Gjyqtari i Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit Ardit Mustafaj, gjatë seancës dëgjimore në KPK. Foto:Vladimir Karaj
KPK Lajme Në Fokus

Huatë dhe të ardhurat e bashkëshortes i hapin probleme gjyqtarit Ardit Mustafaj

Gjyqtari i Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit Ardit Mustafaj u përball me pyetje mbi huatë, dhuratat nga prindërit e bashkëshortes dhe paqartësitë mbi një ndërtim të shitur në Sarandë. Mustafaj kundërshtoi barrën e provës, ndërsa rezultoi pa probleme në dy kriteret e tjera.

Gjyqtari i Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit Ardit Mustafaj, gjatë seancës dëgjimore në KPK. Foto:Vladimir Karaj

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zhvilloi të martën seancën dëgjimore ndaj gjyqtarit Ardit Mustafaj, aktualisht gjyqtarë pranë Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Mustafaj ishte hetuar nga KPK në të tre kriteret dhe nga relatimi në seancë u mësua se atij i ishte kaluar barrë prove vëtëm mbi disa dyshime të gjetura në kriterin e pasurisë, ndërsa nuk u gjet asnjë problem në dy kriteret e tjera.

Trupa që hetoi Mustafaj u kryesua nga Firdes Shuli, me relatore Brunilda Bekteshi dhe anëtar Olsi Komici, vuri në dukje se Mustafaj kishte rezultuar nga analiza financiare me diferencë negative prej më shumë se 6 milion lekësh nga viti 1996 deri në vitin 2003. Diferenca sipas KPK-së vinte pasi nuk ishin provuar burimet e ligjshme të dy huadhënësve, burimi i dhurimit nga prindërit e bashkëshortes dhe të ardhurat e kësaj të fundit nga kurset në shumën prej 850 mijë lekësh.

Mustafaj, i cili vlerësoi procesin e vetingut për dy kriteret e tjera, këmbënguli në seancë se kishte sjellë dokumente që provonin burimin e ligjshëm të të ardhurave të  dy huadhënësve, të prindërve të bashkëshortes dhe po ashtu edhe të asaj vetë. Ai kërkoi që ato të konsideroheshin si burime të ligjshme dhe pretendoi se që nga viti 2003 ai rezultonte me dieferenca pozitive të dukshme dhe se çdo pjesë e pasurisë së tij ishte deklaruar saktësisht.

Ardit Mustafaj e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1996. Prej vitit 2003, ai e ushtron funksionin në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Në dhjetor 2019, Mustafaj u emërua përkohësisht gjyqtar në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Për të siguruar një mandat të plotë, atij i duhet të kalojë me sukses procesin e vetingut.

Burimet e ligjshme për apartamentin në Tiranë

Relatorja Bekteshi vuri në dukje në fillim të fjalës së saj se hetimi ishte përqëndruar në dyshimet mbi burimete ligjshme të të ardhurave që kishin shërbyer për blerjen e një apartamentin 58 mijë euro në kryeqytet, në kohën kur Mustafaj kishte filluar punë pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda.

Sipas relatores gjyqtari kishte deklaruar tetë burime për blerjen e këtij apartamenti, që përfshinin hua, dy kredi, njëra prej të cilave me kushte lehtësuese, të ardhurat nga paga, të ardhurat e bashkëshortes nga kurset, të ardhurat nga qiraja dhe dhurime nga familja e bashkëshortes.

Siç doli nga relatimi Mustafajt i kishte kaluar barrë prove për të shpjeguar fillimisht dyshimet e ngritura nëse ai kishte pasur të drejtë të përfitonte kredinë me kushte lehtësuese në vlerën 5 milion lekë, ndërsa kishte pasur një shtëpi në Sarandë dhe se  sipas kronologjisë së veprimeve, kredia e butë ishte marrë dy vjet pasi ishte lidhur kontrata për apartamentin

Relatorja tha se me këtë kredi ishin paguar 18 mijë euro të kredisë tregtare, 1 milion lekë nga huaja e marrë dhe ishte shlyer pjesa e mbetur e detyrimit për shtëpinë prej 4 mijë eurosh dhe se prej kësaj kishte dyshime që nuk ishte përdorur për blerje shtëpie siç ishte specifikuar.

Vetë Bekteshi lexoi edhe kundërshtimet e Mustafajt, i cili kishte shpjeguar se ai nuk kishte pasur shtëpi në vendin e punës dhe se kjo i ishte dhënë si anëtarë i Gjykatës së Krimeve të Rënda.  Kredia e butë ishte përdorur për të shlyer huanë e marrë nga kunati dhe po ashtu edhe kredinë me kushte të tregut të përdorur për apartamentin.

Bekteshi vuri në dukje se Mustafaj kishte bërë deklarime të detajuara për burimet e këtij apartamenti në deklaratat vjetore dhe po ashtu edhe në deklaratën veting. Ajo tha se deklarimet përputheshin dhe se pas kësaj KPK kishte hetuar burimin e ligjshëm të këtyre të ardhurave.

KPK vuri në dukje se nga dokumentacioni rezultonte se kunati që kishte dhënë huan prej 1 milion lekësh, kishte pasur të ardhura të ligjshme për një periudhë nga viti 1996 deri në vitin 2003, po rreth 1 milion lekë pa llogaritur shpenzime dhe se nuk rezultonte të kishte të ardhura të ligjshme për të dhënë huanë.

Mustafaj, i cituar nga Bekteshi kishte sjellë dokumentacion shtesë mbi punësimin e kunatit në një traget si marinar për vitet 1999-2001 dhe kishte pretenduar që edhe pse nuk provohej pagesa e tatimeve në Greqi, për shkak të kohës dhe faktin se kjo ishte detyrim i punëdhënësit,  të merrej parasysh të ardhurat e tij në këtë punë si të ligjshme.

Të ardhurat nga qiraja në shumën 420 mijë lekë u provuan si të ligjshme. KPK vuri në dukje se për to ishin paguar tatimet në vitin 2014.

Nga ana tjetër pagesa e tatimeve në vitin 2018 për 850 mijë lekë të ardhura të pretenduara nga kursete bashkëshortes, u pa me rezervë nga KPK. Bekteshi vuri në dukje se në vitin 2003 nuk ishin deklaruar e njëjta shumë si në veting. Mustafaj kundërshtoi këtë gjetje duke vënë në dukje sipas Bekteshit se ato ishin deklaruar specifikisht në deklarimin e të ardhurave.

Mustafaj po ashtu pretendoi se nuk kishte pasur detyrim pagimin e tatimit në kohën kur ishin bërë këto të ardhura dhe se pagesa në masën 15 për qind ishte më e madhe se sa pagesa që mund të kishte bërë në fillim të viteve 2000.

KPK po ashtu gjeti se të ardhurat e prindërve të bashkëshortes nuk ishin të mjaftueshme për t’i dhënë asaj dhurimin në shumën prej 200 mijë dhramish. Po ashtu u vu në dyshim të ardhurat për krijimin e një llogarie bankare prej 4 mijë dollarësh nga dhurimet dhe të ardhurat e bashkëshortes.

Mustafaj pretenoi se konsiderimi si të ardhura të prindërve të bashkëshortes vetëm i pensionit nuk ishte i saktë pasi ata kishin punuar që prej viteve 50’ dhe kishin pasur mundësi për këtë dhurim. Në relatim në këtë pikë u vu në dukje edhe kundërshtimi i Mustafajt mbi analizën financiare në të cilën ai pretendonte shpenzime më të vogla jetese, për shkak të qëndrimit për një periudhë kohe në shtëpinë e prindërve.

Nga ana e saj KPK ngriti dyshime për trajtim preferencial në lidhje me këtë apartament, por tha se nuk kishet gjetur konflikt interesi, ndërsa shtoi se Mustafaj kishte paraqitur kontrata të ngjashme shit-blerje, sipas të cilave çmimi që ai kishte paguar duke e bërë porosinë në kohën që pallati ishte ende në ndërtim nuk ishte preferencial.

Hetimi i pasurisë në Sarandë

Si një nga burimet për shtëpinë e blerë në kryeqytet Mustafaj kishte deklaruar 1.8 milion lekë nga shitja e një godine 1+1 në Sarandë. Godinë që kishte garazhe dhe një lokal ishte ndërtuar në vitin 2003 në një truall të blerë nga Bashkia e Sarandës dhe shitur në vitin 2004.

KPK nga ana e saj ngriti dyshime mbi këtë pasuri dhe çmimin e saj dhe kostot e ndërtimit. Sipas relatimit pasuria ishte përshkruar si e përfunduar në aktin e kolaudimit, por subjekti kishte pretenduar se ajo ishte shitur karabina.

Në relatim u vu në dukje se pasuria, 120 metra ndërtim dhe 304 metra trual në afërsi të detit, nuk rezultonte po ashtu si e papërfunduar as në rregjistrimet në hipotekë. Mustafaj i pyetur për këtë pasuri në seancë tha se kishte depozituar imazhe nga Google Earth që provonin se pasuria kishte qenë e pa përfunduar edhe disa vite pasi ai e kishte shitur.

Ai tha se imazhet tregonin që ajo ishte shitur si karabina dhe se në aktin e kolaudimit kishte një shënim me dorë që tregonte se ajo nuk ishte përfunduar. Anëtarët e KPK pyetën nëse vetë Mustafaj kishte ndonjë lidhje me këtë pasuri, pasi ajo rezultonte me emrin “Vila Ardi”, por gjyqtari mohoi kategorikisht të kishte të bënte me të, ndërsa tha se ishte interesuar për ndërtimin e saj vetëm për arsye të procesit të rivlerësimit.

Në pyetjet q iu bënë u vu në dukje se shitja ishte me një çmim të ulët, por Mustafaj tha se ai kishte pasur nevojë urgjente dhe se nuk kishet pasur mjete të tjera financiare për të mbuluar trasferimin në kryeqytet.

Ai po ashtu kundërshtoi vlerësimin e këtij ndërtimi sipas kostove të Entit Kombëtar të Banesave, duke kërkuar që si bazë për kostot të llogaritej çmimi i shitjes, që përfshin po ashtu edhe truallin.

Analiza financiare dhe apartamenti në Sarandë

Relatorja vuri në dukje se pa marrë parsysh kundërshtimet dhe provat shtesë që Mustafaj kishte paraqitur më 23 shkurt, nga analiza financiare ai rezultonte me minus 6 milion lekë për periudhën 1996 deri në vitin 2003. Kjo analizë nuk kishte konsideruar si të ardhura të ligjshme, siç theksoi relatorja, huanë nga kunati në shumën 1 milion lekë, disa nga të ardhurat e bashkëshortes dhe dhurimet që ajo pretendonte se kishte marrë nga prindërit dhe po ashtu edhe një hua të dytë në shumën prej 1.7 milion lekësh të marrë për blerjen e një apartamenti në Sarandë në janar të vitit 2003.

Për apartamentin kishin shërbyer edhe të ardhurat nga puna dhe të ardhurat e bashkëshortes para martesës, të përmendura më sipër. KPK tha se për këto të fundit do shqyrtohej nëse do merreshin apo jo në konsideratë, ndërsa tha se subjektit i kishte kaluar barrë prove për huadhënësin Gj.D.

Sipas relatimit ky i fundit kishte dy aktivitete biznesi, si kompani dhe si person fizik në fushën e prodhimeve të brumit, por se Drejtoria Rajonale e Tatimeve (DRT) në Sarandë kishte dokumente vetëm për dy vite të aktivitetit nga 1994-1996.

Mustafj tha se DRT Sarandë kishte vënë në dukje se dokumentet kishin humbur nga trasferimi i zyrave dhe se ai gjendej në pamundësi për të provuar pagesën e tatimeve të huadhënësit për vitet e tjera. Nga relatimi rezultoi se Mustafaj kishte sjellë dokumente nga Bashkia e Sarandës që provonin aktivitetin e furrës dhe faktin që huadhënësi kishte qenë biznes i vogël i rregjistruar.

Mustafaj po ashtu solli dokumente të punësimit të huadhënësit dhe bashkëshortes së tij dhe kërkoi që të konsiderohej rroga minimale e tyre si e ardhur.

Disa pasuri të tjera, përfshi dy garazhe dhe llogaritë bankare nuk u gjetën me probleme nga KPK. Po ashtu nuk u duke se kishte probleme edhe mbi një truall 1 mijë metra që bashkëshortja kishte në Delvinë. Pasuria ishte deklaruar, por Mustafaj pranoi se statusi i saj ishte i paqartë, për shkak se ajo nuk ishte trasferuar në pronësi të tyre për mungesë dokumentacioni.

Në seancë veç përgjigjes për pyetje Mustafaj foli shkurt. Ai përshkroi karrierën e tij dhe shtoi në provat që kishte sjellë disa argumente shtesë, kryesisht mbi faktin që godina në Sarandë ishte karabina kur ishte shitur dhe disa pretendime për interesat e përfituara nga depozitat bankare që nuk ishin llogaritur sipas tij si të tilla.

KPK vuri në dukje se ndaj Mustafajt nuk kishte referime disiplinore dhe se ai nuk kishte probleme as në figurë as në profesionalizëm, ndërsa dy denoncime ndaj tij rezultonin pa prova. Mustafaj kërkoi të konfirmohej në detyrë. Seanca e njoftimit të vendimit u caktua më 5 Mars ora 10.00.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *