Ish-gjyqtari Astrit Shema gjatë seancës në KPK.
KPA Lajme Veting

KPA lë në fuqi shkarkimin e Astrit Shemës

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA vendosi të martën më 28 qershor lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për shkarkimin nga detyra të kyetarit të Gjykatës Administrative të Vlorës, Astrit Shema.

Shema u shkarkua më 21 shkurt të vitit 2020, pasi KPK konkludoi pamundësi financiare në vlera të mëdha për blerjen e një trualli 500 m2 në Tiranë; ndërtimin në mënyrë informale të një godine 5 katëshe dhe kryerjen e investimeve të tjera. Në vendimin e arsyetuar të Komisionit thuhet se gjyqtari u penalizua edhe nga deklarimet e pasakta, mospërputhjet dhe përpjekjet për fshehjen e fakteve të rëndësishme për pasurinë e tij.

Komisioni e përfundoi procesin e rivlerësimit për gjyqtarin Shema vetëm për kriterin e pasurisë. Ish-gjyqtari Shema e ankimoi vendimin e KPK-së në Kolegj.

Vendimi për lënien në fuqi të shkarkimit të Shemës u mor në dhomë këshillimi nga trupa e Kolegjit e kryesuar nga Sokol Çomo, me relatore Ina Rama dhe anëtare Albana Shtylla, Natasha Mulaj dhe rezarta Schuetz. Në njoftimin e KPA thuhet se vendimarrja ka qenë unanime duke konkluduar se ish-gjyqtari Shema ka kryer deklarim të pamjaftueshëm për pasurinë.

Astrit Shema e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1995. Ai ka punuar si gjyqtar dhe kryetar i Gjykatës së Përmetit deri në vitin 2008 dhe më pas gjyqtar në Gjykatën e Gjirokastrës. Në vitin 2011, Shema u emërua gjyqtar në Gjykatën e Vlorës, ndërsa në vitin 2013 në Gjykatën Administrative të Vlorës ku e ushtroi funksionin deri në largimin e tij nga detyra.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *