KPK duke njoftuar vendimin për prokurorin Përparim Vukaj. Foto:Vladimir Karaj/BIRN
Analiza

KPK: Përparim Vukaj ndërmorri hapa për të fshehur pasuritë

Prokurori i Lezhës, Përparim Vukaj u shkarkua nga detyra prej Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK më 10 korrik 2017, pasi u konkludua se nuk kishte shpjeguar bindshëm burimin e ligjshëm të pasurive të tij; se kishte ndërmarrë hapa për t’i fshehur ato; si dhe kishte kyer deklarim të pamjaftueshëm në këtë kriter.

Vendimi u mor nga trupa e KPK e kryesuar nga Pamela Qirko, me relatore Xhensila Pine dhe anëtare Alma Faskajn. Kërkesa e subjektit për riçeljen e hetimit administrativ për pasurinë, si dhe për dy kriteret e tjerë, atë të figurës dhe profesionalizmit, u rrëzua nga Komisioni me argumentin se aktet e administruara kishin nivelin e provueshmërisë, ndërsa Vukaj nuk arriti të vërtetonte të kundërtën e gjetjeve të hetimit.

Përparim Vukaj e nisi karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1999 dhe punoi fillimisht si prokuror n Shkodër. Në vitet 2005-2012, ai punoi si prokuror në Prokurorinë e Korçës, ndërsa në vitet 2012-2015 e ushtroi funksionin në Prokurorinë e Tiranës. Në vitin 2015, Vukaj u komandua drejtues në Prokurorinë e Lezhës.

Vukaj ka deklaruar se i vëllai i ka dhuruar një apartament me sipërfaqe 124 m2 në Tiranë, me vlerë 15.2 milionë lekë.

Nga verifikimi i historikut të kësaj prone, ka rezultuar se vëllai i subjektit e ka blerë në shkurt të vitit 2011 për çmimin 13 milionë lekë dhe përpara se t’ia dhuronte prokurorit Vukaj, është kyer rivlerësimi për shumën 15.2 milionë lekë. Në dhjetor po të vitit 2011, kjo pasuri i është dhuruar subjektit.

Në lidhje me burimin e kijimit të kësaj pasurie, subjekti ka shpjeguar se i vëllai e ka blerë apartamentin me të ardhura nga puna në emigracion prej vitit 1992 në Itali dhe nga viti 1999 e në vazhdim në Amsterdam të Holandës.

KPK ka gjetur edhe një kontratë tjetër noteriale për blerjen e kësaj pasurie nga vëllai i subjektit në vitin 2008 kundrejt çmimit 12.1 milionë lekësh, shumë e deklaruar se është shlyer jashtë zyrës noteriale. Por, Vukaj ka këmbëngulur se i vëllai e ka blerë apartamentin në 2011-ën dhe se në këtë vit ka shlyer edhe pagesën.

Trupa e KPK ka konstatuar se parashtrimet e subjektit lidhur me kohën e pagesës janë në kundërshtim me kontratën e firmosur në vitin 2008, kur palët kanë deklaruar para noterit se kanë paguar para nënshkrimit vlerën prej 12.1 milionë lekësh.

Po ashtu, nga verifikimi i sistemit TIMS ka rezultuar se vëllai i prokurorit Vukaj nuk është gjendur në Shqipëri në asnjë prej datave kur janë nënshkruar veprimet noteriale në emër të tij, si në momentin e blerjeve në vitet 2008 e 2011, ashtu dhe kur është përpiluar akti i dhurimit.

Nga analiza paraprake është konstatuar pamundësi për shlyerjen nga vëllai i subjektit i shumës 12.1 milionë lekë në vitin 2008.

Komisioni i ka kaluar Vukajt barrën e provës për të vërtetuar tej çdo dyshimi të arsyeshëm se kjo banesë nuk është pasuri e fshehur e tij, si dhe për të provuar të ardhurat financiare të ligjshme të përdorura nga dhuruesi për blerjen e saj.

Vukaj ka pretenduar se sistemi TIMS në fillimet e veta ka pasur shumë probleme të funksionimit, si dhe shfaq ende probleme bllokimi nga faktorë të ndryshëm, si mungesa e internetit e deri nga hakerimi. Ai ka këmbëngulur se nuk ka pasur dijeni për kontratën e vitit 2008 dhe është shprehur se besonte se paratë nuk ishin paguar në kontratën e parë, pasi blerësi nuk i ka disponuar paratë. Si argument ka sjellë faktin se certifikata e pronësisë në emër të vëllait ka dalë në vitin 2011, si dhe rritja e çmimit ka ardhur për shkak të mosshlyerjes së vlerës së apartametit në vitin 2008.

KPK vlerëson se Vukaj nuk arriti të përmbysë barrën e provës, duke mos provuar se ka deklaruar saktësisht dhe shpjeguar bindshëm ligjshmërinë e burimit të krijimit të kësaj pasurie, pasi ka një sërë rrethanash që nuk mund të injorohen dhe të konsiderohen si joekzistente.

Sipas Komisionit, subjekti nuk arriti të shpjegojë mungesën e vëllait në kohën e nënshkrimit të kontratave të shitblerjes dhe të dhurimit. “[…]Subjekti dhe përfaqësuesi i tij ligjor nuk paraqiti asnjë dokumentacion mbështetës provues për mosfunksionim të sistemit TIMS dhe zëvendësimin e tij me regjistrim manual në rastet e pretenduara”, arsyeton KPK.

Lidhur me pretendimet e Vukajt për pagesën e vlerës së apartamentit në vitin 2011, trupa e KPK vlerëson se blerësi bëhet pronar i ligjshëm që në momentin e nënshkrimit të kontratës, që në këtë rast konsiderohet viti 2008.

“Me nënshkrimin e kontratës së tjetërsimit të pasurisë së paluajtshme, përfituesi i të drejtave, njëkohësisht pronar i pasurisë së paluajtshme, legjitimohet të ushtrojë të drejtat e tij përkundrejt të tretëve, ndaj dhe për sa më sipër arsyetuar trupi gjykues vlerëson se rezulton e provuar se pagimi i çmimit të blerjes së apartamentit është kryer në datën 3.10.2008, referuar aktit juridik kontratë shitblerjeje nënshkruar mes palëve, dhe se hartimi i kontratës mes palëve për të njëjtën pasuri nuk e rrëzon konkluzionin e mësipërm”, shprehet KPK dhe i ka qëndruar konstatimit për pamundësi të vëllait të subjektit për shlyerjen e shumës 12.1 milionë lekë në vitin 2008.

Për konstatimin se aktet noteriale të nënshkruara para noterit duken si përpjekje të subjektit për të fabrikuar dokumente që justifikonin krijimin e pasurive prej tij, KPK arsyeton se vlera provuese e kontratës duhet të çmohet duke u interpretuar sipas qëllimit të palëve.

“Kontratat e shitblerjes lidhur mes palëve para autoritetit publik, si noteri në rastin konkret, pa qenë prezent pala blerëse, vëllai i subjektit dhe njëkohësisht dhuruesi i kësaj pasurie, duken si përpjekje e subjektit për t’i fabrikuar këto akte”, shprehet Komisioni dhe arrin në konkluzionin se vërtetësia e thënieve dhe deklarimeve të subjektit lidhur me burimin e krijimit nuk janë në pajtueshmëri me provat dhe besueshmërinë e tyre.

KPK arrin në përfundimin se është konfirmuar përpjekja e Vukajt për të deformuar të vërtetën në funksion të paraqitjes së të dhënave, që lidheshin me justifikimin e burimeve dhe veprimet noteriale të hartuara pa qenë prezent vëllai i tij, që janë hartuar vetëm në funksion të situatës së konstatuar.

Sipas Komisionit, subjekti është përpjekur të fshehë të vërtetën, për sa i takon të dhënave që lidhen me justifikimin e burimeve të të ardhurave përdorur për këtë pasuri të paluajtshme, si dhe nuk arriti të provojë se nuk gjendej në kushtet që lidhen me fshehjen e burimit të këtij apartamenti.

Prokurori Vukaj është gjetur në pamundësi financiare për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 68 m2 në Pogradec, të porositur në vitin 2009 dhe të blerë në 2016-ën, për çmimin 1 milion e 890 mijë lekë. Si burim të kësaj pasurie ai ka shënuar një hua në shumën 1.7 milionë lekë nga i vëllai i bashkëshortes, detyrim që është deklaruar se është likuiduar gjatë viteve 2009-2015.

KPK vëren se kjo pasuri nuk është deklaruar nga subjekti dhe bashkëshortja e tij në asnjë nga deklarimet periodike të viteve 2009 – 2016, pavarësisht pagimit të së gjithë vlerës së saj që në janar të 2009-ës.

“Mosdeklarimi i subjektit dhe i personit të lidhur mbi këtë pasuri nga viti 2009 e në vijimësi jo vetëm është në shkelje të detyrimit ligjor, të përcaktuar nga neni 4 i ligjit nr. 9049, datë 10.4.2003, ‘Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë’, por edhe pengon hetimin e saj nga organi kompetent”, konstaton KPK.

Në përfundim, është konkluduar se nuk është arritur të vërtetohet me dokumentacion ligjor mundësia e huadhënësit për krijimin e shumës 1.7 milionë lekë. Nga analiza financiare ka rezultuar pamundësi në shumën 1.8 milion lekë për blerjen e apartamentit në Pogradec.

Vukaj ka deklaruar se ka blerë me hua edhe një garazh me sipërfaqe 17.36 m2 në Tiranë për vlerën 1.6 milionë lekë në vitin 2015. Po ditën kur është blerë apartamenti është nënshkruar dhe kontrata e huasë 1.6 milionë lekë, marrë nga një person me banim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, SHBA prej vitit 1997. Subjekti ka deklaruar se huanë e ka marrë në cash.

KPK i ka kaluar Vukajt barrë prove për mosdokumentimin e kohës dhe mënyrës së transferimit të këtyre likujditeteve nga SHBA-ja dhe mosvërtetim të të ardhurave të deklaruara të huadhënësit, nga për rrjedhojë ka rezultuar pamundësi për blerjen e garazhit.

Në përfundim, Komisioni nuk i ka vlerësuar bindëse dokumentet e dorëzuara nga subjekti për të vërtetuar mundësinë e huadhënësit për këtë shumë.

“[…]Këto të ardhura të deklaruara si të disponuara nga huadhënësi në SHBA nuk mund të shërbejnë për të provuar ekzistencën e burimit të ligjshëm të huas dhënë prej tij, pasi vërtetësia e thënieve nuk konstatohet e provuar dhe sepse nga analiza e të gjithë dinamikës dhe elementeve përbërëse të shtjelluara, në mënyrë kritike dhe në tërësi me gjithë elementet e tjera, çojnë Komisionin në dyshime për vërtetësinë e deklarimeve mbi marrëdhënien financiare të huas”, shprehet trupa e KPK dhe e gjen të paarsyeshëm shpjegimin e subjektit për rrjedhën e ngjarjeve, sipas të cilit vlerat monetare të fituara nga huadhënësi në SHBA u transportuan cash në Shqipëri për t’iu dhënë hua subjektit për blerjen e garazhit.

Sipas KPK, Vukaj nuk ka mundur të kundërshtojë barrën e provës dhe për këtë pasuri duke rezultuar me mungesë burimesh financiare.

“Komisioni, në analizë të të gjitha fakteve, provave dhe shpjegimeve të subjektit gjatë hetimit, por edhe pas kalimit të barrës së provës, në lidhje me transaksionet e kryera nga subjekti me pasuritë e paluajtshme konstatoi veprime fiktive në nënshkrimin e disa kontratave të shitjes apo akteve noteriale pa qenë prezent pala, të cilat kishin si qëllim justifikimin e burimeve të ligjshme të pasurive që do të krijonte subjekti në të ardhmen”, vlerëson KPK.

Probleme janë gjetur edhe gjatë verifikimit të pasurive të luajtshme. Deklarimi i shitjes së një automjeti në vlerë më shumë se tre herë më të madhe nga sa e kishte shitur, vlerësohet nga KPK si një përpjekje e subjektit për të krijuar gjendje likuiditeti, që do të shërbenin në të ardhmen për krijimin e pasurive të tjera. KPK arrin në përfundimin se Vukaj në këtë rast gjendet në kushtet e deklarimit të rremë.

Vukaj ka rezultuar në pamundësi për blerjen e një automjeti tip Toyota në vitin 2008; për krijimin e një depozite në emër të bashkëshortes në vitin 2006 dhe shtimet në depozitat në emër të fëmijëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *