten në nivel deklarativ lidhur me burimin. Po ashtu, është konsideruar pa logjikë ekonomike veprimi i vëllait të subjektit, pasi nuk rezulton të ketë përfituar asgjë në këmbim.

Halilaj këmbënguli se kishte pasur prokurorë të posaçme për kryerjen e veprimeve për llogari të vëllait, por shtoi se nuk kishte arritur ta gjente atë dokument, as tek noterja.

Subjekti shpjegoi se kishte rënë dakort me vëllanë që t’i jepte një pjesë të shtëpisë për ta përdorur për servis.

Ai e kundërshtoi balancën negative për blerjen e dy njësive duke sjellë në vëmendje të Komisionit vendime të mëparshme ku trajtohen remitancat nga puna në emigracion dhe kërkoi që të ardhurat e vëllait të konsiderohen të ligjshme.

Halilaj është gjetur në pamundësi për blerjen e një automjeti tip Mercedes Benz në vitin 2016 kundrejt çmimit 6000 euro + 180 mijë lekë shpenzime për zhdoganimin. Si burim krijimi të kësaj pasurie subjekti ka deklaruar të ardhurat e përfituara nga shitja e një mjeti tjetër.

Nisur nga fakti se makina e shitur është blerë më lirë dhe nuk është paguar detyrimi për fitimin, KPK ka konsideruar në analizë shumën fillestare që ka shpenzuar subjekti për krijimin e asaj pasurie. Për rrjedhojë Halilaj është gjetur në pamundësi për blerjen e Benz-it në 2016-ën.

Subjekti deklaroi se në atë kohë nuk e dinte se duhej të paguhej tatim për fitimin e siguruar nga shitja e automjetit dhe këmbënguli se kishin pasur të ardhura të mjaftueshme, si dhe likujditete cash e në bankë, për të mbuluar çmimin e Benz-it.

Nga analiza financiare e përgjithshme ka rezultuar bilanc negativ në shumën 5.2 milionë lekë.

Prokurori Halilaj shpjegoi se prej vitit 1993 ka punuar në Policinë e Shtetit ku ka mbajtur dhe role drejtuese dhe se është trajtuar me pagë të lartë. Ai shtoi se edhe bashkëshortja ka punuar prej vitit 1996 në një shoqëri sigurimesh duke u trajtuar me pagë të lartë për shkak të funksioneve që ka pasur. “…Kemi pasur mundësi të kursejmë,” deklaroi Halilaj.

Në vijim subjekti shpjegoi se vëllezërit kanë emigruar dhe punuar në mënyrë të ligjshme dhe se i kishte administruar ai vetë vlerat e dërguara prej tyre. Halilaj theksoi se kishte arritur të provonte faktin se vëllezërit kishin dërguar shuma parash nëpërmjet “Western-Union”, ndërsa për mossigurimin e dokumentacionit për ligjshmërinë e tyre u justifikua me kohën e gjatë.

Halilaj u shpreh kundër balancës negative të konstatuar nga KPK duke këmbëngulur se kishte vendosur në dispozicion të trupës dokumentacion provues për të ardhura në vlerën 2 milionë lekë.

“Kam bërë gjithë përpjekjet e mia të mundshme dhe kërkoj që të konsiderohet praktika e Komisionit për justifikimin e remitancave nga emigracioni,” deklaroi Halilaj dhe kërkoi konfirmimin në detyrë.

KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më 30 qershor, në orën 09:30.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *